/Maurizio Lazzarato/
“Agroindustria, si mënyrë e riprodhimit shoqëror, duhet të marrë fund vërtet, edhe thjesht për arsye të shëndetit publik. Prodhimi jashtëzakonisht i kapitalizuar i ushqimit është i varur nga praktika të cilat vënë në rrezik tërësinë e llojit njerëzor, duke kontribuar në këtë mënyrë në shpërthimin e një pandemie të re vdekjeprurëse.” – Rob Wallace
Kapitalizmi nuk ka dalë kurrë nga kriza e viteve 2007/2008. Virusi është bërë pjesë e iluzionit të kapitalistëve , bankierëve dhe politikanëve se duke shpallur një grevë të përgjithshme planetare – të cilën lëvizjet protestuese kanë qenë të paafta ta realizonin – çdo gjë mund të kthehet si më parë.
Bllokimi tërësor i funksionimit të kapitalizmit tregon se, në mungesë të lëvizjeve revolucionare, ai mund të shembet dhe kalbëzimi i tij mund të fillojë të na infektojë të gjithëve (sipas dallimeve të përpikta klasore). Ky nuk është fundi i kapitalizmit, por vetëm agonia e tij e gjatë dhe rraskapitëse, e cila mund të jetë e dhimbshme dhe e ashpër. Sidoqoftë ishte e qartë që ky kapitalizëm triumfues nuk mund të vazhdonte gjatë dhe Marksi, qysh te Manifesti, na kishte vënë në dijeni për diçka të tillë.
Ai nuk parashikoi vetëm mundësinë e fitores së një klase mbi një tjetër, por edhe shembjen e ndërsjellë tyre të dhe një periudhë të gjatë rënieje.
Kriza e kapitalizmit nis shumë kohë përpara 2008-s, me fundin e konvertueshmërisë së dollarit në ar dhe intensifikohet në mënyrë vendimtare duke nisur nga fundi i viteve ’70. Kjo krizë është shndërruar në mënyrën e tij (kapitalizmit) të riprodhimit dhe qeverisjes, e cila shpie në mënyrë të pashmangshme në “luftëra”, katastrofa, kriza të llojllojshme e, po të bjerë puna, nëse ekzistojnë forca subjektive të organizuara, në thyerje revolucionare.
Samir Amin-i, marksist që e sheh kapitalizmin nga Jugu i botës, e quan “kriza e gjatë” (1978-1991), e cila prodhohet ekzaktësisht një shekull pas një tjetre “krize të gjatë” (1873-1890). Duke ndjekur gjurmët e lëna nga ky komunist i vjetër, mund të kuptojmë ngjashmëritë dhe dallimet mes këtyre dy krizave dhe alternativave politike radikale që hap qarkullimi i virusit, i cili po zhvlerëson qarkullimin e monedhës.
Kriza e parë e gjatë
Përgjigjja e kapitalit ndaj krizës së parë të gjatë – e cila nuk ka qenë thjesht ekonomike sepse vinte pas një shekulli betejash socialiste që kulmuan me Komunën e Parisit, “kryeqyteti i shekullit XIX” (1871) – është një strategji e trefishtë: përqendrimi/centralizimi i prodhimit dhe i pushtetit (monopolet), zgjerimi i globalizmit dhe një financiarizim që është hegjemon mbi prodhimin industrial.
Kapitali bëhet monopolist duke e shndërruar tregun në një shtojcë të vetes. Ndërsa ekonomistët borgjezë ngrenë lart “ekuilibrin e përgjithshëm” që përcaktoka loja e kërkesës dhe ofertës, monopolet avancojnë falë çekuilibrave të frikshëm , luftërave pushtuese, luftërave mes vendeve imperialiste, rrënimit të qenieve njerëzore e jonjerëzore, shfrytëzimit, vjedhjes. Globalizëm do të thotë kolonizim i të gjithë planetit nëpërmjet përhapjes së skllavërisë dhe punës robtuese, për përvetësimin e të cilës përballen imperializmat kombëtarë të armatosur deri në dhëmbë.
Financiarizimi prodhon një rentë shumë të madhe nga e cila përfitojnë mbi të gjitha dy perandoritë koloniale më të mëdha të kohës, Anglia dhe Franca. Ky kapitalizëm, i cili shënon një thyerje të madhe me kapitalizmin e revolucionit industrial, do të jetë objekti i analizave të Hilferding-ut, Rosa Luxemburg-ut, Hobson-it. Lenini është sigurisht politikani që e ka kuptuar më mirë dhe në kohën e duhur ndryshimin e natyrës së kapitalizmit, dhe me një timing ende të pashoq ka përpunuar, së bashku me bolshevikët, një strategji të përshtatshme ndaj ashpërsimit të luftës së klasave që sjellin centralizimi, globalizimi dhe financiarizimi. Shoqërizimi i kapitalit në një shkallë dhe me një shpejtësi të panjohur deri në atë kohë do të rigjallërojë fitimet dhe rentat, duke shkaktuar një polarizim të të ardhurave dhe pasurive, një mbishfrytëzim të popujve të kolonizuar dhe acarim të konkurrencës mes imperalizmave kombëtarë. Kjo periudhë e shkurtër euforike, mes viteve 1890 e 1914, “belle époque” (epoka e artë), i lë vendin të kundërtës së saj: Lufta e Parë Botërore, revolucioni sovjetik, luftërat civile evropiane, fashizmi, nazizmi, Lufta e Dytë Botërore, nisja e proceseve revolucionare dhe antikoloniale në Azi (Kinë, Indokinë), Hiroshima dhe Nagasaki.
