Kleptokracia në Bullgari

/Georgi Medarov/

Tri dekada pas fundit të socializmit shtetëror, Bullgaria karakterizohet nga pagat e ulëta, kleptokracia dhe mungesa e alternativave progresive. Protestat masive të javëve të fundit u kanë bërë jehonë pakënaqësive të shkuara me zyrtarët e korruptuar – por ka një rritje të ndërgjegjësimit që përpjekja antikorrupsion nuk do të çrrënjosë burimin e vërtetë të pushtetit korporativ jollogaridhënës.

Bullgaria, anëtarja më e varfër i Bashkimit Evropian, gjendet në javën e katërt të mobilizimeve më të mëdha antiqeveritare në vite. Përtej frikës rreth pandemisë së koronavirusit, dhjetëra mijëra protestues kanë vërshuar rrugëve çdo natë në Sofje dhe qytete të tjera. Ata kërkojnë dorëheqjen e prokurorit të përgjithshëm, Ivan Geshev-it, dhe të kryeministrit prej kohësh në detyrë, Boyko Borissov-it, që e ka qeverisur vendin disa herë në njëmbëdhjetë vitet e fundit.

Si shumë prej fqinjëve të saj në Evropën Lindore, Bullgaria ka përjetuar valë pakënaqësie popullore ndaj elitave kleptokratike dhe shkuarjes teposhtë të mobilitetit social qysh prej kolapsit të socializmit shtetëror në vitin 1990. Vala e fundit, e nxitur prej zemëratës popullore ndaj rritjes së madhe të çmimit të energjisë, shpërtheu herët më 2013 dhe riktheu në pushtet Partinë Socialiste të Bullgarisë (PSB), vetëm për t’u përballur me një valë tjetër protestash antikorrupsion më vonë gjatë verës.

Tashmë qeveria aktuale, një koalicion midis qendrës së djathtë të Borissov-it, Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë (GERB), dhe disa partive të ekstremit të djathtë, është kthyer në objektin e fundit të zemëratës popullore. Po kësaj here, siç duket, kërkesat për ndryshim shkojnë më thellë – duke bashkuar ankesat që nxjerrin protestuesit në rrugë vit pas viti.

Mësymja ndaj Pallatit të Verës

Demonstratat e fundit u nxitën nga Hristo Ivanov-i, udhëheqësi i një partie të vogël liberale e njohur si  “Da, Bulgaria”. Vetë partia lindi nga protestat e verës të vitit 2013, të cilat çuan në kthimin e të djathtit Borissov si kryeministër. Ivanov-i u emërua Ministër i Drejtësisë në kabinetin e Borissov-it, por shpejt dha dorëheqjen, i zhgënjyer nga ngurrimi i GERB-it për të prezantuar reforma më radikale antikorrupsion.

Në fillim të korrikut 2020 Ivanov-i u përpoq t’i qasej një plazhi në Detin e Zi, të cilin Ahmet Dogan-i, themeluesi i Lëvizjes për të Drejta dhe Liri (DPS), e kishte përfshirë ilegalisht në shtëpinë  e tij luksoze të pushimit veror. Dogan-i, i cili e portretizon partinë e tij si mbrojtëse të pakicës myslimane të Bullgarisë, është një milioner dhe vetëpërshkruhet si influencues politik, dhe rrethimi që i bëri bregdetit – pronë publike, sipas ligjit bullgar – është kthyer në simbol të arrogancës dhe idesë së tagrit që karakterizon elitën politike.

