Më 26 shkurt, të fillim të masivizimit të infektimeve nga Covid-19 në Itali, filozofi Giorgio Agamben shkroi një artikull të shkurtër ku vinte në dyshim rrezikshmërinë shëndetësore, si dhe bënte thirrje për të kritikuar masat e jashtëzakonshme të qeverive si një paradhomë e shmangshme e autoritarizmit. Rritja e frikshme numrit të të infektuarve dhe viktimave sollën reagime kritike të gjithanshme, edhe brenda të majtës, ndaj Agamben-it, duke vënë në dyshim krejt ngrehinën e tij teorike.
Më poshtë po botojmë si shkrimin e Agamben-it, ashtu edhe një prej përgjigjeve ndaj tij, atë të filozofit grek Panagotis Sotiris. Të dyja artikujt janë përkthyer nga gjuhët origjinale (italisht dhe greqisht).
***
Shpikja e një epidemie
/Giorgio Agamben/
Përballë masave të furishme , të paarsyeshme dhe tërësisht të paargumentuara të emergjencës për shkak të një epidemie të hamendësuar të virusit korona, duhet të nisemi nga deklaratat e CNR (Këshilli Kombëtar i Kërkimeve në Itali), sipas të cilave jo vetëm “nuk ka një epidemi të SARS-CoV2 në Itali”, por “infeksioni, sipas të dhënave epidemiologjike të dhjetëra e mijëra rasteve që disponohen sot, në 80-90% të rasteve shkakton simptoma të lehta/moderuara (një lloj gripi). Në 10-15% të rasteve mund të shndërrohet në polmonit, zhvillimi i të cilit megjithatë është i parrezikshëm. Sipas llogarive, vetëm 4% e pacientëve e kanë të nevojshme shtrimin në terapi intensive”. Nëse kjo është gjendja reale, përse atëherë mediat dhe autoritetet përpiqen të përhapin panik, duke shkaktuar një gjendje të jashtëzakonshme të mirëfilltë, e cila sjell kufizimin e lëvizjeve dhe një pezullim të funksionimit normal të jetës dhe punës në disa rajone të vendit?
Dy faktorë mund të na ndihmojnë në shpjegimin e një sjelljeje kaq të shpërpjesëtuar. Pikësëpari kemi rishfaqjen e tendencës për ta përdorur gjendjen e jashtëzakonshme si paradigmë të zakonshme qeverisjeje. Dekretligji i miratuar sakaq nga qeveria “për arsye të higjienës dhe sigurisë publike” përcakton në fakt militarizimin e “komunave dhe hapësirave në të cilat ka së paku një person pozitiv për të cilin nuk dihet burimi i transmetimit ose në të cilat sidoqoftë ka një rast i cili nuk lidhet me një person të ardhur nga një zonë e prekur nga virusi”. Një formulim kaq i vagullt dhe i papërcaktuar do të mundësojë një shtrirje të shpejtë të gjendjes së jashtëzakonshme në të gjitha rajonet, pasi është gati e pamundur të mos kemi raste të tjera infektimi. Vini re kufizimet e rënda të lirisë të parashikuara nga dekreti: a) ndalohet largimi nga komuna apo hapësira e prekur i të gjithë individëve të pranishëm në atë komunë apo në atë hapësirë; b) ndalohet hyrja në komunën apo hapësirën e prekur; c) pezullim i manifestimeve apo iniciativave të të gjitha llojeve, i eventeve dhe i çdo lloj grumbullimi qoftë në një hapësirë publike apo private, edhe në rast eventesh të natyrës kulturore, edukative, sportive dhe fetare, edhe nëse zhvillohen në hapësira të mbyllura të hapura për publikun; d) pezullim i shërbimeve të edukimit të fëmijëve dhe të arsimimit në të gjitha nivelet, si edhe i frekuentimit të aktiviteteve shkollore dhe të formimit të lartë, përveç veprimtarive edukuese të zhvilluara në distancë; e) pezullim i shërbimeve të hapura për publikun në muze e në institute dhe vendet e tjera kulturore sipas nenit 101 të Kodit të Objekteve Kulturore dhe Peizazhit, sipas dekretit legjislativ nr. 41, të 22 datës 22 janar 2004, si edhe të dispozitave rregulluese mbi hyrjen e lirë dhe pa pagesë në këto institute dhe vende; f) pezullim i çdo udhëtimi kulturor, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij; g) pezullim i konkurseve dhe veprimtarive të zyrave publike, me përjashtim të shërbimeve të domosdoshme dhe të interesit publik; h) aplikim i masës së karantinës me mbikëqyrje të vazhdueshme për individët që kanë pasur kontakte të ngushta me rastet e konfirmuara me sëmundjen infektive të përhapur.