Epoka e artë inauguron epokën e luftërave dherevolucioneve. Këta të fundit do të vazhdojnë përgjatë të gjithë shekullit XX, por vetëm në jugun e botës, në vendet e “vonuara” për sa i përket zhvillimit teknologjik, pa klasë punëtore, por me një fshatarësi të madhe. Kurrë më parë historia e njerëzimit nuk kishte njohur një frekuencë të tillë thyerjesh politike – të gjitha, siç thoshte Gramsci për sa i përket revolucionit sovjetik, “kundër Kapitalit” (të Marksit).
Kriza e dytë e gjatë
Nis që në fillim të viteve ’70, kur fuqia imperialiste dominuese, duke e çliruar dollarin nga trazimet e ekonomisë reale, pranon domosdoshmërinë për të ndryshuar strategji duke prishur kështu kompromisin fordist.
Gjatë krizës së dytë të gjatë (1978-1991) përqindjet e rritjes së fitimeve dhe të investimeve përgjysmohen krahasuar me periudhën e pasluftës dhe nuk do t’i kapin kurrë më ato nivele. Edhe në këtë rast kriza nuk është thjesht ekonomike, por vjen pas një cikli të fuqishëm betejash emancipuese në Perëndim dhe një serie revolucionesh socialiste dhe për çlirim kombëtar në periferi. Përgjigjja e kapitalit ndaj rënies së fitimit dhe mundësisë së parë për një “revolucion botëror” është rimarrja e strategjisë së një shekulli më parë, por me një përqendrim më të madh të drejtimit mbi prodhimin, një globalizim akoma më të madh dhe një financiarizim në gjendje që t’u garantojë një rentë shumë të madhe monopoleve dhe oligopoleve. Rimarrja e kësaj strategjie të trefishtë përbën një hop cilësor krahasuar me një shekull më parë. Lenini mendon se monopolet e epokës së tij përbënin “stadin e fundit” të kapitalit. Përkundrazi, mes 1978 dhe 1991, zhvillohet një tipologji e re dhe më agresive e asaj që Samir Amin-i quan “oligopole të përgjithësuara” sepse kontrollojnë tërësinë e sistemit prodhues, tregjeve financiare dhe të zinxhirit të vlerës. Lartësimi i tregut pikërisht në çastin kur përhapen monopolet do të karakterizojë edhe rimëkëmbjen e iniciativës kapitaliste në periudhën bashkëkohore (Foucault-ja do ta përjetojë këtë periudhë të lavdishme, duke ndikuar më pas gjenerata të tëra akademikësh majtistë).
Pas “belle epoque”-s të dytë, e shënuar nga slogani Clinton-it “It’s the economy, stupid” – fundi i historisë, triumfi i kapitalizmit dhe i demokracisë mbi totalitarizmin komunist dhe budallallëqe të ngjashme – kemi hapjen, ashtu si një shekull më parë (dhe në mënyrë tjetër), e epokës së luftërave dhe revolucioneve. Luftërat janë të sigurta ,ndërsa revolucione janë vetëm (për së largu) të mundshëm. Triptiku përqendrim-globalizim-financiarizim është në origjinë të të gjitha luftërave, katastrofave ekonomike, financiare, shëndetësore dhe ekologjike që kemi njohur e do të njohim. Por le të vazhdojmë sipas radhës. Si funksionon fabrika e katastrofave të paralajmëruara?
Bujqësia industriale, e cila është një prej shkaqeve kryesore të shpërthimit të virusit, na jep një model të funksionimit të centralizimit të kapitalit nga ana e “oligopoleve të përgjithësuara” (1). Me anë të farave, produkteve kimike dhe kredive, oligopolet kontrollojnë prodhimin në sasi të mëdha, ndërkohë që shitja e mallrave të prodhuara dhe vendosja e çmimeve nuk përcaktohet nga tregu por nga shpërndarësit e mëdhenj, të cilët i vendosin ato në mënyrë arbitrare duke vdekur urie fermerët e vegjël. Kontrolli kapitalist mbi prodhimin e “natyrës”, shpyllëzimi, bujqësia industriale dhe intensive, e ndryshon thellësisht marrëdhënien mes qenieve njerëzore dhe atyre jonjerëzore nga ku, prej vitesh, dalin lloje të reja virusesh. Shkatërrimi i ekosistemit nga ana e industrive që do të duhej të na ushqenin është sigurisht në themel të karakterit ciklik, të vërtetuar tashmë, të shfaqjes së viruseve të reja.
Monopoli i bujqësisë është njëkohësisht strategjik për kapitalin dhe vdekjeprurës për njerëzimin dhe planetin. Po ia lë fjalën Rob Wallace-it, autorit të “Big Farms Make Big Flu”, sipas të cilit rritja e peshës së virusit është e lidhur ngushtë me modelin industrial të bujqësisë (në veçanti prodhimi i gjësë së gjallë) dhe fitimet e korporatave shumëkombëshe.
“Planeti tokë tashmë është shndërruar në Planetin Sipërmarrje Bujqësore si për sa i përket biomasës ashtu edhe pjesës së tokës së përdorur (…) Pothuajse i tërë projekti neoliberal bazohet mbi mbështetjen e tentativave nga ana e sipërmarrjeve që vijnë nga vendet më të industrializuara për të shpronësuar tokat dhe burimet e vendeve më të dobëta. Rezultati: shumë prej këtyre agjentëve të rinj patogjen, të mbajtur më përpara nën kontroll nga ekosistemet me një evolucion të gjatë, po çlirohen duke u bërë kërcënim për mbarë botën (…) Rritja e monokulturave gjenetike të kafshëve shtëpiake rrëzon çdo pengesë imunologjike që mund të ngadalësojë transmetimin. Densiteti i lartë i popullsisë mundëson një shkallë më të lartë transmetimi. Një mbipopullim i tillë e dobëson përgjigjen imunitare [kolektive]. Vëllimet e larta të prodhimit, një aspekt që rishfaqet në çdo prodhim industrial, përbëjnë një rezervë të vazhdueshme dhe të ripërtëritur elementesh të infektueshme, benzinë për evolucionin e fuqisë sëmundjengjitëse. Thënë ndryshe, agro-industria është aq shumë e përqendruar te fitimet, saqë goditja nga një virus që mund të vriste një miliard njerëz konsiderohet si një risk që ia vlen të merret .”
