/Jeremy Corbyn/
E majta në Shqipëri ka nevojë të gjejë frymëzim EDHE nga lëvizjet progresiste kudo në botë, të ndjekë planet dhe veprimtaritë e tyre, të mësojë nga përvojat e tyre dhe, kur është e mundur, të bashkëpunojë dhe të marrë pjesë në lëvizjet globale – për t’iu qasur bashkërisht sfidave të mëdha globale.
Para pak ditësh Jeremy Corbyn, ish-udhëheqësi i laburistëve, shpalli projektin e tij të ri dhe ambicioz për paqe dhe drejtësi Peace and Justice Project. Më poshtë po sjellim fjalimin shpallës të Corbyn-it, fjalim i cili adreson idetë për një plan veprimi në katër shtylla kryesore: kriza e klimës, siguria ekonomike, drejtësia dhe solidariteti ndërkombëtar dhe demokratizimi i shoqërisë (veçanërisht demokratizimi i medias). Nëse idealet janë për një shoqëri të lirë, të drejtë e të barabartë, këto tema janë jetike edhe për përparimin e shoqërisë shqiptare.
***
Dua t’ia nis me një falënderim të madh për këdo që po merr pjesë sot.
Njerëzit po e kuptojnë çfarë po ndodh – në çdo cep të Mbretërisë së Bashkuar, komunitete të mëdha dhe të vogla, si dhe në vende të tjera anembanë botës. Bashkimi përtej kufijve, prejardhjeve dhe përvojave nuk ka qenë kurrë kaq i rëndësishëm sa sot. Kjo është çka duam të bëjmë me këtë projekt: të bashkojmë lokalen, kombëtaren dhe globalen.
Ju falënderoj, të gjithëve, për vendosmërinë tuaj për ta bërë botën më të drejtë dhe të paqtë – për të shumtët, jo për të paktët. Është shpresa juaj, zotimi juaj, pasioni juaj që e fuqizon lëvizjen tonë.
Ju, ata që ishin para jush dhe ata që do të vijnë pas nesh në betejën për paqe dhe drejtësi, janë motori i ndryshimit në histori. Mund të mos duket gjithmonë kështu përballë disfatave dhe prapësimeve, por lëvizjet e transformojnë botën.
Shikoni lëvizjet që luftuan për çlirimin nga skllavëria, për të drejtën e votës, për barazi për gratë, për të drejtat civile, për çlirim nga kolonializmi, për ditën tetë-orëshe të punës, për të drejtën e organizimit, për Shërbimin Shëndetësor Kombëtar, për socializmin!
Ato u përbuzën. U mundën. Shpesh menduan se patën humbur – dhe shumë herë pësuan disfatë.
Por shikoni se kush e ndryshoi botën! Kë kujtojmë? A kujtoni Sylvia Pankhurst-in apo Sekretarin e Brendshëm që e rrasi në burg ngaqë kërkoi të drejtën e votës për gratë?! Dhe ka aq shumë shembuj të tillë rreth e rrotull botës.
Prandaj jemi të gjithë këtu. Sepse beteja për paqe dhe drejtësi nevojitet sot më tepër se kurrë. Gjërat mund dhe do të ndryshojnë – kjo është detyra jonë sot.
Ndërsa jetojmë në mes të krizës së dytë globale në dymbëdhjetë vitet e fundit, shikojmë përmasat e detyrës. Por gjithashtu e dimë se kemi zgjidhjet dhe jemi më mirë të organizuar dhe të përgatitur se gjatë krizës financiare të vitit 2008.
Pandemia po i intensifikon tri krizat e thella, të lidhura dhe globale, me të cilat përballemi: Emergjenca e klimës. Një ekonomi që prodhon pabarazi dhe pasiguri më shpejt nga ç’mund të krijojë begati dhe liri. Dhe një rend politik global që mban pezull shumicën dërmuese të njerëzve në planet dhe që po thyhet rrezikshëm.
2020 ishte viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë. Pasuria e më të pasurve u rrit astronomikisht, ndërsa shumica vuan. Reagimi global ndaj pandemisë u pengua nga udhëheqësit nacionalistë autoritarë dhe nga shtysa për përfitime të skajshme të korporatave.
