Si t’i përgjigjemi shantazhit të qeverisë mbi studentët dhe gjithë ne të tjerët?

/Xhuliano Bregasi/

Në vitin 2014 qeveria e Edi Ramës nisi të ashtuquajturën reformë në arsimin e lartë, të cilën e kishte lënë rrugës qeveria e Sali Berishës. Thelbi i kësaj reforme ishte privatizimi i arsimit të lartë: rritja e mëtejshme e tarifave të studimit, financimi me para publike i universiteteve private, kontrolli i qeverisë mbi universitetet etj. Siç kishim protestuar ndaj ligjit të Berishës në vitet 2011-2012, bashkë me aktivistë të tjerë nisëm rezistencën ndaj të njëjtit ligj të ripaketuar nga Rama në 2014-n.

Privatizimit të universitetit publik, Lëvizja Për Universitetin iu kundërpërgjigj me kërkesën “arsim publik falas”, për arsimim sipas dijes dhe jo xhepit. Si shembull shpesh u referoheshim modeleve të arsimit publik nga vende perëndimore, nga djepi i kapitalizmit. Megjithatë qeveria, e drejtuar nga partia pasardhëse e Partisë së Punës, na etikoi “komunistë”. “Komunistë” na etiketoi edhe opozita ngaqë kërkonim arsim falas, njëkohësisht “komuniste” etiketonte edhe qeverinë që kërkonte shumëfishim tarifash. Nejse.

Të gjitha partitë e vjetra, pronare apo shërbëtore universitetesh private, nuk donin të merreshin me thelbin e problemit. Ndaj i shmangeshin duke hedhur parulla. Askush nuk denjoi të ulej me laps në dorë për të parë nëse ekzistonte mundësia për arsim publik falas, kostoja e të cilit është sa korrupsioni i pushtetarëve vetëm për dreka e darka. Njëjtë siç qeveria nuk denjoi që për reformën të përfshinte universitarët, por u bazua vetëm te direktivat e gjithçkaditësit Edi Rama.

Pak vite më vonë, pas protestave studentore të vitit 2018, Edi Rama shkoi me pahir drejt reduktimit të pjesshëm të tarifave. Prapëseprapë ishte masë gjysmake, sidomos duke marrë parasysh që tarifat e masterit mbetën të tjetërbotshme për të ardhurat e studentëve shqiptarë dhe familjeve të tyre.

Nuk kaloi shumë kohë dhe auditorët e universiteteve filluan të braktiseshin masivisht. Për shumë studentë ishte më lirë të studionin jashtë vendit, ku mund të përfitonin ndonjë bursë studimi, sesa në Tiranë. E zënë ngushtë, qeveria u detyrua të hiqte plotësisht tarifën për degët prioritare (kryesisht ato të mësuesisë). Kur as kjo masë nuk pati efekt, atëherë qeveria vendosi… të bëhej “komuniste”!

Janë një sërë degësh, prej vitit të shkuar, të cilat jo vetëm që nuk kanë tarifë studimi (dhe tashmë as kufi mesatareje), por studentët do të përfitojnë pagë minimale për të studiuar. Pra jo vetëm falas siç kërkuam ne në vitin 2014, por edhe pagesë për studentët. “Komunizmi më afër se kurrë” – do të mendonte ndokush që nuk e njeh qeverinë më neoliberale që ka pasur ky vend.

Sidoqoftë, edhe kjo masë në dukje radikale e përparimtare, është shumë e vonuar, gjysmake dhe hileqare. Si vetë qeveria e Edi Ramës.

E vonuar sepse ndërhyrja e fortë në arsimin e lartë duhej bërë vite më parë, atëherë kur ishin dhënë shenjat e para të eksodit studentor, të cilët ishin të pakënaqur në auditorë dhe pa pikë perspektive pas daljes prej tyre. Po qeveria ka qenë shumë e ngarkuar duke menduar vetëm për të bërë plaçkë.

Gjysmake sepse nuk ka asnjë studim dhe lidhje me tregun e punës. Supozohet që studentët në degët prioritare do ta kenë të sigurt vendin e punës pas studimeve. Po sa të sigurt mund të jenë pas një përvoje 32-vjeçare korrupsioni e nepotizmi të thellë për punësimet në shtet?!

Hileqare sepse heqja e tarifës dhe paga minimale është për studimet në nivelin bachelor. Po në master?! Në anën tjetër, studentët duhet të firmosin që sot një punësim të paktën 3-vjeçar në Shqipëri pas përfundimit të studimeve.

Jo se jam kundër punësimit në vend të të rinjve. Përkundrazi, mendoj që duhet bërë çmos për të krijuar kushtet që mundësisht të kthehen edhe nga ata dhjetëra mijëra të rinj që tashmë janë larguar.

Ama kjo nuk mund të bëhet as me detyrim, as me sanksione, as me shantazhe. Nëse nuk krijohen kushtet e përshtatshme, për një punë dhe jetë dinjitoze në këtë vend, nuk ka kontratë që të mban. Qeveria nuk po mban dot më ushtarët e NATO-s, që prej vitesh vazhdojnë të braktisin radhët, e le më të mbajë mësuesit dhe mjekët që në Gjermani i kërkojnë si “ujin e paktë”.

Edi Rama dhe pushteti i tij po katandisen avash-avash si pronarët që i kanë trajtuar punëtorët si skllevër: gjithmonë e më pak kanë se kë të shfrytëzojnë e shantazhojnë. Herët a vonë, nëse gjërat shkojnë kështu si po shkojnë, as patronazhistët nuk do i ketë më nën hyqëm, se edhe ata janë duke bërë plaçkat gati. Por nuk është ky halli ynë.   

Halli ynë është pikërisht fakti që shqiptarët – të rinj a të vjetër, studentë, punëtorë a profesionistë qofshin – vazhdojnë ikin dhe kanë dëshirë të ikin mbase më shumë se para 32 vjetësh. Për ta çuar pak më tej këtë logjikë, halli ynë më i madh nuk është pse po i ikin shtypjes dhe shantazhit, por se si të organizohemi për t’i shporrur shtypësit dhe shantazhuesit që kemi prej 32 vjetësh. Me Edi Ramën në krye.

Vetëm kështu do të hapej një shteg shprese për ta bërë këtë vend të zhvilluar dhe të begatë, që t’iu ofrojë të rinjve dhe gjithë të tjerëve – edhe atyre që kanë ikur me jo pak brenga – atë që iu është mohuar dhunshëm prej tri dekadash nga një grusht njerëzish “pa din e pa iman”.

Këtë mund ta arrijmë vetëm duke u organizuar, rezistuar dhe reaguar. Vetëm BASHKË.

Imazhi/Ivana Dervishi – Reporter.al

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.