Gjërat ndryshojnë herët a vonë. Gjithnjë!

/Alessandro Barbero/

Si rrallëherë në historinë e internetit ka ndodhur që një historian të arrijë statusin e një rock star-i. Ky defekt jashtë normës i ka rënë për pjesë Alessandro Barbero-s – një historiani të specializuar në periudhën e mesjetës i cili, përmes pasionit që transmeton në divulgimin e ngjarjeve historike globale, ka tërhequr vëmendjen e mbarë publikut italian e më gjerë. Ndoshta ka diçka të bëjë me intuitën e dikujt që në çdo të dhënë të mërzitshme të rrëmuar nga arkivat e ndonjë biblioteke të zymtë, arrin të dallojë atë shkëndijën e fshehur që përflak imagjinatën tonë për botën që ka qenë dikur. Siç shprehet për të autori i një artikulli online: “Barbero-ja në mënyrë tërësisht të pavetëdijshme dhe të pavullnetshme është kthyer në një fenomen të internetit. Rreth tij është ndërtuar një aureolë e çuditshme, ndoshta disi e ëmbël, që dallon nga format e sëmura që në vitin 2019 e transformojnë dikë në person me ndikim. Ai është bërë shpresa e madhe e fundit e kulturës italiane, një kalorës i së vërtetës dhe, së fundmi, njeriu i ri i lëvizjes së majtë që duhet t’ia nisë nga e para.”

Më poshtë janë sjellë pjesë nga transkriptet e dy prej leksioneve të tij online në takime me të rinj të së majtës në Itali. Lexim të këndshëm! .

Redi Muçi

***

Lidhur me 1 Majin, a kanë punëtorët ende një rol në histori; dhe si do të duhet t’u përgjigjemi atyre që thonë se bota ka ecur përpara, se ekziston vetëm puna, por e kuptuar në mënyrë abstrakte, se punëtorët (në kuptimin tradicional) nuk ekzistojnë më dhe nuk ka kuptim të organizohen?

U përgjigjemi që punëtorët sigurisht që ekzistojnë sepse është e gjithë jeta njerëzore që vërtitet rreth punës, por gjithmonë klasat drejtuese janë përpjekur të gjejnë mënyra për të imponuar hegjemoninë e tyre kulturore mbi punëtorët dhe për të krijuar përshtypjen se punëtorët ose nuk ekzistojnë, ose se ekzistojnë si një pjesë vartësish e nënshtruar e shoqërisë. Sot po ndodh pikërisht kjo gjë.

Dua të them se gjatë historisë ka pasur epoka në të cilat – më shkon në mendje rreth vitit 1000 – kur shoqëria përbëhej nga një shumësi e stërmadhe punëtorësh që shfrytëzoheshin nga klasa elitare të ngushta, që ishin kalorësit fisnikë dhe kishtarët. Që të kuptohemi, kalorësit dhe kishtarët në atë kohë kryenin një funksion shoqëror të caktuar, por në thelb shfrytëzonin punën e të tjerëve për të jetuar më mirë se kushdo tjetër. E që megjithatë u shpjegonin masave se kështu e kërkonte e drejta, që secili duhet të rrijë në vendin e tij, sepse Zoti – në shoqëritë e mesjetës besonin të gjithë në Zot – i ka dhënë gjithkujt një pozicion social në botë dhe kështu shoqëritë funksionojnë në mënyrë harmonike. Dhe gjithsecili duhet të pranojë vendin që i kanë caktuar; padyshim që punëtorët jetojnë më keq dhe vuajnë më shumë, lodhen më shumë, por – u thoshin peshkopët – bëni durim sepse do ta merrni shpërblimin në jetën tjetër. Po nëse duam që shoqëria njerëzore të jetojë mirë në këtë jetë, secili duhet të mbajë vendin e vet.

