Gramsci

/Eric Hobsbawm/

Antonio Gramsci vdiq më 1937. Dhjetë vjet pas vdekjes ai ishte thuajse i panjohur jashtë rrethit të shokëve të tij të vjetër të viteve 1920 pasi vetëm një pjesë fare e vogël e shkrimeve të tij ishin botuar. Kjo nuk do të thotë se ai nuk kishte ndikim, pasi mund të thuhet se Palmiro Togliatti e pati udhëhequr Partinë Komuniste Italiane sipas vijës gramshiane, ose së paku sipas interpretimit të kësaj vije. Sidoqoftë për shumëkënd ngado nëpër botë, edhe për komunistët, deri nga fundi i Luftës së Dytë Botërore Gramsci ishte hiç më shumë se një emër. Gjatë dekadës së dytë pas vdekjes, ai u bë jashtëzakonisht i mirënjohur në Itali dhe i adhuruar përtej rretheve komuniste. Veprat e tij u botuan gjerësisht nga PKI dhe sidomos nga shtëpia botuese Einaudi. Pavarësisht kritikave të mëparshme ndaj këtyre botimeve të hershme, ato e bënë Gramsci-n gjerësisht të arritshëm dhe u mundësuan italianëve ta vlerësonin staturën e tij si një mendimtar marksist madhor dhe, më gjerësisht, si figurë madhore e kulturës italiane të shekullit të njëzetë.

Po vetëm italianët. Gjatë kësaj dekade Gramsci mbeti praktikisht i panjohur jashtë vendit të tij për shkak se veprat e tij nuk u përkthyen. Në të vërtetë, përpjekjet për të botuar edhe letrat e tij prekëse nga burgu nuk korrën sukses në Britani dhe SHBA. Përveç një grushti njerëzisht me njohje personale në Itali dhe që mund të lexonin italisht – më së shumti komunistë – ai fare mirë mund të mos kishte ekzistuar kësaj ane të Alpeve.

Gjatë dekadës së tretë nisën përpjekjet e para për t’u interesuar seriozisht për Gramsci-n jashtë Italisë. Padyshim ato u nxitën nga procesi i destalinizimit, por më tepër nga qëndrimi i pavarur i Togliatti-t pas vitit 1956. Sidoqoftë, në këtë periudhë hasim veprat e para të zgjedhura, si dhe nisjen e diskutimit mbi idetë e tij jashtë rrethit të partive komuniste. Jashtë Italisë të parët që treguan interes të qëndrueshëm për Gramsci-n ishin vendet anglishtfolëse. Paradoksalisht në Itali, gjatë të njëjtës dekadë, kritika ndaj Gramsci-t u bë më e artikuluar dhe nganjëherë e mprehtë, ndërkohë që Partia Komuniste Italiane pasuroi argumentet rreth interpretimit të veprës së tij.

Më në fund në vitet 1970 Gramsci arriti kulmin e vet. Në Itali botimi i veprave të tij arriti bazën e plotë shkencore përmes botimit të plotë të “Letrave të burgut” (1965), botimit të shkrimeve të tij të hershme politike dhe, mbi të gjitha, nga monumenti studimor i Valentino Gerratana-s, botimi i renditur kronologjikisht i “Fletoreve të burgut” më 1975. Si biografia e Gramsci-t, ashtu edhe roli i tij në historinë e Partisë Komuniste u bënë mjaft më të qartë kryesisht falë punës historike sistematike me shënimet e tij, të nxitur dhe inkurajuar nga Partia Komuniste. Diskutimi vazhdon, por nuk është ky vendi për t’u marrë me debatin mbi Gramsci-n në Itali prej mesit të viteve 1960. Jashtë Italisë përkthimet e shkrimeve të Gramsci-t u bënë të arritshme në vepra të zgjedhura më së miri, sidomos në dy vëllimet Lawrence & Wishart, të udhëhequra nga Hoare-i dhe Nowell Smith-i. Ato u plotësuan nga përkthime të veprave dytësore të rëndësishme si “Jeta” e Fiori-t (1970). Edhe këtu, pa dashur të merremi me literaturën në rritje rreth tij në anglisht – që përfaqësojnë këndvështrime të ndryshme, por të respektueshme universalisht – mjafton të themi se në përvjetorin e dyzetë të vdekjes së tij nuk ka më justifikim për të mos njohur Gramsci-n. Ç’është më e rëndësishmja, ai tanimë njihet edhe nga ata që nuk i kanë lexuar vërtet shkrimet e tij. Terma tipikë gramshianë si “hegjemonia” hasen në diskutimet marksiste dhe jomarksiste mbi politikën dhe historinë po aq rëndom e shkujdesshim sa konceptet frojdiane në periudhën midis dy luftërave botërorë. Gramsci është bërë pjesë e universit tonë intelektual. Statura e tij si një mendimtar marksist origjinal – sipas meje, mendimtari më origjinal që ka prodhuar Perëndimi që prej vitit 1917 – pranohet gjerësisht. Megjithatë, ç’ka shkruar dhe rëndësia e shkrimeve të tij nuk njihet aq gjerësisht sa fakti i thjeshtë se ai është i rëndësishëm. Këtu do të veçoj një prej arsyeve të rëndësisë së tij: teorinë e tij mbi politikën.