Por kur ne bëhemi bashkë, kemi si idetë edhe fuqinë për ta kapërcyer këtë krizë dhe për të ndërtuar një botë të paqes dhe drejtësisë. Ajo që lëvizja jonë do të bëjë sot do të ndihet për shumë breza pasues.
Roli ynë në projektin Paqe dhe Drejtësi do të jetë promovimi i këtyre ideve dhe mbështetja e lëvizjeve që do t’i kthejnë këto ide në realitet. Nëse nuk ngriheni për të drejtat tuaja, kundërshtarët tanë fitojnë lehtësisht.
Shumë prej këtyre ideve, që na nevojiten për t’i bërë vitet 2020 më të mira se vitet 2010, u formuan në dhe rrotull Partisë Laburiste në vitet e fundit nga mendimtarë të spikatur. Por, ç’është më e rëndësishmja, nga kërkesat e lëvizjeve dhe aftësitë, njohuritë dhe nevojat e komuniteteve të ndikuara.
Ne do t’i zhvillojmë këto politika, duke i çuar më tutje dhe përshtatur ato në një botë postpandemike, bashkë me lëvizjet, ekspertët dhe ju – në mënyrë që lëvizja jonë të ndalojë konfliktet dhe pabarazinë, dhe duke shkuar drejt paqes dhe drejtësisë.
Siç po e shpallim sot, ne do të përqendrohemi në katër fusha, ashtu siç kërkojmë prej jush dhe lëvizjeve ku jeni të përfshirë të bëheni pjesë e saj.
Kursi i Ri i Gjelbër – Green New Deal
Së pari, një Kurs i Ri i Gjelbër, i financuar nga të pasurit dhe ndotësit e mëdhenj, i cili mbështet planetin tonë dhe një ekonomi të re që, si standard, prodhon punë me cilësi të mirë dhe të mbrojtura sindikalisht.
Manifesti i Laburistëve 2019 Manifesto është padyshim programi më i zhvilluar rreth agjendës së gjelbër në botë, i cili ndërthur dekarbonizimin rrënjësor me një program të jashtëzakonshëm punësimi cilësor në çdo cep të Mbretërisë së Bashkuar. Ne do ta çojmë atë më tej – sepse kjo është çka kërkon e ardhmja e planetit. Ne do të porosisim kërkime të reja shkencore, koncepte dhe politika të cilat mund të përdoren nga lëvizjet, komunitetet dhe parti anembanë botës për të ndërtuar një Kurs të Gjelbër Global.
Ne nuk do ta bëjmë këtë për lëvizjet, por bashkë me lëvizjet. Kësisoj, ne do të mblidhemi rregullisht me aktivistët e klimës, me grupe të komuniteteve dhe me sindikatat që përfaqësojnë punëtorët.
Nëse organizata juaj dëshiron të ndihmojë në skicimin e punës tonë dhe të bashkohet në takimet tona, ju lutem bashkohuni me ne!
Nëse doni të bëheni pjesë e fushatës që po ndërtojmë për takimet jetike të COP26 në Glasgou në muajin nëntor, ju lutem vizitoni faqen tonë dhe regjistrohuni!
Siguria ekonomike
Fusha e dytë e punës tonë është pasiguria ekonomike, me detyrën e ngutshme për të mbështetur njerëzit në recesionin pandemik.
Ne do të çojmë përpara politikat që do t’i bënin pasojat e recesionit shumë më pak të rënda për miliona njerëz. Politika që u japin njerëzve gjëra mbi të cilat mund të mbështeten gjithmonë. Shërbime publike në zotërim publik dhe të mirëfinancuara. Transport me cilësi të lartë dhe të përballueshëm. Faturim të lirë nga ofrues publikë. Një zgjerim të madh të strehimit social. Qira të sigurta dhe të përballueshme për banorët. Mbrojtje nga pushimet nga puna dhe rimarrjet në punë për të ulur pagat dhe përkeqësuar të kushtet. Dhe të drejta në punë, qysh prej ditës së parë, për të gjithë punëtorët.
Por më e rëndësishmja është të ndihmohen njerëzit tani.
Kështu, po u kërkojmë mbështetësve tanë – juve – të forcojnë lidhjet lokale dhe t’i përgjigjemi kësaj emergjence ekonomike së bashku. Kjo mund të përfshijë shpërndarjen e ushqimit, grupe të ndihmës reciproke, organizime shoqërore apo sindikata që mbështesin komunitete në këtë periudhë të vështirë, ndërkohë që organizojnë fushata për një ekonomi më të drejtë e mirëqenëse.