Financiarizimi
Financiarizimi funksionon si një “pompe à fric” (pompë parash), duke nxjerrë para (rentë) nga veprimtaritë produktive dhe nga çdo formë të ardhurash dhe pasurie në sasi të paimagjinueshme edhe për financiarizimin në kapërcyellin e shekujve XIX- XX. Shteti luan një rol qendror në këtë proces duke i transformuar flukset e pagave dhe të ardhurave në flukse rente,. Shpenzimet e Welfare-it (kryesisht shpenzimet për shëndetësinë), pagat, pensionet, indeksohen tashmë mbi ekuilibrin financiar, domethënë mbi nivelin e rentës që dëshirojnë oligopolet. Për të garantuar këtë, pagat, pensionet dhe Welfare-i janë të detyruar t’u përshtaten, duke rënë gjithnjë e më poshtë, nevojave të “tregjeve” (tregu, i cili nuk ka qenë kurrë as i parregulluar dhe as në gjendje të vetërregullohet, pas luftës është rregulluar nga shteti dhe në 50 vitet e fundit nga monopolet). Miliardat e kursyera nga shpenzimet shoqërore janë vënë në dispozicion të sipërmarrjeve që nuk zhvillojnë as punën, as nxisin rritjen e produktivitetin, por rentën. Mënyra e privilegjuar e nxjerrjes së rentës është ajo mbi borxhin publik dhe atë privat, të cilët përbëjnë burimin e dëshiruar të përvetësimit, por edhe vatrën e krizës, kur akumulohet në mënyrë dalldisëse si në 2008, të favorizuar nga politikat e bankave qendrore (flluska e borxhit të sipërmarrjeve, që kanë përdorur quantitative easing-un që të hyjnë në borxh me kosto zero për të spekuluar në bursë, po shpërthen”). Sigurimet dhe fondet e pensioneve janë grabitqarë që, për të njëjtat arsye, shtyjnë vazhdimisht drejt privatizimit të gjithë Welfare-it.
Kriza shëndetësore
Ky mekanizëm i kapjes së rentës ka vënë në gjunjë sistemin shëndetësor dhe ka dobësuar aftësinë për t’u bërë ballë urgjencave shëndetësore.
Çështja këtu nuk është vetëm shkurtimi i shpenzimeve shëndetësore të llogaritura në miliarda dollarë (në Itali 37 miliardë në dhjetë vitet e fundit), mungesa e punësimit të mjekëve dhe personelit shëndetësor, mbyllja e vazhdueshme e spitaleve dhe përqendrimi i veprimtarive shëndetësore për të rritur produktivitetin, por mbi të gjitha menaxhimi kriminal sipas parimit “zero bed, zero stock” i New Public Management-it. Sipas kësaj ideje, spitali duhet të organizohet sipas logjikës së flukseve just in time të industrisë: asnjë shtrat nuk duhet të qëndrojë bosh sepse shkakton humbje ekonomike. Kjo formë menaxhimi ka qenë problematike që në çastin kur u aplikua te mallrat (pa folur për punëtorët), ndërsa shtrirja e saj te pacientët është çmenduri totale. Ideja e zero stock-ut ka të bëjë edhe me materialet mjekësore (industritë janë në situatën që nuk kanë respiratorë të disponueshëm në rezervat e tyre, por duhet t’i prodhojnë), ilaçet, maskat etj. Gjithçka duhet të jetë “just in time”.
Plani antipandemi (dispozitivi biopolitik i përsosur) i ndërtuar nga shteti francez dhe i menaxhuar nga një institucion i veçantë (Eprus) pas përhapjes së virusit H5N1 më 1997 dhe më 2005, Sars më 2003, H1N1 më 2009, i cili parashikonte krijimin e një rezerve maskash, respiratorësh, ilaçesh, protokolle ndërhyrjesh, përgatitjen e sistemit shëndetësor etj., që nga viti 2012 është zhbërë tërësisht nga logjika llogaritare e përhapur në ddministratën publike. Kjo e fundit është e obsesionuar nga një detyrë tipike kapitaliste: të optimizojë gjithmonë paranë (publike), ku çdo rezervë është e padobishme, duke përdorur një tjetër procedure tipike kapitaliste: vepro në një periudhë afatshkurtër! Prandaj shteti francez, i cili vepron si një sipërmarrje, duke hequr dorë nga parimet e “mbrojtjes së popullsisë”, gjendet plotësisht i papërgatitur përballë emergjencës së “paparashikueshme” shëndetësore aktuale.
Mjafton një vështirësi e çfarëdoshme dhe sistemi shëndetësor bie, duke shkaktuar humbje të jetëve njerëzore, por edhe shkaktuar kosto ekonomike shumë më të mëdha se miliardat që kanë arritur të fitojnë mbi kurrizin e njerëzve (pa na u ofenduar Weber-i, kapitalizmi nuk është një proces racionalizues, por saktësisht e kundërta e tij).
Por padrejtësia më e padurueshme ka të bëjë me monopolin mbi ilaçet. Me financiarizimin shumë oligopole farmaceutike i kanë mbyllur njësitë e tyre kërkimore dhe tani kufizohen thjesht në blerjen e patentave nga start up-et në mënyrë që të kenë monopol mbi novacionet. Kontrolli monopolist iu mundëson të krijojnë ilaçe me çmime tepër të larta, duke e reduktuar kështu përdorimin e tyre nga të sëmurët. Trajtimi i hepatitit C i ka mundësuar sipërmarrjes që kishte blerë patentën (e cila kishte kushtuar 11 miliardë) rikuperimin, në një kohë të shkurtër, të 35 miliardëve, duke nxjerrë fitime shumë të mëdha në kurriz të shëndetit të të sëmurëve (madje pa përdorur as justifikimin e zakonshëm të kostove të kërkimit shkencor, meqenëse bëhet fjalë për një spekulim të pastër financiar). Gilead-i, pronarja e patentës, zotëron gjithashtu ilaçin më premtues kundër Covid-19. Nëse këta çakej nuk shpronësohen, nëse nuk shkatërrohen oligopolet e Big Pharms-ave, çfarëdolloj politike e shëndetit publik do të dështojë.
