/Clara Fraser, Susan Williams/
Sa prej akademikëve radikal iu vjen ndërmend se Marks e mbyll “Mjerimi i Filozofisë” me këto fjalë kumbuese: “…fjala e fundit e shkencave sociale gjithnjë do të jenë ‘Luftim ose vdekje, përpjekje e përgjakshme ose shuarje’. Në këtë mënyrë të pashmangshme është shtruar çështja.” Dhe autori është? Madamë George Sand, feministe e jashtëzakonshme.
Feminizmi, përpjekja e grave për të drejta të barabarta, gjithmonë do të jetë një fuçi baruti e luftës klasore.
Si ideologji dhe lëvizje e masave, feminizmi është ngritur përherë dhe ka lulëzuar bashkë me lëvizjet e përgjithshme për ndryshime radikale të shoqërisë.
Ligjërueset e para të zjarrta për seksin e tyre në botën perëndimore, gjeniët si Mary Wollstoncraft dhe Susan B. Anthony, ishin revolucionare politike që studiuan në thellësi lidhjen e ngushtë të teorisë dhe praktikës midis shtypjes gjinore dhe shfrytëzimit në punë. Të gjitha feministet e hershme ishin tribune elokuente ose mbështetëse të vendosura të klasës punëtore, dhe luftëtare të guximshme për socializëm.
Që prej fillesave të veta, feminizmi ishte një thirrje pasionante për ndryshim shoqëror total, rrënjësor, revolucionar dhe një kërkesë për drejtësi për të gjithë të paprivilegjuarit.
Gratë dhe socializmi
Socialistët kanë trashëguar një traditë të gjatë dhe krenare si eksponentë të emancipimit të grave.
Revolucionarët e mëdhenj dhe mendimtarët e përparuar gjithmonë kanë qenë të ndjeshëm ndaj padrejtësive ndaj grupeve më të shtypura të shoqërisë. Marksistët e shek. XIX ndihmuan të hapin shtegun, në një territor të rrezikshëm, kur morën nismën për çlirimin e seksit të dytë. Gjatë dy dekadave të para të shek. XX, Partia Socialiste, Partia Socialiste e Punës, Punëtorët Industrialë të Botës dhe anarkistët mburreshin me rezultatet e grave brilante udhëheqëse-folëse, shkrimtare, organizatore dhe aktiviste (si Emma Goldman-i, Elizabeth Curly Flin-i, Rosa Pesotta etj.). Mijëra gra u dyndën drejt Partisë Komuniste dhe asnjë burim i historisë sociale të viteve 1920 dhe 1930 nuk është i plotë pa dokumentimin e kontributit të tyre madhështor ndaj punës, socializmit dhe skenës së kulturës-radikale të letërsisë, teatrit dhe artit.
Përgjatë fundit të viteve 1940 dhe 1950, kur gratë u degdisën përsëri te fëmijët, në kishë dhe në kuzhinë, çështja e grave u mbajt gjallë nga disa gra trockiste në Partinë Socialiste të Punëtorëve, shumë prej të cilave janë sot udhëheqëse të polit radikal në lëvizjet e grave. Këto janë gratë që vulosën termin “feminizëm socialist” për të veçuar politikat e tyre prej çështjeve të përveçme, feminizmit të të drejtave civile dhe nga sektori antikomunist i feminizmit radikal. Këto janë gratë që nuk ndezën vetëm feminizmin revolucionar, por edhe revolucionin bashkëkohor socialist.
Feminizmi revolucionar
Ne e quajmë veten feministe me krenari sepse pranojmë që kjo fjalë e përpjekjes për barazi të gruas qëndron në zemrën e përpjekjes klasore në botën e sotme Perëndimore – dhe në të njëjtën kohë prek të gjitha gratë e të gjitha klasave e racave, duke i drejtuar për te flamuri i revolucionit të klasës punëtore.
Feminizmi i vërtetë dhe i qëndrueshëm lidhet me ndryshimet themelore ekonomike dhe me revolucionin politik dhe anasjelltas.
Feminizmi socialist dallohet dukshëm nga politikat oportuniste dhe nga iluzionet e sektorit reformist të lëvizjes, dhe njihet si eksponent i alternativës radikale. Feminizmi socialist është filozofia e një grupimi tejet të gjerë të grave dhe e një numri në rritje të burrave, të cilët arritën në këtë pikë nga pole të kundërta por plotësuese.
Disa nga socialistët e të majtës së vjetër ose e nisën feminizmin bashkëkohor, ose u bashkuan me të. Gratë reja radikale nga e majta e re shpërthyen në feminizëm nëpërmjet një refleksi të papritur pas vitesh mllefi të fshehur kundrejt shovinizmit të burrave dhe maçizmit të lehtë të superyjeve karizmatikë të lëvizjes kundër luftës.