Ju lutem vizitoni faqen tonë dhe regjistrohuni! Në ditët në vijim do t’ju vendosim në kontakt me mbështetës të tjerë me veprime konkrete që mund të ndërmerrni bashkërisht për të ndihmuar njerëzit që ta kapërcejnë këtë vështirësi, të izoluar dhe në një kohë që na mban të izoluar.
Drejtësi ndërkombëtare
Fusha e tretë e veprimtarisë tonë është drejtësia ndërkombëtare. Unë e kam kaluar jetën time duke organizuar fushata për paqe, drejtësi dhe të drejtat e njeriut kudo në botë. Ne do të ngrihemi kundër tregtarëve të vdekjes në tregtinë e armëve dhe kundër luftës. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është bashkëpunëtore në krizën humanitare më të rëndë në botë, në Jemen, përmes armatimeve, trajnimeve dhe mbështetjes për koalicionin e udhëhequr nga sauditët. Ne do të bëjmë ç’është e mundur për të ndihmuar në përfundimin e kësaj lufte të gjatë gjashtëvjeçare dhe do të mbështesim popullin e Jemenit, të brutalizuar kaq rëndë.
Ne do të vazhdojmë të jemi tërësisht të përkushtuar për të mbështetur dhe mbrojtur viktimat e luftës, refugjatët në kërkim të një vendi të sigurt. Paqja dhe diplomacia është përgjigjja ndaj luftës dhe konfliktit.
Por si edhe me sigurinë ekonomike, përparësia jonë më urgjente është adresimi i padrejtësive dhe poshtërsive në kushtet e pandemisë.
Disa vende të pasura kanë siguruar mjaftueshëm doza për ta vaksinuar trefish tërë popullsinë e tyre, ndërsa nëntë në dhjetë njerëz në vendet e varfra nuk do të vaksinohen këtë vit.
Emergjenca e Covid-it na ka mësuar se sa të ndërvarur jemi të gjithë ne dhe se problemet globale nuk mund të adresohen plotësisht me zgjidhje lokale. Që vaksina t’i japë fund pandemisë, 60 për qind e botës duhet të vaksinohet për të arritur imunitetin. Sërish, kombinimi i vaksinimit nacionalist dhe iracionalitetit të vendosjes së përfitimeve përpara shëndetit publik është duke e penguar solidaritetin ndërkombëtar dhe veprimin e koordinuar të nevojshëm për të shpërndarë vaksinat e koronavirusit në të gjithë botën.
Tashmë ka një sërë organizatash të shkëlqyera që po punojnë në këtë drejtim dhe ne do të japim kontributin tonë për të shpejtuar shpërndarjen globale, për të ulur shpenzimet për njerëzit anembanë botës dhe për të luftuar për një sistem më racional ku shëndeti publik vjen përpara përfitimeve apo politikave ekonomike nacionaliste duke përkeqësuar problemet e fqinjëve.
Ju lutem shkoni te faqja jonë dhe nënshkruani për këtë fushatë për të zbuluar më tepër ndërkohë që zhvillohet!
Dhe ndërsa jeni atje, ju lutem firmosni me emrin tuaj një peticion shumë të rëndësishëm që kemi krijuar që i drejtohet qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Peticioni i bën thirrje qeverisë së MB për të përdorur fuqitë e saj në Organizatën Botërore të Tregtisë për të mbështetur përpjekjet e Indisë dhe ato Afrikano-Jugore për të lejuar vendet e varfra të kenë qasje ndaj vaksinave të domosdoshme, pa paguar shuma të mëdha te kompanitë e mëdha farmaceutike.
Ju lutem vizitoni faqen tonë ose kontrolloni mediat sociale dhe firmosni peticionin!
Demokratizimi i shoqërisë
Fusha e katërt në të cilën po punojmë është ndërtimi i një shoqërie vërtet demokratike.
Demokracia është shumë më tepër se votimi një herë në katër apo pesë vjet – dhe ndonjëherë me zgjedhje të kufizuar në parti që thelbësisht bien dakord për shumicën e gjërave.
Ne duam ta shikojmë demokracinë të shtrirë seriozisht në komunitetet tona, në vendet e punës, në institucionet tona publike.