Sipas një vëzhgimi elementar të marksizmit, mendimtarët nuk i shpikin idetë e tyre në mënyrë abstrakte, por mund të kuptohen vetëm në kontekstin historik e politik të kohëve të tyre. Nëse Marksi theksonte gjithnjë se njerëzit e bëjnë historinë e tyre – ose, po të doni, mendojnë idetë e tyre – ai theksonte gjithashtu se diçka të tillë mund ta bëjnë (citojmë një pasazh të famshëm nga “18 brymeri…”) në kushtet në të cilat gjenden, të dhëna e të formuara më parë. Mendimi i Gramsci-t është mjaft origjinal. Ai është marksist, madje leninist, dhe nuk do të harxhoj kohë ta mbroj nga akuzat e sektarëve të ndryshëm të cilët pretendojnë ta dinë me ekzaktësi se ç’është e ç’nuk është marksiste dhe u duket se zotërojnë të drejtën e autorit mbështetur në versionin e tyre të marksizmit. Po për ne që jemi rritur në traditën e marksizmit, përpara 1914 dhe pas 1917, ai është një marksist befasues. Për shembull, ai ka shkruar relativisht pak lidhur me zhvillimin ekonomisë dhe vërtet shumë në lidhje me politikën, duke u marrë dhe u ndeshur me teoricienë si Croce-ja, Sorel-i dhe Machiavelli, të cilët nuk para shfaqen në shkrimet klasike. Kësisoj është e rëndësishme të zbulojmë se deri në ç’pikë shpjegohet ky origjinalitet nga konteksti dhe përvoja e tij historike. Nuk ka nevojë të shtoj se diçka e tillë nuk e zvogëlon fare staturën e tij intelektuale.

Kur hyri në burgjet e Mussolini-t, Gramsci ishte udhëheqësi i Partisë Komuniste Italiane. Italia e kohës së Gramsci-t kishte një sërë veçorish historike që ushqenin lëvizje origjinale në mendimin marksist. Po përmend shkurtimisht disa syresh:

1. Italia ishte një mikrokozmos i kapitalizmit botëror për shkak se përmbante në një vend të vetëm edhe metropolin, edhe kolonitë, rajone të përparuara e të prapambetura. Sardenja, nga vinte Gramsci, mishëronte anën tipikisht të prapambetur, për të mos thënë arkaike, dhe gjysmëkoloniale të Italisë; Torinoja e Fiatit, ku ai u bë udhëheqës i klasës punëtore, si atëherë dhe tani karakterizohet nga faza më e përparuar e kapitalizmit industrial dhe transformimi masiv i fshatarëve imigrantë në punëtorë. Me fjalë të tjera, ndryshe nga marksistët e vendeve të tjera, një marksist italian inteligjent ishte në një pozitë të lakmueshme për të kapur natyrën e botës kapitaliste të zhvilluar dhe “Botës së Tretë”, si dhe ndërveprimin mes tyre. Kësisoj është gabim ta konsiderosh Gramsci-n thjesht një teoricien të “komunizmit perëndimor”. Mendimi i tij as shënjohet ekskluzivisht nga vendet e përparuara industriale, as zbatohet vetëm mbi to.

2. Një prej pasojave të rëndësishme të veçantisë historike të Italisë ishte fakti që edhe përpara vitit 1914 lëvizja punëtore italiane ishte edhe industriale, edhe bujqësore, e bazuar edhe te proletarët, edhe të fshatarët. Në këtë aspekt nuk kishte të dytë në Evropë përpara vitit 1914, ndonëse nuk është këtu vendi për t’u thelluar në këtë aspekt. Dy shembuj të thjeshtë na tregojnë rëndësinë e saj. Rajonet me ndikimin më të madh të komunistëve (Emilia, Toskana dhe Umbria) nuk janë rajone industriale, ndërkohë që Di Vittorio-ja, udhëheqësi i madh i lëvizjes sindikaliste italiane të pasluftës, ishte nga jugu dhe punëtor ferme. Italia nuk dallohej shumë për sa i përket rëndësisë së pazakontë të intelektualëve në lëvizjen punëtore – kryesisht intelektualë nga jugu i prapambetur dhe gjysmëkolonial. Megjithatë, ky fenomen ia vlen të vihet në dukje pasi ka luajtur një rol të rëndësishëm në mendimin e Gramsci-t.

3. Veçoria e tretë gjendet në karakterin tejet të veçantë të historisë së Italisë si komb dhe shoqëri borgjeze. As këtu nuk dua të hyj në detaje, po le të kujtojmë tre aspekte: a. Italia ishte pionierja e civilizimit modern dhe kapitalizmit disa shekuj përpara vendeve të tjera, por nuk ia doli t’i ruante arritjet e veta dhe u llokoçit në ujëra të ndenjura nga Rilindja (Renaissance) te Rimëkëmbja (Risorgimento); b. Ndryshe nga Franca, borgjezia nuk e vendosi modelin  e vet shoqëror përmes një revolucioni triumfues dhe ndryshe nga Gjermania, ajo nuk e pranoi kompromisin që iu ofrua nga klasa e vjetër sunduese. Ajo kreu një revolucion të pjesshëm: bashkimi i Italisë u arrit pjesërisht nga lart – prej Cavour-it – dhe pjesërisht nga poshtë – prej Garibaldi-t; c. Kësisoj, në njëfarë kuptimi borgjezia italiane dështoi – së paku pjesërisht – për të kryer misionin e saj historik të ndërtimit të kombit italian. Revolucioni i saj ishte i paplotë dhe socialistët italianë si Gramsci do të ishin posaçërisht të vetëdijshëm për rolin e mundshëm të lëvizjes së tyre si udhëheqëse potenciale e kombit, bartëse e historisë kombëtare.

4. Italia ishte (dhe është) jo thjesht një vend katolik, si shumë të tjera, por vendi ku Kisha ishte një institucion veçanërisht italian, një mënyrë e ruajtjes së sundimit të klasave sunduese pa aparatet shtetërore dhe e pavarur prej tyre. Ishte gjithashtu një vend ku kultura e elitës kombëtare i parapriu shtetit kombëtar. Kësisoj një marksist italian do të ishte më i vetëdijshëm se të tjerët për atë që Gramsci e quante “hegjemoni”, domethënë mënyrave përmes të cilave ruhet autoriteti, të cilat nuk bazohen thjesht te forca shtrënguese.

5. Për një varg arsyesh – disa syresh i kam renditur tanimë – Italia ishte një lloj laboratori përvojash politike. Nuk është e rastit që ky vend ka pasur prej kohësh një traditë të fuqishme mendimi politik – nga Machiavelli në shekullin e pesëmbëdhjetë te Mosca në fillim të të njëzetit; edhe pionierët e huaj të asaj që tani do ta quanim sociologji politike prireshin të kishin lidhje me Italinë ose t’i nxirrnin idetë e tyre prej përvojës italiane – e kam fjalën për personazhe si Sorel-i dhe Michels-i. Kështu që nuk përbën habi që marksistët italianë ishin tejet të vetëdijshëm për teorinë politike si problem.

