- Projektet e të gjitha natyrave, si burim i ardhshëm (i mundshëm) financimi për rritje fondesh, nuk ngrenë sot për sot peshë dhe nuk ka gjasa se në një periudhë afatshkurtër do të ngrenë peshë për shkak të krizës rajonale në përgjithësi dhe të asaj shqiptare në veçanti. Nuk e di se cili biznes do financojë një kërkim timin shkencor për myshqet, apo cili biznes do financojë një projekt shkencor që kritikon ekonominë e tregut, për shembull?!
- Në draft thuhet qartë se kjo kosto duhet të merret përsipër nga studentët dhe se shteti do t’i ndihmojë ata duke hyrë garant për kredi tek bankat, një përvojë kjo e njohur në vende të zhvilluara. Kreditë studentore, përveç barrës moraleqë i vendosin studentit të sapodiplomuar mbi supe (borxhli që 5-10 vitet e para të punës do shlyejë borxhin), në vendet ku janë aplikuar po hasin në probleme të shumta. Në Amerikë mosshlyerja e borxhit studentor kapërcen borxhin e kartave të kreditit. Në Britaninë e Madhe borxhi studentor i pashlyer është momentalisht në shifrën 40%. Kjo për shkak të papunësisë, pasojë e krizës ekonomike.
Rreth draftreformës në arsimin e lartë
/Jani Marka/
Fjalë e mbajtur gjatë diskutimit në Fakultetin e Shkencave të Natyrës
Situata në të cilën gjendemi është emergjente, pasi na është paraqitur një draft për reformimin e arsimit të lartë dhe koha e lënë është shumë e shkurtër. Kjo na detyron që të merremi posaçërisht me draftin.
Do përqendrohem në tre pika: procesi i hartimit të draftit të reformës, metodologjia dhe përmbajtja e draftit.
Natyrisht, meqenëse e kam ndjekur me shumë vëmendje gjithë këtë periudhë, kam përfshirë edhe mendime të autorëve apo institucioneve të tjera.
Procesi i hartimi të reformës
“…Unë besoj që më shumë se sa për paratë, më shumë se sa për mjediset, më shumë se sa për shumë reforma të tjera, shumë të rëndësishme, arsimi shqiptar ka nevojë për liri. Shkolla shqiptare ka nevojë për liri. Universiteti ka nevojë për liri. Në Universitetin publik shqiptar, sidomos, mungon liria. Aty ku mungon liria është pastaj e natyrshme që të ndeshesh me deformime dhe me sëmundje nga më të ndryshmet dhe nga më të rëndat.”.
Këto nuk janë fjalët e mia, por pjesa hyrëse e fjalimit të Z. Edi Rama në tryezën për Rilindjen e Arsimit në nëntor të vitit 2012.
Megjithëse në përgjithësi kryeministri ka të drejtë, ai gabohet kur thotë se liria mungon sidomos tek publiku, përkundrazi liria dhe demokracia mungojnë tërësisht tek privati. A keni dëgjuar ndonjë zë kritik të fortë që të vijë nga privati, ku të kritikojë parimet e kësaj reforme, apo skemën e financimit?
Një ndër synimet madhore të draftit është pavarësimi i plotë i universiteteve publike (megjithëse kjo është kontradiktë në vetvete), dhe në këtë këndvështrim, vetë ky proces reformimi cenon lirinë e pretenduar, autonominë, sepse i gjithë procesi është mbështetur në parime të gatshme të hedhura në tryezë nga politika apo në rastin më të mirë nga komisioni hartues, duke e bërë këtë proces krejt të centralizuar dhe jodemokratik. Komisioni ka punuar mbi parime të gatshme, ndërkohë që në një proces të lirë parimet e reformës do të dilnin nga vetë universiteti, dhe kryesisht prej dy komuniteteve kryesore: trupa pedagogjike dhe studentët.
Metodologjia e draftit
Drafti reflekton varfëri informacioni rreth gjendjes në arsimin e lartë. Në shumë pjesë të tij informacionet dhe faktet ngatërrohen me opinione dhe perceptime dhe nuk ka referenca të qarta se në cilin model arsimor janë mbështetur vlerësimet e dhëna, si dhe referenca për konstatime më të përgjithshme.
