/Lëvizja Për Universitetin/
Vëmendja e jashtëzakonshme publike dhe solidariteti e entuziazmi i madh shoqëror që shkaktoi aksioni ynë i djeshëm na shtyn të japim publikisht dëshminë tonë për ngjarjen dhe të sqarojmë përmbledhtas qëndrimet tona.
Dinamika e ngjarjes
Dje, më 2 nëntor 2015, në orët e paradites kemi mësuar se kryeministri Rama do të vinte në Fakultetin e Shkencave Sociale për të marrë pjesë në një takim të huaj për mjediset universitare dhe në të cilin, për më tepër, nuk ishin të ftuar studentë dhe pedagogë. Të indinjuar nga shpërfillja kryeministrore që i trajton mjediset universitare si zyra partie për propagandë dhe të fyer nga prania e tij në vendin e krimit qeveritar, vatrën e rezistencës universitare ndaj ligjit të arsimit të lartë, aktivistë të Lëvizjes Për Universitetin janë organizuar aty për aty për t’i shprehur kryeministrit publikisht indinjatën dhe mllefin e tyre ndaj padrejtësive që po i bën qeveria jetës universitare publike. Me të dalë prej takimit, studentët i janë drejtuar me akuza dhe kritika kryeministrit, i cili është përgjigjur me batuta fyese. Në ato çaste, civilë me pamje badigardësh kanë shtyrë dhe kërcënuar studentët, madje studenten Vitori Çipi e kanë pështyrë dhe shtyrë duke e rrëzuar. Fill pas këtij konfrontimi të parë, disa prej aktivistëve kanë qëlluar me vezë në drejtim të kryeministrit. Menjëherë shpura e badigardëve, policëve dhe të tjerë keqbërësve të pranishëm u është sulur dhunshëm studentëve dhe, në kundërshtim me ligjin për paprekshmërinë policore të mjediseve universitare, kanë marrë zvarrë, qëlluar me shpulla dhe grushte studentët e pranishëm. Tetë prej tyre, Klodi Hoxha, Anita Lushi, Bora Mema, Liri Kuçi, Vitori Çipi (nga Lëvizja Për Universitetin), Dardan Konjufca, Valton Marku dhe Durim Jasharaj (nga Klubi Politik i Studentëve në Kosovë) janë futur me dhunë në makinat policore. Brenda makinave studentët meshkuj janë qëlluar edhe me grushte. Me grusht janë qëlluar në shpinë edhe studentët Bora Mema dhe Valton Marku në korridoret e komisariatit nr. 2 të Tiranës nga një civil që hamendësohet të jetë punonjës policie. Si në mjediset e komisariatit nr. 2, ashtu edhe në ato të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, studentët janë dhunuar psikologjikisht me kërcënime nga punonjësit e policisë.
Pas orës 13 aktivistë të tjerë të Lëvizjes Për Universitetin, universitarë dhe qytetarë të Tiranës janë mbledhur në shenjë proteste përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Në ndihmë të studentëve kanë ardhur edhe përfaqësues të Avokatit të Popullit të cilët i kanë kërkuar policisë të zbatojnë detyrimin ligjor dhe t’i lejojë të vizitojnë të ndaluarit për të inspektuar nëse ndaj tyre ishte ushtruar dhe po ushtrohej dhunë fizike dhe psikologjike. Avokatët nuk janë lejuar të kryejnë detyrën e tyre për më se një orë. Si rezultat i presionit qytetar përpara Drejtorisë së Policisë dhe të opinionit publik të shprehur në të gjitha mediat, aktivistët studentorë janë liruar në orën 19.30 dhe ndaj tyre pritet që policia të ngrejë akuzën e kundërshtimit të forcave policore. Sot studentët e lënduar kanë kryer ekzaminimet mjeko-ligjore dhe do ta ndjekin çështjen ndaj Policisë së Shtetit edhe penalisht për të vënë përpara ligjit të gjithë urdhërdhënësit dhe ushtruesit e dhunës.
