Me çekiç: vota dhe timoni

/Kujtim Bruti/
Nëse nuk voton, s’ke të drejta.
Kjo parullë është antikushtetuese. Vota është e drejtë, jo detyrim, paçka se kjo nuk e bën më pak totalitare, në kushtet e mospasjes së “një të keqeje më të vogël” dhe të mos pasurit hapësirë juridike për të shprehur tërheqjen/indinjimin tënd ndaj sistemit socio-politik. Kjo s’do të thotë se vota është mjet demokratik i dorës së dytë, përkundrazi.
Ajo çka dua të them është se në themel të idesë së përfaqësimit qëndron vetë tërheqja: tërheqja e plebenjve në kodrën e Aventinit, kundër shtypjes së patricëve romakë, çka i detyroi këta të fundit t’i pajisnin me institucione ata që deri dje ishin thjesht kafshë pune. Pastaj, prerja e kokës së mbretit Luigj XVI, lëvizja socialiste, lufta antikoloniale etj. – të gjitha këto edhe për votën janë bërë, lexues të dashur.
Ja që vota nuk është çështje e një tregtie të vockël, fanatizëm familjar dhe mall për t’u konsumuar çdo katër vite. Është shumë më tepër.
Po votë, por për kë e për çfarë? Kjo është pyetja! Vota është çështje alternative dhe shprese – jo forcë e zakonit. Dhe nëse aty nuk ka alternativë dhe shpresë, s’ka përse të votohet. Një vote e tillë është antivotë, d.m.th. nuk përfaqëson asnjë parim mbi të cilin ngrihet koncepti i përfaqësimit politik. Prandaj, pohimi liberalo-ambasadorial se vota është e shenjtë, paçka se akoma e tregtueshme dhe pa horizont, veçse legjitimon vazhdimin e status quo-së, ngecjes e padrejtësisë.
Në fund fare, a nuk e akuzojnë me zemërim popullin pushtetarët e rënë përkohësisht prej vaktit, se “ju e kini fajin, ju i votuat” – apo qeveritarët e radhës, kur kryejnë ndonjë krim social, se “ky është vullneti i popullit, janë votat e tij”?! Vota jo vetëm që nuk po sillka të drejta, por është bërë argument për ngrënien e tyre. Vota qorre, vota mielli, vota fisi, vota pune, vota…
Vota që në fund të fundit na lënë të gjithëve në errësirë, pa miell, pa punë, pa të ardhme.

Timonieri i reformave historike

“Timonier i madh” është quajtur me përkëdheli drejtuesi i revolucionit kinez Mao, që me prurjet teorike në rrafshin e mendimit revolucionar dhe me aksionin antiburokratik brenda politikës partiake, fitoi entuziazmin e rinisë intelektuale anekënd botës, sigurisht përpara se t’u lëshonte të rinjve kinezë ushtrinë kur ata i morën idetë e tij më seriozisht se ç’e priste ai, duke iu kundërvënë në fund edhe vetë “timonierit”.
Ky koncept po përtypet së fundmi si zhargon fatalist politik prej kryeministrit Rama, që po luftoka me erërat e tërbuara të historisë për reformat e tij të mëdha, për të cilat kërkon akoma më shumë pushtet. Ose sundim në fakt.
Duke mos dashur të bie në pozitat interpretuese të liberalëve mbi konceptin e timonit si tezë totalitare, apo të konservatorëve të djathtë, që në çdo veprim qeveritar zbulojnë orgji dhe marksizëm-leninizëm, le të gërmojmë ca më thellë dhe të përpiqemi të nxjerrim ca rrjedhoja.
Si për shembull, ajo çka e bën bashkë Ramën me retorikën maoiste nuk është drejtimi ideologjik – pra Rama nuk dëshiron t’i japë fund shtypjes kapitaliste në shoqëri – thjesht kërkon më shumë pushtet për politikat e tij ultrakapitaliste. Ky është dallimi themelor.  Rama dhe ca parti staliniste që ka në koalicion nuk bëhen bashkë prej parimeve të ndonjë socializmi a socialdemokracie të re, por thjesht nga dëshira idhujtare për figurën e liderit të padiskutueshëm, dhe sot kapitalizmi antidemokratik, kapitalizmi me vlera autoritare është mjaft në modë.
Nga ana tjetër, kundër cilave erëra të tërbuara historike po vozit Rama, që për t’i përballuar ato i nevojitet më shumë pushtet, të qenit timonier i vetëm? Në fakt, ai po ecën në rrjedhën e historisë, të karakterizuar prej shembjes së shtetit dhe paqes sociale. Cilat korporata shfrytëzuese ndërkombëtare fshikulloi?! Cilët bosa të kromit e krimit?! Këto korporata vijojnë të vënë të pashqetësuara në rrezik jetën e njerëzve. Ç’i duhet timoni atëherë? Historik nuk të bën të zhyturit në flluskën e bashkëkohësisë, të ndjekurit të modës, por kundërshtimi i rrjedhës së tërbuar të saj, të përftuarit të një distance kritike e kuptimore.
Në fund të fundit Rama nuk është as historik, as timonier dhe as reformator. Në ndryshim nga Maoja, Rama nuk është as figurë tragjike. Maoja tentoi nxjerrjen e një populli nga prapambetja mesjetare në modernitet, i rrethuar nga të gjitha anët dhe me pak mjete e bukë në dispozicion, çka solli pasojat e pashmangshme, dhunën dhe urinë. Atë e bën tragjik dëshira dhe përpjekja, ndërsa Ramën ky fjalor i përftuar nëpër mundime dramatike e bën komik. Siç e bën kloun këtej zhargoni maoist dhe andej dollarët manisto-çilistë.
E megjithatë Rama, përkundër problemit me vdekjen që e ka deklaruar hapur gjatë një interviste me gazetarë të huaj, çka gjasme e shtyn te qeverisë-për-t’u-mbajtur-mend, asgjë nuk do të arrijë. As pikturat e tij të shëmtuara dhe as retorika prej shoferi të dehur nuk do te mbahen mend.

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.