6. Së fundi po sjellim një fakt interesant. Italia është vendi ku, pas vitit 1917, dukej se ekzistonin një sërë kushtesh objektive dhe subjektive për revolucion shoqëror – më shumë se në Britani dhe Francë, madje, do të sugjeroja, edhe se në Gjermani. Prapëseprapë revolucioni nuk shpërtheu. Përkundrazi, në pushtet erdhën fashistët. Ishte e natyrshme që marksistët italianë të ishin të parët në analizimin e arsyeve pse Revolucioni Rus i Tetorit nuk u përhap në vendet perëndimore dhe cilat duhet të ishin strategjia dhe taktikat alternative të kalimit në socializëm të këtyre vendeve. Afërmendsh Gramsci i shtroi vetes këto detyra.   

Kjo na sjell drejt idesë sime kryesore: kontributi më i madh i Gramsci-t në marksizëm ka të bëjë me të qenit pionier i teorisë marksiste të politikës. Megjithëse Marksi dhe Engelsi patën shkruar gjerë e gjatë rreth politikës, ata nguruan në hartimin e një teorie të përgjithshme të kësaj fushe pasi – siç e pati theksuar Engelsi në letrat e famshme të viteve të fundit të jetës së tij, kur komentonte mbi konceptimin materialist të historisë – mendonin se ishte më e rëndësishme të theksohej që ‘marrëdhëniet ligjore dhe format e shtetit nuk mund të kuptohen në vetvete, por janë të rrënjosura në kushtet materiale të jetës’ (parathënia e “Kritikës së ekonomisë politike”). Kështu që ata theksuan mbi të gjitha ‘rrjedhimin e konceptimeve politike, juridike dhe ideologjike nga faktet ekonomike bazike’. (letra e Engelsit drejtuar Mehring-ut). Kësisoj diskutimi i Marksit dhe Engelsit mbi çështje si natyra dhe struktura e sundimit, kushtetuta dhe organizimi i shtetit, si dhe natyra dhe organizimi i lëvizjeve politike, shpaloset më së shumti në trajtën e vëzhgimeve që burojnë nga komentet e aktualitetit, zakonisht rrjedhoja të argumenteve të tjera – ndoshta përveç teorisë së tyre mbi origjinën dhe karakterin historik të shtetit. Lenini e ndjeu nevojën e një teorie më sistematike të shtetit dhe revolucionit – diçka e logjikshme në vigjilje të marrjes së pushtetit, por siç e dimë Revolucioni i Tetorit ndodhi përpara se ta përfundonte atë. Do të vija në dukje se diskutimi intensiv mbi strukturën, organizimin dhe udhëheqjen e lëvizjeve socialiste, që u zhvillua në epokën e Internacionales së Dytë, sillej rreth çështjeve praktike. Përgjithësimet teorike ishin të rastësishme dhe të atypëratyshme, ndoshta përveçse në fushën e çështjes kombëtare, ku pasardhësve të Marksit dhe Engelsit iu desh t’ia nisnin nga zeroja. Nuk po them se kjo nuk solli novacione teorike të rëndësishme, siç ndodhi me Leninin, ndonëse këto ishin, paradoksalisht, më shumë të natyrës pragmatike se teorike, pavarësisht se mbështilleshin me analizë marksiste. Për shembull, po të lexojmë diskutimet rreth konceptit të ri të Leninit mbi partinë, është e habitshme se sa pak teori marksiste hyn në debat, ndonëse në të merrnin pjesë marksistë të shquar si Kautsky, Luxemburg-u, Plehanovi, Trocki, Martovi dhe Riazanovi. Përbrenda tyre gjendej një teori e politikës, ndonëse arriti të dalë në pah vetëm pjesërisht.

Ky hendek shpjegohet me disa arsye. Sidoqoftë, dukej sikur nuk kishte rëndësi deri në fillim të viteve 1920. Paskëtaj, sipas meje, u kthye në një dobësi gjithnjë e më serioze. Jashtë Rusisë revolucioni kishte dështuar ose nuk kishte shpërthyer fare, çka bëri të domosdoshme një rimendim sistematik jo vetëm të strategjisë së lëvizjes për të marrë pushtetin, por edhe të problemeve teknike të kalimit në socializëm, të cilat nuk ishin trajtuar seriozisht asnjëherë përpara 1917 si problem serioz dhe i drejtpërdrejtë. Brenda BRSS lindi problemi i trajtës që do apo duhej të merrte një shoqëri socialiste, në aspektet e strukturës dhe institucioneve politike, si dhe si ‘shoqëri civile’, ndërsa pushteti sovjetik u ngrit prej luftërave të dëshpëruara për t’u mbrojtur dhe zhvilluar. Në thelb ky është problemi që ka shqetësuar marksistët vitet e fundit dhe ka ndarë komunistët sovjetikë, maoistët dhe ‘eurokomunistët’, për të mos folur për të tjerët jashtë lëvizjes komuniste.

Këmbëngul në faktin se po flasim për dy lloje të ndryshme problemesh politike: strategjia dhe natyra e shoqërive socialiste. Gramsci u përpoq të merrej me të dyja, ndonëse më duket sikur disa komentatorë janë përqendruar vetëm te njëra prej tyre, domethënë strategjia. Po cilado qoftë natyra e këtyre problemeve, shumë shpejt u bë e pamundur – dhe mbeti kësisoj për shumë kohë – t’i diskutoje këto brenda lëvizjes komuniste. Në fakt mund të thuhet se arsyeja pse Gramsci pati mundësi të merrej me to ishte se qëndronte në burg, i shkëputur nga politika jashtë, çka e shtynte të shkruante jo për të tashmen, por për të ardhmen.

