/Alfred Bushi/
Partitë politike qeverisëse në Shqipëri, parë si përfaqësuese të interesa të klasave sunduese, nuk kanë hegjemoni mbi shoqërinë. Pushteti i tyre, marrë si forcë drejtuese (intelektuale, morale, politike, ekonomike) nuk është kurrë mbarëshoqëror, por i kufizuar brenda disa grupe ose fraksioneve të ngushta shoqërore, siç mund të jenë një pjesë e pensionistëve mbi të cilët Partia Socialiste ushtron një forcë ideologjike udhëheqëse apo ish-të përndjekurit politikë mbi të cilët Partia Demokratike ushtron një hegjemoni të plotë për shkak të së shkuarës. Pushteti i këtyre dy partive është po ashtu drejtues me raste dhe i drejtuar kryesisht në raport me oligarkinë ose pronarët e mëdhenj, pra në raport me klasat ekonomikisht sunduese. Megjithëse edhe në këto raste hegjemonia nuk është as spontane dhe as e jospontane, por më shumë për inerci, forcë e zakonit, ose për interesa të caktuara. Partia Demokratike mund të quhet parti hegjemonike vetëm në fillesat e saj, ku përfaqësonte aspiratën e popullit për të qenë si Europa, por edhe në këtë rast ka qenë më shumë aspiratë për liri, për të ikur drejt Europës sesa urgjencë për ta bërë vendin si Europa.
Mirëpo që hegjemonia e një klase, partie apo grupi sundues të jetë reale, ajo duhet të ushtrohet si konsensus dhe si shtrëngim, forcë, ose edhe si aparat displinimi. Konsensusi dhe bindja iu drejtohen atyre grupeve të ngjashme ideologjikisht dhe në interesa, ndërsa aparati i shtrëngimit ushtrohet ndaj atyre grupeve antagoniste që e mendojnë ndryshe bartësit e pushtetit politiko-ekonomik. Në Shqipëri hegjemonia e klasave sunduese të përfaqësuar nga partitë politike nuk ushtrohet si konsensus, por si shtrëngim, kuptuar në të gjitha nuancat që mbart koncepti i shtrëngimit. Nëpërmjet aparatit shtetëror, atij mediatik, fetar, zakonor apo strukturës ekonomike, që janë shtyllat kryesore mbi të cilat ndërtohet shtrëngimi në shoqërinë tonë, bëhet i mundur disiplinimin i të gjithë të pabindurve: me anë të frikës, moralit të së keqes më të vogël, interesave personale, kërcënimit me heqje nga puna, manipulimit, gënjeshtrave, konspiracionit, lidhjeve farefisnore apo miqësore, korrupsionit, krimit të organizuar etj. Mirëpo hegjemonia në këtë mënyrë është e paplotë sepse nuk arrin të korrë konsensusin spontan të masave dhe as konsensusin e jospontan. Dhe kjo vjen ngaqë intelektualët që organizojnë jetën politiko-ekonomike të klasave sunduese nuk kanë legjitimitet moral e politik mbi shoqërinë. Kjo më gjasë vjen sepse as pushteti ekonomik, nga i cili merr shkas ai politik, nuk ka as legjitimitet intelektual kuptuar si organizator i punës (shkak është puna e pakualifikuar që kërkohet në vend) e as moral.
Çdo epokë ka princin e saj do të thoshte Antonio Gramsci. E jona ka princin e saj modern, një organizëm që “duhet dhe nuk mund të mos jetë kumtari dhe organizatori i një reforme intelektuale dhe morale” vijon Gramsci. E tillë është në të vërtetë partia politike, struktura në të cilën përbashkohen embrionet e vullnetit kolektiv të cilët synojnë të marrin një trajtë universale. Bëhet fjalë për princin modern, kuptuar si një entitet i domosdoshëm historikisht, i cili në ndërgjegjet e njerëzve zë vendin e hyjnive dhe imperativit kategorik, që bëhet themel i laicizmit bashkëkohor dhe i gjithë jetës shoqërore, pra një trajtë e domosdoshme për të çuar përpara procesin historik të çshenjtërimit të asaj që është bërë zakon i keq, që është korruptuar dhe që i është përvetësuar dhe i përvetësohet në mënyrë konstante interesit të përbashkët apo punës së punëtorëve të mendjes dhe të krahut. Kështu, që një parti të quhet e tillë, ndër të tjera, duhet të ketë guximin të ndërmarrë një reformë tërësore shoqërore intelektuale e morale si dhe ekonomike, pikërisht atëherë kur momenti historik e kërkon. Machiavelli pati shkruar mbi Princin e tij në një epokë krize për Firencen, por edhe për republikat e tjera të gadishullit Apenin. Princi i tij, pra partia politike, duhet të edukonte dhe organizonte ndërgjegjet e klasës revolucionare të kohës, e për rrjedhojë të përfaqësonte vullnetin kolektiv të kohës. Princi i ri u drejtohet atyre shtresave shoqërore të cilat duke mos pasur asgjë për të humbur përveç “prangave”, mund të përdorin disa mjete, si për shembull organizimin, disiplinën, veprimin, bashkimin, duke u pranuar si të domosdoshme për të arritur qëllimin e tyre.