Bien në sy masat e tepruara përballë asaj që sipas CNR-së është një grip normal, jo shumë i ndryshëm nga ai që na zë çdo vit. Me ç’duket, pas shterimit të terrorizmit si shkak për marrjen e masave të jashtëzakonshme, shpikja e një epidemie mund të ofrojë pretekstin ideal për t’i zgjeruar ato përtej çdo limiti.
Faktori tjetër, jo më pak shqetësues, është gjendja e frikës që siç duket është përhapur në këto vite në vetëdijet e njerëzve, e cila përkthehet në një nevojë të mirëfilltë për gjendje paniku kolektiv, për të cilin epidemia ofron pretekstin ideal. Kështu, në një rreth vicioz pervers, kufizimi i lirisë i vendosur nga qeveritë pranohet në emër të dëshirës për siguri, të nxitur nga vetë qeveritë që tani ndërhyjnë për ta plotësuar.
E përktheu Alfred Bushi
Marrë nga Quodlibet
***
Për një biopolitikë demokratike
/Panagiotis Sotiris/
Pandemia e Covid-19 na detyroi të reflektonim mbi politikat shëndetësore në kuptimin më të gjerë. Në veçanti kemi nevojë të rishqyrtojmë marrëdhëniet e ngushta midis shtetit, marrëdhënieve shoqërore mbizotëruese dhe shëndetit publik. Konceptet që mund të jenë konsideruar se i përkasin kryesisht fushës së teorisë dhe polemikave midis akademikëve, të tilla si biopolitika ose “jeta e zhveshur”, papritmas janë bërë të rëndësishme në përvojat tona të përditshme. E njëjta vlen edhe për “gjendjen e jashtëzakonshme”, një koncept i futur në fjalorin filozofik kryesisht nga Carl Schmitt-i, por i bërë veçanërisht popullor gjatë epokës së “Luftës kundër terrorizmit”, dhe i përdorur tanimë nga disa si përshkrimi më i mirë i masave ekstreme dhe autoritare të marra për të përballuar pandeminë. Në të njëjtën kohë, të njëjtat koncepte paraqesin sfidën e të menduarit të politikës shëndetësore nga pikëpamja e klasave vartëse. Kjo është arsyeja pse ekzistojnë koncepte që duhen problematizuar dhe rishikuar.
Një ndërhyrje e fundit nga Giorgio Agamben-i ofron, për mendimin tim, shembullin e një dështimi shumë serioz për t’iu përgjigjur kësaj sfide, veçanërisht pasi qëndrime të tilla rrezikojnë të çojnë në refuzimin e koncepteve të tilla si biopolitika. Në një artikull të shkruar në fazat e hershme të pandemisë Covid-19 në Itali, Agamben-i i përshkroi masat e marra për të trajtuar pandeminë si një aplikim të biopolitikës së “gjendjes së jashtëzakonshme” . Teksti nxiti një diskutim të rëndësishëm se si mund të mendojmë për biopolitikën në lidhje me zhvillime si pandemia dhe masat që lidhen me të.