Kjo nuk do të thotë se ai nuk shkruante politikisht në situatën e viteve 1920 dhe fillimin e 1930. Në fakt njëra prej vështirësive të të kuptuarit të veprës së tij qëndron në faktin se ai e merrte për të mirëqenë familjaritetin me situatat dhe diskutimet që tani janë të panjohura apo të harruara për shumicën prej nesh. Kësisoj Perry Anderson-i na ka kujtuar së fundmi se disa prej mendimeve të tij më karakteristike rrjedhin dhe zhvillojnë temat që debatoheshin në Komintern në fillim të viteve 1920. Sidoqoftë, ai arriti të zhvillojë elementet e një teorie politike të plotë në gjirin e marksizmit dhe ishte me gjasë i pari marksist që ia doli. Nuk do të orvatem të përmbledh idetë e tij, por veç do të nxjerr në pah disa rrjedha, si dhe të nënvizoj çka më duket se është e rëndësishme.

Gramsci është teoricien politik përderisa e shikon politikën si ‘një aktivitet autonom’ (“Fletoret e burgut”), brenda kontekstit dhe kufijve të vendosur nga zhvillimi ekonomik, dhe për shkak se synon të hulumtojë në mënyrë specifike mbi ‘vendin që zë apo duhet të zërë shkenca politike në një konceptim sistematik (koherent dhe logjik) të botës në marksizëm (ibid). Megjithatë kjo nuk do të thotë thjesht se ai futi në marksizëm diskutimet që gjenden në veprat e heroit të tij, Machiavelli-t, personazh i cili nuk para shfaqet në shkrimet e Marksit dhe Engelsit. Për të, politika është bërthama jo vetëm e strategjisë së fitores së socializmit, por edhe e vetë socializmit. Siç vënë në dukje me të drejtë Hoare-i dhe Nowell Smith-i, për të politika është ‘veprimtari njerëzore qendrore, mjeti me anë të të cilit ndërgjegjja e përveçme afrohet me botën shoqërore e politike në të gjitha format e saj. (“Fletoret e burgut”). Shkurtimisht, ajo përbën një term më të gjerë nga ç’jemi mësuar. Edhe më të gjerë se ‘shkenca dhe arti i politikës’ në kuptimin e ngushtë që i jep Gramsci, të cilën e përkufizon si ‘një trupë rregullash praktike të hulumtimit dhe vëzhgimit të detajuar që nevojitet për zgjimin e interesit në realitetin efektiv dhe për stimulimin e mendimeve politike më rigoroze dhe vitale. Kjo përfshihet në mënyrë të tërthortë në konceptin e praktikës: ku kuptimi i botës dhe ndryshimi i saj bëhen një. Praktika, historia që njerëzit bëjnë, ndonëse në kushte historike të dhëna – dhe në zhvillim e sipër – është ajo që ata bëjnë, jo thjesht format ideologjike në të cilat njerëzit vetëdijesohen për kontradiktat e shoqërisë. Nëse citojmë Marksin, kjo është mënyra se si njerëzit ‘luftojnë’. Thënë shkurt, ky mund të quhet aksion politik. Po është pjesërisht edhe njohje e faktit se aksioni politik është një veprimtari autonome, ndonëse ‘lind në terrenin “permanent” dhe “organik” të jetës ekonomike’.

Kjo zbatohet në ndërtimin e socializmit e ngado tjetër. Mund të thoni se për Gramsci-n baza e socializmit nuk është shoqërizimi në kuptimin politik – domethënë ekonomia e planifikuar dhe e organizuar shoqërisht (ndonëse kjo përbën bazën dhe kornizën e tij) – por shoqërizimi në kuptimin politik dhe sociologjik, domethënë çka është quajtur proces i formimit të zakoneve te njeriu kolektiv, të cilat do ta bëjnë sjelljen shoqërore automatike dhe do të eliminojnë nevojën për një aparat të jashtëm në imponimin e normave; automatik, por edhe të ndërgjegjshëm. Kur Gramsci flet për rolin e prodhimit në socializëm, nuk e ka fjalën thjesht te mjeti i krijimit të një shoqërie bollëku material, ndonëse mund të vihet në dukje kalimthi se ai nuk kishte dyshim rreth përparësisë së maksimizimit të prodhimit; por për shkak se vendi i njeriut në procesin e prodhimit ishte temë qendrore e ndërgjegjes së tij në kapitalizëm, se përvoja e punëtorëve në një fabrikë të madhe ishte shkolla natyrore e ndërgjegjes së tij. Ndoshta për shkak të përvojës në Torino, Gramsci prirej të shikonte te fabrika e madhe moderne jo aq një vend tëhuajësimi, por një shkollë socializmi.

Po ideja nuk ishte që në socializëm prodhimi do të mund të trajtohej si problem i veçantë teknik dhe ekonomik; ai duhej trajtuar njëkohësisht, dhe nga kjo pikëpamje parësisht, si një problem edukimi politik dhe strukture politike. Edhe në shoqërinë borgjeze, që nga ky aspekt ishte përparimtare, koncepti i punës ishte qendror nga pikëpamja edukative pasi “zbulimi që rendet shoqërore e natyrore ndërmjetësohen nga puna, nga veprimtaria teorike e praktike e njeriut, krijon elementët e parë të një intuite të botës që çlirohet nga magjia dhe supersticioni. Kjo siguron një bazë për zhvillimin e mëtejshëm historik të një konceptimi dialektik të botës, i cili kupton lëvizjen dhe ndryshimin… që e përfytyron botën bashkëkohore si sintezë të së shkuarës, së të gjitha brezave, që e projekton veten në të ardhmen. Kjo ishte baza reale e shkollës fillore’. Kalimthi mund të vëmë re një temë konstante në shkrimet e Gramsci-t: të ardhmen.

