Mjerimi i ideologjisë
/Arlind Qori/
Kundërreplikat bëhen interesante kur kundërreplikuesi nuk merret me argumentet, por me vetë replikuesin. Shtypi është plot me furor polemicus, por rëndësia e kauzës së universitetit e përjashton këtë dhe më shtyn ta konsideroj kundërreplikën ndaj shkrimit të Klementin Miles (Ta ngatërrosh reformën me revolucionin, 20.5.2014) si një mundësi të re për të bërë kritikën e ligjërimit ideologjik dhe reformës në arsimin e lartë. Kjo mundësi kanalizohet vetëm në shtyp pasi televizionet kryesore e shmangin si temë, ose në rastin më të keq organizojnë debate koreanoveriore ku ftohen vetëm anëtarët e komisionit të cilët “debatojnë” duke plotësuar njëri-tjetrin.
Replika e z. Mile nis me konsiderimin e kritikës ndaj reformës arsimore (Re(sh)formimi i arsimit të lartë, 13.5.2014) si idealizëm revolucionar, të cilit i vë përballë konkretësinë e reformës arsimore. Kuadri i tij konceptual mbart dy kategori të papajtueshme: revolucionin, si ndryshim themelor dhe i pamundshëm, dhe reformën, si ndryshim i happashapshëm dhe i mundshëm. Kjo dikotomi shpërfaq një prej simptomave kryesore të ideologjisë, së kuptuar jo si përmbajtje teorike në larminë e përmbajtjeve, por si funksion që përmes larmishmërisë së pjesshme përmbajtësore riprodhon të njëjtën logjikë sistemore: simptoma është konsiderimi i historisë si e njëkahshme, ku rrotull saj sillen njerëz vullnetmirë të cilët dallohen vetëm nga entuziazmi i kërcimeve të mëdha dështake dhe pragmatizmi i hapave të vegjël suksesplotë. Puna është se historia dhe marrëdhëniet shoqërore janë më komplekse, dikotomia përparim-regres nuk është natyrore, por pjesë e strategjive të grupeve dhe klasave shoqërore, dhe kahet e ndryshimeve janë më të rëndësishme se ritmi i tyre.
Rrjedhimisht replikuesi e ka të pamundur të pranojë (në mos të kuptojë) se reagimet ndaj tentativave për ta ndryshuar arsimin e lartë mund të kritikohen tërësisht, dhe jo si punë pjesërisht të mira. Teorisë kritike ia do nderi që të mos i përjashtojë konceptimet e papajtueshme me ato të reformës dhe të situatave të ardhshme të parrjedhura prej ideologjisë sunduese. Në shkencë e teori nuk ecet vetëm përmes ndryshimeve graduale që vënë nga një tullë në murin paraprak, por edhe prej zhvendosjeve radikale që rithemelojnë sisteme dhe ndërtojnë mure të rinj (kujtoni se ç’ngjau me të ngratin Ptoleme). Po ashtu, konsiderimi i ndryshimeve si të njëkahshme, ku të gjithë përfitojnë dhe pikëmbërritja është e paravendosur, i shkon për shtat vulgatës ideologjike të emisioneve të mbrëmjes që sillet rrotull integrimit dhe reformave standarde.
Nga ana tjetër, bindja e z. Mile se revolucionet janë medoemos utopike s’bazohet kurrkund, pasi historia moderne tregon të kundërtën, pikërisht zhvendosjet e forta politiko-shoqërore, ndryshimin radikal të botëkuptimeve etj. Vetëm për mendjet e lodhura nga të menduarit revolucioni është produkt i një grushti fanatikësh dhe jo i një ontologjie politiko-shoqërore të përshkuar kryekreje nga kontradiktat. Shpeshherë revolucionet nisin si reforma dhe radikalizohen rrugës, ashtu sikundër reformat pa qenë revolucionare hiqen si të tilla.