Sektorët e “shëndetit” nuk qeverisen nga logjika biopolitike e “kujdesit ndaj popullsisë”, as nga ajo “nekropolitike”. Por drejtohen nga dispozitivët e përpiktë, të hollësishëm, depërtues, racionalë në çmendurinë e tyre e të dhunshëm në aplikim të prodhimit të fitimit dhe rentës.(2)
Qeverisshmëria nuk ka asnjë parim të brendshëm që përcakton drejtimin e saj sepse ajo që duhet qeverisur është triptiku përqendrim-globalizim-financiarizim dhe pasojat e tij mbi klasat, jo mbi popullsitë. Kapitalistët arsyetojnë në terma klasash dhe jo popullsish. Edhe shteti që menaxhonte të ashtuquajturit dispozitivë biopolitikë, qeveris tashmë hapur mbi baza klasore sepse së paku që prej pesëdhjetë vitesh është, në kuptimin e vërtet të fjalës, në duart e “fondés du pouvoir”-it të kapitalit. Kjo është lufta e klasave të kapitalit, i cili është i vetmi, për momentin, që po e drejton shtetin në mënyrë koherente dhe pa asnjë mëdyshje, që po i orienton të gjitha vendimet e tij, sikundër dëshmojnë paturpësisht masat antivirus.
Për sipërmarrjet, të gjitha vendimet dhe financimet e marra nga Macron-i janë në përputhje të plotë me politikat e shtetit francez që prej 1983 e këtej. Macron-i, pas shtypjes me forcë të luftës së personelit spitalor (përfshirë mjekët) që denonconte rënien e sistemit shëndetësor gjatë gjithë vitit të kaluar, u ka dhënë spitaleve, pas shpërthimit të pandemisë, shumën qesharake prej 2 miliardë eurosh. Ndërkohë, nën “presionin” e pronarëve, ka vendosur pezullimin e të drejtave të punëtorëve që rregullojnë orarin e punës (tani mund të punohet deri në 60 orë në javë) dhe pushimet (pronarët mund t’i llogarisin ditët e humbura për shkak të virusit si ditë pushimesh), pa përcaktuar se kur do të përfundojnë këto ligje speciale të punës. Problemi nuk është popullsia, por si të shpëtojmë ekonominë, jetën e kapitalit. Në ka asnjë rikthim të Welfare-it në horizont. Macron-i i ka kërkuar “Arkës së depozitave dhe huave”, e cila nxit përdorimin gjithnjë e më shumë të shëndetësisë private, të bëjë një studim për riorganizimin e sektorit të shëndetësisë.
Lockdown-i në Itali ka qenë për shumë kohë një farsë (sikundër është aktualisht në Francë), pasi Confindustria ka qenë kundër mbylljes së njësive prodhuese. Miliona punëtorë lëviznin çdo ditë, duke u ngjeshur brenda mjeteve të transportit publik, në fabrika dhe zyra, ndërkohë që runner-at etiketoheshin si të papërgjegjshëm dhe mbledhjet e më shumë së dy personave ishin të ndaluara.
Kanë qenë grevat e egra që kanë shtyrë drejt një mbylljeje “totale” të prodhimit, të cilën sipërmarrësit ende vazhdojnë ta kundërshtojnë. Shpallja e gjendjes së emergjencës nga Trump-i e ka shndërruar pandeminë në një mundësi kolosale për t’u transferuar kompanive private fonde publike. Bazuar në vendimet e marra, gjendja e emergjencës shëndetësore do t’u mundësojë:
- Walmart-it që të kryejë drive-thru testing në 4769 parkimet e dyqaneve të saj;
- Target-it që të kryejë teste në parkimet e dyqaneve të saj;
- Google-it që të fusë në punë 1700 inxhinierët e saj për të krijuar një faqe web e cila do të përcaktojë nëse personat kanë nevojë për test – kryesisht në Bay Area dhe jo në të gjithë territorin kombëtar;
- Becton Dickinson-it që të shesë instrumente mjekësore;
- Quest Diagnostic-ut që të përpunojë testet në laborator;
- Roche-ja, kolosi farmaceutik zvicerian, autorizohet nga U.S. Food and Drug Administration që të përdorë sistemet e veta të diagnostikimit;
- Signify Health-it, Lab Corp-it, CVS, LHC Group-it, që të kryejnë teste dhe shërbime shëndetësore në shtëpi;
- Thermo Fisher-it, një shoqëri private, që të bashkëpunojë me qeverinë për ta pajisur me teste.
Aksionet e këtyre kompanive po rriten jashtëzakonisht shumë. Pas zhbërjes nga Trump-i, në kohën e duhur, të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Pandemitë më 2018 (shpenzime të padobishme), “përgjigjja novative” e qeverisë, siç ka thënë Deborah Birx-i, drejtuese e kundërpërgjigjes ndaj Coronavirus-it në Shtëpinë e Bardhë, tani është “përqendruar tërësisht në intensifikimin e pushtetit të sektorit privat”.
