/Arlind Qori/
Mbrëmë u zhvillua raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Brazil. Me 50.9% të votave, rezultati më i ngushtë i zgjedhjeve presidenciale që pas rrëzimit të diktaturës ushtarake, u zgjodh kryetari i Partisë së Punëtorëve, Luiz Inácio Lula da Silva. Që fëmijë Lula qe shtrënguar të punonte si lustraxhi e më pas si metalurg. Gjatë diktaturës braziliane ai u shqua si sindikalist dhe një nga veprimtarët më të rëndësishëm të lëvizjes demokratike braziliane.
Lula mund të konsiderohet pa droje si figura politike më e rëndësishme e historisë bashkëkohore të Brazilit. Tentativa e tij e parë për t’u bërë president i Brazilit ndodhi më 1989. Atëbotë u mund nga një personazh politik periferik i cili arriti të siguronte mbështetjen masive të mediave dhe elitës ekonomike të vendit. Lula humbi edhe dy garat e mëvonshme presidenciale përballë liberalit, që dikur kish qenë një prej figurave më të rëndësishme intelektuale të teorisë së varësisë, Fernando Henrique Cardoso.
Në krye të Partisë së Punëtorëve, me mbështetjen e sindikatave dhe një pjese të konsiderueshme të klasës së mesme, Lula u zgjodh president i Brazilit për herë të parë më 2002. Mbi 61% votuan për të në raundin e dytë. Gjatë qeverisjes së tij 8-vjeçare Brazili njohu një prej hopeve më të mëdha zhvillimore, me rritje GDP nga 4.3% në vitet 2004-2008 e deri në 7% në fund të mandateve të Lulës. Një prej faktorëve të kësaj rritjeje ishte fakti që ekonomia globale ishte në ekspansion dhe, mbi të gjitha, lëndët e para të Brazilit kërkoheshin mjaft prej ekonomisë kineze.
Rritja ekonomike mbresëlënëse i mundësoi Lulës të financojë programe sociale mjaft të rëndësishme – si p.sh. Bolsa Família, ku nënave në çdo familje të varfër shteti i jepte çdo muaj një shumë parash me kushtin që të dërgonin fëmijët në shkollë. Për pasojë numri i të varfërve u reduktua nga 50 milionë në 30 milionë vetë, kurse ai i të varfërve ekstremë u përgjysmua. Nga ana tjetër politikat përparimtare në arsim u mundësuan për herë të parë shumë të rinjve brazilianë nga familje të varfra të ndiqnin studimet universitare. Qeverisja e Lulës u siguroi të varfërve mëkëmbje ekonomike, por nuk arriti kurrë t’i organizonte si një forcë shoqërore me autonomi. Çka reflektohet edhe në dobësinë e reagimit të tyre kur pasardhësja e Lulës u rrëzua nga pushteti më 2016, edhe nga fakti se sot e kësaj dite Partia e Punëtorëve të Brazilit është fund e krye e varur nga karizma dhe apeli popullor i 77-vjeçarit Lula.
Rritja ekonomike i mundësoi Lulës të përmirësojë jetën e të varfërve pa prekur seriozisht interesat e elitës ekonomike braziliane. Madje shumë syresh i rritën përfitimet si pasojë e një ekonomie në ekspansion. Historiani britanik Perry Anderson thotë se kurrë më parë në historinë e Brazilit kapitali nuk ka begatuar aq shumë sa gjatë qeverisjes së Lulës.
Pavarësisht kësaj, elita ekonomike braziliane dhe një pjesë e klasës së mesme të lartë nuk ia kanë falur kurrë Lulës origjinën e tij modeste dhe faktin që politikat e tij reduktuan disi pabarazinë e frikshme ekonomiko-shoqërore mes tyre dhe pjesës më të varfër të shoqërisë. Pronarët e televizioneve të mëdha, për shembull, të mësuar me ndikimin e tyre të madh në përcaktimin e fituesve të garës presidenciale, nuk mund të honepsin një politikan që kishte ndërtuar një lëvizje të madhe shoqërore nga poshtë, e cila mund të fitonte edhe përballë një mjedisi mediatik armiqësor. Një pjesë e klasës së mesme, nga ana tjetër, nuk e pranoi dot kurrë kthesën politike të Lulës në vitin 2006, kur donte të bënte pjesë të bllokut historik përparimtar edhe nënproletariatin e stërmadh brazilian (gati gjysma e popullsisë). Më herët Lula kishte kuptuar se disfatat e tij politike nuk vinin vetëm nga lufta që i bënte elita ekonomiko-politike, por edhe nga fakti që mesazhi i tij nuk kuptohej siç duhet nga periferitë tejet të varfra të Brazilit (niveli i jetesës në të cilat është edhe më i ulët se ai i punëtorëve të organizuar).
