Pandemia është portë

/Arundhati Roy/

Kush mund të thotë “po bëhet virale” pa u dridhur pak?! Kush mund të shohë diçka – një dorezë dere, kuti kartoni apo qese me perime – pa e imagjinuar plot me ato pikëza të padukshme, të pavdekshme e të pagjalla, me elementë thithës që presin të të ngulen në mushkëri?!

Kujt mund t’i shkojë mendja të puthë një të panjohur, të hipë në autobus apo t’i çojë fëmijët në shkollë pa pasur frikë?! Kush, mes nesh, nuk është bërë një farë epidemiologu, virologu, statisticieni a profeti sharlatan?! Cili shkencëtar a doktor nuk po lutet në fshehtësi për një mrekulli?! Cili prift – së paku në fshehtësi – nuk po ul kryet përpara shkencës?!

Ndonëse virusi po përhapet, kush nuk po emocionohet nga shtimi i këngëve të zogjve në qytete, kërcimi i pallonjve në kryqëzime dhe qetësia e qiellit?!

Këtë javë numri i të infektuarve në botë e kapërceu 1-milionëshin. Kanë vdekur më shumë se 50.000 vetë. Projeksionet tregojnë se mund të bëhen qindra mijëra, në mos më shumë. Virusi ka lëvizur lirisht nëpër autostradat e tregtisë dhe kapitalit ndërkombëtar, kurse sëmundja e tmerrshme që ka sjellë me vete i ka mbyllur njerëzit në vendet, qytetet dhe shtëpitë e tyre.

Po ndryshe nga rrjedha e kapitalit, ky virus kërkon përhapje, jo fitim dhe, kësisoj, pa dashje, ka prapësuar disi drejtimin e rrjedhës. Ai është tallur me sistemin e kontrollit të imigrantëve, biometrizmin dhe mbikëqyrjen digjitale, të gjitha llojet e analizës së të dhënave dhe – deri më sot – ka goditur më fort vendet më të pasura e të fuqishme të botës, duke ndalur motorin e kapitalizmit. Ndoshta për pak kohë, por aq sa majfton që ne të shqyrtojmë pjesët e tij, të vlerësojmë e të vendosim nëse duam ta ndihmojmë të rregullohet apo të kërkojmë motor tjetër.

Mandarinët që po menaxhojnë këtë pandemi kanë qejf të flasin për luftë. Fjalën luftë nuk e përdorin si metaforë, por e kanë me gjithë mend. Po nëse është vërtet luftë, kush do të ishte më e përgatitur se SHBA?! Sikur ushtarët në front të mos kishin nevojë për maska e doreza – por për armë, bomba inteligjente, shkatërrues bunkerësh, nëndetëse, avionë luftarakë dhe bomba bërthamore – a do të kishte mungesa?!

Natë pas nate, gjysma e botës ndjek konferencat e shtypit të guvernatorit të Nju Jorkut me një magjepsje që zor se shpjegohet. Ndjekim statistikat dhe rrëfimet për spitalet e mbingarkuara në SHBA, për infermieret e nënpaguara e të stërmunduara që u duhet të sajojnë maska nga astarët e koshave të plehrave dhe mushamatë e vjetra, duke rrezikuar gjithçka për t’u ardhur në ndihmë të sëmurëve; se si shtetet po detyrohen të konkurrojnë me njëra-tjetrën për ventilatorë dhe dilemat e doktorëve se cili pacient duhet ta përdorë e kush duhet lënë të vdesë. Dhe themi me vete: “O zot, kjo është Amerika!”

***

Tragjedia është e drejtpërdrejtë, reale, epike dhe po shpaloset përpara syve tanë. Po nuk është e re. Është shkatërrimi i një treni që prej vitesh po anonte nëpër shina. Kujt nuk i kujtohen videot e “flakjes së pacientëve” – të sëmurë, ende me veshje spitalore, më prapanicë të zbuluar, që flaken në fshehtësi në cepa rrugësh?! Dyert e spitalit kanë qenë shpesh herë të mbyllura për qytetarët më pak fatlumë të SHBA. Nuk ka pasur rëndësi sa të sëmurë kanë qenë apo sa kanë vuajtur.