Në përpjekjen për t’iu afruar bregut, Ivanov-i bëri thirrje patriotike dhe me gjuhë populiste, duke shënuar një ndarje me elitizmin e mëparshëm të partisë së tij. Ai zbarkoi në breg duke mbajtur një flamur bullgar, por u zmbraps në det nga rojet e Dogan-it, të cilët, siç u mor vesh më vonë, ishin agjentë të qeverisë të punësuar nga Shërbimi Kombëtar i Sigurisë (SHKS). Geshev-i, i cili kishte vetëm gjashtë muaj në mandatin e tij si prokuror i përgjithshëm, u tall me Ivanov-in, duke u shprehur se ai mund të ketë ngatërruar rezidencën verore të Dogan-it me Pallatin e Dimrit në 1917. Më vonë presidenti bullgar, Rumen Radev-i, një i pavarur që përplaset shpesh me Borissov-in, kritikoi qeverinë për vendosjen e agjentëve të SHKS në shërbim të oligarkëve për t’u përdorur prej tyre si forca të sigurisë private. Një ditë më vonë batakçinjtë e Geshev-it sulmuan zyrat e presidentit.

Të frymëzuar nga veprimet direkte te Ivanov-it, grupe protestuesish shpejt u përpoqën të mësynin plazhin. Pavarësisht urdhrave të kryetarit të bashkisë (vetë anëtar i GERB-it) për t’i lejuar protestat, policia u përpoq t’i ndalonte ato, duke bërë që shumë të shtrojnë pyetjen nëse organet ligjzbatuese i marrin urdhrat nga qeveria apo direkt nga super të pasurit. Për më tepër, ky episod tregoi se DPS-ja mund të jetë opozitare në letër, por në realitet punon mish e thua me administratën e Borissov-it.

Kalërimi i dallgës

Protestat aktuale antiqeveritare mund të kuptohen vetëm në dritën e protestave antikorrupsion të vitit 2013 dhe ngjarjeve të mëpasshme. Me rrezikun e tejthjeshtëzimit të gjërave, protestat masive në Bullgari në përgjithësi mund të ndahen në lëvizje shoqërore dhe, në dallim nga këto, protesta kundër korrupsionit të establishmentit. Mobilizimet shoqërore dhe kundër masave shtrënguese priren ose të jenë spontane, ose të lidhura me sindikatat dhe grupet e majta, dhe të përqeshura nga e djathta si manifestime të “nostalgjisë komuniste”. Protestat antikorrupsion, në anën tjetër, priren të dënojnë moralisht zyrtarët publikë të korruptuar dhe hiç më tepër. Ato mbështeten shpesh në ndjenjat antikomuniste dhe pro-Perëndimore për të nxitur politikat ekonomike neoliberale. E majta e pakët e vendit priret t’i shpërfillë ato, duke besuar se udhëhiqen nga liberalë që e shikojnë integrimin më të thellë në BE si të vetmen rrugë për Bullgarinë. 

Kjo ndarje u bë shumë e qartë gjatë valës së fundit të protestave, kur në shkurt të vitit 2013 shpërtheu një lëvizje kundër masave shtrënguese. Protestuesit vërshuan rrugëve për të kundërshtuar një rritje befasuese të çmimit të energjisë dhe kërkuan shtetëzimin e kompanive të energjisë. Qeveria e GERB-it dha dorëheqjen, ndonëse kjo nuk ishte një prej kërkesave të lëvizjes. Pas zgjedhjeve të parakohshme erdhi në pushtet një koalicion i ri i udhëhequr nga PSB dhe i mbështetur si nga DSP dhe nga një parti e ekstremit të djathtë.  

Në qershor të vitit 2013 qeveria e re e sapozgjedhur propozoi politikanin e DPS dhe sipërmarrësin mediatik me shumë ndikim Delyan Peevski-in në krye të shërbimit sekret. Protesta të reja masive nisën në verë pavarësisht tërheqjes së propozimit. Protestuesit ishin qartësisht të krahut të djathtë dhe parullat e tyre ishin thellësisht elitiste dhe antikomuniste. Ata gërryen seriozisht besimin publik ndaj PSB-së dhe përfundimisht qeveria e saj u rrëzua më 2014. Përfundimisht, GERB-i u rizgjodh dhe Borissov-i u bë sërish kryeministër.