Absurditeti vrasës i këtij sistemi shfaqet jo vetëm kur renta akumulohet si “shpërndarje optimale e burimeve” në duart e pak vetëve, por edhe kur, duke mos gjetur mundësi investimi, ose qëndron në qarkun financiar, ose qëndron e sigurt në parajsat fiskale, ndërkohë që mjekëve dhe infermierëve iu mungojnë maskat, tamponët, shtretërit, materialet, personeli. Kanë pompuar të gjithë sasinë e mundshme të parave dhe këto para, në kushtet e kapitalizmit aktual, janë thjesht të kota e të pafuqishme, janë letër e zhubrosur sepse nuk arrijnë të shndërrohen në para-kapital. Edhe të ashtuquajturat “tregje” po e kuptojnë këtë gjë dhe po kërkojnë gjithnjë e më shumë, pavarësisht se nuk dinë ç’të bëjnë me to. Financimet dhe ndërhyrjet e bankave qendrore rrezikojnë të dalin huq sepse nuk bëhet fjalë më për të shpëtuar bankat, por sipërmarrjet. Miliardat e futura nëpërmjet quantitative easing-ut kanë shkuar për të financuar spekulimet e bankave, por edhe të sipërmarrjeve dhe oligopoleve, dhe për të fryrë borxhin privat i cili e ka kaluar prej vitesh atë publik. Financa është më e dëmtuar se pas 2008-s. Mirëpo këtë herë, për dallim nga 2008, po ndalon ekonomia reale (si nga ana e kërkesës, ashtu edhe nga ajo e ofertës) dhe jo transaksionet mes bankave. Rrezikojmë të përjetojmë një remake të krizës së ’29 e cila ka mundësinë të sjellë pas vetes një remake të asaj që ndodhi menjëherë pas.
Një plan i ri Marshall?
Paraja funksionon, është e fuqishme, nëse ka një makinë politike që e përdor, dhe kjo makinë përbëhet nga marrëdhëniet e pushtetit mes klasave. Janë këto marrëdhënie që duhen ndryshuar për shkak se gjenden në origjinë të katastrofës. Të vazhdojmë të injektojmë para duke dashur t’i mbajmë ato të pandryshuara nuk bën tjetër veçse riprodhon shkaqet e krizës, duke i përkeqësuar ato nëpërmjet krijimit të flluskave spekulative gjithnjë e më kërcënuese. Kjo është arsye se përse makina politike kapitaliste xhiron bosh duke shkaktuar dëme që rrezikojnë të jenë të pandreqshme.
Politikat kejnesiane nuk kanë qenë thjesht një shumë parash për t’u hedhur në ekonomi me funksion anticiklik, por nënkuptonin, që të ishin funksionale, një ndryshim politik radikal në krahasim me kapitalizmin e hegjemonisë financiare të shekullit të shkuar: kontrolli i hekurt i financës (dhe i lëvizjeve të kapitaleve që, tani, po tërhiqen në mënyrë shumë të shpejtë, për shkak të virusit, nga vendet në zhvillim) për shkak se nëse lihet e lirë të shtrihet dhe të zgjerojë pushtetin e aksionarëve dhe të investitorëve financiarë të cilët ndajnë mes tyre rentën, nuk mund ta shmangë përsëritjen e katastrofave të luftërave, luftërave civile dhe krizave ekonomike të fillimit të shekullit XIX. Kompromisi fordist parashikonte një rol qendror të institucioneve të “punës” të integruara në logjikën e produktivitetit, një kontroll të shtetit mbi politikat fiskale të cilat taksonin kapitalin dhe të pasurit për të reduktuar dallimet në të ardhura dhe në pasuri të shkaktuara nga renta financiare etj. Asgjë e ngjashme me këto politika nuk qëndron pas miliarda e miliardave që po hedhin bankat qendrore në ekonomi, të cilat shërbejnë vetëm që sistemi të mos shembet dhe të vonohet larja e hesapeve. Nuk ndryshon absolutisht asgjë nëse në vend të quantitative easing-ut investohen me miliarda dollarë në green economy dhe as nëse vendoset një surrogat i të ardhurave universale (të cilin ndërkohë, nëse e japin, e marrim për të financuar luftërat kundër kësaj makine vdekjeprurëse).
Keynes-i, i cili i njihte mirë këta plehra, thoshte se për të “garantuar fitimin, ata janë të gatshëm të shuajnë diellin dhe yjet”. Ndërhyrjet e bankave qendrore nuk e prekin aspak këtë logjikë, por veç sa e konfirmojnë. Duhet të presim më të keqen. Mjafton ta shtyjmë pak më tej këtë logjikë (por vërtet pak, jua siguroj) dhe do të njohim forma të reja gjenocidi të cilat “intelektualët” e ndryshëm të pushtetit nuk do të dinë më pas si t’i shpjegojnë (“e keqja e panjohur”, “përgjumja e arsyes”, “banaliteti i së keqes” etj.).
Luftërat kundër të “gjallëve”
Internimi që po përjetojmë tani ngjan shumë me një provë të përgjithshme të krizës “ekologjike” ( ose atomike, si të dëshironi) të ardhshme. Të mbyllur në shtëpi për t’u mbrojtur nga një “armik i padukshëm”, nën një pelerinë prej plumbi. Gjithçka e organizuar nga ata që janë përgjegjës për gjendjen e krijuar.
Kapitalizmi bashkëkohor e përhap luftën kundër qenieve të gjalla. Mirëpo ai e bën këtë që nga fillimet e historisë së tij sepse ata janë objekti i shfrytëzimit të tij dhe, për t’i shfrytëzuar, duhet t’i nënshtrojë.
Jeta e njerëzve, sikundër mund të konstatohet nga të gjithë, duhet të varet prej logjikës llogaritare që organizon shëndetin publik dhe vendos se kush duhet të jetojë e kush të vdesë. Në të njëjtat kushte gjendet edhe jeta e qenieve jonjerëzore sepse akumulimi i kapitalit është i pafundmë dhe nëse qenia e gjallë, me fundmërinë e saj, përbën një pengesë për ekspansionin e tij, atëherë kapitali përballet me të si me çdo pengesë tjetër që has –duke e kaluar. Ky tejkalim nënkupton medoemos shfarosjen e çdo specieje.