Feministet apolitike lëvizën me shpejtësi për të përgjithësuar politikën radikale, të shtyra nga logjika e palëkundur e kërkesave të tyre tranzitore për hiç më pak se një përmbysje totale dhe transformim të familjes, ekonomisë, kulturës dhe marrëdhënieve politike. Të prekura dhe të shqetësuara nga lufta në Vietnam, rebelimi i zezakëve dhe liria akademike, feminizmi ishte ura që i mbarti për në socializëm.
Mijëra gra e kishin të pamundur intelektualisht dhe nga ana etike ta përqafonin feminizmin nëse nuk do të ishte i lidhur haptazi me socializmin, dhe një numër akoma më i madh grash do ta refuzonin të majtën e dominuar nga meshkujt nëse kjo e fundit nuk do të pranonte feminizmin dhe udhëheqjen e grave në aspekte të ndryshme të jetës.
Natyra dualiste e seksizmit
Prandaj historikisht çështja e gruas ka qenë e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me përpjekjet klasore. Por në të njëjtën kohë, themeluesit e lëvizjeve feministe gjithnjë nxirrnin në pah natyrën dualiste të shtypjes së grave.
Klasa kapitaliste patriarkale mbështetet te gratë për punët e papaguara të shtëpisë dhe njëkohësisht i shfrytëzon gratë në mënyra të tjera si një rezervë e gjerë për forcë pune të lirë. Pronarët korrin super-fitimin e tyre në kurriz të grave. Kjo është arsyeja pse borgjezia nuk mund ta zhdukë seksizmin, që të mund të eliminojë më vonë racizmin, i cili i siguron të njëjtat superfitime për kapitalin; pjesë e zgjidhjes duhet të ishte i gjithë shfrytëzimi i punës me mëditje.
Kësisoj problemet jetike të grave mund të zgjidhen vetëm me ndryshime rrënjësore, dhe kërkesat feministe logjikisht të çojnë drejt nevojës së qartë për revolucion socialist.
Mendimtarët dhe organizatorët e mëdhenj socialistë, utopikë dhe shkencorë, e përkrahën me zell çlirimin e grave. Ata hodhën dritë mbi karakterin e dyfishtë – seksi dhe klasa – të shtypjes së grave, që i shtyn ato drejt rebelimit.
Siç thotë August Babel-i te “Gratë në socializëm”:
“Të gjitha gratë, pa asnjë dallim nga prejardhja klasore, kanë për interes – si seksi që gjatë kursit të zhvillimit shoqëror ka qenë i shtypur, i sunduara dhe i nëpërkëmbur nga burrat – zhdukjen e kësaj gjendjeje. Prandaj duhet të përpiqen për të ndryshuar atë, për aq sa mund të ndodhë me anë të ndryshimeve ligjore, institucionale brenda kornizave të rendit të sotëm shoqëror. Por shumica më e madhe e grave janë më tepër të interesuara në mënyrë vitale që gjendja dhe rendi shoqëror ekzistues të ndryshojë radikalisht, deri në zhdukje te skllavërisë me pagë, nën të cilën gratë punëtore ligen, dhe skllavërimit gjinor, që lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me sistemet industriale e pronësore në fuqi.”
Feminizmi, si përpjekja kundër racizmit, është në të njëjtën kohë i pavarur dhe i ndërthurur dialektikisht me luftën klasore.
Roli kolosal i grave revolucionare
Lenini njohu faktin se dinamika e përpjekjes së grave qëndronte në natyrën e saj të dyfishtë, duke iu besuar grave potencialin e jashtëzakonshëm për të bashkuar të gjithë aleatët e klasës punëtore.
Në diskutimet e tij me Clara Zetkin-in, Lenini këmbëngulte që çështja e grave të ekzaminohej “si pjesë e çështjes sociale të klasës punëtore” dhe të lidhej vendosmërisht me përpjekjen e proletariatit dhe revolucionit:
“Lëvizja komuniste e grave në vetvete duhet të jetë një lëvizje e masave, pjesë e lëvizjes së përgjithshme, dhe jo vetëm proletariatit, por e të gjithë të shfrytëzuarve dhe të shtypurve, të gjithë viktimave të kapitalizmit ose klasës sunduese. Aty, gjithashtu, qëndron rëndësia e lëvizjes së grave për përpjekjen klasore të proletariatit dhe misionin e tij historik, krijimin e një shoqërie komuniste.”