Atëherë, sot po jetojmë në një epokë kur mund të themi se ekziston një narrativë e përveçme e shoqërisë njerëzore, në qendër të së cilës vendoset sipërmarrja dhe sipërmarrësi – fitimi. Nga narrativa zyrtare është zhdukur fakti që gjithë sa më sipër është e mundur vetëm falë punëtorëve. Është e qartë se ka pasur epoka në të cilat punëtorët shfrytëzoheshin edhe më keq sesa sot. Edhe nëse sot shfrytëzimi ndodh përmes një mijë kanalesh dhe është i mbuluar, është e qartë se kur Marksi mendonte për fabrikat e Mançesterit në kohën e tij, aty ai shihte një shfrytëzim akoma më brutal dhe të egër. Por shihte edhe mundësinë që punëtorët t’i arratiseshin hegjemonisë kulturore të elitave dhe të krijonin një kulturë të tyren. Marksi, që për të thënë të vërtetën në këtë pikë gabohej disi, ishte i bindur se për nga natyra e vet klasa e shfrytëzuar ka kapacitetin dhe forcën për të kuptuar se në ç’situatë ndodhet, për të kuptuar se vetëm përmes solidaritetit dhe përpjekjes – por e udhëhequr nga njerëz që kanë studiuar dhe e kuptojnë si funksionon bota – mund të ndryshojnë gjërat. Ky ishte një iluzion sepse ne sot shohim se aftësia e klasave drejtuese për të imponuar hegjemoninë e tyre, mendimin dhe vizionin e tyre të përveçëm të botës, e të bëjnë që edhe vetë pjesa më e madhe e punëtorëve të përfundojnë duke i besuar atij në një mënyrë apo një tjetër, është një aftësi e mrekullueshme.

Prandaj le të themi se ajo që mungon sot nuk janë punëtorët, por masat e ndërgjegjshme të punëtorëve – përtej shoqërisë sonë të atomizuar në të cilën një minimum mirëqenieje nuk i mohohet askujt – të ndërgjegjshëm për faktin se duhet të kërkojnë të evidentojnë interesat e përbashkët dhe luftërat që ia vlen të luftohen. 

Brezi im është rritur prej vitesh me narrativën e klasave sunduese se pas rënies së Murit të Berlinit historia përfundoi; se me gjithë problemet sociale, historia kishte arritur stadin e fundit të zhvillimit njerëzor. Mendoj se kjo emergjencë shëndetësore e Covid-19, si dhe ajo sociale dhe ekomomike, duket se po e lëkundin këtë narrativë mbizotëruese. Sipas jush, historia po riniset apo ndoshta nuk ka reshtur kurrë së lëvizuri?

Natyrisht që historia nuk ka reshtur kurrë së lëvizuri, dhe i shkreti Fukuyama që u tall nga të gjithë sepse tha se kemi mbërritur në fundin e historisë, në fakt edhe nënkuptonte diçka pak më ndryshe. Pra donte të thoshte nga pikëpamja e fituesve çka ne mund të themi nga pikëpamja e humbësve: se në fakt lufta e klasave ekziston dhe atë e fituan të pasurit. Lajmi i mirë është se e gjithë kjo është e përkohshme, se historia nuk ndalet kurrë, se konfliktet nuk reshtin kurrë, e prandaj asnjë shoqëri njerëzore nuk ka arritur dhe nuk do të arrijë kurrë një ekuilibër prej të cilit nuk lëvizet më tej. Sepse në fund ne jemi një specie kafshësh, nga njëra anë individualistë dhe të egër, nga ana tjetër të aftë për veprime kolektive dhe solidaritet të paparashikueshëm. E gjitha kjo krijon një lëvizje të vazhdueshme dhe një çekuilibrim të vazhdueshëm. Të gjitha shoqëritë njerëzore kanë njohur vazhdimisht arsye përplasjesh të brendshme që provokonin ndryshimet. Ky është lajmi i mirë.

