/Nicole Aschoff/
Socializmi dhe feminizmi kanë një marrëdhënie të gjatë dhe me raste të tensionuar.
Socialistët shpesh akuzohen se mbitheksojnë klasën – duke vendosur në qendër të çdo analize ndarjen strukturore midis atyre që duhet të punojnë me pagë për të mbijetuar dhe atyre që zotërojnë mjetet e prodhimit. Edhe më keq, ata shpërfillin ose nënvlerësojnë sa qendorë janë faktorë të tjerë – si seksizmi, racizmi apo homofobia – në formimin e hierarkive të pushtetit. Ose e pranojnë rëndësinë e këtyre normave dhe praktikave negative, por argumentojnë se ato mund të çrrënjosen pasi të heqim qafe kapitalizmin.
Ndërkohë, socialistët i akuzojnë feministët e rrymës kryesore se fokusohen më shumë në të drejtat individuale sesa në betejën e përbashkët dhe injorojnë ndarjet strukturore midis grave. Ata i akuzojnë feministët e rrymës kryesore se mbështesin projektet politike borgjeze, që zvogëlojnë rolin veprues të grave punëtore ose u japin përparësi kërkesave të shtresës së mesme që injorojnë nevojat dhe dëshirat e grave të varfra, si në veriun dhe jugun global.
Këto janë debate të hershme që datojnë prej mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe Internacionales së Parë dhe sillen rrotull çështjeve thellësisht politike të pushtetit dhe kontradiktave të shoqërisë kapitaliste.
Turbullimi i mëtejshëm i ujërave vjen prej mënyrës si politika e feminizmit ndërlikohet nga natyra historike e kapitalizmit – mënyra se si seksizmi integrohet në të dy proceset, të nxjerrjes së fitimit dhe riprodhimit të sistemit kapitalist si tërësi, është dinamike.
Ky dinamizëm është mjaft i dukshëm sot kur një kandidate grua për presidente, Hillary Clinton-i, preferohet nga milionerët amerikanë. Por ndarja mes socializmit dhe feminizmit është në thelb e panevojshme.
Përse socialistët duhet të jenë feministë
Shtypja e gruas, në SHBA dhe globalisht, është shumëpërmasore – ndarjet gjinore në politikë, ekonomi, dhe sferat sociale theksojnë se përse, për të çliruar veten prej tiranisë së kapitalit, socialistët duhet të jenë gjithashtu feministë.
Mundësia që një grua më në fund të bëhet presidente e SHBA thekson mungesën e plotë të një udhëheqjeje femërore si në SHBA edhe në botë. Pavarësisht grave të fuqishme si Angela Merkel, Christine LeGarde, Janet Yellen dhe Dilma Rousseff, balanca gjinore në politikë dhe në botën e korporatave mbetet thellësisht asimetrike. Vetëm 4% e CEO-ve në 500 firmat e revistës Fortune janë gra dhe shumica e bordeve të korporatave kanë pak ose aspak anëtare gra.
Globalisht, 90% e krerëve të shteteve janë burra, në Forumin Ekonomik Botëror të vitit 2015 vetëm 17% e 2500 përfaqësuesve ishin gra, ndërsa viti 2013 shënoi herën e parë që gratë kishin njëzetë vende në Senatin e SHBA.
Ndryshe nga shumë vende të tjera, gratë në Shtetet e Bashkuara kanë, e thënë trashë, të drejta të barabarta dhe mbrojtje ligjore, si dhe qasje në edukim, ushqim dhe kujdes shëndetësor njëlloj si burrat. Por ndarjet gjinore janë të dukshme në mes të shoqërisë.
Gratë ua kalojnë burrave në arsimin e lartë, por ato nuk arrijnë nivele të krahasueshme suksesi dhe pasurie dhe mbeten të sterotipizuara dhe të nënpërfaqësuara në mediat popullore. Sulmet ndaj të drejtave riprodhuese të grave nuk ndalen, ndërsa pas një periudhe të gjatë rënieje të qëndrueshme në vitet 1990, shkalla e dhunës ndaj grave nuk ka luajtur nga vendi prej vitit 2005.
