/Antonio Gramsci/
Kur bëjmë dallimin ndërmjet intelektualëve dhe jointelektualëve, në të vërtetë i referohemi vetëm funksionit të drejtpërdrejtë shoqëror të kategorisë profesionale të intelektualëve, domethënë kemi në mendje drejtimin mbi të cilin bie pesha më e madhe e aktivitetit të tyre profesional specifik, nëse bie mbi përpunimin intelektual apo mbi mundin muskulor-nervor. Kjo do të thotë se nëse mund të flasim për intelektualë, atëherë nuk mund të flasim për jointelektualë, sepse jointelektualët nuk ekzistojnë. Mirëpo vetë marrëdhënia ndërmjet përpunimit intelektual-celebral dhe mundit muskulor-nervor nuk është gjithmonë e njëjtë, çka sjell për rrjedhojë nivele të ndryshme veprimtarish intelektuale specifike. Nuk ka veprimtari njerëzore nga e cila mund të përjashtohet çdo formë e ndërhyrjes intelektuale: homo faber-i nuk mund të veçohet nga homo sapiens-i. Çdo njeri, si përfundim, përveç profesionit të tij, ushtron edhe ndonjë veprimtari intelektuale, domethënë është “filozof”, artist, njeri me shije, është pjesë e një konceptimi të caktuar mbi botën, ka një linjë të vetëdijshme sjelljeje morale dhe, për rrjedhojë, ai kontribuon në mbrojtjen ose ndryshimin e një konceptimi të caktuar mbi botën, domethënë në formimin e mënyrave të reja të mendimit.
Problemi i krijimit të një shtrese të re intelektualësh qëndron pra në përpunimin kritik të veprimtarisë intelektuale që ekziston në secilin prej nesh në një nivel të caktuar, duke e ndryshuar raportin e kësaj veprimtarie me mundin muskulor-nervor drejt një ekuilibri të ri dhe duke bërë të mundur që vetë mundi muskulor-nervor, si element i një veprimtarie praktike të përgjithshme, që e ndryshon vazhdimisht botën fizike e shoqërore, të bëhet themeli i një konceptimi të ri e tërësor mbi botën. Lloji tradicional dhe i popullarizuar i intelektualit është shkrimtari, filozofi, artisti. Për këtë arsye gazetarët, të cilët mendojnë se janë shkrimtarë, filozofë, artistë, mendojnë edhe se janë intelektualët “e vërtetë”. Edukimi teknik në botën moderne, i lidhur ngushtësisht me punën industriale, edhe me atë më primitiven dhe të pakualifikuarën, duhet të formojë bazën e llojit të ri të intelektualit.
Pikërisht bazuar mbi këtë e përjavshmja Ordine Nuovo ka punuar në zhvillimin e disa formave të reja të intelektualizmit dhe në përcaktimin e koncepteve të reja, dhe kjo nuk ka qenë një nga arsyet më pak të rëndësishme të suksesit të saj, pasi një themelim i tillë përkonte me aspiratat e fshehta dhe ishte në përputhje me zhvillimin e formave reale të jetës. Mënyra e të qenit të intelektualit të ri nuk mund të konsistojë te gojëtaria, e cila është një forcë e jashtme dhe e përkohshme lëvizëse e afekteve dhe pasioneve, por në pjesëmarrjen aktive në jetën praktike, si ndërtues, organizator, “bindës i përhershëm” dhe jo orator i kulluar – e në të njëjtën kohë sipëror ndaj shpirtit matematikor abstrakt; nga teknika-si-punë ai arrin në teknikën-si-shkencë dhe në konceptimin humanist të historisë, pa të cilin ai mbetet “specialist” dhe nuk bëhet dot “drejtues” (specialist dhe politikan).
E përktheu Alfred Bushi
Marrë nga “Fletoret e burgut”, vëll. 3, Fletorja 12, 1932
Imazhi: Andrew Russeth