Lajmi i keq është se historisë nuk i bën fare përshtypje mbi jetët tona individuale. Mua më ra rasti të studioj së fundmi kryengritjet e mëdha popullore të viteve 1300. Në ato vite ka pasur në Francë dhe në Angli revolta të popullatave rurale – të fshatarësisë dhe artizanëve – që kishin një qartësi mbresëlënëse për të rivënë në diskutim sistemin, shfrytëzimin, klasën e zotërinjve. Në të njëjtën epokë ka pasur në Itali – po flas për Firencen e revoltës së çompëve (ciompi)  – revolta punëtorësh të cilat gjithashtu kishin një qartësi të jashtëzakonshme për të dalluar interesat e klasës së tyre dhe për të kërkuar një hapësirë politike për punëtorët. Këtu jemi në fundin e viteve 1300; pasi këto revolta u shtypën, për 400 vitet e ardhshme nuk pati më revolucione, si ato që më pas trazuan e përmbysën botën –e kam fjalën për Revolucionin Amerikan, Revolucionin Francez, Revolucionin Rus.

Prandaj të kemi besim: bota ndryshon vazhdimisht dhe, siç thoshte Marksi, ndodh gjithmonë në mënyrë të papritur që gjithçka që më parë ngjante e ngurtë, papritur tretet në ajër. Po askush prej nesh nuk duhet ta marrë si të mirëqenë se këtë do ta shohë në harkun e jetës së vet. Më shumë se kaq nuk mund të themi, por na takon të bëjmë atë që mundemi për t’i dhënë një të shtyrë.

A ka ende nevojë për komunizëm? Pasi, siç thoni ju, është e vërtetë se nuk ekziston një debat publik mbi antikapitalizmin, por edhe ata që vuajnë ka më shumë mundësi ta përjetojnë këtë si një faj individual sesa të thonë se sistemi është i gabuar. A mund të provojmë t’ua ndryshojmë këtë perceptim? Në SHBA vihet re një fenomen i ri, ka të rinj që kanë rinisur të flasin për socializmin në vendin më kapitalist në botë; edhe në Evropë kemi parë mjaft të rinj që mobilizohen, për shembull me Syriza-n, që më pas dështoi; Podemos-in në Spanjë… ka një diskurs në shkallë globale se ky sistem nuk mban më ujë në nivel personal dhe në lidhje me ambientin. Sipas jush, a ka ende nevojë për komunizëm dhe në çfarë formash të reja duhet ta imagjinojmë, meqenëse ato të vjetrat të Bashkimit Sovjetik ofrojnë më pak se ç’mund të ofrojë kapitalizmi?

Po të ftoni Marksin dhe pyesni atë, ndoshta mund t’i përgjigjet një pyetjeje të tillë. Unë nuk e kam idenë e asaj që është e mundur. Mund të them këtë: unë studioj historinë dhe përpiqem të kuptoj diçka lidhur me të shkuarën. Mbi të tashmen nuk kuptoj asgjë, si të gjithë ne që jetojmë në të tashmen dhe që realiteti na rrëshqet nga të gjitha anët. Se çfarë do të sjellë e ardhmja nuk e di askush. Çka mund të them është se gjërat herët ose vonë ndryshojnë. Gjithnjë!

Nuk ka ekzistuar kurrë një shoqëri e cila ngre një sistem që zgjat pafundësisht, të padiskutueshëm për shekuj me radhë. Prandaj është e qartë se sistemi aktual – me retorikën e njëkahshme të sipërmarrjes si “kripa e tokës”, me fitimin si e vetmja gjë që ka rëndësi – herët ose vonë do të ndryshojë.  Duhet të jemi të aftë të arsyetojmë në afatgjatë. Kur Marksi dhe Engelsi shkruanin “Manifestin e Partisë Komuniste”, fabrikat në Angli ekzistonin prej 50 vjetësh. E për 50 vjet ata që punonin nëpër fabrika ishin aty pa e kuptuar se çfarë ishte ajo botë e re në të cilën jetonin. Duke bërë ato 12 orë punë në ditë, të nënshtruar. Kur protestonin u turrej kavaleria, udhëheqësit e tyre përfundonin në burg, askush nuk ishte i aftë të përshkruante atë që po ndodhte.

Pastaj erdhën Marksi, Engelsi e të tjerë, të cilët e përshkruan realitetin. Sepse kjo ishte gjëja thelbësore që bënë: shpjeguan se si funksionon dhe çfarë është kapitalizmi, cilat janë rregullat, interesat. Shumë gjëra i shpjeguan saktë, të tjera disi më pak, por sidoqoftë provuan të shpjegonin si sociologë, si ekonomistë, si historianë se si ishte arritur deri në atë pikë, në sistemin e fabrikave dhe marrëdhënien mes pronarëve e punëtorëve. Dhe në atë moment komunistët filluan të organizohen me idenë se atë botë duhej ta ndryshonin, ta përmbysnin.