Si specia njerëzore ashtu edhe speciet jonjerëzore janë tërheqëse vetëm si mundësi investimi dhe thjesht si burim fitimi. Oligopoleve nuk u plas fare (duhet thënë siç e mendojnë!) për KIP-et (koeficientin e performancës), ekologjinë, Gaian, klimën, për planetin. Bota ekziston vetën në një periudhë afatshkurtër, aq sa mjafton për të nxjerrë frytet e kapitalit të investuar. Për ta çdo konceptim tjetër i kohës është i huaj.
Çka i shqetëson është “rrallësia” relative e burimeve natyrore që disponoheshin gjerësisht pesëdhjetë vjet më parë. I mundon ideja e garantimit të qasjes ekskluzive në këto burime, për të cilat kanë nevojë për të siguruar vazhdimësinë e prodhimit dhe konsumit të tyre, të cilat çohen krejtësisht dëm. Ata janë plotësisht në dijeni që nuk ka burime për të gjithë dhe që çekuilibri demografik do të shkojë duke u theksuar (sot 15% e popullsisë botërore jeton në veri dhe 85% në jug të botës).
Ata janë larg nga çdo shqetësim ekologjik, të gatshëm të presin edhe pemën e fundit të Amazonës dhe të vetëdijshëm që vetëm militarizimi i planetit do të mund t’u garantojë qasjen ekskluzive në burimet natyrore. Përveç katastrofa të tjerave natyrore të stërmëdha, po përgatiten edhe luftëra të tjera “ekologjike” (për ujin, tokën etj.).
Të gatshëm si gjithmonë që t’i rregullojnë konfliktet e tyre me jugun e botës nëpërmjet armëve, ata i përdorin dhe do t’i përdorin këto të fundit, pa u shqetësuar aspak, për të marrë gjithçka për të cilën kanë nevojë, mu siç bënin me kolonitë. Afrika me burimet e saj është tepër e rëndësishme, ndërsa afrikanët që e banojnë atë shumë më pak.
Të vazhdojmë me analizën e katastrofës së ardhshme, që ka nisur të ndodhë, gjithnjë duke ndjekur gjurmët e Samir Amin-it
Globalizimi, siç duket, nuk vë përballë njëri-tjetrit vendet e industrializuara me vendet “në zhvillim”. Përkundrazi, ai e shlokalizon prodhimin industrial drejt këtyre të fundit, të cilat kryejnë funksionin e nënsipërmarrëseve të monopoleve , pa gëzuar asnjë lloj autonomie, pasi ekzistenca e tyre varet nga lëvizjet e kapitalit të huaj (përveç Kinës). Mirëpo polarizimi qendër/periferi, i cili i jep ekspansionit kapitalist karakterin e tij imperialist, vazhdon dhe thellohet gjithnjë e më shumë. Ai riprodhohet brenda vendeve në zhvillim: një pjesë e popullsisë punon në sipërmarrje dhe në ekonominë e shlokalizuar, ndërsa pjesa më e madhe e saj bie jo thjesht në varfëri, por në mjerim.
Financiarizimi u dikton këtyre vendeve një “akumulim fillestar” të përshpejtuar. Ato duhet të industrializohen, të “modernizohen, duke ribërë në disa vite atë që vendet e veriut e kanë realizuar në shekuj. Akumulimi fillestar shkatërron në mënyrë çmendurisht të shpejtë jetët e qenieve njerëzore e atyre jonjerëzore, si dhe i tjetërson marrëdhëniet e tyre duke krijuar kushtet për shfaqjen e përbindëshave të ndryshëm.
Risia e globalizmit bashkëkohor qëndron në faktin se shpërndarja qendër/periferi aplikohet edhe brenda vendeve të Veriut: me ishuj pune të sigurt, me pagë të mirë, të njohur e të garantuar nga të drejtat dhe kodet (të cilat, sidoqoftë, po ngushtohen çdo ditë e më shumë), të rrethuara nga oqeani i punëve të papaguara apo të lira, pa të drejta e pa mbrojtje shoqërore (prekariati, gratë, emigrantët). Makina “qendër/periferi” nuk është zhdukur. Ajo jo vetëm ka marrë formën neokolonaiale, por është futur gjithashtu në ekonomitë perëndimore.
Të analizosh organizimin e punës duke u nisur nga general intellect-i, nga puna konjitive, neuronale, e me radhë, do të thotë të nisesh nga një këndvështrim eurocentrik – një prej mangësive më të mëdha të marksizmit perëndimor i cili vazhdon të riprodhohet e palëkundur. Vendet e periferisë nuk kontrollohen apo komandohen vetëm nga financa, por edhe nga monopoli i teknikës dhe shkencës, të cilat janë krejtësisht në duart e oligopoleve (e drejta u ka vënë në dispozicion edhe armën e “pronës intelektuale”). Cilado qoftë fuqia e teknikë dhe e shkencës, bëhet fjalë sidoqoftë për dispozitivë të cilët funksionojnë brenda një makine politike. Kapitalizmi që po na qeveris, thënë me një formulë, është një high-tech i shekullit XIX, me elementë të darvinizmit social; pa dyshim një “kapitalizëm i platformave”, numerik, i dijes etj. Është makina e kapitalit ajo që dikton centralizimin, financiarizimin dhe globalizimin, jo shkenca dhe as teknika.
Luftëra të sigurta! Po revolucionet?
Kriza e dytë e gjatë, sikurse e para, hap një epokë të re luftërash dhe revolucionesh.
