/Terry Eagelton/
A janë duke u zhdukur shkencat humane nga universitetet tona? Pyetja është absurde. Njëlloj sikur të pyesnim nëse po zhduket alkooli nga baret ose egoizmi nga Hollivudi. Siç nuk mund të ketë bar pa alkool, ashtu nuk mund të ketë universitet pa shkenca humane. Nëse ‘historia’, ‘filozofia’ dhe të tjera shkenca humane do zhduken nga jeta akademike, ajo ç’kanë për të lënë pas mund të jetë qendër trajnimi ose institut kërkimi. Por nuk ka për të qenë universitet në kuptimin klasik të termit, dhe do të mashtronim po ta quanim të tillë.
Po ashtu nuk mund të ketë universitet në kuptimin e plotë të fjalës kur shkencat humane janë të izoluara nga disiplinat e tjera. Mënyra më e shpejtë për t’i zhvlerësuar këto lëndë—domethënë t’i heqësh qafe të gjitha njëherësh—është duke i reduktuar këto disiplina në një bonus të pranueshëm. ‘Burrat e vërtetë studiojnë drejtësi dhe inxhinieri, ndërsa idetë dhe vlerat janë për çunat e mamit’. Shkencat humane duhet të kushtetojnë thelbin e çdo universiteti që vlen. Studimi i ‘historisë’ dhe ‘filozofisë’, shoqëruar me disa njohuri mbi letërsinë dhe artin, duhet të jenë për avokatët dhe inxhinierët ashtu si për ata që studiojnë në fakultetet e arteve. Nëse në SHBA shkencat humane nuk janë të rrezikuara seriozisht, kjo vjen, ndër të tjera, për shkak se ato janë parë si një pjesë integrale e arsimit të lartë.
Kur u shfaqën fillimisht në formën aktuale nga fundi i shekullit XVIII, të ashtuquajturat disiplina humane kishin një rol social të rëndësishëm; të mbështesnin dhe mbronin ato vlera për të cilat rendi shoqëror filistin e kishte kohën e çmuar me kursim. Shkencat humane moderne dhe kapitalizmi industrial u binjakëzuan pak a shumë që në lindje. Që të ruhej një grup idesh dhe vlerash nën rrethim, duheshin ndër të tjera institucione të njohura si universitete të vendosura disi larg përditshmërisë së jetës shoqërore. Kjo largësi do të thoshte se studimi i shkencave humane mund të ishte mjerisht i padobishëm. Gjithsesi, diçka e tillë u lejoi gjithashtu shkencave humane t’ia nisnin një kritike të dijes tradicionale.
Herë pas here, siç ndodhi nga fundi i viteve 1960 dhe siç po ndodh javët e fundit në Britani, kjo kritikë do dilte në rrugë, duke e ballafaquar mënyrën aktuale të jetesës me atë sesi do mund të jetonim. Sot jemi dëshmitarë të vdekjes së universiteteve si qendra kritike. Qysh prej Margaret Thatcher-it, roli i akademisë ka qenë t’i shërbejë status quo-së dhe jo ta sfidojë atë në emër të drejtësisë, traditës, imagjinatës, mirëqenies njerëzore, mendimit të lirë dhe vizioneve alternative për të ardhmen. Diçka të tillë nuk do ta ndryshojmë vetëm duke kundërshtuar reduktimin drejt zeros të fondeve shtetërore për shkencat humane dhe kërkuar rritjen e tyre. Do ta ndryshojmë duke këmbëngulur në faktin se jo vetëm studimi i Rembrandit dhe Rimbosë, por edhe një reflektim kritik mbi vlerat dhe principet shoqërore duhet të jetë qendror në gjithçka që ndodh në universitete.
Si përfundim, shkencat humane mund të mbrohen vetëm duke theksuar se sa të domosdoshme janë dhe kjo do të thotë që të insistohet në rolin e tyre jetësor në të gjithë çështjen e të mësuarit akademik, në vend që të protestohet që, si ndonjë marrëdhënie e dobët, ato nuk kushtojnë shumë për t’u sistemuar.
Si mund të arrihet kjo praktikisht? Nëse do flasim për anën financiare, nuk mund të arrihet. Qeveritë janë të interesuara që t’i tkurrin shkencat humane dhe jo t’i përhapin ato.
Po investimet e mëdha në mësimin e Shelley-t, a nuk do të nënkuptonin rënien pas konkurrentëve tanë ekonomikë? Mirëpo nuk ka universitete pa kërkime në shkencat humane, që do të thotë se universitetet dhe kapitalizmi i avancuar janë thelbësisht të papajtueshëm. Dhe implikimet politike të këtij përfundimi shkojnë më larg sesa problematika e tarifave studentore.
Përkthyer nga: Alban Pira