Marksi me Engelsin morën guximin edhe të thonë se kjo gjë ka për të ndodhur pikërisht sepse bota ndryshon gjithmonë. Ajo që bënë me një guxim të tepruar ishte që të thoshin: Ne do ju themi edhe se në ç’drejtim do të ndryshojë. Ne kemi një metodë shkencore për të analizuar realitetin dhe prandaj ne mund t’ju themi se në cilin drejtim do të shkojë. Bota është dominuar për një kohë të gjatë nga fisnikët, më pas borgjezët hoqën qafe fisnikët dhe tashmë janë ata në pushtet. Prandaj mekanizmi i shoqërisë njerëzore është i tillë që klasa në pushtet gjendet përballë një klase të nënshtruar, e cila rebelohet dhe merr pushtetin. E bënë borgjezët duke hequr qafe fisnikët, prandaj herët a vonë do të jenë proletarët që do heqin qafe borgjezët. Sepse jeta njerëzore është e kushtëzuar thellësisht nga marrëdhëniet në punë dhe puna që ti bën përcakton se kush je. Prandaj nëse je një punëtor, nuk ka se si të mos vësh re se gjithë punëtorët e tjerë kanë të njëjtat probleme që ke edhe ti, ashtu si më parë borgjezët kuptuan se të gjithë kishin të njëjtat interesa. Prandaj edhe klasa proletare mund ta marrë pushtetin. Komunistët e parë filluan të angazhohen drejt këtij qëllimi,  derisa revolucioni i parë komunist që ia doli përnjëmend të marrë pushtetin në vitin 1917. Pra kishin kaluar 79 vjet që kur Marksi dhe Engelsi kishin publikuar “Manifestin e Partisë Komuniste”. Breza të tërë kishin jetuar duke menduar se komunizmi ishte i mundur, por pa pasur absolutisht mundësinë për ta parë të realizohej. Pastaj më 1917 ndodhi një revolucion komunist.

Sot, 100 vjet më pas, mund të themi se filloi të shkonte keq që në nisje. Për një mijë arsye, më i rëndësishmi mes të cilëve sepse pjesa tjetër e botës nuk e donte dhe e luftoi me të gjitha mënyrat, por edhe sepse u realizua me gabime madhore. Më në fund sot kemi përfunduar duke thënë: “Nuk është e vërtetë se mund të bëhet një revolucion komunist. Nuk është e vërtetë se ky është fati i botës.” Prandaj si i bëhet që të thuhet se ka ende nevojë për komunizëm sot? Unë do thosha se kemi absolutisht nevojë të imagjinojmë një botë të ndryshme nga kjo e sotmja, nga pikëpamja e raporteve në punë, e pushtetit absolut të parasë dhe të sipërmarrësve. Ka absolutisht nevojë që të imagjinohet një botë e ndryshme nga kjo! Megjithatë, nuk është e lehtë.

Dhe nuk është e thënë se bota e ndryshme nga kjo e sotmja do të jetë komuniste. Ne nuk e kemi sot një Marks që të provojë të arsyetojë se si është formuar bota e sotme dhe si mund të evoluojë në të ardhmen. Por është e qartë se nëse unë i hedh sytë nga e shkuara, kuptoj që për të ndryshuar botën ka nevojë si për një Marks dhe një Engels që përshkruajnë realitetin dhe e shpjegojnë se si funksionon, ashtu edhe për një punë madhore të nëndheshme nëpër lagje, nëpër qyteza, në vendet e punës, e vazhdueshme për vite, dhjetëvjeçarë, madje breza të tërë, pa iluzionin se do ia arrijmë qëllimit që nesër. Kjo është ajo që në të shkuarën e ka ndryshuar botën dhe kjo që ndoshta do ta ndryshojë në të ardhmen.

E përktheu Redi Muçi

Imazhi: Andrea Settimo

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.