/Yanis Varoufakis/
Kur Margaret Thatcher-i sajoi termin “Tina” – aksiomën e saj të viteve ’80 se nuk ka alternativë tjetër (There Is No Alternative) – isha i pezmatuar sepse thellë brenda meje e ndjeja se kishte të drejtë: e majta nuk përbënte më një alternativë as të besueshme e as të dëshirueshme ndaj kapitalizmit.
Majtistët shkëlqejnë kur vjen puna për të vënë në dukje atë që s’shkon te kapitalizmi. Ne vargëzojmë në terma lirikë mbi mundësinë e një bote “tjetër” ku secili jep kontributin sipas mundësive dhe merr sipas nevojës. Por kur shtyhemi të përshkruajmë një alternativë të plotë ndaj kapitalizmit bashkëkohor, për shumë dekada jemi hedhur sa nga e shëmtuara (modeli autoritar i socializmit sovjetik) tek e lodhura (një socialdemokraci të cilën globalizmi financiar e ka bërë të papërdorshme).
Gjatë viteve ’80 mora pjesë në shumë diskutime nëpër pub-e, universitete dhe takime me banorët, qëllimi i deklaruar i të cilave ishte organizimi i rezistencës ndaj thaçerizmit. Më kujtohen mendimet e mia përbrenda sa herë që dëgjoja Maggie-n tek fliste: “Ah sikur edhe ne të kishim një lider si ajo!” Sigurisht që nuk ushqeja as më të voglin dyshim se programi i Thatcher-it ishte despotik, antisocial dhe ekonomikisht një rrugë pa krye. Por ndryshe nga ne, ajo e kuptonte se po jetonim një moment revolucionar. Armëpushimit klasor të pasluftës i kishte ardhur fundi. Nëse donim të mbronim më të dobëtit, nuk mund të vazhdonim të rrinim në mbrojtje. Na duhej të thërrisnim njësoj si ajo se sistemit të vjetër i kishte ardhur fundi dhe kishte ardhur koha për një të ri. Sigurisht jo ai distopiku që propozonte Maggie, por sidoqoftë një sistem i ri.
Megjithatë tanët nuk kishin vizionin për një sistem të ri. Teksa ne i ishim futur punës për të fashuar kufomat, Thatcher-i po gërmonte varre për t’i hapur rrugën kapitalizmit të saj vezullues. Edhe atëherë kur luftonim në mbrojtje të komuniteteve që e meritonin të mbroheshin, kauzat tona ulërinin “anakronizëm” – po luftonim për të ruajtur stacione elektrike të pista që punonin me qymyr, ose të drejtën e disa sindikalistëve të djathtë meshkuj për të bërë marrëveshje të fshehta pas dyersh të mbyllura me njerëz si Robert Maxwell-i dhe Rupert Murdoch-u.
Njësoj si në vitin 1991kur ra Bashkimi Sovjetik, ne që i përkisnim së majtës – socialdemokratë, kejnsianistë e marksistë – u ndjemë sikur do ta çonim pjesën e mbetur të jetës si humbësit e historisë. Po njësoj në 2008-n me rënien e Lehman Brothers-it, ata që jetonin me ideologjinë neoliberale e përjetuan historinë me po të njëjtën forcë shkatërruese. Pak vite më pas, kapitalizmi i mbikëqyrjes i detyroi ithtarët e teknologjisë, që e shihnin internetin si një forcë globale demokratizuese, të hiqnin dorë gjithashtu nga iluzionet e tyre.
Dy vite më parë vendosa se më nevojitej një udhërrëfyes, një kuptim se si socializmi demokratik do mund të funksiononte sot, me teknologjitë e sotme dhe pavarësisht dështimeve tona. Kështu vendosa të shkruaja librin “Një tjetër e tashme”.
—
Kapitalizmi filloi ngjitjen në momentin kur elektro-manjetizmi takoi tregjet e aksioneve në fundin e shek. XIX. Çiftimi i tyre lindi firmat e mëdha e të ndërlidhura, si ato të Edisonit, që prodhonin gjithçka – nga centralet elektrike e deri te llambat. Për të financuar këto sipërmarrje gjigande si dhe tregun e aksioneve të tyre, nevojiteshin banka të mëdha. Nga fillimi i viteve 1920 kapitalizmi financiar po lulëzonte, përpara se e gjithë struktura të shembej më 1929.
