/Yanis Varoufakis/
Prolog
Ky libër lindi si pasojë e ftesës së botuesit tim grek, në vitin 2013, për t’u qasur drejtpërdrejt me të rinjtë mbi ekonominë. Arsyeja e shkrimit të librit qëndronte në bindjen se ekonomia është tepër e rëndësishme për t’ua lënë në dorë ekonomistëve. Nëse duhet ndërtuar një urë, më mirë t’ua lëmë ekspertëve, inxhinierëve. Nëse kemi nevojë për kirurgji, më mirë të gjejmë një kirurg për të operuar. Ndërsa librat që popullarizojnë shkencën janë të rëndësishëm në një botë ku presidenti i Shteteve të Bashkuara shpall luftë ndërkohë që fëmijët tanë u shmangen kurseve shkencore.
Kultivimi i një vlerësimi të gjerë publik të shkencës materializon një mburojë rreth komunitetit shkencor të cilit i duhet të prodhojë këtë të fundit. Në këtë kuptim, ky vëllim i vogël është krejt i ndryshëm nga libra të tillë. Si mësues i ekonomisë, kam besuar gjithmonë se nëse nuk je në gjendje të shpjegosh ekonominë në një gjuhë që të rinjtë mund ta kuptojnë, atëherë je vetë i paditur. Me kalimin e kohës kuptova diçka tjetër, një kontradiktë të shijshme për profesionin tim që e përforcoi këtë besim: sa më shkencore të bëhen modelet e ekonomisë, aq më pak lidhje kanë ato me ekonominë reale. Kjo është pikërisht e kundërta e asaj që arrihet në fizikë, inxhinieri dhe pjesën tjetër të shkencave reale, ku sofistikimi shkencor hedh gjithnjë e më shumë dritë mbi mënyrën se si funksionon në të vërtetë natyra.
Kjo është arsyeja pse ky libër është përpjekja ime për të bërë të kundërtën e popullarizimit të ekonomisë: nëse ka sukses, ai duhet t’i nxisë lexuesit e tij të marrin ekonominë në duart e tyre dhe t’i bëjë të kuptojnë se për të shpjeguar ekonominë ata duhet të dinë edhe pse ekspertët e emëruar të ekonomisë, ekonomistët, pothuajse gjithmonë e kanë gabim. Garantimi i mundësisë për shumësinë që të flasë me autoritet mbi ekonominë është parakusht për një shoqëri të denjë dhe një demokraci autentike. Ulje-ngritjet e ekonomisë përcaktojnë jetën tonë; forcat e saj tallen me demokracitë tona; tentakulat e saj depërtojnë thellë në shpirtrat tanë, ku formojnë shpresa dhe aspirata. Nëse ua lëmë në dorë ekspertëve të ekonomisë, efektivisht u dorëzojmë atyre të gjitha vendimet që kanë rëndësi.
Kishte një arsye tjetër që pranova të shkruaj këtë libër. Vajza ime Ksenia është mungesë pothuajse e vazhdueshme në jetën time. Duke jetuar ajo në Australi dhe unë në Greqi, ose jemi shumë larg njëri-tjetrit, ose kur jemi bashkë numërojmë ditët deri në ndarjen e radhës. Duke folur me të për gjëra që mungesa e kohës nuk na lejonte kurrë t’i diskutonim, ndihem mirë. Shkrimi i librit ishte një gëzim. Është i vetmi tekst që kam shkruar pa asnjë fusnotë, referencë apo mjete librash akademike apo politike. Ndryshe nga ata librat “seriozë”, e kam shkruar në gjuhën time amtare. Në fakt, sapo u ula në shtëpinë tonë në Egina, me pamje nga gjiri Saronik dhe malet e Peloponezit, libri filloi të shkruajë veten – pa një tabelë të përkohshme përmbajtjeje ose plan për të më udhëhequr. U deshën nëntë ditë, të shoqëruara nga noti i çuditshëm, shëtitja me varkë ose dalja në mbrëmje me Danaen, partneren time që sa më fal, aq edhe më mbështet.
Një vit pasi libri u botua në greqisht, jeta ndryshoi. Rënia e ekonomisë greke dhe evropiane më shtyu në vrimën e lepurit të një posti ministror në mes të një përplasjeje të plotfuqishme midis njerëzve që më zgjodhën dhe një oligarkie globale. Ndërkohë, falë rolit tim të ri, ky libër i vogël po përkthehej në shumë gjuhë, me një audiencë të madhe në Francë, Gjermani, Spanjë e disa vende të tjera. E vetmja gjuhë kryesore në të cilën nuk u përkthye ishte anglishtja. Tani, me ndihmën e Jacob Moe-it, i cili e përktheu nga greqishtja origjinale, dhe njerëzve të mirë në Penguin Random House, Will Hammond-it në veçanti, po shfaqet në gjuhën në të cilën shkruaj zakonisht.