Temat kryesore të teorisë politike të Gramsci-t ravijëzohen në letrën e famshme të shtatorit 1931:

“Studimi im mbi intelektualët është një projekt i madh… Unë e shtrij shumë nocionin e intelektualit përtej domethënies së fjalës, e cila u referohet kryesisht intelektualëve të mëdhenj. Ky studim më shtyn gjithashtu drejt përcaktimeve të ndryshme të shtetit. Zakonisht kjo kuptohet si shoqëri politike (d.m.th. diktatura e aparatit shtrëngues për ta bërë masën popullore të përputhshme me llojin e prodhimit dhe të ekonomisë që janë mbisunduese në një moment të caktuar) dhe jo si një ekuilibër midis shoqërisë politike dhe shoqërisë civile (d.m.th. hegjemonisë së një grupi shoqëror mbi krejt shoqërinë kombëtare, e cila ushtrohet përmes të ashtuquajturave organizma privatë si kisha, sindikatat, shkollat etj.) Shoqëria civile është pikërisht fusha e veçantë e veprimit të intelektualëve.”[1]

Po konceptimi i shtetit si një ekuilibër midis institucioneve shtrënguese dhe hegjemonike (ose, po të doni, uniteti i të dyjave, nuk përbën në vetvete risi, së paku për ata që e shohin botën në mënyrë realiste. Duket sheshit se klasa sunduese mbështetet jo vetëm në pushtetin dhe autoritetin shtrëngues, por edhe në pëlqimin që buron nga hegjemonia – çka Gramsci e quante ‘udhëheqje intelektuale e morale’ që ushtrohet nga grupi sundues dhe ‘drejtimi i përgjithshëm që i imponohet jetës shoqërore nga grupi themelor mbisundues’. Risi te Gramsci përbën vëzhgimi se edhe hegjemonia borgjeze nuk është automatike, por arrihet nëpërmjet veprimit dhe organizimit politik të vetëdijshëm. Borgjezia qytetase e Rilindjes italiane mund të bëhej hegjemone në rrafsh kombëtar, sipas Machiavelli-t, vetëm nëpërmjet një veprimi të tillë – domethënë nëpërmjet një lloj jakobinizmi. Një klasë duhet ta tejkalojë atë që Gramsci e quan organizim ‘ekonomiko-korporativ’ për t’u shndërruar në hegjemone politikisht; çka përbën arsyen pse edhe sindikalizmi më militant mbetet pjesë e nënrenditur e shoqërisë kapitaliste. Së këndejmi rrjedh se dallimi midis ‘mbisundueses’ apo ‘hegjemonikes’ dhe klasave ‘të nënrenditura’ është themelor. Ky është një novacion tjetër i Gramsci-t dhe me rëndësi vendimtare për mendimin e tij pasi problemi bazik i revolucionit është si t’i bësh klasat e nënrenditura të afta për hegjemoni, të besojnë te vetja si klasë sunduese potenciale dhe të jenë të besueshme si të tilla në sytë e klasave të tjera.

Për Gramsci-n, këtu qëndron domethënia e partisë – ‘princit modern’. Pavarësisht domethënies historike të zhvillimit të partisë në përgjithësi në periudhën borgjeze – Gramsci ka thënë gjëra brilante për të – ai e kuptoi se vetëm nëpërmjet lëvizjes dhe organizimit të saj, d.m.th. sipas tij nëpërmjet partisë, klasa punëtore mund ta zhvillojë ndërgjegjen dhe të tejkalojë fazën ‘ekonomiko-korporative’ ose sindikaliste. Në fakt, siç e dimë, aty ku socializmi ka qenë fitimtar, ka sjellë shndërrimin e partive në shtete dhe është arritur prej tyre. Gramsci është thellësisht leninist në këndvështrimin e tij të përgjithshëm mbi partinë, ndonëse jo medoemos në pikëpamjet se si duhet të jetë organizimi i partisë në çdo kohë apo rreth natyrës së jetës së partisë. Sidoqoftë, sipas meje, diskutimi i tij mbi natyrën dhe funksionet e partive shkon përtej Leninit.

Natyrisht, siç e dimë, për shkak se partia dhe klasa, sado të identifikuara historikisht, nuk janë e njëjta gjë dhe mund të dallohen nga njëra-tjetra – sidomos në shoqëritë socialiste, dalin në pah probleme të mëdha praktike. Gramsci ishte më se i vetëdijshëm për to, si edhe për rreziqet e burokratizimit etj. Në të vërtetë, armiqësia e tij me zhvillimet staliniste në BRSS i solli probleme edhe në burg. Do të doja të thosha se ai propozon zgjidhje të përshtatshme për këto probleme, por nuk jam i sigurt se ia ka arritur më shumë se të tjerët. Gjithsesi, shënimet e Gramsci-t mbi centralizmin burokratik, ndonëse në koncentrat dhe të vështira (p.sh. te “Fletoret e burgut”), ia vlejnë të studiohen seriozisht.

Risi te Gramsci është edhe këmbëngulja se aparatet e sundimit, si në aspektin hegjemonik ashtu edhe deri diku në atë autoritarist, përbëhen në thelb nga ‘intelektualë’. Ai i përkufizon këta jo si një elitë e veçantë apo kategori shoqërore e veçantë, por si një lloj specializimi funksional i shoqërisë për të tilla qëllime. Me fjalë të tjera, për Gramsci-n të gjithë njerëzit janë intelektualë, por jo të gjithë e ushtrojnë funksionin shoqëror të intelektualëve. Kjo është e rëndësishme në kuptimin që nënvizon rolin autonom të superstrukturës në procesin shoqëror, apo edhe faktin e thjeshtë se një politikan me origjinë punëtore nuk është medoemos i njëjti me një punëtor terreni. Sidoqoftë, pavarësisht se kjo ide përcillet në pasazhe historike brilante te Gramsci, mua nuk më duket se ky vëzhgim është aq i rëndësishëm për teorinë politike të Gramsci-t sa ç’kujtonte vetë autori. Mendoj veçanërisht se dallimi midis të ashtuquajturve intelektualë ‘tradicionalë’ dhe intelektualë organikë që prodhohen nga një klasë e re është, së paku në disa vende, më pak i rëndësishëm nga ç’mendonte ai. Sigurisht që mbase jam unë ai që nuk e kam kuptuar tërësisht mendimin e tij të vështirë e kompleks dhe sigurisht që duhet të theksoj se kjo çështje ka një rëndësi të madhe për vetë Gramsci-n, nëse gjykojmë nga hapësira që i ka kushtuar.