Në atë tekst, Agamben-i argumentoi se masat e marra detyruan deklarimin e një “gjendjeje të jashtëzakonshme autentike” dhe se “shpikja e një pandemie siguronte pretekstin ideal” për kufizime të mëtejshme të lirive themelore. Artikulli provokoi një numër reagimesh. Jean-Luc Nancy-ja këmbëngulte se rreziku nga epidemia ishte i vërtetë, se vetë koncepti i gjendjes së jashtëzakonshëm po shndërrohej në rregull si pasojë e rritjes së “ndërlidhjeve teknike” të të gjitha llojeve në jetën moderne. Roberto Esposito-ja, në përgjigjen e tij ndaj Agamben-t dhe Nancy-së argumentonte se koncepti i biopolitikës është me të vërtetë një mënyrë për të analizuar zhvillimet e rëndësishme moderne, megjithëse ai theksoi se situata në Itali “është më shumë një kolaps i institucioneve publike sesa një imponim dramatik totalitarist”. Të tjerët theksuan mundësinë e rrezikut të një pandemie, nevojën për të shmangur refuzimin e paralajmërimeve të ekspertëve dhe nevojën për të reflektuar mbi konceptin e përgjegjësisë që kemi mbi të tjerët. Unë besoj se ky debat ofron një mënyrë për të reflektuar mbi vetë konceptin e biopolitikës, çka më shtyn të parashtroj disa mendime fillestare për mundësinë e një biopolitike demokratike.
Koncepti i biopolitikës, siç është formuluar nga Michel Foucault-ja, ka qenë një kontribut shumë i rëndësishëm në kuptimin e ndryshimeve që lidhen me kalimin në modernitetin kapitalist, veçanërisht në lidhje me mënyrat me të cilat ushtrohen pushteti dhe shtrëngimi. Nga pushteti i sovranit si e drejtë mbi jetën dhe vdekjen kalojmë në pushtetin si një përpjekje për të garantuar shëndetin (dhe produktivitetin) e popullatave.(1) Ky tranzicion nënkuptonte një zgjerim të paparë të të gjitha formave të ndërhyrjes dhe shtrëngimeve nga ana e shtetit. Nga vaksinimet e detyrueshme deri te ndalimet e pirjes së duhanit në vende publike, koncepti i biopolitikës është përdorur në shumë raste si çelësi për interpretimin e dimensioneve politike dhe ideologjike të politikave shëndetësore.
Në të njëjtën kohë, koncepti i biopolitikës na ka lejuar të analizojmë fenomene të ndryshme që shpesh janë ndaluar në sferën publike, nga mënyrat me të cilat racizmi kërkonte një themel “shkencor” deri në rreziqet e rrymave të tilla si eugjenetika. Dhe me të vërtetë, Agamben-i e ka përdorur atë në një mënyrë shumë interesante në përpjekjen e tij për të teorizuar format moderne të “gjendjes së jashtëzakonshme”, domethënë vendet ku aplikohen forma ekstreme të shtrëngimit, me shembullin më tipik që është kampi i përqendrimit.(2)
Është e qartë se pyetjet në lidhje me menaxhimin e pandemisë Covid-19 gjithashtu kanë të bëjnë me koncepte si biopolitika. Për shembull, shumë vetë kanë argumentuar se Kina ka arritur ta ngadalësojë dhe kontrollojë pandeminë pikërisht sepse ka qenë në gjendje të zbatojë një version autoritarist të biopolitikës që përfshin masa të gjera karantine dhe ndalime të aktiviteteve shoqërore, të ndihmuar nga mjetet dhe teknologjitë e mbikëqyrjes në shkallë të gjerë që ka në dispozicion shteti kinez. Në fakt, në një fazë të mëparshme të pandemisë, disa argumentuan se për shkak se demokracitë liberale nuk kanë të njëjtën aftësi për të detyruar ose investuar më shumë në ndryshimin e sjelljes individuale, ato nuk mund të marrin të njëjtat masa, dhe kjo do ta vështirësonte përballimin e pandemisë. Sigurisht, më vonë shumica edhe e “demokracive liberale” morën masa shumë kufizuese dhe shtrënguese.