Këto dy valë protestash e kalcifikuan nocionin e papajtueshmërisë mes kërkesave sociale (me një bazë popullore dhe retorikë populiste) dhe protestave moralizuese antikorrupsion të elitave urbane. Kjo dikotomi u shfrytëzua nga GERB-i për të çlegjitimuar të gjitha ankesat rreth skandaleve të përhershme të korrupsionit ku është përfshirë qeveria e saj. Ata pretendojnë shpesh se kritikët e tyre janë elita e “klasës e mesme” e cila nuk e kupton “shumicën e heshtur” të Bullgarisë. 

Një njollë e zakonshme kundër klasës së mesme të vetëmodeluar si liberale është referimi ndaj tyre si “të zgjuarit dhe të bukurit” – ironikisht ky etiketim ishte shpikur nga vetë aktivistët liberalë gjatë protestave të verës 2013. Ata ringjallën stilin e antikomunizmit të viteve 1990 dhe u mburrën se ishin “prodhues të vlerës” që qëndronin përballë “masave parazite, të manipuluara dhe joproduktive”. I majta, e shtyrë tutje nga kjo retorikë antidemokratike, u distancua nga protestat. E shtyrë nga pragmatizmi, GERB-i e shfrytëzoi këtë ndarje për të dobësuar më tej opozitën tashmë të përçarë.

Gjatë viteve të fundit, kritikët liberalë të Borissov-it kanë theksuar derën rrotulluese mes politikës, biznesit dhe shërbimeve sekrete. Në mënyrë efektive GERB-i i zbut këto akuza duke i hedhur poshtë si ankesa nga “të zgjuarit dhe të bukurit”, dhe ka integruar me sukses të djathtën konservatore në radhët e saj duke u bërë partnerë me ekstremistët nacionalistë në 2015. Partia në mënyrë efektive shtrihet si në skajin liberal ashtu edhe në skajin e krahut të djathë të hapësirës politike, me retorikë tradicionale liberale antikorrupsion dhe antikomuniste, ndërkohë që sulmon të majtën e mishëruar vetëm nga PSB.

Përballja

Qysh prej vitit 2017 beteja mes PSB-së dhe GERB-it është personalizuar në atë që media e quan “lufta e institucioneve” – një konflikt i vazhdueshëm mes kryeministrit dhe presidentit Radev, i cili është zgjedhur me mbështetjen e PSB.

Roli i presidentit është gjerësisht ceremonial, përveç kontrollit të ushtrisë, ndërsa kryeministri zgjidhet nga parlamenti dhe cakton qeverinë. Radev-i është shndërruar në politikanin më popullor të vendit dhe perceptohet në një farë mënyre si i pavarur nga PSB-ja, parti shpesh me konflikte mes udhëheqësve të saj.

Bullgaria padyshim që vuan nga mangësitë e “sundimit të ligjit”, megjithëse liberalët i injorojnë të drejtat shoqërore dhe të punëtorëve, si dhe përqendrohen thuajse vetëm në shkeljen e të drejtës së pronës. Sistemi i drejtësisë është gjithashtu i mangët, e provuar kjo nga emërimi i autoritarit Ivan Geshev në pozitën e prokurorit të përgjithshëm nga ana e GERB-it.  

Ai ka vendosur në pikëpyetje ndarjen e pushteteve në të shkuarën dhe ka pretenduar se vetë ai është një mjet ndëshkimi në duart e Zotit. Ai flet shpesh në emër “të bullgarëve të zakonshëm” dhe frymëzohet nga filmat me krim të Hollivudit. Megjithëse pretendon të shënjestrojë oligarkët, ai vetëm sa persekuton kapitalistët që nuk kanë marrëveshje të mira me rrethin e mbështetësve korporativ të GERB-it. Ai vetëparaqitet si një djalë i ndershëm që lufton me një sistem të korruptuar, dhe qysh prej emërimit ka filluar të veshë në publik një kapele të sheshtë me strehë, duke fituar nofkën “Kapelja”.