Nga ana tjetër, mendimi strategjik i Gramsci-t nuk është vetëm përplot me ide historike brilante, si gjithmonë, por ka edhe domethënie praktike të madhe. Mendoj se në këtë lidhje duhet t’i mbajmë të ndara tre gjëra: analizën e përgjithshme të Gramsci-t, idetë e tij rreth strategjisë komuniste në periudha historike të caktuara dhe, në fund, idetë e Partisë Komuniste Italiane rreth strategjisë në një kohë të caktuar, të cilat sigurisht janë frymëzuar nga interpretimi që Togliatti i bëri teorisë së Gramsci-t dhe ai i pasardhësve të Togliatti-t. Nuk dua të merrem me të tretën sepse të tilla diskutime janë të parëndësishme për qëllimet e kësaj eseje. As dua të ndalem gjatë tek e dyta sepse gjykimi ynë mbi Gramsci-n nuk varet nga vlerësimi i kësaj apo asaj situate specifike në vitet 1920 e 1930. Është krejt e mundshme që, bie fjala, “18 brymeri…” i Marksit të jetë një vepër e thellë e bazike, pavarësisht se qëndrimi i Marksit ndaj Napoleonit III në vitet 1952-1970 dhe vlerësimi nga ana e tij e stabilitetit të atij regjimi shpeshherë ishin jorealistë. Sidoqoftë kjo nuk nënkupton kurrfarë kritike ndaj strategjisë së Gramsci-t apo Togliatti-t. Të dyja mund të mbrohen. Duke i lënë mënjanë këto çështje, do të doja të veçoja tre elementë të teorisë strategjike të Gramsci-t.

I pari nuk ka të bëjë me faktin se Gramsci zgjodhi strategjinë e luftës së zgjatur apo ‘pozicionale’ në Perëndim përkundër asaj që ai e quante ‘sulm frontal’ apo luftë manovre, por se si i analizonte këto opsione. Marrë parasysh se në Itali e gjetiu në Perëndim nuk do të ndodhte ndonjë Revolucion Tetori prej fillimit të viteve 1920 e tutje – pasi nuk kishte mundësi realiste – atij i duhej të mendonte një strategji afatgjatë. Mirëpo ai nuk u zotua në parim ndaj asnjë pasoje të veçantë të ‘luftës së pozicioneve’, të cilën e parashikonte dhe e rekomandonte. Ajo mund të çonte drejtpërdrejt në kalimin në socializëm ose në një tjetër fazë të luftës së manovrës dhe sulmit, apo në ndonjë fazë tjetër strategjike. Çka do të ndodhte varej nga ndryshimet në situatën konkrete. Sidoqoftë, ai mori në konsideratë një mundësi me të cilën pak marksistë të tjerë u përballën: dështimi i revolucionit në Perëndim do të prodhonte një dobësim afatgjatë mjaft më të rrezikshëm të forcave të progresit nëpërmjet atij që ai e quante ‘revolucion pasiv’. Nga njëra anë, klasa sunduese mund të plotësojë disa kërkesa për të parandaluar dhe shmangur revolucionin, por nga ana tjetër lëvizja revolucionare mund të arrijë praktikisht (ndonëse jo medoemos në teori) ta pranojë pafuqinë e saj dhe mund të gërryhet së brendshmi e të integrohet politikisht në sistem (shih “Fletoret e burgut”!). Thënë shkurt, ‘lufta e pozicioneve’ duhet menduar sistematikisht si një strategji luftuese dhe jo thjesht si diçka që duhet të bëjnë revolucionarët kur nuk ekziston mundësia e ngritjes së barrikadave. Sigurisht që Gramsci nxori nga përvoja e socialdemokracisë përpara 1914 mësimin se marksizmi nuk ishte determinizëm historik. Nuk mjaftonte të pritej që historia kushedi se si do t’i sillte automatikisht punëtorët në pushtet.

I dyti ka të bëjë me këmbënguljen e Gramsci-t se lufta për ta shndërruar klasën punëtore në klasë sunduese, lufta për hegjemoni, duhet të zhvillohet përpara kalimit të pushtetit, si dhe gjatë dhe pas tij. Po kjo luftë nuk është thjesht një aspekt i ‘luftës së pozicioneve’, por aspekt vendimtar i strategjisë së revolucionarëve në të gjitha rrethanat. Natyrisht, fitorja e hegjemonisë përpara kalimit të pushtetit, aq sa është e mundshme, ka rëndësi të veçantë në vendet ku bërthama e pushtetit të klasës sunduese qëndron në nënrenditjen e masave më shumë se në shtypjen e tyre. Kjo ndodh në shumicën e vendeve ‘perëndimore’, pavarësisht qëndrimit të ultramajtistëve dhe pavarësisht se sa rëndësi i jepet faktit që në instancë të fundit shtypja do të ushtrohet. Siç vihet re, bie fjala, në Kili dhe Uruguai, përtej një pike të caktuar ushtrimi i shtypjes për të ruajtur sundimin bëhet krejt i papërputhshëm me përdorimin e pëlqimit real apo në dukje, si dhe sundimtarët duhet të zgjedhin midis hegjemonisë dhe forcës, dorezës së kadifenjtë dhe grushtit të hekurt. Kur zgjedhin forcën, rezultatet nuk para kanë qenë në favor të lëvizjes së klasës punëtore.