Ka një parim të thjeshtë: Nëse diçka ka fuqi domethënëse mbi jetët tona, ne duhet të kemi ndikim kolektiv në të.
Një fushë jetike – dhe me të cilën do të fillojë ky projekt – është media.
Ne duam media të fuqishme dhe me ndikim, por që e vendos pushtetin dhe ndikimin në duart e shumicës, jo në të pakicës. Media vërtet e lirë do të ekspozonte të vërtetën dhe do të sfidonte të fuqishmit.
Sot pjesa dërrmuese e mediave nuk është aspak e lirë. Ndikimi i miliarderëve dhe interesat e tyre janë të mëdha, ndërsa pushteti i gjigantëve të teknologjisë ka kapur majat. Kjo mund të bëhet edhe më keq, me dy stacione të reja TV që po ngrihen me mbështetjen e një pasurie private të jashtëzakonshme, duke konkurruar me njëra-tjetrën se kush ia kalon Fox News-it në përmbajtje.
Media nuk është diçka si moti, për të cilin mund të ankohemi por nuk mund ta ndryshojmë. Për të përparuar paqen dhe drejtësinë, ne duhet të demokratizojmë median, në mënyrë që gazetaria e vërtetë, që kërkon të vërtetën, të mbështetet përkundër keqinformimit dhe falsitetit.
Projekti për paqe dhe drejtësi do të punojë me akademikë, ekspertë dhe gazetarë për të zhvilluar kërkime dhe politika që lëvizja jonë duhet t’i mbështesë.
Unë parashtrova disa ide në një fjalim për festivalin e Edinburgut për TV në vitin 2018. Por mund të bëjmë shumë më tepër.
Ne do të fillojmë duke iu kundërvënë Rupert Murdoch-ut dhe planeve të tij për të rihyrë në tregun e televizioneve në Mbretërinë e Bashkuar. Ndryshe nga përpjekja e tij e fundit për të blerë Sky-n, këtë herë nuk gjendet askush për ta ndalur. Ne kemi nevojë urgjente për ngritjen e një komisioni parlamentar që të mbrojë median tonë të lajmeve nga oligarkia dhe kontrolli i monopoleve.
Ne kemi nisur një peticion për këtë komision parlamentar në faqen tonë. Unë shpresoj se ju do të shkoni në faqen tonë, të nënshkruani për fushatën tonë për demokratizimin e medias dhe të firmosni peticionin.
Ne jemi shumica, ata janë pakica
Siç e shihni, kemi shumë për të bërë.
Ne mund të shohim rreth nesh tani dhe të mendojmë se gjërat duken të zymta me krizën klimatike, pandeminë, sundimin e vazhdueshëm të miliarderëve dhe kukullat e tyre politike, rritjen e frikshme të të djathtës ekstreme dhe përtëritjen e racizmit.
Por historia është diçka e lezetshme. Nuk rrjedh në vijë të drejtë. Lëvizjet mund të na japin shpresë, siç bëri lëvizja e jashtëzakonshme Black Lives Matter vitin e shkuar dhe do të vazhdojë më tej.
Sundimi i pakicës mbi shumicën qëndron në tokë që dridhet. Të pushtetshmit luftojnë fort për ta bërë që të duket si e pashmangshme idenë se ata do të kenë kontrollin përgjithmonë, në vend se ta bëjnë sistemin funksional.
Dymbëdhjetë vjet më parë kriza financiare filloi të shpërfaqë dobësitë e tyre. Tashmë e kemi ne në dorë, shumica, që po mbledhim idetë dhe lëvizjet për të ndryshuar botën.
Projekti për paqe dhe drejtësi është pjesë e kësaj përpjekje, bashkë me shumë të tjera. Sepse nuk bëhet fjalë vetëm për një organizatë, një lëvizje, një grup njerëzish. Fuqia jonë më e madhe është se ne jemi shumë, por ne bëhemi bashkë në unitet, në shpresë, në dashuri, për të kërkuar paqe dhe drejtësi për të gjithë.
Shpresoj se ju do të na bashkoheni në këtë rrugëtim fantastik.
Ju faleminderit!
Hyrja dhe përkthimi Jani Marka
Marrë nga revista Jacobin
Imazhi: Encyclopedia Britannica