/Richard Wolff/
Të njëjtët politikanë të cilët ulin taksat për bankat, korporatat e mëdha dhe njerëzit më të pasur, mundësojnë lehtësimin e huamarrjes prej tyre.
Në kapitalizmin modern qeveritë marrin vazhdimisht hua. Këtë e bëjnë për të mbuluar deficitet buxhetore që krijohen kur qeveria mbledh më pak taksa se totali i shpenzimeve. Në raste të tjera qeveritë marrin hua për të mundësuar investime afatgjata me qëllim zhvillimin ekonomik të vendit. Marifeti ndodh kur huadhënësit dhe huamarrësit (që zakonisht janë financues privatë dhe politikanë) negociojnë për hua që u shërbejnë interesave të tyre në kurriz të taksapaguesve, të cilët në fund mbulojnë të gjitha kostot e borxheve që merr qeveria, duke i shtuar interesin.
Në qoftë se qeveria do të mblidhte mjaftueshëm taksa për të mbuluar shpenzimet, nuk do të lindte nevoja për huamarrje. Taksimi i korporatave dhe njerëzve më të pasur do të përbënte strategjinë e duhur. Sigurisht që pasanikët e korporatave dhe kompanive “protestojnë”, duke kërcënuar se në qoftë se taksohen më shumë, do të ulin kontributin e tyre në ekonomi (do të investojnë më pak etj.). Shumica e qeveritarëve janë dakord me kundërshtimet e tyre. Shumë syresh vijnë pikërisht nga rangjet e këtyre pasanikëve, pronarëve të korporatave, ose së paku kanë aspirata për t’iu bashkuar klasës sunduese. Qeveritarët ndajnë të njëjtën ideologji me këtë klasë dhe varen nga donacionet e tyre.Është tipike për politikanët që t’i ekzagjerojnë aspektet negative të taksimit të korporatave dhe të të pasurve, e rrallëherë ndodh që t’i ballafaqojnë këto të fundit me aspektet negative të alternativave: taksimi më i madh i njerëzve me të ardhura të ulëta, mesatare ose ulja e shpenzimeve qeveritare.
Huamarrja nga qeveria për të mbuluar deficitet buxhetore ka pasojat e saj negative në ekonomi. Shumë ndryshore ndikojnë në impaktin e taksave dhe huamarrjes që krijon deficit. Meqenëse këto ndryshore nuk mund të parashikohen e nuk mund të maten për vitet pasardhëse, nuk dihet cila prej tyre është më e mira apo më e keqja në terma afatgjatë. Kur korporatistët dhe pasanikët theksojnë aspektet negative të taksimit të të pasurve, zakonisht harrojnë të përmendin pjesën e mbetur të historisë, njëlloj si reklamat që përmendin pa pushim anët pozitive të gjithçkaje që reklamojnë. Qëllimi i tyre është thjesht më shumë fitim e më pak taksa.
“Marifeti klasor” shkon përtej të vërtetave të njëanshme për taksat. Gjërat qartësohen kur shohim se si qeveritë i sigurojnë huat. Bankat, korporatat e mëdha, 5-përqindëshi i më të pasurve dhe qeveritë e tjera janë huadhënëset kryesore. Janë të njëjtat grupe ekonomike (përveç qeverive të huaja) që kërkojnë dhe përfitojnë ulje taksash, si në rastin e uljes së taksave nga ana e Trump-it dhe republikanëve në dhjetor të vitit 2017. Prej kësaj uljeje deficiti i buxhetit federal u rrit me 1 trilion dollarë në 2019. Po të njëjtët politikanë që lehtësojnë uljen e taksave për bankat, korporatat e mëdha dhe njerëzit më të pasur, u lehtësojnë atyre huamarrjen.