Sidoqoftë, siç mund ta kemi parë në vende ku ka ndodhur përmbysja revolucionare e sundimtarëve të vjetër, si p.sh. Portugalia, aty ku mungon një forcë hegjemonike, edhe revolucionet mund të ngecin në rërë. Atyre u duhet të fitojnë mbështetje dhe pëlqim të mjaftueshëm nga shtresa ende të pashkëputura nga regjimet e vjetra. Problemi themelor i hegjemonisë, i parë strategjikisht, nuk është se si vijnë në pushtet revolucionarët, ndonëse kjo është një çështje tejet e rëndësishme, por se si mund të pranohen jo vetëm si sundimtarë politikë aktualë e të pashmangshëm, por edhe si udhërrëfyes e udhëheqës. Afërmendsh ka dy aspekte të këtij problemi: si fitohet pëlqyeshmëria dhe nëse revolucionarët janë gati për të udhëhequr. Ekziston gjithashtu situata politike konkrete, kombëtare e ndërkombëtare, e cila mund t’i bëjë përpjekjet e tyre më efektive ose më të vështira. Më 1945 komunistët polakë me gjasë nuk u pranuan si forcë hegjemonike, ndonëse ishin gati për të qenë të tillë; por ata e vendosën pushtetin e tyre falë situatës ndërkombëtare. Më 1918 socialdemokratët gjermanë me gjasë do të ishin pranuar si forcë hegjemonike, por ata nuk deshën të vepronin si të tillë. Këtu gjendet tragjedia e revolucionit gjerman. Komunistët çekë mund të ishin pranuar si forcë hegjemonike edhe më 1945, edhe më 1968, dhe ishin të gatshëm ta luanin këtë rol, por nuk u lejuan. Kësisoj lufta për hegjemoni përpara, gjatë dhe pas kalimit në socializëm (pavarësisht natyrës dhe shpejtësisë së saj) mbetet vendimtare.

I treti është se strategjia e Gramsci-t ka në thelb një lëvizje klasore të organizuar e permanente. Në këtë kuptim, ideja e tij për ‘partinë’ i afrohet konceptimit të Marksit, së paku nga fund i jetës së tij, për partinë si të ishte klasa e organizuar, ndonëse ai i kushtoi vëmendje më shumë se Marksi, Engelsi, madje edhe Lenini jo edhe aq organizimit formal, por formave të udhëheqjes dhe strukturës politike, si dhe natyrës së asaj që e quante marrëdhënie ‘organike’ midis klasës dhe partisë. Në kohën e Revolucionit të Tetorit shumica e partive masive të klasës punëtore ishin socialdemokrate. Shumica e teoricienëve revolucionarë, përfshirë këtu edhe bolshevikët përpara 1917, ishin të detyruar të mendonin vetëm në termat e partisë së kuadrove ose grupeve të aktivistëve që mobilizonin pakënaqësinë spontane të masave si dhe kur të mundnin për shkak se lëvizjet masive ose nuk lejohej të ekzistonin, ose zakonisht kishin karakter reformist. Ata nuk mund të mendonin akoma në termat e lëvizjeve masive punëtore permanente, të rrënjosura e njëkohësisht revolucionare, të cilat luanin një rol qendror në skenën politike të vendeve të tyre. Lëvizja e Torinos, aty ku u formuan idetë e Gramsci-t, ishte një përjashtim relativisht i rrallë. Megjithëse krijimi i disa partive komuniste masive ishte një prej arritjeve kryesore të Internacionales Komuniste, kishte shenja, për shembull në sektarizmin e të ashtuquajturës “Periudhë e Tretë”, se udhëheqja komuniste ndërkombëtare (e dallueshme nga komunistët në disa vende me lëvizje punëtore të fuqishme) nuk i njihte problemet e lëvizjeve punëtore masive që ishin zhvilluar sipas mënyrës së vjetër.

Këtu merr rëndësi këmbëngulja e Gramsci-t mbi marrëdhënien ‘organike’ të revolucionarëve dhe lëvizjeve masive. Përvoja historike italiane e kishte familjarizuar me pakicat revolucionare që nuk kishin të tillë marrëdhënie ‘organike’, por ishin grupe ‘vullnetarësh’ që mobilizoheshin si dhe kur të mundnin, ‘pa qenë realisht parti masash…, por barasvlerësja historike e bandave të ciganëve a nomadëve’. (“Fletoret e burgut”). Edhe sot, sidomos sot, një pjesë e madhe e politikave majtiste bazohet në këtë mënyrë, për arsye të ngjashme, jo te klasa punëtore reale me organizatat e saj masive, por te një klasë punëtore konceptuale, sipas njëfarë këndvështrimi nga jashtë klasës punëtore apo çdo grupi tjetër të mobilizueshëm. Klasa punëtore e organizuar, ashtu siç është dhe jo siç do të duhej të ishte në teori, ishte baza e analizës dhe strategjisë së tij.

Mirëpo, siç e kam theksuar vazhdimisht, mendimi politik i Gramsci-t nuk ishte vetëm strategjik, instrumental apo operacional. Qëllimi i tij nuk ishte thjesht fitorja, pas të cilës do të niste një rend dhe lloj i ndryshëm analize. Duket sheshit se kohë pas kohe ai merrte probleme apo incidente historike si pikënisje dhe nxirrte përgjithësime prej tyre jo vetëm rreth politikës së klasës sunduese apo situatave të ngjashme, por edhe rreth politikës në përgjithësi. Kjo ndodhte sepse ai ishte i vetëdijshëm vazhdimisht për përbashkësitë midis marrëdhënieve politike midis njerëzve, ose së paku në një varg tejet të gjerë shoqërish historike – si për shembull, siç i pëlqente të kujtonte, dallimi midis udhëheqësve dhe të udhëhequrve. Ai nuk harroi kurrë se shoqëritë janë më shumë sesa struktura mbisundimi ekonomik dhe pushteti politik, se kanë një farë kohezioni edhe kur përçahen nga luftërat klasore (ide e theksuar kohë më parë nga Engelsi), si dhe se çlirimi nga shfrytëzimi siguron mundësinë e themelimit të tyre si bashkësi reale njerëzish të lirë. Ai nuk harroi kurrë se marrja e përgjegjësisë për shoqërinë – aktuale ose potenciale – është diç më shumë se kujdesja për interesat klasore, seksionale apo edhe shtetërore: se, p.sh., kjo parakupton vazhdimësinë ‘me të shkuarën, me traditën ose me të ardhmen’. Së këndejmi, Gramsci ngulte këmbë mbi revolucionin jo thjesht si shpronësim i shpronësuesve, por edhe, në Itali, si krijim i një populli, realizim i një kombi – si mohim dhe përmbushje e të shkuarës. Në të vërtetë, shkrimet e Gramsci-t parashtrojnë problemin tejet të rëndësishëm – rrallë herë të diskutuar – se çfarë revolucionarizohet konkretisht në të shkuarën gjatë një revolucioni, çfarë ruhet, pse dhe si; problemi i dialektikës midis vazhdimësisë dhe revolucionit.  