Së paku jo deri tani – sepse tani, në epokën e virusit, sëmundja e një të varfri mund të ndikojë shëndetin e një shoqërie të pasur. Prapëseprapë, edhe tani Berni Sanders-i, senatori që ka bërë fushatë të pandalshme për shërbim shëndetësor për të gjithë, konsiderohet specie e çuditshme, edhe nga partia e vet, në garën për Shtëpinë e Bardhë.

Po vendi im, e varfra dhe e pasura Indi, që rri pezull midis feudalizmit dhe fundamentalizmit fetar, kastave dhe kapitalizmit, e qeverisur nga nacionalistët hindu të së djathtës ekstreme?

Në dhjetor, kur Kina po luftonte shpërthimin e virusit në Vuhan, qeveria e Indisë ishte e zënë me një kryengritje masive të qindra mijëra qytetarëve të saj që po protestonin kundër një ligji shtetësie, të pacipë e diskriminues ndaj myslimanëve, që sapo e kishte miratuar në parlament.

Rasti i parë i Covid-19 në Indi u raportua më 30 janar, vetëm pak ditë pasi i ftuari i nderit kryesor i paradës së Ditës së Republikës, ngrënësi i pyjeve të Amazonës dhe mohuesi i Covid-it Jair Bolsonaro, kishte lënë Dehlin. Në shkurt agjenda e partisë në pushtet ishte tejet e zënë për t’u marrë me virusin. Përgatitej për vizitën zyrtare të presidentit Donald Trump në javën e fundit të muajit. Ai ishte mikluar nga premtimi i një audience prej 1 milionë vetësh në stadiumin e shtetit të Gujaratit. Gjithë ky proces lypte para dhe shumë kohë.

Pastaj ishte radha e zgjedhjeve të asamblesë së Dehlit, të cilat Partia Bharatiya Janata (BJP) do t’i humbte sikur të mos shumëfishonte përpjekjet – gjë që ndodhi – duke nisur një fushatë të ligë nacionalizmi ekstrem hindu, plot me kërcënime për dhunë dhe pushkatim të “tradhtarëve”.

E prapëseprapë humbi. Kështu që hakmarrja duhej të binte mbi myslimanët e Dehlit, të cilët u fajësuan për humbjen turpëruese. Banda të armatosura militantësh hindu, të mbështetura nga policia, sulmuan myslimanët në lagjet punëtore të veri-lindjes së Dehlit. U dogjën shtëpi, dyqane, xhami e shkolla. Në pritje të sulmit, myslimanët kundërsulmuan. U vranë mbi 50 vetë, myslimanë dhe disa hindu.

Me mijëra vetë u zhvendosën në kampe refugjatësh në varrezat lokale. Kur zyrtarët qeveritarë mbajtën takimin e parë rreth Covid-19 dhe shumica e indianëve mësoi për ekzistencën e dezinfektuesit të duarve, nga kanalet e qelbura të ujërave të zeza ende nxirreshin trupa të sakatuar.

Edhe në mars ishin të zënë. Dy javët e para u morën me përmbysjen e qeverisë së Partisë së Kongresit në shtetin e Indisë qendrore të Madhya Pradesh-it dhe zëvendësimin e saj me qeverinë e BJP. Më 11 mars Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli pandeminë e Covid-19. Dy ditë më pas, më 12 mars, Ministria e Shëndetësisë u shpreh se korona “nuk përbënte emergjencë shëndetësore”.

Më në fund, më 19 mars, kryeministri indian iu drejtua kombit. Nuk i kishte bërë detyrat. Kopjoi detyrat e Francës dhe Italisë. Na tregoi nevojën e “distancimit social” (e kuptueshme kollaj në një shoqëri të zhytur në përvojën e ndarjes së kastave) dhe e shpalli 22 marsin ditë të “shtetrrethimit të popullit”. Nuk përmendi se ç’do të bënte qeveria për të përballuar krizën, por u kërkoi njerëzve të dilnin në ballkone, t’u binin zileve e tenxhereve për të përshëndetur punonjësit e shëndetësisë.

Ai nuk e përmendi fakti se, deri në atë moment, India ishte duke eksportuar maska mbrojtëse dhe pajisje respiratore, në vend që t’i ruante për punonjësit shëndetësorë dhe spitalet indiane.