Dekada në të cilën po jetojmë nisi me një tjetër çiftim që duket si motori që shtyn përpara historinë me një shpejtësi marramendëse: atij mes flluskës gjigande përmes së cilës shtetet kanë mbajtur mbi ujë sektorët e tyre financiarë që prej 2008-s dhe Codiv-19. Nuk është e vështirë të shquash të dhënat për këtë. Më 12 gusht 2020, ditën kur u përhap lajmi se ekonomia pësoi rënien më të madhe që ka ndodhur ndonjëherë, Bursa e Londrës u rrit me 2%. Asgjë e ngjashme nuk ka ndodhur më parë. Kapitalizmi financiar duket se më në fund ia ka dalë të shkëputet tërësisht nga ekonomia e vërtetë.
“Një tjetër e tashme” nis nga fundi i viteve 1970, përshkon krizat e 2008-s dhe 2020-s, por në të njëjtën kohë skicon një të ardhme imagjinare dhe përfundon më 2036. Ka një moment në këtë histori, një të diel nëntori 2025 për të qenë të saktë, kur personazhet e mia përpiqen të kuptojnë situatën në të cilën ndodhen duke e kthyer vështrimin nga ngjarjet e vitit 2020. E para gjë që vënë re është mënyra se si izolimi i atij viti e ndryshoi radikalisht idenë tonë mbi politikën.
Para 2020-s politika thuajse i ngjante një loje, por përmes Covid-it njerëzit kuptuan se qeveritë anembanë kishin në duar një pushtet të madh. Virusi solli shtetrrethimin 24-orësh, mbylljen e bareve, ndalimin e qarkullimit nëpër parqe, ndalimin e ushtrimit të sporteve, boshatisjen e teatrove, heshtimin e vendeve ku luhej muzikë. Çdo nocion i shtetit të vogël që i njeh kufizimet e veta dhe mezi pret t’ia delegojë pushtetin individëve, fluturoi nga dritarja.
Shumëkujt i rrodhën jargët nga kjo shfaqje e pushtetin të pastër shtetëror. Madje edhe predikuesit e tregut të lirë, që e kishin kaluar jetën duke sulmuar edhe propozimet më modeste për rritjen e shpenzimeve publike, kërkuan një lloj kontrolli shtetëror mbi ekonominë që nuk ishte parë që nga koha kur Leonid Brezhnjevi udhëhiqte Kremlinin. Në mbarë botën shtetet financuan firmat private për të shlyer pagat e punëtorëve, rishtetëzuan shërbimet e ujit dhe energjisë elektrike dhe morën aksione nëpër agjenci fluturimesh, prodhues makinash, madje edhe në banka. Që në javën e parë të izolimit pandemia e shkuli tisin dekorativ të politikës për të treguar realitetin e egër nën të: se disa njerëz kanë pushtetin t’u thonë të tjerëve se çfarë të bëjnë.
Ndërhyrjet masive shtetërore i gënjyen disa majtistë naivë drejt ëndrrës me sy hapur se pushteti i rizgjuar shtetëror mund të tregohej një forcë për mirë. Ata harruan se Lenini tha dikur se politika ka të bëjë me atë se kush i bën çfarë kujt. I lejuan vetes shpresën se diçka e mirë mund të vinte nga pushteti i pakufizuar i të njëjtave elita që deri më tani i kishin shkaktuar vuajtje të pamata kaq shumë njerëzve.
Ishin më të varfrit e më lëkurëkafët ata të cilët vuajtën më shumë nga virusi. Pse? Sepse varfëria e tyre ishte shkaktuar nga pafuqia. I plakte ata më herët e i bënte më të brishtë ndaj sëmundjeve. Ndërkohë biznesi i madh që mbështetet gjithmonë te shteti për të imponuar monopolet mbi të cilat lulëzon, e shumëfishoi pozicionin e vet të privilegjuar.
Amazon-at e kësaj bote lulëzuan, padyshim. Çlirimet e karbonit që kishin pësuar përkohësisht rënie, u rikthyen për të asfiksuar atmosferën. Në vend të bashkëpunimit në rang ndërkombëtar, u ngritën mure e u ulën qepena. Udhëheqësit nacionalistë u ofruan qytetarëve të demoralizuar një pakt të shpejtë: pushtet autoritar në këmbim të mbrojtjes nga një virus vdekjeprurës – dhe disidentësh komplotistë.
