/Redi Muçi/
Dëgjova premtimin e Lulzim Bashës se do të rrisë pagat e pedagogëve dhe m’u kujtua një artikull i Jean-Paul Sartre-it, i botuar në vitin 1973, me titull “Zgjedhjet, një grackë për budallenjtë”, ku shkruan: “Kabina e votimit e vendosur në hyrjen e godinës së një shkolle apo bashkie është simboli i të gjitha akteve të tradhtisë që individi mund të kryejë ndaj grupit të cilit i përket. Çdo personi i thotë: ‘Askush nuk mund të të shohë, mendo vetëm për veten tënde; ti do të jesh tërësisht i izoluar kur merr këtë vendim dhe më pas mund ta fshehësh atë ose të gënjesh.’ Asgjë më shumë nuk duhet për t’i transformuar të gjithë votuesit që hyjnë aty brenda në tradhtarë potencialë të njëri-tjetrit.”
Larg prej të qenit shprehja e vullnetit të sovranit, Sartre-i e sheh procesin e votimit si një moment atomizimi të shoqërisë në njësi të përveçme që reagojnë ndaj impulsesh stimuluese – si premtimi i Lulit më sipër – por që në thelb shënjojnë depolitizimin e qëndrimeve kolektive. Në çdo fushatë elektorale na pëlqen të dëgjojmë “premtime” sepse në thelb ato na përkëdhelin egon. Tentativa e tyre për joshje është joshëse në vetvete, pavarësisht vetëdijes se në 30 vjet zgjedhje pluraliste shoqëria dhe institucionet kanë bërë hapa pas 100 vjet, si në kohën kur prijësi nga Mati u vetëshpall mbreti i rreckamanëve migjenianë.
Janë këto stimuj pavllovianë që na krijojnë iluzionin se ne, si individë, mund të përmirësojmë gjendjen tonë personale, ato që përçohen nga një batare mediatike e cila vjen të na gjejë “në vetminë tonë kronike dhe na bombardon me ide të drunjta, të formuara nga ajo çka ne mendojmë se të tjerët mendojnë. Thellë brenda nesh ekzistojnë padyshim kërkesa dhe protesta, por për shkak se nuk gjejnë jehonë të gjerë, ato mpaken e shuhen duke na lënë ‘të mavijosur në shpirt’,të kapluar nga një ndjenjë pezmatimi.” Elektorati është si ai obezi i ulur para kutisë së televizorit nga ku vazhdimisht miklohen trajta të ndryshme reklamash që e bëjnë atë “të zgjedhë” se cila kanoçe pijeje me gaz është e duhura për t’ia çuar normat e diabetit jashtë çdo kufiri.
Sigurisht që janë edhe ata – ndoshta në Shqipëri një shumicë e konsiderueshme – që votën e shohin si një mjet ndëshkimi dhe ditën e zgjedhjeve si dita e shpagimit. Megjithatë, iluzioni i krijimit të vullnetit popullor përmes aktit të votimit nuk është më pak i rrejshëm sesa iluzioni që një herë në katër vjet atomet sociale marrin mashën në dorë. Thirrja e Guinplenit “Dridhuni milord, po ju them se populli jam unë!”,nuk është më pak e rrejshme se buzëqeshja që ka në fytyrë. “Ndëshkimi” është përveçse i përkohshëm, edhe estetik – jo sistemik. Sistemi i pak oligarkëve që përthithin të gjitha fondet publike duke rritur borxhin publik, shkatërruar resurset natyrore e tjetërsuar hapësirën e përbashkët për interesat vetjake, është konsoliduar e stabilizuar gjatë viteve të rotacioneve.