Gratë në shoqërinë modern kapitaliste zënë një vend unik. Ato janë të shtypura në shtëpi dhe të mbishtypura në vendet e punës. Gratë me ngjyrë janë trefish të nënshtruara mbi baza gjinore, klasore dhe racore. Që kur borgjezia përdori antagonizmin ,si racor dhe gjinor, për të përçarë dhe dobësuar të gjithë klasën punëtore, gratë, sidomos të minoriteteve, u shndërruan në një pike fokale rreth të cilave të gjithë punëtorët e të shtypurit mund të bashkohen dhe veprojnë me solidaritet.
Sipas Daniel De Leon, gratë, “ato që vuajnë më shumë në kapitalizëm”, përfaqësojnë, simbolizojnë dhe shprehin të gjitha viktimat e klasës sunduese, sepse gjysma e të prekurve janë femra. Prandaj gratë janë qendrore për krijimin dhe kulturën e komunizmit.
Vlerësimi i Leon Trockit për forcën shpërthyese ”kolosale” të grave dhe thirrja e tij drejt të gjithë revolucionarëve për ta respektuar dhe vlerësuar atë, vështirë të përftohej nga një ide antimaterialiste mistike rreth grave, ose prej një kërkimi të dëshpëruar për një Mesi të re. Përfundimet e tij u bazuan në një analizë të mprehtë dhe në imtësi të rrymave dhe shtresave kontradiktore brenda klasës punëtore, dhe analiza zbuloi cilat elemente të klasës ishin vendimtare politikisht. Udhëheqja revolucionare rrjedh pikërisht nga këto shtresa shoqërore që janë historikisht, ekonomikisht dhe politikisht të kushtëzuara për të dhe të përgatitura për ta pranuar atë.
Kthehu nga gruaja punëtore
Pothuajse 40 vite më parë Trocki vuri re që pozicioni unik ekonomik dhe shoqëror i grave do të ashpërsohej në intensitet, ndërsa kapitalizmi përshpejtonte rrëshqitjen marramendëse për tatëpjetë.
Ai nxiti Internacionalen IV – organizmin botëror të forcave revolucionare socialiste – të punonin me shtresat më të shtypura të proletariatit – të “kthehen nga gruaja punëtore” e cila vuan goditjet më brutale të kapitalizmit dhe për pasojë është e destinuar të ketë “angazhim të pashtershëm” revolucionar.
Parashikimet e tij janë konfirmuar mjaftueshëm nga historia e tanishme. Në SHBA, ku kontradiktat e kapitalit në kalbje e sipër janë më të dukshme, gratë punëtore, dyfish të shfrytëzuara, janë luftëtare përherë të paepura brenda lëvizjes punëtore.
Gratë punëtore janë duke tronditur sektorë të gjerë të sindikatave, duke drejtuar organizimin e të paorganizuarve dhe duke krijuar sindikata të pavarura. Gratë po organizojnë mijëra punëtore, veçanërisht punonjëset e zyrave, bankave dhe shërbimit publik. Dhe hyrja e grave në punët jotradicionale po vërteton se janë tmerr për burokratët e turbulluar.
Për këdo me sy dhe mendje të hapur, peizazhi është i qartë: gratë punëtore janë duke marrë role drejtuese në frontin e punës.
Kthehu te gratë punëtore! Gratë e të gjitha grupimeve etnike/kombëtare/racore kanë një kapacitet të madh për udhëheqje revolucionare – në një pikë të historisë, kur fuqia, aftësitë dhe energjia e tyre janë dëshpërimisht të nevojshme.
Departamenti i Ikjes Shumë Larg
Feminizmi socialist duhet të jetë martesa e të barabartëve duke pranuar një barazi në partneritet, çiftëzim i lumtur i dy forcave titanike të bëra për njëra-tjetrën dhe përkujdesje për njëri-tjetrin në sëmundje dhe shëndet derisa tranzicioni nga kapitalizmi ka përfunduar. Por nëse sot sëmundja mbizotëron ndaj shëndetit në betejën politike të parehatshme, të dyshimtë dhe të ashpër gjinore, faji historik dhe ideologjik është i burrave.
Mund të imagjinohen Engelsi, Lenini dhe Trocki duke justifikuar supremacinë e burrave të bazuar te natyra? Jo, sepse ata nuk e kanë bërë kurrë këtë gjë. Ata ishin materialistë historikë e dialektikë, dhe ithtarë të dobisë revolucionare – ata kritikuan ashpër burrat shovinistë, e në veçanti komunistët shovinistë. Goditjet e tyre më të rënda ranë mbi shokët e tyre më të afërt, sepse për ta me rëndësi madhore ishte ndërgjegjja dhe sjellja e pararojës, e partisë, e udhëheqjes politike.