Në kuptimin e tij të antielitizmit, Geshev-i ndan të njëjtën kundërshti me të djathtën ekstreme ndaj OJQ-ve të financuara nga jashtë dhe të drejtave të njeriut. Ai gjithashtu ka përdorur një gjuhë (dhe praktikë) të tolerancës zero ndaj “krimeve të përditshme” – kod për krime të kryera nga pakica rome. Madje edhe në kohën kur ishte zëvendës-prokuror i përgjithshëm, “Kapelja” ka bërë fushatë kundër të supozuarve “parazitë të mirëqenies sociale”, si për shembull njerëzit me aftësi të kufizuara.

Aktivistët liberalë e kundërshtuan me forcë emërimin e Geshev-it. Megjithëse Geshev-i asnjëherë nuk e ka vënë në dyshim parësinë e pronës private, disa intelektualë e kundërshtojnë stilin e deklaratave të tij dhe e portretizojnë si revolucionar komunist. Sidoqoftë ai vetëparaqitet si një reaksionar i vendosur, duke deklamuar Revolucionin e Tetorit dhe argumentuar se liberalët janë leninistët e vërtetë. 

Kjo përplasje personalitetesh arriti pikën kulmore kur Geshev-i sulmoi në mënyrë të paprecedent presidencën. Sulmi i prokurorit të përgjithshëm ndaj zyrës së Radev-it e mbushi kupën, duke nxitur protesta mbarëkombëtare që kërkuan dorëheqjen e Borissov-it dhe Geshev-it.

Më shumë se vetëm evropianizim

Rastësisht, protestat shpërthyen fiks në kohën kur Bullgaria u pranua në Mekanizmin e Kursit të Këmbimit (Exchange Rate Mechanism, ERM) II, e konsideruar si paradhoma e hyrjes në euro. Borissov-i u ankua se në vend se të protestonte, kombi duhej të festonte suksesin e tij. Brukseli e kishte kushtëzuar pranimin me rikapitalizimin e një banke të vetme bullgare – Banka e Parë e Investimeve (FiBank), e asociuar me Tseko Minev-in, një tjetër oligark.

Minev-i është i urryer nga lëvizjet mjedisore për shkak të rrethimit të parqeve natyrore për t’i shkatërruar, shpesh për ndërtime të jashtëligjshme dhe investime turistike për ski. Përfundimisht qeveria e shpëtoi Fibank-un me 70 milionë euro, dhe Brukseli e pranoi Bullgarinë në ERM II.

Rasti shërben për ilustrim se sa i pakuptimtë është ligjërimi i BE për antikorrupsionin dhe “sundimin e ligjit”. Disa nga protestuesit ende valëvitin flamuj të BE dhe lëshojnë parulla me kërkesa: “BE, a je e verbër?!” Megjithatë prezenca e tyre po zvogëlohet, madje zhgënjimi mund të vihet re edhe në shtypin liberal dhe proevropian. Për ta bërë edhe më keq situatën, politikanët udhëheqës të BE duke filluar nga udhëheqësi Manfred Weber-i i Partisë Popullore Evropiane e deri te presidentja e Bankës Qendrore Evropiane Christine Lagarde-i e lavdëruan qeverinë, kurse kryetari i Aleancës Liberal-Demokrate të Evropës, Hans van Baalen-i, i quajti protestuesit “ekstremistë” për “sulmin ndaj pronës së Dogan-it.”

Shoqatat kryesore të biznesit e brohoritën hyrjen e Bullgarisë në ERM II dhe disa nga përfaqësuesit e tyre e shfrytëzuan këtë mundësi për të mbështetur qeverinë. Kompanitë e mëdha që guxojnë të kundërshtojnë hapur Borissov-in përballen me hakmarrje nga konkurrentët e tyre, të cilët abuzojnë me lidhjet e tyre politike për t’i nxjerrë jashtë tregut dhe marrë bizneset e tyre.

Megjithatë disa kompani të mëdha që nuk u shtypën drejtpërdrejt, i mbështetën mobilizimet. Madje Hippoland-i, një zinxhir i madh lodrash për fëmijë, formoi një bllok me punonjësit e saj. Ditën tjetër dritaret e dyqaneve të tyre u thyhen, duke ngritur spekulime se përgjegjës për këtë ishin rrugaçë të angazhuar nga GERB-i.