(Reagimin e shtresës së mesme të lartë ndaj Lulës kam pasur rastin ta vërej më 2019, pasi Lula fitoi gjyqin e Apelit dhe u lirua nga burgosja gati dyvjeçare. Atë ditë unë kam qenë i ftuar në një konferencë shkencore në Paris. Hoteli që më kishin prenotuar ftuesit bujarë ndodhej në një prej lagjeve më të rëndësishme të Parisit ‘Quartier Latin’. Në sallën e ngrënies së mëngjesit ishte edhe një familje braziliane – që duke iu referuar shtrenjtësisë së vendit, me siguri i përkiste shtresës së mesme të lartë – e cila, ndërsa televizori i sallës transmetonte lirimin e Lulës, turfullonte: “Skandal!”.)
Përtej kësaj paranteze, më 2010 Lula mbylli mandatin e tij të dytë presidencial me një mbështetje popullore të papërfytyrueshme gjetiu në vendet demokratike: plot 80% e qytetarëve brazilianë kishin mendim pozitiv për të.
Ndeshtrashat e historisë së mëvonshme të Brazilit – protestat ekonomike të 2013, shkarkimi i Dilma Rousseff-it më 2016, hetimet për korrupsion ndaj politikanëve të Partisë së Punëtorëve etj. – sollën ngritjen e akuzës për korrupsion (akuzohej se kishte përfituar një apartament në plazh, në të cilin nuk kishte qenë kurrë) dhe burgosjen e Lulës më 2018. Shumëkush e konsideron politik hetimin dhe gjykimin e Lulës. Prokurori që e hetoi më vonë pranoi të bëhej ministër në qeverinë e Bolsonaro-s. Po edhe në burg ai mbeti figura politike më popullore në Brazil. Të gjitha anketat e opinionit publik tregonin se në qoftë se kandidat i Partisë së Punëtorëve do të ishte Lula, ai do të fitonte lehtësisht ndaj Bolsonaro-s më 2018.
Fitorja e Bolsonaro-s më 2018 ishte një prej ngjarjeve më regresive të historisë së Brazilit. Bëhet fjalë për një kopuk që adhuron diktaturën ushtarake, mizogjin, edhe më palaço se Trump-i, i cili pa teklif ka marrë përsipër të sharrojë pyjet e Amazonës. Neglizhenca kriminale e tij ndaj pandemisë solli vdekjen e rreth 700.000 brazilianëve. Ky personazh, prapëseprapë, ia arriti mbrëmë të fitojë 49.1% të votave. Mbështetja e tij popullore gjendet mes evangjelistëve, shtresës së mesme, sidomos asaj pa shkollim universitar, maçistëve me pushkë në krah dhe sidomos një pjese të fshatarësisë që sheh përfitime të drejtpërdrejta nga shpyllëzimi i Amazonës.
Sidoqoftë Lula fitoi. Po sot ai gjen një ekonomi braziliane mjaft më të kontraktuar se 20 vjet më parë, ku është e pamundur të kënaqësh edhe të varfrit, edhe të pasurit. Masa e gjerë e punëtorëve dhe nënproletarëve të Brazilit u ngrit ta votojë për të fundit herë më shumë prej mbresave të të shkuarës sesa projekteve për të ardhmen. Çka tregohet edhe në faktin se Partia e Punëtorëve ka humbur keqas zgjedhjet parlamentare që u zhvilluan paralelisht me ato presidenciale.
Lula do të qeverisë vendin kryesor të një hapësire gjeo-kulturore (Amerika Latine) e cila për herë të parë në histori përbëhet nga 14 qeveri të majta (vs 5 të djathtave). Afërmendsh e majta amerikano-latine është mjaft heterogjene. Në të ka vend edhe për diktaturën leniniste kubane, edhe për socialdemokracinë multikulturaliste kiliane; edhe për populizmin peronist argjentinas, edhe për indigjenizmin bolivian e peruan; edhe për ish-guerrilierin Petro të Kolumbisë, edhe për qendrën e majtë meksikane të Obrador-it. Po gjithsesi ajo ekziston dhe sot është më e fuqishme se kurrë më parë.
Imazhi: Alexandre Schneider/Getty Images
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.