Si munden mësuesit të japin mësime, modelet e sjelljes të japin shembull dhe heronjtë të jenë heroikë nëse nuk janë përparimtarë, nëse nuk e kanë çliruar veten nga gjepurat e vjetra, nëse nuk hedhin poshtë me guxim mbeturinat e fundit të privilegjit të penisit?!
Dhe, ju lutemi, na kurseni mendimin se të drejtat civile janë një gjë dhe udhëheqja e grave një gjë tjetër; që barazia është e hijshme, por grupet autonome të grave janë krijime të djallit; që sigurisht seksizmi ekziston, por t’i akuzosh radikalët për të tregon se do t’u bësh keq t’i zhburrërosh.
Ky është konservatorizmi vintage, atë që Lenini e quante filistinizëm dhe “shtirje platonike” në lidhje me gratë, që të kujton dogmën e shpirtrave të shqetësuar që na thonë se paga e njëjtë për punë të njëjtë është e drejtë, por të djegësh sutienat është e tmerrshme.
Nuk do të ketë barazi ligjore për gratë nëse gratë nuk do të udhëheqin betejën për të. Ato duhet ta bëjnë sepse burrat nuk do ta bëjnë për to. Për të udhëhequr këtë luftë, ato duhet të organizohen në mënyrë të pavarur, përndryshe do të nënshtrohen. Dhe detyrë e çdo bolsheviku e revolucionari të vërtetë ta shquajë dhe përkufizojë seksizmin në çdo vend dhe në çdo kohë ku shfaqet. Të thërrasësh bishën në emër nuk është terrorizim, është edukim, është domosdoshmëri bazike politike, është rruga e vetme drejt vetëmbrojtjes së të shtypurve.
Dhe, fundja, ç’të keqe ka të djegësh sutienat?!
Çështja e bashkimit
Fanatikët e zellshëm të së majtës, të cilët e dënojnë betejën gjinore si “përçarëse” të betejës së klasave, nuk ndihmojnë asnjë nga betejat. Vetëm ata marksistë që respektojnë dhe kuptojnë konfliktin social gjinor dhe e përfshijnë atë direkt në program, strategji, taktika dhe në kulturën e lëvizjeve punëtore, janë të aftë të plotësojnë kriteret e të qenit revolucionarë amerikanë.
Të gjithë komunistët, si gratë dhe burrat, duhet ta marrin seriozisht detyrën për të organizuar grupet më të shfrytëzuara të klasave dhe të farkëtojnë bashkimin, në të dyja, si revolucion dhe lëvizje të masave, midis punëtorëve e punëtoreve, minoriteteve racore, homoseksualëve dhe të gjithë të shtypurve.
Radikalët duhet të kuptojnë qartë se bashkimi mund të vijë vetëm nëse në mënyrë solide bazohet në kërkesat e shtresave të shtypura. Kurrë, kurrë, kurrë burrat dhe gratë radikale nuk duhet t’i këshillojnë feministët për t’i varur ose paraqitur kërkesat e tyre në interes të një bashkimi “klasor” abstrakt dhe të izoluar. Ne nuk pranojmë as gjënë më të vogël shoviniste dhe fanatike të punëtorëve; detyra jonë është t’i çlirojmë dhe ndriçojmë punëtorët nga prapambetjet e tyre, jo t’i racionalizojmë, ngulisim apo ruajmë ato.
Gratë janë vetësakrifikuar boll, duke kthyer faqen tjetër dhe shfaqur fisnikëri nga piedestali. Aty lart bën ftohtë, ndihesh vetëm dhe pagat janë të tmerrshme. Në këtë epokë të çlirimit të grave, bashkimi nënkupton një marrëveshje, një quid pro quo (lat.: diçka për diçka), një pajtim, një lidhje respekti dhe miratimi reciprok. Nuk do të thotë kapitullim i grave në këmbim të “nderit”; gratë sot do të marrin atë që u takon, pa u ndjerë keq. Gratë nuk do ta shesin veten e tyre lirë, madje nuk do ta shesin veten kurrë më. Bashkimi është një rrugë me dy drejtime – ose një rrugë qorre.
Feminizmi socialist është autostrada e lëvizjes së shpejtë drejt revolucionit botëror dhe rruga përpara na premton marrëdhënie të reja dhe më të larta midis sekseve, bazuar në triumfin e inteligjencës, bujarisë dhe miqësisë njerëzore.
E përktheu Redi Koçiaj
Shkruar më 1978 dhe botuar në Arkivin e Marksistëve në Internet
Imazhi: Alexander Deyneka