Pronarët e bizneseve të vegjël, të goditur rëndë nga keqmenaxhimi i krizës së koronavirusit nga qeveria, duket se janë në rrugë. Megjithatë, është prania e punëtorëve, më të keqgoditurit nga kriza aktuale, që i ka bërë demonstratat kaq masive. Raportimet mediatike tregojnë se shumë prej punëtorëve që i janë bashkuar protestës janë të indinjuar për padrejtësitëpolitikat sociale të papërshtatshme dhe mbështetjen e pamjaftueshme gjatë krizës së koronavirusit.

Rishkartisja e letrave

Në përpjekje për të shuar tensionet, qeveria dekretoi ndryshime të mëdha në kabinetin e ministrave. Por nga të gjitha këto, vetëm dorëheqja e ministrit të Brendshëm ishte kërkuar nga protestuesit, të zemëruar me brutalitetin policor në ditët e para të mobilizimit.

Qeveria u zotua gjithashtu për të investuar gati 1 miliard euro për të adresuar krizën ekonomike, si shtesa të vogla të pensioneve gjatë tre muajve të ardhshëm, si dhe gjithashtu rritje page për punonjësit e kujdesit shëndetësor, policëve dhe punonjësve të shërbimit social; rritjen e përfitimeve për të papunët; dhe mbështetje shtesë për spitalet dhe projektet kulturore. 

Sidoqoftë, këtyre iu shtuan edhe mbështetje për fluturimet me çartera për të nxitur turizmin, industrinë e teknologjisë së informacionit dhe ndërtimin e rrugëve, bashkë me disa masa pështjelluese si ulja e taksave për birrën dhe verën. Qeveria gjithashtu vendosi të prishë kontratën me një central energjetik të zotëruar nga Dogan-i, i cili i kërkonte qeverisë të paguante 13 milionë euro në vit për të “menaxhuar” rezervën thjesht duke ndenjur në gjendje gatishmërie.  

Megjithëse protestat aktuale vazhdojnë të përqendrohen te korrupsioni dhe jo te problemet më të thella strukturore, ato duket se janë më te gjera dhe më politike se valët e mëparshme të protestës. Kjo është si rezultat i shtrirjes ekstreme të kapitalistëve bullgarë në kapjen e shtetit, duke i shtyrë protestuesit ta shikojnë kryeqytetin e Evropës dhe BE si mbështetëse të kriminelëve lokalë në emër të tregut të përbashkët. Për më tepër, antikomunizmi, simboli i ideve liberale të politikës të viteve pas 1989-s, është zhdukur. Baza shoqërore e protestës është shumë më e gjerë se valët e mëparshme dhe, ç’është më e rëndësishmja, parullat antikorrupsion nuk janë drejtuar vetëm kundër politikanëve, por gjithnjë e më tepër edhe kundër pronarëve të bizneseve.

Prapëseprapë udhëheqësit e protestës ende nuk po ia dalin të ndahen nga verbëria liberale në raport me pushtetin ekonomik, duke e parë këtë të fundit vetëm nëse mishërohet në aktorë politikë të mirënjohur. Për rrjedhojë elitat më të urryera ekonomike janë aktivistët e partive politike dhe kërkesat zyrtare të lëvizjes janë të kufizuara në ndryshimin e rregullave zgjedhore. Elitat e korporatave, që nuk janë kaq të dukshme, kanë shfrytëzuar trazirat për të miratuar ligje të ashpra kundër punëtorëve.

Duke ecur përpara, pyetja e vërtetë është nëse protestuesit do të gjejnë forcën, siç pati shkruar Karl Marksi, “për të lënë sferën e zhurmshme, ku gjithçka zhvillohet në sipërfaqe” dhe të shkojnë drejt “vendbanimit të fshehtë të prodhimit” – duke goditur në zemër të pushtetit jollogaridhënës. Përndryshe një cikël tjetër protestash do të jetë vetëm një skandal tjetër korrupsioni larg. 

E përktheu Jani Marka

Marrë nga revista Jacobin

Imazhi: AFP

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.