Lëvizja BASHKË, në këtë kuptim, është subjekti politik, princi i ri bashkëkohor, që synon pikërisht këtë transformim radikal të mënyrës së si bëhet politikë në hapësirën tonë publike, të moralit të kohës si dhe marrëdhënieve ekonomike, duke përshirë, edukuar, organizuar shoqërinë në të gjitha qelizat e saj.
1. Partitë politike për nga natyra lindin si parti të interesave të veçanta të një klase apo grupi të caktuar shoqëror. Përgjatë raportit dialektik mes pjesës dhe të tërës partia zhvillohet duke u shndërruar në parti kombëtare, duke i mbartur në mënyrë harmonike brenda vetes të gjitha pjesët përbërëse të cilat i bashkëngjiten, ose i vishen në rrugëtimin e saj. I tillë është rrugëtimi i Lëvizjes BASHKË: nga lëvizje e fokusuar në subjekte të caktuara shoqërore, ajo është shndërruar në një parti-lëvizje mbarëshoqërore duke përfaqësuar teorikisht dhe praktikisht interesat e tërësisë shoqërore të përjashtuar deri me sot nga vizionet e cunguara politike të dekadave të fundit. Partitë tona politike janë themeluar si parti të aspiratave mbarëshoqërore dhe janë shndërruar në parti të pakicës, të oligarkëve dhe pronarëve të mëdhenj. Lëvizja BASHKË është antitezë e partive politike të sotme. Ajo ka karakter thelbësisht kombëtar. Si princi modern, ajo është bërthama e ndërtimit të një vizioni politik me karakter universal e gjithëpërfshirës të shtresave të gjëra shoqërore, të atyre shtresave pa përfshirjen e të cilave nuk mund të ketë ndryshim. Kështu, nëse partitë e deritanishme kanë qeverisur në interes të një pakice të privilegjuarish, duke harruar shoqërinë, Lëvizja BASHKË e mbështet vizionin dhe praktikën e saj politike mbi ato shtresa të gjera shoqërore që deri më sot kanë qenë të përjashtuara e të keqedukuara politikisht, si dhe të shfrytëzuara ekonomikisht. Qëllimi i Lëvizjes BASHKË është ndërtimi i një politike që i ka themelet në shoqëri dhe që synon të formojë një vullnet të mirëfilltë kolektiv, kaq të domosdoshëm për vazhdimësinë e një shoqërie demokratike. Ky vullnet kolektiv formohet duke bërë bashkë të gjithë të përjashtuarit e të shfrytëzuarit e shoqërisë, duke i edukuar ato me të drejtat dhe detyrat qytetare apo me demokracinë e drejtpërdrejtë, duke i angazhuar politikisht në themelimin e partisë, programit, në vendimmarrje, si dhe duke i organizuar në vendin e punës. Këtë praktikë politike Lëvizja BASHKË e ka mbrujtur që në fillesat e saj, e tashmë ajo është gati ta përçojë edhe në shoqëri.
2. Ajo është bartëse e një morali që nënkupton dallim rrënjësor mes të keqes dhe të mirës, të drejtës dhe të gabuarës. E keqja nuk luftohet, siç na ka mësuar morali i ideologjisë sunduese, me një të keqe më të vogël. Kjo është ajo që synon sistemi, një lloj gradualizmi që e mban sistemin gjithnjë në tension, në krizë, e për rrjedhojë mban në pushtet të ngjashmit. E keqja dhe e padrejta luftohet me të kundërtën e saj. Vetëm kështu dilet nga rrethi vicioz i përsëritjes së historisë pafundësisht. Që të tejkalohen krizat, kërkohet një qëndrim i prerë, një vullnet i hekurt. E kundërta nënkupton një përsëritje të herëpashershme të krizës, ose një kalim nga një krizë në një tjetër.