Për më tepër, është e qartë se qasja ndaj masave të shëndetit publik si karantina ose “distancimi social” duke i përcaktuar ato me lehtësi si “biopolitike” mund të nënvlerësojë dobinë e tyre të vërtetë. Në mungesë të një vaksine ose terapie antivirale efektive, këto masa, të ardhura nga repertori i masave të shëndetit publik të shekullit XIX, mund të ndihmojnë në trajtimin e pandemive, veçanërisht për të mbrojtur grupet e cenueshme. Në fakt, këto masa janë urgjente po të kemi parasysh se edhe në ekonomitë e përparuara kapitaliste infrastruktura e sistemeve të shëndetit publik është goditur rëndë: Nëse nuk merren masa shtesë për të kufizuar përhapjen e virusit, nuk do të munden të përballojnë pandeminë në kulmin e saj.
Në fakt, mund të thoshim se në kokëfortësinë e qëndrimeve të Agamben-it, koncepti i “jetës së zhveshur” përshkruan më mirë pensionistin e moshuar, i cili po kërkon një respirator dhe një shtrat në terapinë intensive sepse sistemi shëndetësor publik ka marrë goditje të shumta, me gjithë përpjekjet për t’u përshtatur me masat e distancimit social ose të karantinës.
Prandaj unë do të doja të sugjeroja një rikthim të ndryshëm te Foucault-ja. Unë mendoj se ndonjëherë harrojmë se Foucault-ja kishte një konceptim shumë relativ të praktikave të pushtetit.(3) Kjo është arsyeja pse ne kemi të drejtë të pyesim nëse mund të ketë një biopolitikë demokratike apo edhe komuniste.
Kjo pyetje mund të shtrohet edhe në një mënyrë tjetër: A mund të kemi praktika kolektive që me të vërtetë kontribuojnë në shëndetin e popullatës, përfshirë këtu ndryshime në shkallë të gjerë të sjelljes, pa nënkuptuar zgjerimin paralel të formave të shtrëngimit dhe mbikëqyrjes?
Unë besoj se vetë Foucault-ja, në veprën e tij të mëvonshme, i referohet një drejtimi të tillë përmes mënyrës në të cilën ai përdor koncepte të tilla si e vërteta, parrhesia dhe vetëkujdesi.(4) Në këtë dialog shumë origjinal me filozofinë antike, në veçanti atë helene dhe romake, Foucault-ja propozoi një politikë alternative të bios-it, që ndërthur kujdesin vetjak dhe kolektiv, të bazuar në një farë detyrimi dhe vendosmërie për të thënë të vërtetën, në një kontekst joshtrëngues.
Nga një këndvështrim i tillë, vendimet për të kufizuar lëvizjen dhe për të zbatuar praktikat e distancimit social, ose praktikat e mospirjes së duhanit në ambiente të mbyllura, ose për të shmangur praktikat individuale dhe kolektive që dëmtojnë mjedisin, mund të ishin rezultat i negociatave kolektive të debatuara në mënyrë demokratike, praktika të bazuara në njohuritë e disponueshme dhe që janë pjesë e një përpjekjeje kolektive për t’u kujdesur për veten dhe të tjerët. Kjo do të thotë se kalojmë nga disiplinimi i thjeshtë te përgjegjësia, ndaj vetes dhe të tjerëve, dhe nga frenimi i shoqërueshmërisë në transformimin e saj të vetëdijshëm. Në një situatë të tillë, në vend të një frike të vazhdueshme e të individualizuar, e cila mund të çojë në thyerjen e çfarëdo kohezioni social, ne shkojmë drejt idesë së përpjekjes kolektive, koordinimit dhe solidaritetit brenda një beteje të përbashkët, elementë që brenda një shkalle të tillë krizash shëndetësore janë po aq të rëndësishme sa ndërhyrjet mjekësore.