Nëse trashëgimia arkitekturore e Mesjetës ishin katedralet, 2020-a do të kujtohet për gardhet e elektrifikuara dhe dronet zukatëse mbi kokë. Financa dhe nacionalizmi, që ishte në ngritje që para 2020-s, ishin fitimtarët e padiskutueshëm. Forca e madhe e fashistëve të rinj ishte se, ndryshe nga pararendësit e tyre një shekull më parë, nuk u duhej të vishnin këmishë të kafta e madje as ta hynin në qeveri për të marrë pushtetin. Partitë e establishmentit në panik – neoliberalët dhe socialdemokratët – janë kthyer me kokë poshtë që ta bëjnë punën në vend të tyre përmes fuqisë së teknologjisë.
Me qëllim paprandalimin e shpërthimeve të pandemisë, qeveritë mbikëqyrën çdo hap tonin përmes aplikacioneve të lezetshme dhe byzylykëve në modë. Sisteme të projektuara për të monitoruar të kolliturat, tashmë monitorojnë edhe të qeshurat. Ato i bënë organizatat e mëparshme të specializuara në mbikëqyrje dhe “modifikim të sjelljes”, si famëkeqet KGB dhe Cambridge Analytica, të ngjajnë si nga epoka neolitike.
Cili ishte momenti kur njerëzimi e humbi davanë? A ishte 1991-shi? 2008-a? Apo ende kishim një mundësi më 2020? Si çdo moment ndërgjegjësimi, teoria e rastësisë historike është një gënjeshtër që na vjen për mbarë. E vërteta është se ne përballemi me zgjedhje të vështira çdo ditë të jetës sonë.
—
E zëmë se do ta kishim kapur momentin e 2008-ës për të vënë në skenë një revolucion teknologjik paqësor që do na çonte drejt një ekonomie demokratike postkapitaliste. Çfarë gjëje do t’i përngjante ajo? Për të qenë e dëshirueshme, do të kishte tregje mallrash dhe shërbimesh pasi alternativa – një sistem racionimi të tipit sovjetik që i mvesh me pushtet arbitrar burokratët më të përçmuar – do të ishte e frikshme përtej asaj çka mund të përshkruhet me fjalë. Por që t’i rezistonte krizave, ka një treg të cilin socializmi i tregut nuk mund t’ia lejonte vetes: tregun e krahut të punës. Pse? Sepse që në momentin kur koha e punës ka një çmim rente, mekanizmi i tregut e shtyn atë pafundësisht gjithnjë e më poshtë teksa transformon në mall (komodifikon) çdo aspekt të punës (dhe në kohën e Facebook-ut, çdo aspekt edhe të kohës së lirë).
A mund të funksionojë pa një treg të krahut të punës një ekonomi moderne? Sigurisht që po! Marrim rastin e parimit “një punëtor – një aksion – një votë” që ndodhet në themel të sistemit që te “Një tjetër e tashme” unë e quaj korpo-sindikalizëm. Duke e amenduar ligjin e korporatave në të tillë mënyrë që ta kthesh çdo punëtor në një partner të barabartë (edhe pse nuk paguhet çdokush njësoj) është po aq radikalisht e paimagjinueshme saç ishte e drejta universale e votës në shek. XIX. Në udhërrëfyesin tim, bankat qendrore i hapin një llogari çdo të rrituri tek e cila një herë në muaj kalon një shumë e caktuar (e quajtur dividend bazik universal). Përderisa të gjithë e përdorin llogarinë në bankën qendrore për të kryer shpenzime brenda vendit, shumica e parave të printuara nga banka qendrore transferohet brenda bilanceve të saj. Për më tepër, banka qendrore i jep çdo të porsalinduri një shumë të caktuar që mund të shfrytëzohet në moshë të rritur.
Njerëzit fitojnë dy lloje të ardhurash: dividendët që u akreditohen në llogarinë në bankën qendrore dhe fitimet nga puna në një kompani korpo-sindikaliste. Asnjë prej të dyjave nuk taksohet, pasi nuk ekzistojnë taksa mbi të ardhurat apo shitjet. Në vend të tyre, dy taksa të tjera financojnë qeverinë: një taksë 5% mbi të ardhurat e firmës korpo-sindikaliste dhe nga të ardhurat nga dhënia me qira e tokës (që zotërohet në tërësinë e saj nga komuniteti) për përdorim privat të përkohshëm.