Sigurisht që për Gramsci-n kjo nuk është e rëndësishme në vetvete, por si mjet i mobilizimit dhe vetëtransformimit popullor, i ndryshimit intelektual e moral, i vetëzhvillimit kolektiv si pjesë e një procesi përmes të cilit, në luftë e sipër, një popull ndryshon dhe farkëton veten nën udhëheqjen e një klase të re hegjemonike dhe lëvizjes së saj. Ndonëse Gramsci bartte dyshimin e zakonshëm marksist mbi spekulimet për të ardhmen socialiste, ndryshe nga shumë të tjerë ai e kishte një ide për të në natyrën e vetë lëvizjes. Nëse analizonte natyrën, strukturën dhe zhvillimin e saj si lëvizje politike, si parti, në mënyrë kaq të përpunuar e të imët; nëse gjurmonte, për shembull, lindjen e një lëvizjeje permanente e të organizuar – të dallueshme nga ‘shpërthimi’ i shpejtë – deri në elementët më të vegjël kapilarë e molekularë (siç i quante); atëherë këtë ai e bënte sepse e shihte shoqërinë e ardhshme si të bazuar mbi çka e quante ‘formimi i një vullneti kolektiv’ përmes një lëvizjeje të tillë dhe vetëm përmes saj. Vetëm në këtë mënyrë ajo mund të bëhet, përmes partisë së saj, ‘Princi modern’, motori politik i transformimit. Duke e ndërtuar veten, ajo në njëfarë kuptimi do të hedhë paraprakisht disa prej themeleve mbi të cilat do të ndërtohet shoqëria e re, si dhe disa prej konturëve të saj do të duken në dhe përmes saj.

Në përfundim, më lejoni të shpjegoj pse kam zgjedhur të fokusohem te Gramsci si teoricien politik. Jo thjesht për shkak se ai është teoricien tejet interesant dhe tërheqës dhe sigurisht jo pse ka ndonjë recetë se si duhen organizuar partitë apo shtetet. Ashtu si Machiavelli, ai është një teoricien i mënyrës si duhen themeluar apo transformuar shoqëritë, jo i detajeve kushtetuese, lere më pastaj i vogëlsirave që u interesojnë korrespondentëve të salloneve. Arsyeja qëndron në faktin se ndërmjet teoricienëve marksistë, ai është figura që e ka vlerësuar më qartësisht rëndësinë e politikës si një dimension i veçantë i shoqërisë dhe ka kuptuar se në politikë ka elementë të tjerë përveç pushtetit. Kjo ka rëndësi praktike madhore, sidomos për socialistët.

Së paku në vendet e zhvilluara, shoqëria borgjeze u ka kushtuar gjithnjë vëmendje parësore kuadrove dhe mekanizmave të tyre politikë për arsye historike që nuk mund t’i trajtojmë këtu.

Prandaj rregullimet politike janë bërë një mjet i fuqishëm në përforcimin e hegjemonisë borgjeze, ku edhe parulla si mbrojtja e republikës, mbrojtja e demokracisë apo mbrojtja e të drejtave dhe lirive civile i lidhin sundimtarët dhe të sunduesit parësisht për interesin e sundimtarëve; po kjo nuk do të thotë se ato janë të parëndësishme për të sunduarit. Kësisoj ato kanë shumë më tepër vlerë nga të qenit thjesht kozmetikë në fytyrën e shtrëngimit apo qoftë edhe thjesht hile.

Për arsye historike gjithaq të kuptueshme, shoqëritë socialiste janë përqendruar në të tjera detyra, kryesisht në planifikimin e ekonomisë dhe (me përjashtim të çështjes kryesore të pushtetit dhe, me gjasë, në vendet shumëkombëshe të marrëdhënies midis kombeve përbërëse) u kanë kushtuar mjaft më pak vëmendje institucioneve dhe proceseve të tyre politike e ligjore. Këto janë lënë të operojnë informalisht, aq sa munden, nganjëherë edhe në kundërshti me kushtetutat apo statuset e partisë – p.sh. thirrja e rregullt e kongreseve – dhe më së shpeshti edhe në një lloj errësire. Në raste ekstreme si Kina e viteve të fundit, vendimet politike kryesore që ndikojnë të ardhmen e vendit duket se kanë lindur papritmas nga luftërat e një grupi të vogël sundimtarësh në majë të pushtetit dhe natyra e tyre është e paqartë përderisa nuk janë diskutuar kurrë publikisht. Në të tilla raste ka diçka që nuk shkon. Edhe sikur të mos i merrnim parasysh disavantazhet e tjera të kësaj neglizhence të politikës, si mund të presim ta transformojmë jetën njerëzore, të krijojmë një shoqëri socialiste (të dallueshme nga ekonomia në pronësi dhe menaxhim shoqëror), kur masa e popullit përjashtohet nga procesi politik, madje mund të shtyhet në depolitizim dhe apati mbi çështjet publike?! Po bëhet e qartë se neglizhenca e rregullimeve politike nga shumë shoqëri socialiste po sjell dobësi serioze, të cilat duhen ndrequr. E ardhmja e socializmit, si në vendet që nuk janë ende socialiste ashtu edhe në ato socialiste, mund të varet nga të kushtuarit mjaft më shumë vëmendje çështjeve të tilla.

Duke këmbëngulur në rëndësinë vendimtare të politikës, Gramsci tërhoqi vëmendjen drejt një aspekti kyç të ndërtimit dhe fitores së socializmit. Kjo na kujton se nga duhet të drejtohemi. Një mendimtar madhor marksist që e shndërroi politikën në thelbin e analizës së tij ia vlen vërtet shumë të lexohet, studiohet dhe përthithet sot.

1977

E përktheu Arlind Qori

Marrë nga libri i autorit “How to Change the World: Reflections on Marx and Marxism”

Imazhi: Graziano Origa 


[1] A. Gramsci, Lettre del Carcere (Turin 1965), f. 481.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.