Në të njëjtën kohë, vendimet për balancimin e jetës shtëpiake dhe të punës, në përballje me rritjen gjithnjë e më shumë të kostove shtëpiake dhe të kujdesit për fëmijët, janë më të vështira se asnjëherë tjetër. Në pesëdhjetë vite, qysh prej miratimit të ligjit për pagë të barabartë në vitin 1963, gratë kanë hyrë masivisht në tregun e punës; sot 60% e grave punojnë jashtë shtëpisë. Nënat e vetme dhe të martuara kanë më tepër gjasë të punojnë, përfshirë 57% të nënave me fëmijë nën moshën një vjeç.
Por gratë që punojnë me kohë të plotë ende fitojnë 81 për qind të asaj që fitojnë burrat – një shifër e fryrë nga rënia me shpejtësi e pagave të burrave (përjashto ata me shkollë të lartë) në vitet e fundit.
Dallimet në paga shkojnë bashkë me ndarjen gjinore të punës. Shitjet me pakicë, shërbimet dhe sektori i ushqimit – sferat ku shtohen vendet e punës – mbizotërohen nga gratë, dhe femërzimi i punës së “kujdesit shtëpiak” është edhe më i theksuar. Përtej arritjeve të fundit, si shtesat në Ligjin për Standardet e Punës së Ndershme kah punëtorët shtëpiakë, puna shtëpiake shihet ende si punë grash dhe nënvlerësohet. Një numër i shpërpjesëtuar i punëve të kujdesit janë të keqpaguara, punë të nënkontraktuara ku poshtërimet, ngacmimet, sulmet dhe vjedhja e pagës janë të zakonshme.
Shtuar këtyre dallimeve të qarta mes përvojave të burrave dhe grave, në SHBA shquhen efekte më të ngadalta dhe afatgjata të seksizmit. Feministe si bell hooks (Gloria Jean Watkins – përkth.) argumentojnë se seksizmi dhe racizmi përshkojnë mbarë shoqërinë dhe se narrativat sunduese të pushtetit lartësojnë vizione të jetës të të bardhëve dhe heteronormative.
Qysh prej lindjes, djemtë dhe vajzat trajtohen ndryshe dhe stereotipat gjinorë që merren në shtëpi, shkollë dhe në jetën e përditshme dhe përjetësohen gjatë gjithë jetës së gruas, duke formuar kështu identitetet e tyre dhe zgjedhjet e jetës.
Seksizmi luan gjithashtu një rol më pak të dukshëm, por vendimtar, në nxjerrjen e fitimit. Që prej fillimit, kapitalizmi është mbështetur në punën e papaguar jashtë tregut të punës (kryesisht në shtëpi) që siguron përbërësin kryesor për akumulimin e kapitalit: punëtorët – të cilët duhet të krijohen, vishen, ushqehen, shoqërohen dhe dashurohen.
Kjo punë e papaguar është thellësisht gjinore. Ndonëse burrat po marrin pjesë më shumë në detyrat e shtëpisë dhe kujdesin për fëmijët në krahasim me të shkuarën, riprodhimi shoqëror sërish bie parësisht mbi gratë, prej të cilave pritet të përballojnë barrët më të rënda të shtëpisë. Shumica e grave kryejnë edhe punë të paguar jashtë shtëpisë duke e kthyer punën e tyre në shtëpi në “një turn të dytë”. Kësisoj, gratë janë dyfish të shtypura – të shfrytëzuara në vendin e punës dhe mosnjohura si punëtore në riprodhimin shoqëror të punës.
“Edhe në kulmin e tyre, shtetet nordike të mirëqenies sociale kurrë nuk iu afruan shoqërizimit të vërtetë të punës së kujdesit shtëpiak – veçanërisht nëse mendojmë, përtej kujdesit të fëmijëve, për shumë nevoja të tjera që u duhen njerëzve gjatë jetës”.
Përse feministët duhet të jenë socialistë?
Këto ndarje gjinore të qëndrueshme ndërklasore – në sferën politike, ekonomike dhe sociale – ushqejnë mendimin sundues feminist se seksizmi është diçka jashtë kapitalizmit, që duhet të përballet veçmas.
Përgjatë valëve të shumta të betejave feministe, aktivistët kanë ndjekur një sërë strategjish për të luftuar seksizmin dhe ndarjet gjinore. Sot feministët e rrymës kryesore priren drejt fokusimit të vendosjes së grave në pushtet – si në sferën politike edhe atë ekonomike – si një mënyrë për të zgjidhur një sërë problemesh me të cilat përballen gratë, si pabarazia në pagë, dhuna, balanca mes punës dhe jetës, si dhe shoqërizimi seksist.