S’është për t’u habitur që kërkesa e Narendra Modi-t u prit me entuziazëm të madh. Pati marshime duke u rënë tenxhereve, vallëzime dhe kortezhe komunitare. Hiç fare distancim social. Në ditët pasuese, burrat hidheshin në fuçi bajge lopësh të shenjta dhe mbështetësit e BJP organizuan festa ku pihej urinë lope. Për të mos mbetur pas, shumë organizata myslimane shpallën se përgjigjja për virusin gjendej tek i Plotfuqishmi dhe u bënë thirrje besimtarëve të mblidheshin masivisht në xhami.

***

Në orën 8 të mbrëmjes së 24 marsit Modi u shfaq sërish në televizion për të shpallur se, prej mesnatës e tutje, e gjithë India do të mbyllej në shtëpi. Do të mbylleshin tregjet.

Nuk do të lejohej transporti, publik e privat. Ai tha se këtë vendim nuk po e merrte thjesht si kryeministër, por edhe si kryefamiljari ynë. Kush tjetër mund të vendoste, pa u këshilluar me qeveritë e shteteve që do të duhet të merren me pasojat e këtij vendimi, që një komb prej 1.38 miliardë njerëzish të mbyllej pa asnjë përgatitje paraprake katër orë pas njoftimit?! Metodat e përdorura tregojnë se kryeministri indian i mendon qytetarët e vet si një forcë armiqësore që duhet zënë në pritë, kapur në befasi dhe nuk i duhet zënë besë kurrë.

Kështu që u mbyllëm në shtëpi. Shumë profesionistë të shëndetit dhe epidemiologë e kanë duartrokitur këtë lëvizje. Ndoshta kanë të drejtë në teori. Po me siguri asnjëri syresh nuk mund të mbështesë mungesën ulëritëse të planit dhe përgatitjes që e ktheu mbylljen më të madhe dhe ndëshkimore në botë në të kundërtën e asaj që kishte për synim të arrinte.

Njeriu që dashuron spektaklet krijoi kryespektaklin.

Në sytë e një bote të tmerruar, India e shfaqi veten për turpin më të madh: pabarazinë e saj brutale strukturore, shoqërore dhe ekonomike, si dhe indiferencën e pashpirt ndaj vuajtjes.

Mbyllja funksionoi si një eksperiment kimik që papritmas hodhi dritë mbi shumëçka të fshehur. Ndërsa dyqanet, restorantet, fabrikat e industria e ndërtimit u mbyllën dhe të pasurit e klasa e mesme u gardhua në kolonitë e tyre me mure të larta, qytetet dhe megalopolet tona të mëdha nisën të nxjerrin jashtë qytetarët e tyre të klasës punëtore – punëtorët e tyre migrantë – si të ishin teprica të panevojshme.

Shumë syresh të flakur në rrugë nga punëdhënësit dhe pronarët e tokave, miliona njerëz të varfëruar, të uritur, të etur, të rinj e të vjetër, burra, gra, fëmijë, të sëmurë, të verbër, me handikape, pa pasur ku të përplasin kokën, pa transport publik, nisën një marshim të gjatë drejt fshatrave të tyre të origjinës. Ecën me ditë të tëra drejt Badaun-it, Agra-s, Azamgarh-it, Aligarh-it, Lucknow-t, Gorakhpur-it – qindra kilometra larg. Disa vdiqën rrugës.

E dinin se duke u kthyer në shtëpi po shkonin drejt një vdekjeje të ngadaltë nga uria. Ndoshta e dinin se mund të ishin bartës të virusit dhe mund të infektonin familjet e tyre, prindërit e gjyshërit, por u nevojitej dëshpërimisht një dozë familjariteti, strehe e dinjiteti, ushqimi, pse jo edhe dashurie.

Rrugës disa syresh u rrahën brutalisht dhe u turpëruan nga policët, të cilët kishin marrë urdhër ta zbatonin me rreptësi shtetrrethimin. Të rinjtë u detyruan të kruspullohen dhe të rrinin galiç në autostradë. Jashtë qytetit të Bareilly-t i mblodhën disa vetë dhe i spërkatën me kimikate.

Disa ditë më vonë qeveria, e shqetësuar se popullata në arrati do ta përhapte virusin në fshatra, i mbylli kufijtë e shteteve edhe për këmbësorët. Njerëzit që kishin ditë që ecnin u ndalën dhe u detyruan të ktheheshin në kampet e qyteteve nga ku sapo ishin shtrënguar të largoheshin.

