Re(sh)formimi i arsimit të lartë
/Arlind Qori/
Jacques Derrida-ja mendonte se konceptet kontradiktore, në fakt, nuk ishin të tilla, pasi në një tjetër regjistër ato e përshkonin njëra-tjetrën, dhe me pak mund kuptimi i tyre mund të shkonte nga njëri krah në tjetrin. Për ta dëftuar, qëmtonte Fedrin e Platonit, ku termi pharmakon shënjonte edhe ilaçin, edhe helmin, çka në shqipe jepet si lojë midis fjalëve farmaci dhe farmak. Kjo dykuptimësi vlen për të kuptuar re(sh)formën në arsimin e lartë, atë që mëton të jetë farmacia, por në të vërtetë është farmaku që do të shembë përfundimisht të drejtën për t’u arsimuar në Shqipëri.
Re(sh)forma është hartuar nga një komision universitarësh, parimet udhëheqëse të të cilit nuk kuptohet mirë se nga vijnë. Nëse ato i ka paravendosur qeveria, atëherë universitarët tanë nuk kanë vepruar si të tillë, pasi universitarizmi udhëhiqet nga vetëdija kritike dhe refuzimi i skemave pushtetore, por si funksionarë shtetërorë, me detyrën e zbërthimit në detaje të porosive të kryeministrit. Nëse kanë pasur dorë të lirë në vendosjen e parimeve, askush s’na thotë se pse ishin ata në atë komision dhe jo tjetërkush, në bazë të ç’procedure janë përzgjedhur etj. Në këtë rast logjika e përzgjedhjes ngjason me atë të reklamave, ku përparësi ka marka që bie në sy, që në rastin tonë lidhet me emrin e kryetarit të komisionit, i cili reklamohet kudo si Made in UK. Kjo vlen ideologjikisht si garanci për përkorësinë dhe profesionalizmin e komisionit. Fundja cili fakir Made in Albania do të guxonte t’i kundërvihej markës së njohur?!
Edhe më problematik është roli i përfaqësuesve të universiteteve publike në komision. Prej 2010-s universitetet publike e kanë refuzuar një re(sh)formë e cila në zemër ka kalimin e pjesshëm të fondeve shtetërore nga universitetet publike në ato private (fitimprurëse ose jo). Sivjet, të rilindur shpirtërisht, përfaqësuesit e universiteteve publike po lëpijnë atë që kanë pështyrë. Mirëpo, ndryshe nga mënyra diktatoriale e funksionimit të diplomoreve private ku përfaqësuesit e tyre reagojnë ndaj interesave të pronarëve si qeni i Pavllovit, në universitetet publike, së paku formalisht, përfaqësimi është demokratik. Pra përpara se të vendosnin firmën në një dokument shkatërrimtar për arsimin publik, përfaqësuesve të universiteteve publike ua donte puna të konsultoheshin me trupën e gjerë pedagogjike dhe studentore, dhe jo ta shtronin diskutimin vetëm në terma rakordimesh teknike. Megjithatë, komisionerët na sigurojnë se paraprakisht janë konsultuar me mesazhet e sa e sa dashamirësve të arsimit të lartë. Dhe duhet vënë dora në zjarr për këtë punë!
Re(sh)forma niset nga disa premisa, vërtetësia e të cilave është krejt vetëreferuese: komisioni i beson si të vërteta ngaqë i thotë vetë komisioni. Pikësëpari, ai niset nga fetishi se universitetet duhet t’i nënshtrohen logjikës së tregut duke u shndërruar në agjenci tregtare, që janë gjithnjë e më përgjegjëse për të gjetur burime financiare, bash si çdo mejhane. Askujt prej universitarëve të komisionit nuk i ka shkuar ndër mend se roli kryesor i universitetit është të funksionojë si vatër kritike ku prodhohen alternativa ndaj logjikës mbizotëruese politiko-shoqërore, dhe nuk merret si e mirëqenë asgjë, as dogma neoliberale: Gjithçka brenda tregut, asgjë jashtë tregut, asgjë kundër tregut! Po në përputhje me dogmën neoliberale, komisionerët mendojnë se problemi i universiteteve shqiptare është se nuk janë të lidhura me tregun e punës, duke pohuar kësisoj se papunësia nuk është strukturore, çka lyp rithemelime ekonomike, por aksidentale: Punë ka boll, të papunë po ashtu, po ja që çalon ndërmjetësi, universiteti që nuk e furnizon tregun me specialistët e duhur. Nga e dinë këtë? Kanë bërë apo i referohen ndonjë studimi? Pabesueshëm jo! Edhe më pabesueshëm e pranojnë këtë gjë kur thonë se studime të tilla nuk ka, por duhen bërë. Ata s’dinë gjë, por dinë se kush e di, dhe ai që e di është zoti i ri, substancë e subjekt, i quajtur treg. S’thoshte kot Walter Benjamini se kapitalizmi priret të shndërrohet në fe, kur rolin e zotit që i di të gjitha, por vullnetin e të cilit nuk e shquajmë dot, e zë tregu.