Lufta ka ndryshuar natyrë. Ajo nuk bëhet më mes imperializmave kombëtarë si në pjesën e parë të shekullit XX. Rezultati i krizës së gjatë nuk është Perandoria e Negri-t dhe Hardt-it, një hipotezë kjo e hedhur poshtë gjerësisht prej fakteve, por një formë e re e imperializmit, që Samir Amin-i e quan “imperializëm kolektiv”. Imperializmi i ri, i përbërë nga SHBA, Evropa dhe Japonia, i drejtuar nga e para, nga njëra anë administron konfliktet e brendshme që lidhen me ndarjen e rentës dhe zhvillon pa reshtur luftëra sociale ndaj klasave të nënrenditura të veriut në mënyrë që t’i zhveshë ato nga gjithçka që ka qenë i detyruar t’u japë gjatë shekullit XX, ndërsa nga ana tjetër organizon luftëra të mirëfillta kundër jugut të botës për kontrollin ekskluziv të burimeve natyrore, lëndëve të para, punës falë apo të lirë, apo thjesht për të vënë kontrollin e vet dhe një aparteid të përgjithshëm.
Shtetet që nuk bëjnë ndërhyrjet e nevojshme strukturore për të mundësuar plaçkitjen e tyre do të shtypen nga tregjet dhe nga borxhet ose do të shpallen “fundërrina” nga gentelmen-ë si presidentët amerikanë, të cilët kanë një numër të frikshëm të vrarësh në ndërgjegjen e tyre. Në fillim të epidemisë, neoliberalët amerikanë dhe anglezë janë përpjekur të shkojnë përtej luftës sociale kundër klasave të nënrenditura, duke e shndërruar këtë luftë, falë virusit, në eliminim maltusian të më të dobtëve. Përgjigjja liberiste kundër pandemisë, përpara Boris Johnson-it, është artikuluar në mënyrë të qartë nga Rick Santelli, analist i televizionit të lajme ekonomike CNBC: “T’ia injektojmë patogjenin të gjithë popullsisë. Kjo thjesht do të përshpejtonte përhapjen në mënyrë të pashmangshme, por tregjet do të stabilizoheshin.” Kjo është ajo që mendojnë me të vërtetë. Sikur kushtet të ishin më të favorshme, nuk do të nguronin asnjë çast të vinin në jetë “imunitetin e turmës”.
Këta gentelmen-ë, të shtyrë nga interesat e financës, janë të obsesionuar nga Kina. Jo për motivet që i thonë opinionit publik. Ajo që i merakos nuk është konkurrenca industriale apo tregtare, por fakti që Kina, e vemja fuqi e madhe ekonomike, ka integruar organizimin botëror të prodhimit dhe të shkëmbimit, por refuzon të futet në qarqet e peshkaqenëve të financës. Bankat, kursi i këmbimit, bursat dhe lëvizja e kapitaleve janë nën kontrollin e Partisë Komuniste Kineze. Arma më e tmerrshme e kapitalit, e cila thith vlerë dhe pasuri në çdo cep të shoqërisë dhe botës, nuk funksionon me Kinën. Oligopolet e mëdha e kanë të pamundur të kontrollojnë prodhimin dhe sistemin politik dhe e kanë të pamundur t’i shkatërrojnë ekonomitë, siç kanë bërë me vendet e tjera aziatike në kapërcyell të shekullit, kur ato nuk respektonin urdhrat e diktuara nga institucionet ndërkombëtare të kapitalit. Në këtë rast mund të rrekeshin të hapnin një konflikt. Mirëpo duke parë çalimin dhe paaftësinë e qeverive të shteteve imperialiste në menaxhimin e krizës shëndetësore, duhet të mendohen dy herë. Parë nga Lindja, ata mbeten sidoqoftë “tigra prej letre”. Për të qenë të qartë: Kina nuk është një vend socialist, por nuk është as vend kapitalist në kuptimin klasik, e aq me pak neoliberal, siç mendojnë mjaft të pamend.
Gjendja e jashtëzakonshme
Ajo që Agamben-i dhe Esposito-ja, në vazhdën e Foucault-së, duket sikur nuk duan të marrin në konsideratë është fakti se biopolitika, nëse ka ekzistuar ndonjëherë, tani është thellësisht e varur nga Kapitali; vazhdimi i përdorimit të këtij koncepti nuk duket sikur ka shumë kuptim. Është e vështirë të themi diçka mbi aktualitetin pa një analizë të kapitalizmit i cili e ka gllabëruar plotësisht shtetin. Aleanca mes Kapitalit dhe Shtetit, e cila funksionon që me pushtimin e Amerikave, në shekullin XX ka pësuar një ndryshim radikal, për të cilin vetë Carl Schmitt-i është plotësisht dhe malinkonisht i vetëdijshëm: ky është fundi i shtetit siç e kishte njohur Evropa duke nisur nga shekulli XVII sepse autonomia e tij ka shkuar duke u reduktuar dhe strukturat e tij, mes të cilave edhe të ashtuquajturat biopolitika, janë shndërruar në artikulime të makinës së kapitalit. Mendimtarët e Italian Thought-it kanë bërë të njëjtin gabim si Foucault-ja, i cili më 1979 – (ta bësh të njëjtin gabim dyzet vjet më vonë është e pafalshme), një vit strategjik për kapitalin (Banka Federale amerikane inauguron politikën e borxhit në shkallë të gjerë) – pohon se prodhimi i “pasurisë dhe varfërisë” është një problem i shekullit XIX. Çështja e vërtetë na qenka “pushteti i tepërt”. Po i kujt? Nuk kuptohet. I Shtetit? Biopushtetit? I dispozitivëve të qeverisshmërisë? Ndërkohë pikërisht në atë vit përvijohet një strategji tërësisht e bazuar mbi prodhimin e dallimeve të çmendura mes të pasurve e të varfërve, të pabarazive të stërmëdha në pronë dhe të ardhura. Këtu “pushteti i tepërt” është ai i kapitalit i cili, po të duam të përdorim kategoritë e tyre të vjetra e të lodhura, është “sovrani” që vendos mbi jetën dhe vdekjen e miliarda personave , mbi luftën dhe emergjencat shëndetësore.