Të vjetërve iu kujtua transferimi i popullsisë më 1947, kur India u nda dhe lindi Pakistani. Këta ishin njerëz që (së paku deri tani) kishin punë në qytet dhe shtëpi se ku të ktheheshin. Të papunët, të pastrehët dhe të dëshpëruarit mbetën në vend, në qytete e fshatra, ku vuajtja ishte në rritje shumë më parë se t’ia behte kjo tragjedi. Gjatë gjithë këtyre ditëve të tmerrshme, ministri i Punëve të Brendshme Amit Shah iu fsheh publikut.

Kur nisi shtegtimi në Dehli, unë përdora një letërnjoftim shtypi të marrë nga një revistë për të cilën shkruaj herë pas here, që të udhëtoja drejt Ghazipur-it, në kufirin midis Dehli-t dhe Uttar Pradesh-it.

Pashë një skenë biblike. Ose mbase jo. Bibla nuk mund të njihte të tilla përmasa njerëzore. Mbyllja që duhej të sillte distancimin fizik kishte rezultuar në të kundërtën – ngjeshje fizike të një shkalle të paimagjinueshme. Kjo është e vërtetë edhe brenda qytezave e qyteteve të Indisë. Rrugët kryesore mund të ishin të zbrazëta, por të varfrit ishin mbyllur në lagje barakash me dendësi të lartë.

Secili prej shtegtarëve me të cilët fola ishte i shqetësuar nga virusi. Po ai ishte më pak real dhe i pranishëm në jetën e tyre krahasuar me kanosjen e papunësisë, vdekjes nga uria dhe dhunës policore. Nga të gjithë njerëzit me të cilët fola atë ditë, përshirë një grup rrobaqepësish myslimanë të cilët vetëm pak javë më parë u kishin mbijetuar sulmeve kundër myslimanëve, në mënyrë të veçantë më shqetësuan fjalët e një burri. Ishte një marangoz i quajtur Ramjeet, i cili planifikonte të ecte në këmbë deri në Gorakhpur, afër kufirit me Nepalin.

“Ndoshta kur Modi mori këtë vendim, askush nuk i kishte treguar për ne. Ndoshta ai nuk e njeh fatin tonë.” – më tha.

“Ne”-ja nënkupton mesatarisht 460 milionë njerëz.

***

Qeveritë e shteteve në Indi (njëlloj si në SHBA) kanë treguar më shumë ndjeshmëri dhe mirëkuptim gjatë krizës. Sindikatat, qytetarët dhe të tjerë kolektivë po shpërndajnë racione ushqimore dhe emergjencash të tjera. Qeveria qendrore është treguar e avashtë për t’iu përgjigjur apeleve të tyre të dëshpëruara për fonde. Rezulton se Fondi i Ndihmës kombëtare të kryeministrit nuk ka para të gatshme. Në vend të tij, në një fond të ri disi misterioz të quajtur fondi KM-Kujdes po hyjnë para nga dashamirës. Po shfaqen ushqime të paketuara me fytyrën e stampuar të Modi-t.

Përveç kësaj, kryeministri postoi video të joga nidrës së tij, ku një Modi i animuar me një trup ëndrrash bënte ushtrime joga asana për të ndihmuar njerëzit të luftonin stresin e vetizolimit.

Narcisizmi është tejet shqetësues. Ndoshta një prej ushtrimeve asana mund të jetë një farë kërkese që Modi i drejton kryeministrit francez për të na lejuar të tërhiqemi nga marrëveshja tejet problematike e blerjes së avionëve luftarakë, që t’i përdornim ato 7.8 miliardë dollarë për masa emergjence tejet të nevojshme në mbështetjen e disa milionë të uriturve. Me siguri francezët do të na kuptojnë.

Ndërsa mbyllja hyri në javën e saj të dytë, zinxhiri i furnizimeve është këputur, ilaçet dhe të tjera të mira bazike po mbarojnë. Mijëra shoferë kamionësh kanë ngecur në autostrada, me pak ushqim e ujë. Shumë produkte bujqësore, gati për t’u korrur, po kalben dalëngadalë.

Ia ka behur kriza ekonomike. Kriza politike vazhdon. Media kryesore e ka përzier historinë e Covid-it me fushatën helmatisëse 24-orëshe kundër myslimanëve. Një organizatë e quajtur Tablighi Jamaat, që mbajti një takim në Dehli përpara se të shpallej mbyllja, rezulton të ketë kontribuuar mjaft në përhapjen e virusit. Kjo po përdoret për të damkosur dhe demonizuar myslimanët. Ideja mbisunduese është se virusin e kanë shpikur myslimanët dhe e kanë përhapur qëllimisht si një formë xhihadi.

