Rreth situatës energjetike dhe shoqërore
/Organizata Politike/
Prej muajsh thellimi i ristrukturimit neoliberal të ekonomisë, i diktuar nga institucione ndërkombëtare ekonomikisht obskurantiste si Banka Botërore dhe FMN-ja, ka prekur sektorin energjetik. Duke kombinuar politikat represive të vendosjes së ligjshmërisë me rritjen e çmimit veçanërisht për konsumatorët nevojtarë, qeveria shqiptare ka prodhuar një situatë frike dhe dëshpërimi social, viktimat e të cilës nuk gjenden vetëm te fakirët prometeanë që t’u rilidhin familjeve dritat e papaguara, por edhe te vetëvrasja e fundit e një qytetari në burgun, tanimë fatkeq, të Rrogozhinës.
Ndonëse qeveria pretendon se me polici e burgje nuk po persekuton debitorët, por vjedhësit e energjisë, lënia në errësirë e debitorëve medoemos prodhon vjedhës të saj. Pavarësisht se qeveria pretendon se vjedhës nuk janë vetëm të varfrit, por edhe sipërmarrësit me peshë, pas kërcënimit me burg vetëm të varfrit s’kanë rrugëdalje tjetër veçse ta shkelin ligjin. Të paktën në burg kanë drita e kushedi ngrohje.
Çmimet e reja të energjisë elektrike shprehin më së miri natyrën klasore dhe represive të shtetit shqiptar. Duke rritur çmimin nga 7.7 lekë në 9.5 lekë për kilovat, shteti po godet paturpësisht shtresat më nevojtare dhe të nëpërkëmbura të shoqërisë që përbëjnë 70% të popullatës. Diçka e tillë nuk ka ndodhur për konsumatorët e mëdhenj, shtresën e mesme të lartë dhe bartësit e kapitalit të madh, tarifat e të cilëve mbeten të pandryshuara me 10.5 lekë kilovati për industrinë e madhe dhe 12. 2 lekë kilovati për biznesin e mesëm.
Heqja e fashës mbrojtëse dhe unifikimi i çmimit të energjisë nuk vë drejtësi për qytetarët, por i vendos në kushtet e një barazie aritmetike shtypëse, që nis të bëhet pabarazi përpjesëtimore për çdo kilovat më shumë që konsumohet. Kësisoj gjendemi përballë privilegjeve ku 30% më i pasur i shoqërisë do të paguajë më pak për ta shpenzuar energjinë për luks. As subvencionimi prej 600 lekësh i një pjese të nevojtarëve (pensionistëve, invalidëve dhe përfituesve të ndihmës ekonomike) nuk e zgjidh problemin. Këta janë thjesht nevojtarët më të skajshëm, për të cilët problem nuk është vetëm përballimi i rritjes së çmimit, por vetë çmimi. Për përfituesin e 4000 lekëshit ndihmë ekonomike në muaj, çdo lek energji është një kafshatë më pak për veten e familjarët. Nevojtarë në Shqipëri janë edhe mizëria e të keqpunësuarve, marrësve të pagës minimale, të paguarve në të zezë edhe poshtë kësaj page etj. Për të gjithë këta që mezi përballonin edhe çmimin e vjetër, qeveria do ta rëndojë barrën, duke iu dhënë një të shtyrë shtesë drejt mospagimit e çomanges policore.
Në këto kushte Organizata Politike denoncon si mashtrimin qeveritar se kjo politikë mbron shtresat e varfra, ashtu edhe vajtimin e ish-qeveritarëve njëlloj fajtorë që trimërohen nga viktimat e sotme pa guxuar të shohin viktimat e djeshme. Aktorët e farsës shqiptare janë bashkëpërgjegjës për dy dekadat e socializmit për të pasurit dhe kapitalizmit për ç’të mbetet.
Organizata Politike shpreh përbuzje veçanërisht për etiketimet “tradhtarë” “kriminelë” dhe “shqiptarë të pandershëm” që kryeministri Rama u ka drejtuar debitorëve të energjisë elektrike të cilët në pamundësi për të paguar dhe të lënë në errësirë të plotë lidhin në mënyrë të paligjshme energjinë elektrike. Një gjuhë dhe praktikë e tillë ndaj të varfërve është paradhoma ideologjike dhe politike e fashizmit.
Organizata Politike gjykon se sektori energjetik i përket popullit, atij që e ndërtoi me punë rraskapitëse për dekada. Kriza ku ka rënë ky sektor është pasojë e politikave të dëmshme privatizuese e korruptive të elitës politike. Për rrjedhojë, barra e daljes nga kriza duhet të nisë dhe të përfundojë tek ta. Në krizë nuk është vetëm sektori energjetik, por krejt modeli ekonomik aktual dhe fuqia transformuese e pushtetit qendror. Vendi ynë është ndër më të pasurit në rajon për burime energjie. Ndaj rimëkëmbja e këtij sektori nuk duhet të konsistojë tek arkëtimet e dhunshme policore, por tek rishikimi i politikave te eksportit, tarifimi progresist sipas fuqisë paguese dhe modernizimi shtetëror i rrjetit shpërndarës. Ashtu sikundër nuk mund të ketë dalje nga kriza energjetike pa ristrukturim serioz të modelit zhvillimor dhe marrëdhënieve shoqërore.
Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq!
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.