Për shembull:
“Premisa e parë për ndryshimin e sistemit tonë universitar, gjithnjë nën këndvështrimin e mundësive financiare që ka aktualisht ky sistem, është pamundësia e shtetit/buxhetit për të financuar dhe mbështetur arsimin e lartë në nivelet që kërkojnë standardet dhe cilësia bashkëkohore.” (Drafti f. 30)
Në draft ka edhe të pavërteta, si për shembull:
“Pagesat e studentëve. Deri tani këto pagesa kanë qenë minimale dhe si të tilla nuk janë bërë një përqindje e konsiderueshme e të ardhurave të universiteteve publike.” (Drafti f. 33)
Përmbajtja e draftit dhe kontradiktat
Në 59 IAL-të (publike e private) drafti orientohet vetëm në problematikën e universiteteve publike, duke lënë pa trajtuar problematikën e universiteteve private në çështje tepër të rëndësishme si: burimet e financimit, organizimi dhe funksionimi, gjendja e tyre financiare sot, raportet e këtyre universiteteve me bizneset e tjera, si dhe çfarë mendohet për të ardhmen e universiteteve që nuk do të jenë fondacione. Nga ana tjetër, meqenëse synimi përfundimtar i kësaj reforme do të jetë shndërrimi i universiteteve publike dhe private në fondacione, nuk bëhet asnjë analizë se si po funksionon ky model në të tria universitetet që janë tashmë fondacione.
Në draft thuhet që do të mbyllet sistemi me kohë të pjesshme, me argumentin e cilësisë së ulët, por a nuk duhej të dilte komisioni me një propozim se çfarë do të bëhet me ato universitete private që kanë cilësi të dobët?!
Në draft në disa raste thuhet edhe se do të ketë në mënyrë të pashmangshme rritje të tarifave, edhe të pavërteta si për shembull: “Pagesat e studentëve. Deri tani këto pagesa kanë qenë minimale dhe si të tilla nuk janë bërë një përqindje e konsiderueshme e të ardhurave të universiteteve publike.”(Drafti f. 33). Ndërsa sot, realisht, tarifat e masterave janë në koston reale të shërbimit që ofrohet. Në draft thuhet që shteti do ndihmojë studentët që e kanë të pamundur të ndjekin universitetin për shkak të pamundësisë financiare, por nuk jepen hollësi se cili është pragu i kësaj pamundësie, kujtojmë këtu që ndihma ekonomike për familjet në nevojë sot është vetëm 6000 lekë në muaj. Bëhet fjalë për këto kategori që do ndihmohen nga shteti, apo edhe më gjerë? Nga një përshtypje e përgjithshme edhe sot një masë mjaft e gjerë e popullsisë (edhe shtresa e mesme?!), pavarësisht se formalisht nuk konsiderohet e varfër, është në vështirësi të mëdha për të përballuar koston e jetesës, ushqim, strehim, shëndet, arsim, kulturë dhe argëtim.
Sot Universiteti i Tiranës rreth 55% e buxhetit aktual të tij i ka nga të ardhurat. Pra, konstatimi në draft se buxheti i shtetit financon 39 milionë euro për universitetet dhe vetë ato krijojnë të ardhura 20 milionë euro nuk qëndron si raport për UT-në. Ky raport është gati i përmbysur, pra, studentët me tarifat e shkollimit mbajnë peshën kryesore në buxhetin universitar, një rast ky aspak i ngjashëm me universitetet homologe publike në rajon.
Në draft parashtrohet se kontributet nga shteti në fondin e kushtëzuar për arsimin lëvizin nga 2.2% në 2.8% e PPB, se kostoja e studentit është 460 euro (nga fondi i pakushtëzuar + fondi i kushtëzuar), se investimi për Arsimin e Lartë lëviz nga 0.4% – 0.6% të PPB-së, se vendet rrotull nesh investojnë për arsimin në tërësi mbi 3.5% të PPB-së dhe për universitetet 1%-3% të PPB-së. Por drafti nuk shprehet nëse qeveria, siç është premtuar në programin elektoral, do të rritë përqindjen e PPB-së për arsimin, për të arritur standardet, qoftë edhe të vendeve të rajonit. Vetë drafti shprehet se në vende si Bullgaria dhe Rumania, kostoja e një studenti në vit shkon nga 1500 deri 2000 euro. Në draft jepet si argument që edhe në vendet perëndimore ka vështirësi, por problemi në Shqipëri qëndron në faktin se vështirësia fillon shumë më herët sesa 1-3%. A nuk duhej që fillimisht të arrihej në këtë përqindje të financimit dhe pastaj të shikohej për mundësi të tjera? Nëse qeveria nuk rrit financimin për arsimin i bie që kostoja të mbulohet kryesisht nga studentët.
Më konkretisht: