/Fidel Castro/
Ishulli i Pinos, 16 dhjetor, 1954
Z. Guitart!
Është e vështirë për mua t’ju drejtohem, e vështirë për të gjetur fjalët që mbartin njëkohësisht mirënjohjen, emocionet, vlerësimin e pafund për letrën tuaj, kaq të përzemërt dhe të çiltër, të mbushur me ndjesi atërore. Ju më quajtët “më i dashuri Fidel”. Çfarë mund t’ju quaj unë?! Pak herë në jetë jam ndjerë kaq i inkurajuar të jem i drejtë, të jem besnik deri në instancën e fundit të ekzistencës time, sa kur arritën rreshtat tuaj.
Përqafimi i gjatë për të cilin shkruani, që një ditë do t’ua jap me gjithë shpirt, do të doja të ndodhte në të tjera rrethana. Pa mungesën e zymtë të Renatos, pa trishtimin e ashpër të fatkeqësisë, ku gjithçka ecën kundër nesh dhe vetëm nëpërmjet bindjes dhe besimit mund të mbesim gjallë. E përsëri, në të tilla rrethana ju më shkruat, duke më dhuruar dhembshuri. Në letrën tuaj arrij të dalloj fisnikërinë e një ati të denjë për një bir, i cili ishte po aq i denjë për ju.
Megjithatë nuk do flas për të sikur ai të mos jetonte më; kurrë nuk ka qenë dhe kurrë nuk do të jetë kështu. Këto nuk janë fjalë ngushëllimi; vetëm ata që i ndjejnë vërtet dhe vazhdimisht në thellësitë e shpirtit mund t’i kuptojnë. Ekzistenca fizike është jetëshkurtër, tretet në mënyrë të paepur. Njëlloj si kanë kaluar kaq shumë breza të njerëzimit, po ashtu do të kalojmë edhe ne. Kjo e vërtetë i duhet mësuar cilësdo qenieje njerëzore; vlerat e përjetshme të shpirtit qëndrojnë përmbi jetën fizike. Çfarë domethënie do të kishte jeta pa të tilla vlera?! Në mungesë të tyre, çfarë do të ishte të jetoje?! E si mund të vdesin ata që e kuptojnë diçka të tillë dhe bujarisht sakrifikojnë jetët e tyre fizike për hir të së mirës, për hir të së drejtës?! Zoti mendohet të jetë ideja supreme e këtyre vlerave. Atëherë ata që bien në emër të kauzës në gjirin e atdheut, i bashkohen kësaj ideje.
E admiroj kurajën, forcën, madhështinë dhe sakrificën tuaj në formimin e idealeve të Renatos. Fytyra juaj përballë dhimbjes është po aq kurajoze sa e tija përballë vdekjes, sepse ai sakrifikoi veten dhe ju gjënë më të shtrenjtë që kishit, atë. Ai do të ishte krenar për ju, ashtu siç ju keni shumë arsye për të qenë përjetësisht krenar për të. Unë uroj për Kubën nga thellësitë më intime të shpirtit tim të ketë gjithnjë bij si ju dhe ai.
Kurrë nuk do të ketë arsye që ju të pendoheni për rreshtat kuptimplotë që më dërguat, të cilat do i kem të shtrenjta dhe do i ruaj gjithnjë. Shpresoj që në afërsinë por mbi të gjitha në rezistencën tonë të mund të gjeni ngushëllim për dhimbjen tuaj. Së bashku me ju i drejtohem edhe bashkëshortes tuaj. E di që ajo është një nënë spartane. Njëlloj si ju, ajo gëzon plot kurajë, dhembshuri dhe besim. “Biri që largohet nga toka mbetet në shpirtin e së ëmës” (Jose Marti). Përcilli asaj ngushëllimet tona më të sinqerta! Gjithashtu, i thoni vajzës tuaj që nëpërmjet nesh ende ka shumë vëllezër gjallë.
Fjalët janë sipërfaqësore kur emocionet rreken të flasin; është e rëndësishme të kuptohet çka dikush ndjen, por nuk e shpreh, edhe nëse do të mundej. Shpresoj do tëmë kuptoni, siç ju kuptoj unë. Renatoja do të jetë gjithnjë mes nesh, në zemrat e popullit të dhembshur kuban. Ai ishte trupëzim i idealizmit, dinjitetit, karakterit të drejtë; shembulli i tij mbetet i paharrueshëm.
Ai e dinte se ata që bien për kauzën nuk vdesin kurrë.
I yti, Fidel!
E përktheu Frenklin Elini
Shkëputur nga libri “Letrat nga burgu të Fidel Castros”
Imazhi: Raúl Martínez