Dija dhe pushteti
/Alfred Bushi/
Thuhet se kur romakët pushtuan Siçilinë, në rezistencën për t’i bërë ballë pushtuesin mori pjesë edhe Arkimedi, një ndër mendjet më të ndritura që ka njohur njerëzimi. Një ndër aktet e rezistencës, që tregon për gjenialitetin e tij, ishte shpikja e një makinë të re lufte, edhe pse joefikase përballë ushtrisë romake. Pas përfundimit të pushtimit Arkimedi rinisi punën shkencore duke vizatuar figura gjeometrike mbi rërë e duke zgjidhur probleme të komplikuara matematikore. Një ditë, i ulur në breg të detit duke kundruar figurat e skicuara mbi rërë, i afrohet një ushtar romak dhe i thotë se gjeneral Marcelusi kërkon ta takojë. I zhytur në botën e tij ai nuk i kthen përgjigje. Por ushtari e përsërit urdhrin: “Gjeneral Marcelusi kërkon t’ju takojë!” Pas një çasti heshtjeje, duke ngritur kokën lart, Arkimedi i përgjigjet: “Më lër sa të mbaroj zgjidhjen e këtij problemi”. Ushtari replikoi duke ripohuar se gjenerali kërkonte ta takonte dhe se nuk i interesonte aspak demonstrimi i tij. Pa kthyer përgjigje Arkimedi vazhdoi zgjidhjen e problemit. I nevrikosur nga sjellja e mendimtarit, ushtari nxori shpatën dhe e vrau. Trupi i tij ra mbi rërë duke përqafuar për të fundit herë figurat gjeometrike.
Përse kjo situatë filozofike? – pyet filozofi Alain Badiou. Sepse, përgjigjet ai, mes ligjit, urdhrave të shtetit e mendimit krijues nuk ekzistojnë masa të njëjta matëse. Mes tyre nuk ka diskutim real. Pushteti është dhunë, ndërsa të vetmet shtrëngime që mendimi krijues njeh janë rregullat e tij të brendshme. Kur futet në ligjet e mendimit, Arkimedi mbetet jashtë skemës vepruese të pushtetit, i pakuptueshëm prej tij. I pafuqishëm për të krijuar marrëdhënie me dijen, pushteti shndërrohet në antitezë të saj, në marrës jete e, në këtë rast, marrës ekstrem jete.
Le të ndryshojmë pak përmbajtjen e tregimit, por duke e mbajtur situatën të ngjashme. Në vend të ushtarit romak përfytyroni, në një imazh të vetëm, komisionin për reformimin e arsimit të lartë dhe Ministrinë e Arsimit. Dhënësi i urdhrit për reformën në këtë rast është kryeministri i vendit. Nga ana tjetër gjenden mbrojtësit e idesë së universitetit si hapësirë lirie e vetëligjësie që mendon mbi veten dhe mbi shoqërinë, padronë dhe skllevër të hapësirës ku ngjizet dija si formësuese e gjësë publike. Problemi i vetëm, jo fort vogël, është se në këtë rast pushteti nuk ka shkuar të takohet me ta për të përçuar urdhrin. E për ta zgjidhur këtë ngërç të situatës kemi menduar t’i kthejmë gjërat përmbys, të kthejmë me kokë poshtë logjikën e urdhrit. Janë mbrojtësit e idesë së universitetit që kërkojnë të përballen me reformuesit. Ligjbërësit në ditët e sotme ta lejojnë këtë, si për të thënë që askush s’të pengon të futesh në një hapësirë të papërkufizuar e të pafundme boshe.
Përballë kemi një burokrat të ministrisë, përfaqësues të reformës. Mosfytyrësia e burokratit ta bën të pamundur dialogun apo diskutimin. Mes fjalëve të thëna nuk ka marrëdhënie, ka vetëm përballje. Skematizmi i mendimeve të tij kërkon vetëm të përbrendësojë, të marrë çdo të dhënë të papërpunuar dhe ta ngjisë brenda lidhjeve të pandryshueshme të skemës. Ai ka nevojë të homogjenizojë çdo të dhënë sepse vetëm në këtë mënyrë pushtetit mundet t’i përtypë. Është kjo tirani e homogjenitetit që përjashton, në rastin tonë studentin e pamjaftueshëm për veten, studentin e kufizuar nga kushtet materiale të jetës. Të pamundurit ekonomikisht, për pushtetin në fjalë, janë të njëjtë me ata që e kanë mundësinë, duke mohuar kështu edhe një nga qëllimet e ekzistencës së shtetit: zhdukjen e pamjaftueshmërisë. Kësisoj pamundësia lind vazhdimisht pamundësinë. Ajo nuk prodhon asgjë, nuk prodhon jetë për sa kohë nuk ndryshohen shkaqet e ekzistencës së saj. Urdhrat reformues të pushtetit e presin marrëdhënien krijuese në mes duke ndalur çdo sëndërtim potencial. Në anën tjetër janë universitarët ata që duan vetëligjësinë e dijes, ata që dijen nuk duan ta shkëpusin nga vetë jeta, nga vetë kushtet ku prodhohet ajo. E kështu nuk mund ta pranojnë këtë tjetërsim të ekzistencës se tyre.
Por në fund të kësaj përballjeje ka vetëm të humbur dhe fitimtarë. Të fituarit janë ata që në këtë përballje ngulmojnë me rezistencën e tyre, ata që si Arkimedi ndërtojnë makina të reja lufte. Fitimtarët janë të përjashtuarit që rimarrin në dorë tregimin e historisë së tyre, ata që ndryshojnë rrjedhën e ngjarjes. Meqenëse mes pushtetit dhe dijes nuk ka marrëdhënie, atëherë çdo akt është o marrje, o dhënie, përballje për jetë a vdekje. Mbase duhet që mes tyre të krijohet një distancë dallimi, një vend i sigurt ku mblidhet kundërshtia. Mbi këtë hapësirë duhet të ndërtohet e ardhmja. Dita-ditës kjo hapësirë do bëhet edhe më e madhe, derisa të mos ketë mbetur as edhe më i vogli boshllëk midis pushtetit dhe dijes. Do jetë dita kur dija do e ketë ndryshuar tërësisht logjikën e pushtetit dhe atëherë do ketë marrëdhënie e diskutim. E atëherë nuk do të vdesin më Arkimedë.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.