3. Partitë lindin në periudha krizash, atëherë kur grupe të caktuara shoqërore nuk gjejnë përfaqësim në partitë e vjetra dhe kur emancipimi i tyre pengohet nga forcat e vjetra. Si PS ashtu edhe PD i kanë rrënjët në një moment kritik, ndryshimi rrënjësor në shoqërinë tonë. Të lindura për të përfaqësuar interesat dhe aspiratat shoqërore, ato u shndërruan shumë shpejt në të kundërtën e tyre, duke dalë mbi shoqërinë dhe interesat e saj. Lëvizja BASHKË vjen në një moment krize dhe përçarje shoqërore rrënjët e së cilës gjenden në keqqeverisjen e këtyre dekadave. Lëvizja BASHKË madje është produkt i krizave të vazhdueshme të dekadave të fundit, kriza këto të cilave mund t’iu jepet fund vetëm duke zhdukur shkaktarët e saj, partitë e vjetra të kalbura intelektualisht e moralisht, si dhe duke ndryshuar, përmirësuar marrëdhëniet gati kriminale dhe çnjerëzore në vendin e punës. Ndërthurja e krizave të disafishta të brendshme (ekonomike, morale, përfaqësimi, ideore-politike, natyrore) me ato të jashtme e bëri të domosdoshme formimin e një partie të tillë me natyrë kombëtare e përbashkuese, qëllimi i së cilës është dhënia fund e atyre krizave që vijnë si pasojë e mosveprimit apo veprimit të atyre që qeverisin. E këto kriza marrin fund vetëm atëherë kur aktori i vetëm revolucionar, pra shoqëria si e tërë, del në skenën e historisë si bërëse e fatit të saj. Dalja e saj në skenën politike kombëtare në një moment krize, atëherë kur rreziku i shfaqjes së përbindëshave politikë populistë është më i madh dhe i mundshëm, dëshmon edhe vullnetin tonë për të penguar ose ndalur çdo lloj rrëshqitjeje drejt autoritarizmit apo ndonjë formë tjetër të rrezikshme të ushtrimit të pushtetit. Detyra jonë është që ta drejtojmë dhe ndërgjegjësojmë shoqërinë mbi rrezikun që i kanoset sa herë na përfshin një krizë.
4.Lëvizja BASHKË nuk është marrë dhe nuk merret thjesht me evidentimin e problemeve, sepse problemi është ajo që kryesisht shihet vetvetiu ose që është simptomë e një problemi më serioz. Ajo merret me evidentimin dhe trajtimin teoriko-praktik të kontradiktave që gjenden në themel të problemeve shoqërore, duke nisur nga kontradiktat në marrëdhëniet e punës e deri tek ato politike, morale, kulturore, e me radhë. Zgjidhja ose zbutja e këtyre kontradiktave ka qenë gjithmonë udhërrëfyesi i rrugëtimit tonë politik. Organizimi sindikal në disa sektorë të rëndësishëm është dëshmi i e këtij vullneti të cilin do të përpiqemi ta ushtrojmë përditë e më shumë. Sepse nuk mund të ketë ndryshim rrënjësor intelektual, moral, politik pa ndryshime në raportet e punës, aty ku mbruhet forma më kriminale e çnjerëzore e shfrytëzimit dhe padrejtësisë.
Megjithatë, për ta mbyllur, mendoj se pavarësisht gjykimeve të mia, natyra dhe zhvillimi i Lëvizjes BASHKË nuk janë të përcaktuara apriori, teorikisht por të bashkëpërcaktuara nga zhvillimi i realitetit, vullneti kolektiv dhe pasioni e aftësia krijuese e individit që përbën shoqërinë dhe Lëvizjen BASHKË. E gjithë kjo e organizuar në një strukturë gjithëpërfshirëse e cila është njëkohësisht e disiplinuar dhe pasionale.
Imazhi: Lëvizja BASHKË
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.