Kriza e Covid-it pritet të vijë. Ose jo. Kushedi. Nëse dhe kur të vijë, me siguri që do të përballohet në kushtet e paragjykimeve mbizotëruese fetare, kastore dhe klasore.

Sot (2 prill) në Indi ka thuajse 2000 raste të konfirmuara dhe 58 të vdekur. Afërmendsh këto janë shifra të pabesueshme, të bazuara në fare pak tekste. Opinioni i ekspertëve është shumë i larmishëm. Disa parashikojnë miliona raste. Të tjerët mendojnë se numri do të jetë shumë më i ulët. Ne nuk mund t’i njohim asnjëherë përmasat e vërteta të krizës, edhe kur të na godasë. Ajo që dimë është se dyndja në spitale nuk ka filluar akoma.

Spitalet dhe klinikat publike të Indisë – të cilat nuk ia dalin dot të shpëtojnë thuajse 1 milion fëmijë që vdesin çdo vit nga diarreja, kequshqyerja dhe të tjera sëmundje, as të përballojnë qindra mijëra pacientët me tuberkuloz (çereku i rasteve në botë) dhe kanë te dera një popullsi të gjerë anemike e të kequshqyer, që edhe sëmundje të lehta mund t’u shkaktojnë vdekjen – nuk mund ta përballojnë një krizë si kjo që po ndodh në Evropë dhe SHBA.

Çdo trajtë kujdesi shëndetësor ka ngrirë, ndërsa spitalet po kthehen në qendra të trajtimit të virusit. Qendra e traumës e legjendarit Institut i Shkencave Mjekësore të Gjithë Indisë është mbyllur dhe qindra pacientët me kancer – të njohur si refugjatët e kancerit, që jetojnë në rrugët jashtë këtij spitali të madh – janë dëbuar si të ishin bagëti.

Njerëzia do të sëmuret dhe vdesë në shtëpi. Kurrë nuk mund t’i marrim vesh historitë e tyre. Mund të mos hyjnë as në statistika. Na mbetet vetëm të shpresojmë për saktësinë e studimeve që pretendojnë se virusi ka për zemër motin e ftohtë (ndonëse të tjerë shkencëtarë janë skeptikë për këtë). Kurrë më parë nuk është dëshiruar kaq shumë e iracionalisht vera përvëluese dhe ndëshkuese indiane.

Ç’na gjeti kështu? Po, është virus. Në këtë trajtë nuk ka ndonjë dimension moral. Po, me siguri, është më shumë se një virus. Ca besojnë se është zoti që po na kërkon t’i thërrasim mendjes. Të tjerë se është një konspiracion kinez për të sunduar botën.

Çfarëdo qoftë, koronavirusi ka gjunjëzuar të pushtetshmit dhe ka ndalur botën si askush tjetër. Po na vjen mendja vërdallë, ndërsa mezi presim kthimin në “normalitet”, duke u orvatur ta ngjisim të ardhmen pas të shkuarës sonë dhe refuzuar të vetëdijesohemi për thyerjen që ka ndodhur. Po thyerja ekziston. Dhe në mes të këtij dëshpërimi të tmerrshëm, ajo na jep mundësinë të rimendojmë makinën e kiametit që kemi ndërtuar për veten. Nuk do të kishte gjë më të keqe se kthimi në normalitet.

Historikisht pandemitë i kanë detyruar njerëzit të ndahen nga e shkuara dhe ta imagjinojnë nga e para botën e tyre. As kjo pandemi nuk është ndryshe. Ajo është një portë, një hyrje midis një bote dhe tjetrës.  

Ne mund të zgjedhim të futemi brenda saj, duke tërhequr zvarrë kërmat e paragjykimeve dhe urrejtjeve tona, e koprracisë sonë, e kontove bankare dhe ideve tona të vdekura, e lumenjve të vdekur dhe qiejve plot tym. Ose mund të futemi lehtas, me pak valixhe, gati për të imagjinuar një botë të re. Dhe të gatshëm për të luftuar për të. 

E përktheu Arlind Qori

Marrë nga gazeta Financial Times

Imazhi: Revista Time

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.