Zëdhënëse gra të shquara si Sheryl Sandberg-u, Hillary Clinton-i, Anne-Marie Slaughter-i e shumë të tjera mbrojnë strategjinë feministe të “marrjes së pushtetit”. Sandberg-u – një prej propozuesve më ndikuese të kësaj strategjie – argumenton se gratë duhet të ndalin së pasuri frikë dhe të fillojnë “të përçajnë status quo-në”. Nëse e bëjnë këtë, ajo beson se ky brez mund të zvogëlojë hendekun e udhëheqjes dhe kësisoj e bëjnë botën një vend më të mirë për të gjitha gratë.
Argumenti i sulmit për të marrë pushtetin është se nëse gratë do të ishin në pushtet, ndryshe nga burrat, ato do të kujdeseshin për të zbatuar politika që sjellin përfitime për gratë dhe se ndarjet gjinore ndërklasore në sferën ekonomike, politike dhe kulturore do të eliminoheshin vetëm nëse gratë do të mbanin një numër pozicionesh udhëheqëse të barabartë me burrat.
Vendosja e theksit në përparimin individual si rruga e arritjes së qëllimeve të feminizmit nuk është e re dhe është kritikuar nga një sërë feministësh, përfshirë Charlotte Bunch-in dhe Susan Faludi-n, të cilat e vendosin në pikëpyetje nocionin e solidaritetit motërzor si mjet shërimi për ndarjet gjinore të ngulura thellë. Sipas Faludi-t, “nuk mund ta ndryshosh botën për gratë thjesht duke futur fytyra femërore në majë të një sistemi të pandryshuar pushteti shoqëror dhe ekonomik”.
Feministët socialistë si Johanna Brenner-i theksojnë gjithashtu mënyrën se si feminizmi i rrymës kryesore anashkalon tensionet e thella mes grave:
“Ne mund t’i karakterizojmë bujarisht si ambivalente marrëdhëniet mes grave të klasës punëtore/të varfra dhe grave të shtresës së mesme profesionale, detyra e të cilave është të ngrenë dhe rregullojnë nivelin e atyre që përkufizohen si problematikë – të varfrit, të pashëndetshmit, të papranuarit kulturalisht, devijantët seksualë, të keqarsimuarit. Këto tensione klasore derdhen në politikën feministe, qyshse mbrojtëset feministe të klasës së mesme pretendojnë të përfaqësojnë gratë e klasës punëtore.”
Kësisoj, ndonëse është padyshim e nevojshme të njihet fakti i pabarazisë gjinore në shoqëritë bashkëkohore, është gjithashtu e nevojshme të jemi të qartë se si mund të tejkalohen këto ndarje dhe po ashtu të njihen kufizimet e një feminizmi që nuk e sfidon kapitalizmin.
Kapitali ushqehet me normat ekzistuese të seksizmit, duke u përzier me natyrën shfrytëzuese të punës me mëditje. Kur ambiciet dhe dëshirat e grave heshtohen apo nënvlerësohen, prej grave është më e lehtë të përfitohet. Seksizmi është pjesë e mjeteve të kompanisë, duke u mundësuar firmave t’i paguajnë gratë më pak – veçanërisht gratë me ngjyrë – dhe t’i diskriminojnë.
Po edhe nëse ne e çrrënjosim seksizmin, kontradiktat e trashëguara të kapitalizmit do të qëndrojnë. Është e rëndësishme dhe e nevojshme që gratë të ngjiten në pozita pushteti, por kjo nuk do të ndryshojë ndarjen fundamentale mes punëtorëve dhe pronarëve – mes grave në majë dhe grave në bazë. Nuk do ta ndryshojë faktin se shumica e grave e gjejnë veten e tyre në punë të përkohshme, të keqpaguara, që paraqesin një barrierë shumë më të madhe për të përparuar dhe jetë të rehatshme sesa seksizmi në sferën politike. Nuk do ta ndryshojë fuqinë e motivit të fitimit dhe shtrëngimin e kompanive që t’u japin punëtorëve aq pak sa e lejojnë normat ekonomike, shoqërore dhe kulturore.