Edhe gjendja e jashtëzakonshme është edukuar nga makina e fitimit. Aq e vërtetë është kjo, saqë bashkëjeton me shtetin e së drejtës dhe të dyja janë në shërbim të makinës së fitim. E kapur nga interesat e një prodhimi mallrash vulgar, ajo është borgjezuar dhe nuk ka më kuptimin që i vishte Schmitt-i! Me humbjen e aftësisë së saj të lartë e kërcënuese “për të vendosur” mbi një fund tragjik apo një fillim të ri, gjendja e jashtëzakonshme është shndërruar në një instrument të thjeshtë të rendit publik!
Përfundime enigmatike
Në takim me fundin e “Belle époque”-ës së parë, komunistët kanë ardhur të armatosur me një bagazh konceptual pararojë, me një nivel organizimi që i ka rezistuar edhe tradhtisë së socialdemokracisë që ishte pro luftës, me një diskutim mbi raportin mes kapitalizmit dhe klasës punëtore, me një revolucion rezultatet e të cilit kanë tronditur, për të parën herë, kapitalistët dhe shtetin. Pas dështimit të revolucioneve evropiane, ata e kanë zhvendosur qendrën e veprimeve të tyre ne lindje, në vendet dhe “popujt e shtypur”, duke nisur ciklin e luftërave dhe revolucioneve më të rëndësishme të shekullit XX: prishjen e makinës kapitaliste, e organizuar pas vitit 1942 mbi ndarjen mes qendrës dhe kolonive, punës abstrakte dhe punës së papaguar, mes prodhimit mançesterian dhe plaçkitjes koloniale. Procesi revolucionar i zhvilluar në Kinë dhe në Vietnam ka qenë nxitje për të gjithë Afrikën, Amerikën Latine dhe të gjithë “popujt e shtypur”.
Shumë shpejt, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, ky model hyn në krizë. E kemi kritikuar shumë ashpër e me të drejtë, por pa qenë në gjendje të propozonim asgjë të ngjashme. Duhet thënë shumë qartë se kemi mbërritur në fundin e “Belle époque”-ës së dytë, pra në “epokën e luftërave dhe revolucioneve”, tërësisht të çarmatosur, pa koncepte të përshtatshme ndaj zhvillimit të pushtetit të kapitalit dhe me një nivel organizimi politik inekzistent. Por mos u frikësoni! Historia nuk ecën në mënyrë lineare. Siç thoshte Lenini: “Ka dekada kur nuk ndodh asgjë dhe ka javë në të cilat ndodhin dekada.” Sidoqoftë duhet t’ia nisim përsëri sepse me fundin e pandemisë do të shpërthejnë përplasje shumë të ashpra klasore. Duke nisur nga ajo që është artikuluar nga ciklet e luftërave të 2011 dhe 2019-20, të cilat vazhdojnë të ruajnë disa dallime domethënëse mes veriut dhe jugut. Nuk ka asnjë mundësi rimëkëmbjeje politike nëse qëndrojmë mbyllur brenda Evropës. Duhet të kuptojmë pse ka ndodhur eklipsi i revolucionit që na ka lënë pa asnjë perspektivë strategjike dhe të rimendojmë se çdo të përbënte thyerje politike me kapitalizmin sot. Duhet të kritikojmë limitet, shumë të dukshme, të kategorive që na pamundësojnë kuptimin e luftës së klasave në nivel botëror. Duhet të mos e braktisim këtë kategori dhe të organizojmë, nga ana tjetër, kalimin teorik e praktik nga lufta e klasave në luftërat e klasave në shumës. Me këtë pohim enigmatik po e mbyll.
29 mars 2020
Shënime:
- Oligopolet janë “të financiarizuar”, çka nuk do të thotë se një grup oligopolist përbëhet thjesht prej fondesh financiare, sigurimesh apo pensionesh që operojnë në tregje spekulative. Oligopolet janë grupe që kontrollojnë si institucionet e mëdha financiare, bankat, fondet e sigurimeve dhe të pensioneve, ashtu edhe grupet e mëdha prodhuese. Ata kontrollojnë tregjet monetare e financiare të cilat zënë një pozicion mbisundues mbi të gjitha tregjet e tjera.
- Internimi është sigurisht një prej teknikave biopolitike (menaxhimi i popullsisë nëpërmjet statistikave, përjashtimit dhe individualizimit të kontrollit i cili futet në detajet më të imëta të ekzistencës etj.), mirëpo këto teknika nuk kanë një logjikë të vetën, por janë, së paku nga mesi i shekullit XIX e këtej, që kur lëvizja punëtore ka qenë në gjendje të organizohet, objekt i luftës mes klasave (marrja nga ana e shtetit e praktikave punëtore të “ndihmës së ndërsjelltë”). Welfare-i i shekullit XX ka qenë një hapësirë përplasjesh dhe negociatash mes kapitalit dhe punës, një instrument thelbësor për të kundërshtuar revolucionet e shekullit të kaluar dhe për të integruar institucionet e lëvizjes punëtore, e më pas ato të luftërave të grave, etj. Welfare-i bashkëkohor – me kalimin e raportit të forcave, sikundër ndodh sot, në favor të kapitalit – është shndërruar në një sektor investimesh dhe menaxhimi si çdo industri tjetër, duke ua aplikuar logjikën e fitimit sektorëve të shëndetësisë, arsimit, pensioneve etj. Edhe kur shteti bashkëkohor ndërhyn, si në rastin e kësaj krize, e bën sipas një këndvështrimi klasor, pra për të shpëtuar makinën e pushtetit, pjesë e të cilit është. Nuk jetojmë në një shoqëri biopolitike (R. Esposito), por hiperkapitalsite.
E përktheu Alfred Bushi
Marrë nga Derive Approdi
Imazhi: Mladen Luketin
Faliminderit per informimin e vazhdueshem.