Pikërisht këtu shfaqet mundësia e një biopolitike demokratike. Për më tepër, kjo mund të ndihmohet nga demokratizimi i dijes. Rritja e qasjes në dije, e kombinuar me fushatat e nevojshme popullarizuese, bën të mundur që proceset e vendimmarrjes kolektive të bazohen në dije dhe mirëkuptim dhe jo vetëm në autoritetin e ekspertëve.
Një biopolitikë nga poshtë
Lufta kundër HIV-it, lufta kundër damkave, përpjekja për t’i bërë njerëzit të kuptojnë se nuk është një sëmundje e “grupeve me rrezik të lartë”, kërkesa për trajnime në praktikat e sigurta të seksit, financimi i hulumtimit mbi regjimet efektive të trajtimit dhe sigurimi i qasjes në sistemet e shëndetit publik nuk do të mundësoheshin pa veprimin e lëvizjeve të tilla si ACT UP, të cilat mund të përshkruhen kryesisht si shembuj të biopolitikës nga poshtë.
E njëjta gjë mund të thuhet për veprimtarinë e Panterave të Zeza në përpjekjen e tyre për të ngritur klinika lagjesh ose fushatën masive që kryenin për aneminë e qelizave në formë drapri – si pjesë e praktikave që mund të përkufizoheshin si eksperimente në fuqinë binare. Parulla “mbijetesa në pritje të revolucionit” pasqyron logjikën e një militanti biopolitik në çështjen e emancipimit.
Dhe në situatën aktuale, lëvizjet shoqërore kanë shumë për të bërë në këtë drejtim. Ato mund të veprojnë menjëherë për të ndihmuar sistemet e shëndetit publik që të përballojnë pandeminë. Mund të kërkojnë mënyra solidariteti dhe të vetorganizimit kolektiv në një krizë të tillë, duke ofruar një alternativë për ankthin e individualizuar të mbijetesës. Ato mund të kërkojnë që pushteti dhe shtrëngimi shtetëror të përdoren për transferimin urgjent të burimeve nga sektori privat drejt atij publik. Mund të shpaloset një gamë e gjerë kërkesash dhe pretendimesh, siç janë riorganizimi i kujdesit shëndetësor parësor publik, rekrutimi i stafit mjekësor dhe infermieror, ndalimi i pushimeve nga puna në degët që pezullojnë funksionimin e tyre, ndalimi i dëbimit nga banesa dhe mbulimi i nevojave. Mund të tregojnë në të gjitha drejtimet se sot beteja kundër pandemisë zhvillohet nga punëtorët, jo nga kapitali, nga mjekët dhe infermierët në sistemin shëndetësor të goditur nga neoliberalizmi, nga punonjësit e pasigurt të zinxhirit të furnizimit, nga të gjithë ata që luftojnë për të mos shkatërruar infrastrukturën në mes të masave të kufizuara. Dhe sigurisht mund të kërkojnë ndryshime sociale si një proces për shpëtimin e vetë jetës.
Shënime:
1. Shih: Michel Foucault, The History of Sexuality. Vol. 1, New York, Panteon Books, 1978, ff. 139-140. See also Michel Foucault, Society Must Be Defended. Lectures at the Collège de France 1975-1976, Picador, New York, 2003, ff. 243-250.
2. Giorgio Agamben, Homo Sacer: Sovereign Power and Bare Life, Stanford,Stanford University Press, 1998.
3. Shih: (Foucault, History of Sexuality.Vol 1, f, 93).
4. Michel Foucault, The Care of the Self. Volume 3 of the History of Sexuality, Pantheon Books, New York 1986; Michel Foucault, Le gouvernement de soi et des autres. Cours au Collège de France. 1982-1983, Paris, Gallimard / Seuil, 2008; Michel Foucault, Le courage de la vérité. Le gouvernement de soi et des autres II, Paris EHESS / Gallimard / Seuil, 2009.
E përktheu Vitori Çipi
Marrë nga Ektosgrammis
Imazhi: Berlin Institute for Cultural Inquiry