/Klodi Leka/
Zëri i folëses televizive për rritjen e çmimit të bukës, s’di pse, më tingëlloi i thartë e ankthioz përgjatë një mbrëmjeje kur nuk mungonin ngjarje edhe më dramatike se një dhjetë lekësh. Dhe pyeta veten përse, përse buka përbën një objekt kaq mitologjik për vetëdijen tonë të fjetur dhe, në kundërpërgjigje, një fishekzjarr mendimesh shpërtheu në kokë.
Pra ngritja e çmimit të bukës nuk është veç çështje dhjetëlekëshi, edhe pse qindra dhjetëlekëshat janë mbarsur në jetesë të papërballueshme për qytetarët. Buka, në këtë rast, është çështje edhe ekonomie, edhe ndjeshmërie apo etosi: ti po e prek popullin bash te më elementarja, te niveli zero i ekzistencës dhe kjo është fyese për të. Ka më pak zemërim, për shembull, për ngritjen e çmimit të cigareve dhe sendeve të tjera sesa te prekja e bukës.
Për popullin buka është e shenjtë dhe ajo është e mbështjellë me një tis mistik. Buka është kushti i parë i bashkësisë, është altar i lidhjes së be-së, i kodit zakonor të mikpritjes, i të dielës në kishë. Poeti Martin Camaj e ka një varg të mrekullueshëm rreth kësaj dukurie kur thotë se:
Dy gjana prindt më kanë thanë kur ishin gjallë
Poqese shkel ti bukën gand
Çoje prej toke, puthe e vene në ballë.
Që fëmijë, në vetëdijen tonë kolektive flakja e bukës, qoftë edhe e kores së shkrumbët e të pangrënshme, është gjest i shëmtuar, pothuajse në përmasat e mallkimit: buka të nëm, biro! Ti mund të flakësh një gurë, një lodër, një gjysmë molle, por jo një kothere buke, të paktën pa i kryer ritualin e puthjes.
Revoltues për rritjen e çmimit të bukës është edhe fakti antropologjik se ata që nuk e hanë fare bukën për çështje perize dhe statusi social – siç është në modë në shtresat e mesme e të larta të shoqërisë, idhujtarë të trupit dhe shamanë të bioshkencës – sakaq janë po ata që e shtrenjtojnë çmimin e saj, sipërmarrës dhe burokratë të shtetit, të cilët bëjnë politika neoliberale në emër të punëtorit e fshatarit që edhe makaronat e skuqura me vaj e sallam të lirë pule, i përtypin me një kafshatë buke.
Për ne fëmijët e tranzicionit, buka e bardhë e grurit është një normalitet që nuk ngjall habi, ama për dhjetëra breza para nesh, duke nisur nga prindërit dhe ungjërit tanë e më tej, buka e bardhë e grurit, e ngrohtë, me shije dhe miell të mirë, ka qenë shprehje e nobilitetit social, e një jete të lirë dhe të ngopur. Para pak kohësh, në një përkujtim në Facebook, shkrimtari Arben Imeri tregonte përballjen traumatike me bukën e bardhë si refugjat i uritur i viteve ’90 në rrugët e Barit. Ne nuk kishim të ngopur me bukën e bardhë, thoshte, vetëm atë donim dhe përballë kësaj urie, të zotët e shtëpisë shqyenin sytë me habi.
Buka është edhe autokritikë. Shpesh e gjejmë veten duke akuzuar prindërit ca me të drejtë e shpesh duke e tepruar se ata nuk kanë luftuar për asgjë përveç copës së bukës, edhe ajo bukë e keqe, duke lënë mbas dore çështjen e lirisë dhe të respektit. Por shpesh ne harrojmë se për të fituar bukën brezat që nuk kanë jetuar si ne nën kapitalizmin absurd të pasurisë të pamasë por të pashpërndarë, u është dashur një luftë e ashpër e përditshme me forcat e natyrës e të shoqërisë. Liria, pikësëpari, është çështje e bukës dhe buka, ky ideal aq i rendomë për shpirtrat tanë ultramodernë, ka kushtëzuar rënien dhe ngritjen e regjimeve, revolucionet dhe luftërat civile.
Për kë nuk e mban mend, fjala në televizor e kryeministrit të qeverisë se stabilitetit Ylli Bufi se “kanë mbetur edhe gjashtë ditë bukë në rezervat e shtetit” u përkthye në kaos dhe shpërthim masiv në dhjetor të 1991. E pikërisht më 3 dhjetor, si për ironi të fatit, zjarri i madh nisi në qytetin tim, Mamurras, pastaj u përhap në qytetet përreth e të varfra të veriut me shkatërrimin e markatave e depove ushqimore dhe vazhdoi me masat e trembura të njerëzve që kaluan në paranojë të plotë në të gjithë Shqipërinë. Ishte pikërisht kjo fjalë në e pafajshme – fjala bukë, edhe gjashtë ditë, shteti – që zoti Bufi shprehet në kujtimet e tij se e ndjente të nevojshme ta ndante me popullin, e cila çoi në situatë frike e dhune.
E shkruaj këtë histori ndjesore e të rrëmujshme të bukës – e cila shumëkënd në pozitat e të ngopurit mund ta bëjë të qeshë, ose në pozën e intelektualit arendtian ta revoltojë si vulgaritet – për të kujtuar se çështja e lirisë është e lidhur ngushtësisht me çështjen e bukës dhe se regjimi i oligarkisë po e gërryen me ekskavatorët e tij nënshtratin e ekzistencës tonë materiale dhe po e çon një hap me tej dhunën politike: nëse që prej pax romana maksima është bukë dhe cirk, tashmë cirku prej kohësh po e humbet edhe bukën, duke na shantazhuar me varfëri dhe turpin ekzibicionist të të mosfolurit për bukën, paçka se ajo është po aq ”e nevojshme dhe e përditshme për popullin sa edhe drejtësia”. Poezia “Buka e popullit” e Bertolt Brehtit mu ngul në tru kur shitësja e re në furrën e bukës më kumtoi si e zënë në faj, se gjysmë franxholla e përnatshme, është bërë pesëdhjetë lekë.
Imazhi: Digest Magazine
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.