Kur vjen puna për tregti dhe pagesa ndërkombëtare, “Një tjetër e tashme” paraqet një sistem financiar global inovativ që e transferon pasurinë në mënyrë të vazhdueshme drejt Jugut Global, teksa në të njëjtën kohë parandalon që zhbalancimet të shkaktojnë kriza. Të gjitha shkëmbimet tregtare dhe lëvizjet e parave ndërmjet juridiksioneve të ndryshme monetare (p.sh. Mbretëria e Bashkuar me BE apo SHBA) do të kryhen duke u kthyer në një njësi të re paraje digjitale që quhet Kosmos. Nëse vlera e Kosmos-it të importeve të një vendi tejkalon vlerën eksporteve të tij, një pagesë shtesë vendoset në përpjesëtim me deficitin tregtar. Por edhe anasjelltas, nëse eksportet e një vendi tejkalojnë importet, përsëri aplikohet një pagesë. Një tjetër pagesë i shtohet llogarisë së Kosmos-it të një vendi kur shumë para lëvizin shumë shpejt jashtë ose brenda vendit – një lloj kamate që takson lëvizjet e parave spekulative që u shkaktojnë kaq shumë dëme vendeve në zhvillim. Të gjitha këto pagesa përfundojnë si investime “të gjelbra” në Jugun Global.
Por çelësi i kësaj ekonomie është dhënia e një aksioni të vetëm dhe të pakëmbyeshëm çdo punëtori-partneri. Duke u dhënë të drejtën e votës punëtorëve-partnerë në asambletë e përgjithshme të korporatës, një ide kjo e propozuar nga anarko-sindikalistët e hershëm, dallimi mes pagave dhe fitimit humbet dhe më në fund demokracia hyn brenda vendit të punës.
Që nga inxhinierët përgjegjës të firmës dhe përgjegjësit për vendimet strategjike, e deri te sekretarët dhe pastruesit, të gjithë marrin një pagë bazë plus një bonus që vendoset në mënyrë kolektive. Përderisa rregulli “një punëtor – një votë” favorizon njësitë më të vogla të vendimmarrjes, korpo-sindikalizmi i shtyn vullnetarisht konglomeratet që të ndahen në kompani më të vogla, duke e ringjallur kështu konkurrencën në treg. Madje edhe më tej, aksionet e tregut zhduken tërësisht pasi aksionet, ngjashëm me kartat e identitetit apo kartat e bibliotekave, bëhen të pakëmbyeshme. Pasi aksionet e tregut të jenë zhdukur, nevoja për borxhe masive për të financuar bashkime korporatash avullon së bashku me financën tregtare. Meqenëse banka qendrore i hap kujtdo një llogari falas, bankat private kthehen në të panevojshme.
Disa nga çështjet më të bezdisshme me të cilat më është dashur të përballem teksa shkruaja “Një tjetër e tashme”, për të siguruar konsistencën e tij me një shoqëri tërësisht të demokratizuar, përfshinin: frikën se njerëz me pushtet do të manipulojnë zgjedhjet edhe në socializmin e tregut; kokëfortësinë e patriarkatit për të mos vdekur; politikat gjinore dhe seksuale; financimin e tranzicionit “të gjelbër”; kufijtë dhe emigrimi; një konventë e të drejtave digjitale etj.
Shkrimi i tij si një manual do të kish qenë i padurueshëm. Do të më kishte detyruar të shtiresha sikur mbaj anë në argumente që ngelen të pazgjidhura në kokën – e madje edhe në zemrën – time. Prandaj u jam shumë mirënjohës personazheve të mi në libër: Irisit, Evës dhe Kostës. Ndër të tjera, ata më lejuan që të parashtroj pyetjen më të vështirë: pasi ta kemi konceptuar një variant socializmi të qëndrueshëm që e hedh doktrinën e Thatcher-it “Tina” nga dritarja, ç’duhet të bëjmë dhe sa larg jemi të gatshëm të shkojmë për ta bërë atë realitet?
E përktheu Redi Muçi
Marrë nga gazeta The Guardian
Imazhi: Anticap