Po ç’quhet reformë dhe revolucion në arsim? Z. Mile dhe komisionerët e reformës quajnë të tillë një dokument që edhe duke përdorur kriteret e vetë replikuesit del revolucionar. Transformimi i universiteteve nga institucione publike në agjenci tregtare, ndryshimi i modelit të financimit duke futur në lojë diplomoret private dhe ristrukturimi burokratizues i universiteteve janë mirëfilli hope të mëdha përpara në terma ideologjikë, dhe prapa në terma të raportimit me idenë emancipuese të universitetit.
Replikuesi mendon gjithashtu se qëndrimi për një universitet publik si vatër kritike dhe prodhues modelesh alternative zhvillimi, për një universitet joklasor ku të varfërve u mundësohet të kenë zotësinë të arsimohen, është idealizëm utopik. Këtu qëndron mjerimi i ideologjisë aktuale shqiptare, që edhe të drejta të konsideruara bazike deri dje i quan ëndrra në diell. Dikur shihej si ëndërr shkuarja në Mars, emancipimi i fshatarëve përmes operës, i punëtorëve si bashkëpronarë mjetesh prodhimi etj. Sot është ëndërr ndërtimi i një hapësire universitare publike ku studentëve nuk u duhet të kruajnë xhepat, por kokën në studime. S’thoshte kot Fredric Jameson-i se për ideologjinë e sotme më i mundshëm duket pushtimi i Tokës nga alienët sesa ndryshimet e vogla brenda strukturës kapitaliste. Kjo i shtyn ithtarët e status quo-së sistemore drejt pohimit antinomik me paradigmën e tyre: E vetmja mënyrë për ta ndryshuar këtë sistem gjithnjë e më përjashtues është revolucioni!
Gjithsesi e lëmë revolucionin nëpër libra, se edhe kur ndodh nuk ngjan në gotën e arsimit të lartë, por në mbarë shoqërinë, dhe u kthehemi ndryshimeve në arsimin e lartë. Ato nuk mund të vijnë nga pajtimi me situatën, as me ilaç-farmakun e reformës që shpik probleme (si shpërndarja e fondeve në vend të rritjes së tyre apo lufta ndaj burokracisë universitare me hiperburokraci), por nga shkuarja tejpërtej problemeve të universiteteve dhe angazhimi në emër të idesë së universitetit. Ideja e universitetit nuk është abstraksion i krisur, por bazohet në tentativat emancipuese, herë të suksesshme e herë jo, brenda vetë historisë së universitarizmit. Kontradikta midis status quo-së universitare dhe mendimit e angazhimit për transformimin e saj ka prodhuar kaherë idenë e universitetit, si sintezë midis teorisë dhe praktikës. Kësisoj ideja e universitetit nuk është ideal romantik, por rritje e një fare emancipuese që gjendet brenda jetës universitare përmes kritikës dhe përballjes me çdo tentativë mbytëse si nga burokracitë e atrofizuara universitare, ashtu edhe nga klientelizmi qeveritaro-biznesor.
Kjo na çon në çështjen e universiteteve “reale” publike, për të cilat z. Mile vëren se i idealizoj pa u marrë me problematikën e tyre. Puna është se universitetet publike, si bartëse të disa logjikave ndërshtytëse, janë të shumëfishta, dhe lufta për to nuk bëhet në emër të fenomeneve thuajsefeudale, abuzimeve apo fshehjes nga publiku, por në emër të atyre praktikave, qofshin edhe minoritare, që gëlojnë rezistueshëm brenda vetë universitetit publik, si rasti i tryezave të shumta diskutuese të organizuara nga nisma studentore Për universitetin brenda fakulteteve publike, nën vëzhgimin armiqësor të burokracisë universitare. Në emër të këtij universiteti, si farë që duhet rritur për të prodhuar idenë e universitetit, ka kuptim edhe kritika ndaj reformës aktuale.