Qëndrimi përmbajtësor
Arsyeja kryesore e konfrontimit me kryeministrin ishte dhe do të jetë kundërshtia jonë e papajtueshme me ligjin klientelist për arsimin e lartë, i sponsorizuar nga një grusht universitetesh private. Siç e kemi shpallur në dhjetëra protesta, zaptime, aksione simbolike, shkrime e qëndrime publike, ligji i arsimit të lartë ka qenë klientelist në nxitje, antidemokratik në procedurë hartimi dhe shkatërrimtar në përmbajtje. Përmes tij, qeveria do të kanalizojë drejt universiteteve private të kthyera formalisht në fondacione një pjesë të fondeve shtetërore, edhe kështu të pamjaftueshme për universitetet publike. Kjo reformë nga pikëpamja financiare pritet t’i rrisë edhe më papërballueshëm tarifat duke përjashtuar nga e drejta për studim pjesën më të madhe të studentëve të cilët u përkasin shtresave të varfra dhe të mesme. Po ashtu kundërshtojmë cenimin e autonomisë universitare dhe lirisë akademike nga bordet me shumicë përfaqësimi qeveritar dhe zmbrapsjen e të drejtave studentore si në rastin e zgjedhjeve. I fundit, por jo për nga rëndësia, është kundërshtimi ynë ndaj komercializimit të jetës universitare publike që do t’i kthejë universitetet publike në kopje edhe më të shëmtuara të atyre private. Sidoqoftë përpjekja jonë ka shkuar edhe në drejtim të kritikës ndaj autoriteteve burokratike të atrofizuara dhe të komprometuara të universiteteve publike të cilat, të kapura e të frikësuara nga qeveria për të palarat e tyre, ose kanë dalë në krah të qeverisë në kurriz të të drejtave universitare, ose kanë heshtur dhe e kanë lënë në baltë universitetin.
Qëndrimet e mësipërme i kemi artikuluar dhe ngritur për dy vjet me radhë, të shpërfillur dhe ofenduar nga qeveritarët dhe të margjinalizuar nga mediat. Kemi gjetur solidaritetin e shumë studentëve dhe pedagogëve, ashtu sikundër kemi hasur frikën dhe ngurrimin e një pjese prej tyre për të na mbështetur edhe publikisht, jo vetëm në biseda konfidenciale.
Konfrontimi i djeshëm me kryeministrin kishte për qëllim jo vetëm ballafaqimin me personin që sintetizon keqbërjen sistemore ndaj arsimit të lartë publik në Shqipëri, por edhe inkurajimin e të shumtëve që mendojnë si ne, por nuk guxojnë të na bashkohen publikisht ose nuk kanë shpresë se në një vend ku mbyt dëshpërimi social mund të ndryshojnë gjërat. Ne shpallim se nuk kemi frikë dhe se organizimi, vendosmëria dhe kthjelltësia intelektuale e rezistencës i sjell frytet e veta.
Reagim ndaj Partisë Demokratike
Gjatë ditës së djeshme kemi vërejtur me keqardhje se Partia Demokratike ka tentuar ta instrumentalizojë protestën tonë. Kur na kanë kontaktuar u jemi përgjigjur se nuk duhet të na afrohen pasi protesta jonë nuk drejtohet vetëm kundër qeverisë, e cila si pushtetmbajtëse aktuale ka përgjegjësinë kryesore në mjerimin ku po zhytet edhe më arsimi i lartë në Shqipëri, por kundër një sistemi të tërë politik të kalbëzuar nga korrupsioni, klientelizmi, privatizimi dhe përvetësimi i publikes, pjesë themelore e të cilit është edhe Partia Demokratike. Po ashtu i kujtojmë opinionit publik se të njëjtën reformë klienteliste ka tentuar ta çojë përpara edhe qeveria e Partisë Demokratike në vitet 2010-2013, e shprehur në tre dokumente të miratuara nga Ministria e asokohshme e Arsimit dhe Shkencës. Edhe asokohe një pjesë jona e ka kundërshtuar qeverinë në kuadrin e lëvizjes Universiteti Në Rrezik.
Si do të vazhdojmë?
Konfrontimi i djeshëm me kryeministrin ishte vetëm aksioni i radhës në procesin e gjatë që e kemi nisur prej vitesh dhe do ta vazhdojmë derisa të kemi frymë për çlirimin e jetës universitare nga kolonizimi i qeverisë dhe i interesave të privatëve të fuqishëm. Përmes organizimit në çdo fakultet, ne do të synojmë një masivizim të tillë të rezistencës i cili do të mundësojë bllokimin e jetës universitare publike duke e pamundësuar jetësimin e ligjit të arsimit të lartë. Po ashtu po mendojmë forma rezistence edhe më krijuese dhe të papritura. I japin fjalën kryeministrit se “nuk ka parë gjë akoma”.
Studentët e bashkuar kanë për të fituar! Për Universitetin, Për Shoqërinë!
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).