Pas një libri tjetër, “Adults in the Room”, i cili ishte jashtëzakonisht i dhimbshëm për t’u shkruar, duke dokumentuar siç ndodhi ngjarjet traumatike të vitit 2015, ripunimi i këtij libri në mishërimin e tij në anglisht ka qenë terapeutik: një arratisje nga sprovat dhe mundimet e një të kapuri në vorbullën e një ekonomie të rrënuar dhe në fundosje e sipër. Ky libër më lejoi të kthehem te vetja e humbur prej kohësh, e cila dikur shkruante në paqe dhe qetësi, pa sulmet e vazhdueshme të shtypit, duke bërë atë që kam dashur gjithmonë: kërkimin e mënyrave për të mos u pajtuar me veten për të zbuluar se cilat janë mendimet e mia të vërteta.
Problemi me bisedat tona të përditshme mbi çështjet e ditës është se bëhemi pjesë në një debat të painformuar mbi elefantin në dhomë: kapitalizmin. Gjatë javës së korrikut 2017 që punova mbi këtë botim në anglisht, përsëri në Eginë, me pamje nga i njëjti det dhe të njëjtat male, më pëlqeu të mos shkruaja për Brexit-in, Grexit-in, Trump-in, Greqinë, krizën ekonomike të Evropës, por përkundrazi të flisja me vajzën time, në mënyrë abstrakte, për kapitalizmin. Sepse, në fund të fundit, asgjë nuk ka kuptim nëse nuk pajtohemi me këtë bishë që dominon jetën tonë.
Duke pasur parasysh atë që sapo kam shkruar, lexuesit mund të habiten nga mungesa e ndonjë përmendjeje të ‘Kapitalit’ ose ‘kapitalizmit’ në libër. Zgjodha t’i lë mënjanë fjalë të tilla jo sepse ka diçka të gabuar në to, por sepse të ngarkuara me bagazhe të rënda, ato pengojnë ndriçimin e thelbit të gjërave. Pra në vend që të flas për kapitalizmin, unë përdor termin “shoqëri e tregut”. Në vend të “kapitalit” do të gjeni fjalë më normale si “makineri” dhe “mjete prodhimi”. Pse ta përdorim zhargonin kur mund ta shmangim atë?!
Duke iu kthyer ndikimeve dhe burimeve të mia, dua të rrëfej diçka: ky libër është shkruar me mirësjellje në të tillë formë: rrjedha e vetëdijes zgjat vetëm nëntë ditë; është e mbushur me ide, fraza, teori, histori që i kam mbledhur, huazuar, plaçkitur në mënyrë të vetëdijshme ose të pandërgjegjshme që nga fillimi i viteve 1980 për të formuar mendimin dhe për të më ndihmuar të krijoj mjete mësimore që tronditin studentët dhe audiencën nga letargjia.
Një listë e plotë është e pamundur, por këtu po rreshtoj disa që më vijnë në mendje. Përveç veprave të letërsisë dhe poezive të përmendura në tekst, si dhe filmave fantastiko-shkencorë pa të cilët e kam të vështirë të kuptoj të tashmen, do të përmend katër libra: “Guns, Steel and Germs”, i Jared Diamond-it , i cili në kapitullin e parë shpjegon shfaqjen e pabarazive të mëdha dhe, në fund, të stereotipave racistë; “The Gifts Relationship” të Richard Titmuss-it, diskutimi mbi tregun e gjakut që nënvizon idetë e zhvilluara së pari në “Great Transformation” të Karl Polanyi-t; “The Wordly Philosophers” të Robert Heilbroner-it; dhe “Payback” të romancieres Margaret Atwood, të cilin e rekomandoj pa rezerva si librin me gjasë më të mirë dhe më argëtues të shkruar ndonjëherë për borxhin.
Së fundi, do të ishte gabim të mos përmendim spektrin e Karl Marksit, dramaturgjinë e tragjedianëve të lashtë athinas, diseksionin klinik të John Maynard Keynes-it të të ashtuquajturit ‘gabim i kompozimit’ dhe së fundi ironinë dhe njohuritë e Bertolt Brecht-it. Historitë, teoritë dhe obsesionet e tyre ndjekin çdo mendim që kam pasur ndonjëherë, përfshirë ato të paraqitura në këtë libër.
E përktheu Frenklin Elini
Imazhi: Wikipedia