Padyshim që shoqëria nuk reduktohet te marrëdhënia e pagës dhe ndarjet gjinore janë reale dhe të qëndrueshme. Marrja seriozisht e klasës do të thotë ta vendosësh shtypjen e gruas brenda kushteve materiale në të cilat jetojnë, ndërkohë që njihet roli i seksizmit në formimin e jetës së gruas si në punë ashtu edhe në shtëpi.
Lëvizja feministe – si rryma e “mirëqenies sociale” ashtu edhe radikalët bashkëkohorë – ka korrur fitore domethënëse. Sfida tani është e dyanshme: të mbrohen këto fitore të arritura me vështirësi dhe të mundësohet që të gjitha gratë t’i gëzojnë këto, dhe të përparohet me kërkesa të reja, konkrete që adresojnë marrëdhëniet komplekse mes seksizmit dhe nxjerrjes së fitimit.
Nuk ka një përgjigje të thjeshtë se si arrihen këto dy qëllime. Arritjet më të mëdha të grave në të shkuarën kanë ndodhur duke luftuar njëkohësisht për të drejtat e grave dhe të drejtat e punëtorëve– duke e lidhur luftën kundër seksizmit me luftën kundër kapitalizmit.
Siç argumentojnë Eileen Boris-i dhe Anelise Orleck-u, gjatë viteve 1970 dhe 1980 “feministët sindikalistë ndihmuan në rigjallërimin e lëvizjes së gruas, çka nxiti kërkesa të reja për të drejtat e gruas në shtëpi, në vendin e punës dhe brenda sindikatave”. Stjuardesat e linjave ajrore, punëtoret e sektorit tekstil, ato të zyrave dhe të shtëpisë sfiduan lëvizjen sindikaliste të dominuar nga burra (deri në 1980asnjë grua nuk bënte pjesë në bordin drejtues të AFL-CIO) dhe në proces e sipër farkëtuan një feminizëm të ri, më të gjerë.
Gratë sindikaliste krijuan një hapësirë të re mundësish duke kërkuar jo vetëm paga më të larta dhe mundësi të barabarta, por edhe kujdes për fëmijët, orare të përshtatshme pune, leje lindjeje dhe të tjera të mira zakonisht të anashkaluara apo nënvlerësuara nga vëllezërit sindikalistë.
Ky është drejtimi ku socialistët edhe feministët duhet të orientohen – drejt betejave dhe kërkesave që sfidojnë si shtysat e kapitalit, edhe normat e rrënjosura të seksizmit që janë të zhytura kaq thellë në kapitalizëm.
Betejat dhe kërkesat që i arrijnë këto janë konkrete dhe tashmë po luftohet për to. Për shembull, beteja për kujdesin shëndetësor universal – e cila duhet ta sigurojë kujdes shëndetësor si një e drejtë e çdo njeriu nga djepi në varr, pavarësisht mundësisë për të paguar – është një kërkesë që minon si seksizmin, ashtu edhe fuqinë e kapitalit për të kontrolluar dhe shtypur veprimin e punëtorëve. Ka mjaft kërkesa të tjera konkrete afatshkurtra që përziejnë qëllimet e feminizmit me ato të socializmit, përfshirë arsimin e lartë falas, kujdesin e fëmijëve dhe një e ardhur universale bazike e kombinuar me një rrjetë shoqërore të fuqishme të sigurisë sociale.
Këto reforma duhet të hedhin themelet për qëllime më radikale që do të shkojnë larg në zhdukjen e seksizmit, shfrytëzimit dhe komodifikimit të jetës sociale. Për shembull, projekte për të rritur kontrollin kolektiv, demokratik, karshi institucioneve kyçe për shtëpitë tona, shkollën dhe jetën e punës – shkollat, bankat, vendet e punës, qeveritë lokale dhe agjencitë lokale e qendrore – do t’u jepnin të gjitha grave dhe burrave më tepër pushtet, autonomi dhe mundësi për një jetë më të mirë.
Kjo strategji antikapitaliste është ajo që përmban mundësinë e ndryshimit radikal për të cilin gratë kanë nevojë.
Përfundimisht, qëllimet e feminizmit radikal dhe socializmit janë të njëjta – drejtësi dhe barazi për të gjithë njerëzit, jo thjesht mundësi të barabarta për gratë apo pjesëmarrje e barabartë e grave në një sistem të padrejtë.
E përktheu Jani Marka
Marrë nga broshura ‘ABC’s of Socialism’, Verso 2016
Imazhi: Wikimedia Commons