Nëse mekanizmi i votës në kushtet shqiptare si mjet për të krijuar dhe artikuluar vullnetin popullor është iluzion, atëherë çfarë ngelet të jetë shitja e votës nga shtresat më të varfra e më të shtypura të shoqërisë? Gjithollogët që marrin erë nga demokracia kanë nisur tashmë të mallkojnë ata që votën e japin në këmbim të një thesi me miell. Por çuditërisht, për ta është krejt normal militantizmi i shtresës së mesme e të lartë, i atyre që pozicionimin partiak e zgjedhin në këmbim të favoreve më të majme, siç janë vendet e favorshme të punës apo përfitimi i tenderave. Për këto dy shtresa, logjika e votimit konform interesave personale është tejet legjitime. Problem është ai që kërkon miell në këmbim të vullnetit të tij prej sovrani sepse nuk mund të kërkojë asgjë më shumë. Klithmat që duan të “edukojnë masat” për procesin demokratik të votimit janë ose klithmat e atyre që nuk duan t’u venitet iluzioni guinplenian, ose klithmat e status-quo-së që kërkon të çimentojë legjitimitetin e vet grabitqar.
Atëherë çfarë na ngelet? A mos jemi duke thënë se demokracia nuk funksionon dhe se është më mirë t’i kthejmë zgjedhjet në një ankand ku fiton subjekti që e shet votën më shtrenjtë? S’do mend se jo! Kjo nuk është as një kritikë e procesit të votimit në vetvete si mekanizëm delegimi të pushtetit. Jemi thjesht duke evidentuar nevojën për një ndryshim rrënjësor në politikëbërje; një ndryshim i cili afërmendsh që nuk mund të pritet nga elitat politike ekzistuese, përgjegjëse për strukturën sistemike nga e cila duhet të shkëputemi, por as nga meteorët që shfaqen në qiejt politikë çdo katërvjeçar për të na thënë se dallimin e bëjnë të gjithëditurit oksfordianë që nuk janë provuar më parë.
Vetëm kur terreni i përditshmërisë – përmes një angazhimi kolektiv – kthehet në një hapësirë demokracie direkte, procesi i demokracisë përfaqësuese përmes kutisë së votimit mund të reflektojë vullnetin që vjen nga poshtë, që vetartikulohet dhe vetidentifikohet përtej burokracisë partiake. Këtu na ndihmon përsëri Sartre-i, i cili bën dallimin mes atomizimit dhe depolitizimit zgjedhor, nga njëra anë, dhe politizimit të individit në përfshirjen brenda një lëvizjeje apo mobilizimi politik, nga ana tjetër – një situate “grupi”, siç thotë ai. Për Sartre-in ky është terreni ku sheshohen jo vetëm ndasitë atomizuese të interesave personale, por edhe format më të hapura të diskriminimit racor. Punëtori francez, thotë ai, përpara një greve është spontanisht racist dhe mosbesues ndaj emigrantëve, dhe është vetëm kur nis greva që këto ndjenja veniten për t’i lënë vendin solidaritetit, qoftë edhe të përkohshëm. Demokracia direkte lind në ato hapësira ku kolektivisht i shpallet sfidë shtypjes sistemore: në ambientin e punës kundër diktatit të pronarit dhe në komunitet kundër diktatit të burokratit partiak. Individi që është trajtuar deri dje si elektorati pasiv, të cilit çdo katër vjet i kërkohet të zgjedhë se cilit usta do ia lejë në dorë shkopin, përmes angazhimit sindikal dhe komunitar transformohet në një konglomerat aktiv, i cili vepron mbi përditshmërinë e vet për ta tjetërsuar atë.
Prandaj kandidimi i Elton Debreshit në qarkun e Dibrës nuk është thjesht një çështje që i përket posaçërisht minatorëve të Bulqizës apo zgjedhësve të Dibrës, por përbën një akt politik i cili buron nga poshtë. Këtu kemi të bëjmë me përpjekjen sindikale si dimensioni kolektiv i politikës që vërtitet rreth një kauze specifike, siç janë të drejtat e minatorëve, por e cila mbart në vetvete universalen e marrëdhënieve në punë dhe nevojën për organizim, që përbën nyjën gordiane të mbarë shoqërisë shqiptare. Eltoni është minatori, por duhet që nesër të dalë mësuesi, punëtori i fasonerisë, mjeku, punëtori i ndërtimit etj., që vullnetin kolektiv të organizimit sindikal ta shtyjnë drejt përfaqësimit politik të mbarë komunitetit ku bëjnë pjesë.
Politika nuk është lojë elitash, por është artikulimi i një vullneti veprues që buron nga masat.
Imazhi: Full Stop
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.