Ky “marifet” klasor, që bazat i ka te huamarrja e qeverisë, është mekanizmi me të cilin sektorët më fitimprurës të kapitalizmit modern shmangin ose zëvendësojnë taksat nëpërmjet huave me interesa që i japin po qeverisë. Alamet pazari për të pasurit, të cilët shkëmbejnë pagimin e taksave (asete të humbura) me huat (fitimi dhe asete të përftuara)! Alamet pazari për politikanët që u shërbejnë, të cilët në këtë mënyrë mund të shpenzojnë më shumë për të blerë vota e të sigurojnë donacione pa u dashur të taksojnë askënd – thjesht marrin hua. Kur të vijë dita që taksapaguesit të kuptojnë hilenë që iu është punuar, këta liderë do të jenë ngjitur mjaft lart në shkallët e karrierës politike. Zëvendësimi i tyre do t’i përgjigjet zemërimit popullor duke i ulur ndjeshëm taksat apo edhe duke i hequr fare, përsëri në favor të huamarrjes e futjes në borxhe. Si një ortek dëbore, duke shkuar teposhtë, borxhi sa vjen e bëhet më i madh.
Deficiti financiar – sinonimi më i moderuar për “marifetin” – e thellon pabarazinë në SHBA dhe kudo ku praktikohet. Me anë të tij shpërndahet pasuria prej popullit taksapagues te të pasurit, të cilët “kursejnë” nëpërmjet taksave të ulëta e më pas i “investojnë” këto “kursime” në huat që i japin qeverisë. Me lëvizjen e parave nga shumësia te pakica e pasur, deficiti financiar funksionon si lotari.
Një marifet paralel, po disi i ndryshëm, ndodh kur qeveritë, veçanërisht ato të vendeve në zhvillim (Azi, Afrikë, Amerikë Latine etj.), marrin hua prej bankave dhe huadhënësve të tjerë të “ekonomive industriale moderne”. Nga njëra anë janë bankierët dhe huadhënësit grabitqarë, të gatshëm të përfitojnë nga qeveritë e huaja. Nga ana tjetër qëndrojnë qeveritarët e gatshëm dhe të etur për të hyrë në borxh. Babëzia e këtyre të fundit vjen prej dy burimesh. E para është nevoja për të siguruar karrierën politike duke financuar projekte për zhvillim ekonomik, të cilat s’do të mund të realizoheshin sepse politikanët u frikësohen rezultateve elektorale që do të kishin prej përdorimit të taksave për financimin e këtyre projekteve. E dyta është aftësia e tyre për të manovruar, ligjërisht ose në mënyra të tjera, pjesë të majme të huave për të financuar veten e partitë e tyre si pjesë e projekteve për zhvillimin e vendit.
Këta huadhënës e huamarrës mblidhen nëpër hotele të luksoze për të negociuar huat zhvillimore “mrekullibërëse” që plotësojnë nevojat e të dyja palëve. Sasia e huave mbështetet në fuqinë që ka vendi për të taksuar popullin e tij dhe/ose për të shitur burime natyrore e operacione qeveritare për të paguar huat bashkë me interesat. Nisur prej përfitimeve të mëdha që sjellin huat, të shumtën e herëve ato vazhdojnë për vite të tëra, derisa vjen momenti që qytetarët e zemëruar protestojnë dhe refuzojnë të paguajnë. Më pas shteti, në mes të kërcënimeve dhe dëshpërimit të gjithanshëm, shpall falimentimin. Në fund, ajo që ngelet prej huas së papaguar falet pjesërisht ose plotësisht. S’kemi pse të shqetësohemi! Fitimi i huadhënësve është vjelë dhe objektivat e karrierës politike janë arritur. Së shpejti i gjithë procesi do të nisë nga e para.
Organizimi dhe manipulimi i borxheve qeveritare (për të financuar deficitet buxhetore dhe projektet zhvillimore) kanë qenë ndër shekuj komponent thelbësor i historisë së kapitalizmit. Sistemi kapitalist i jetëson këto marifete. Po ky sistem mohon e injoron kritikët e këtij marifeti duke përfshirë Teoricienët e Parasë Moderne (Modern Monetary Theorists), marksistët dhe populistët e qasjeve të ndryshme. Rruga e vetme për t’i dhënë fund këtij marifeti është bashkimi i kritikëve dhe viktimave të tij.
E përktheu Flavia Osmani
Marrë nga Common Dreams
Imazhi: Flickr