Do të doja të shihja të tilla bërthama rezistuese edhe në ato private, por organizimi i tyre si garnizon ushtarak, ku interesi i pronarit kushtëzon të menduarit publik, më lë shpresëpakët. S’po insinuoj se z. Mile nuk i mendon ato që shkruan apo se po kërcen si qenushi i radhës pavllovian ndaj sinjaleve të pronarit. Ai mund të jetë autentik në ç’shkruan, mund të mendojë rastësisht njëlloj si pronari, madje mund të ketë qenë ai që e ka ndriçuar pronarin për të mbrojtur flakërisht një reformë të tillë. Ama induksioni pavllovian më shtyn që partikulariteteve t’iu kushtoj më pak vëmendje se rregullsive, dhe ende sot jam në pritje të një punonjësi akademik diplomoresh private që të kritikojë publikisht qëndrimet dhe interesat e pronarit të tij. E kundërta ndodh në universitetet publike, ndonëse pakkund, ku të dalët kundër punëdhënësve dhe qeverisë publikisht nuk vjen thjesht prej heroizmit idealist të një grushti universitarësh, por prej faktit se universitetet publike janë ende terrene ku operojnë një larmi forcash dhe logjikash, ku praktika feudaliste ka përballë formë-praktikën demokratike, ku batakçillëqet privatiste ndërshtyhen me rezistencën dhe alteruniversitetin publik, ku autoritarizmit studentpasivizues i kundërvihet bashkëveprimi pedagogë-studentë, ku urdhri i shefit kufizohet nga vetorganizimi kolektiv etj. koncepte të huaja për agjencitë tregtare. Bash në emër të këtij tensioni bashkëpërcaktues midis formës dhe përmbajtjes merr kuptim mllefi ndaj përfaqësuesve të universiteteve publike në komision, që edhe Jehovain mund të përfaqësojnë, por jo zgjedhësit e tyre kolegë dhe studentë.
Së fundi, z. Mile, si të gjithë riprodhuesit e ideologjisë, i dorëzohet faktit se jemi në kapitalizëm, duke pranuar në thelb pabarazitë e padrejtësitë. Me ç’duket ushqen përfytyrimin se kapitalizmi është një sistem totalizues, i pandryshueshëm, ose i ndryshueshëm vetëm në kuptimin e përkryerjes neoliberale, pa kontradikta dhe mundësi transformimi. Ta mendoje këtë fund historie si Fukuyama motit të shembjes së socializmave realë, edhe kuptohej. Por sot, pas krizës së mbrame të kapitalizmit global, ngjan naive. Edhe nëse e marrim kapitalizmin si kuadër jashtë të cilit nuk mund të dilet, prapëseprapë kjo nuk nënkupton se nuk ka alternativa më sociale dhe më barazimtare brenda tij, përkundër pretendimit neoliberal se marrëdhëniet e tregut duhet të hyjnë kudo, edhe në universitete. Universiteti mund t’i shërbejë ekonomisë (jomedoemos tregut neoliberal) si parashtrues modelesh alternative zhvillimi, ku roli i tregut ridimensionohet, dhe nga ku mund të dalin studentë që nuk mbushin radhët e papunësisë që kërkohet aq fort nga tregu, por të punësuarve të rinj, që bashkë me aftësitë e reja mbartin edhe dimensionin kritik me të cilin do t’i farkëtonte një universitet emancipues. Kjo s’është as elitiste, as e pamundur, megjithëse për t’u realizuar tërësisht kërkon që reformimi ose rithemelimi të përfshijë edhe institucionet politike e strukturën shoqërore. E nëse ndokush lodhet a trembet nga ndryshimet shumëpërmasore, ndryshime të pjesshme mund të nisin nga universitetet publike, ku rezistenca ndaj reformës shkatërrimtare po hap terrenin për diskutime të gjera dhe solidaritet bashkëprodhues të alteruniversitetit, universitetit që nuk mund të rikonceptohet nga kurrkush përpos bashkësisë së universitarëve.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.