Po vetëreferueshëm, komisionerët mendojnë se cilësia e mangët e universiteteve shqiptare (për të cilën ofrojnë një sintezë mbresëlënëse hamendjesh, përshtypjesh dhe thashethemesh, me të cilën mund të bihet dakord, por prapëseprapë është qesharake metodologjikisht) mund të përmirësohet duke rritur financimet për to. Mirëpo ja që, për ta, shteti nuk mund t’i rrisë seriozisht financimet universitare (sepse… këtë e thotë qeveria, dhe roli i universitarëve ky është, ta besojnë qeverinë). Atëherë mbetet që të rriten tarifat studentore dhe të futen paratë e bizneseve në universitete bashkë me përfaqësuesit e këtyre të fundit në trupin më të lartë të drejtimit të universiteteve publike, të cilëve do t’u shtohen edhe struktura të reja burokratike mbytëse për autonominë administrative. Gjithashtu ajo që quhet ideologjikisht autonomi financiare kërkon që universitetet t’i nxjerrin të ardhurat edhe përmes bashkëpunimit me biznesin. Të ishim vend industrial a shtet militarist, kritikat mund të ishin vetëm morale, por si vend kryesisht tregtar studimet universitare zor se do t’i duhen biznesit për gjësend, as shtetit për të rritur kapacitetet ushtarake. Mbetet që mjediset universitare të kthehen në mure të virgjëra në të cilat mund të ngjiten reklama kompanish celulare, siç ndodh rëndom në diplomoret private.
Megjithatë, problemi më i madh i re(sh)formës është, dhe kjo pranohet hapur, rritja e tarifave studentore. Paçka se pranojnë që studentët kontribuojnë 1/3 e të ardhurave universitare, për komisionerët tarifat studentore janë prapëseprapë minimale. Me ç’duket vijnë nga Hëna, përndryshe do ta dinin se tarifat rriten vit pas viti, dhe po iu shtove edhe kostot e jetesës dhe blerjen e librave, gjithnjë e më të paktë janë studentët që mund të arsimohen pa punuar një pjesë të javës. (Na ishte njëherë kur detyra e studentit ishte të studionte; sot është të punojë për të pasur mundësinë të studiojë!) Po ashtu, studentët konsiderohen vetëm konsumatorë të një shërbimi që u vlen vetëm atyre dhe që duhet ta paguajnë sa më afër kostos, dhe jo subjekte me të drejta dhe kontribut në emancipimin e shoqërisë, çka përshfaqet në heqjen e të drejtave të pjesshme që gëzonin deri më tash në zgjedhjen e drejtuesve universitarë. Nëse universitetet janë katandisur në pikën ku të mësuarit është vetëm përgatitje teknike e hiç më tepër, atëherë ky është problemi, dhe jo premisa e pakundërshtueshme.
Si arsye për rritjen e tarifave përmendet edhe fakti se në botën konkurruese duhet ta rrisim cilësinë përmes rritjes së tarifave. Po kjo botë na kërkon edhe të ulim pagën minimale, të rrisim moshën e daljes në pension, të ulim taksat për oligarkët etj. Pra, që të jetë konkurruese një familjeje i duhet të paguhet më pak dhe të paguajë më shumë. E si t’ia bëj t’i çoj fëmijët në shkollë lum miku?! Zoti të dhashtë…!
Prisni, prisni, se komisioni ynë është zemërgjerë, dhe ka menduar edhe për studentët e varfër, tarifat e të cilëve do të mbulohen nga shteti. Vetëm se nuk na thonë se ku do të vendoset pragu i varfërisë. Nëse ky prag ulet deri te skajshmërisht të varfrit, tek ata që marrin ndihmë ekonomike, asistencë papunësie apo pagë minimale, atëherë shteti nuk do të harxhojë asnjë lek, pasi të varfër të tillë as që ëndërrojnë të shkojnë në universitet, por mbeten diku në klasat e hershme ku analfabetizmi, në rastin më të mirë, është funksional. Nëse pragu i varfërisë rritet, atëherë ai do të përfshinte shumicën dërrmuese të studentëve të universiteteve publike, kësisoj shtetit dorështrënguar do t’i duhej ta zgjidhte qesen shumë më shumë nga ç’parashikon komisioni. Sidoqoftë komisionit nuk i duhen këto punë, pasi në imagjinatën e tyre ekziston heroi vetmitar me emrin “i varfër që e meriton të futet në universitet”, pa kuptuar se problemi është se si të varfrit të aftësohen për t’u futur në universitet, dhe jo se si, kur mrekullisht janë të tillë, shteti t’u paguajë tarifën.
Kështu që masës dërrmuese të studentëve do t’u mbetet si shpëtim vetëm kredia studentore, për të cilën qeveria do të dalë garante që të merret pa interes dhe të paguhet me të hyrë në punë, paçka se puna që e pret studentin, po pati fat, është e keqpaguar dhe e pasigurt. Model anglosakson – do shfajësohen, duke harruar se pikërisht në botën e shumëlëvduar anglosaksone shumica e studentëve dhe e trupës pedagogjike janë kundër këtyre modeleve të strukturimit të universiteteve, të cilat e kthejnë borxhin studentor në barrë të papërballueshme dhe robëruese për shumë vite pas mbarimit të shkollës. Me kreditimin studentor do të goditen dy zogj me të njëjtin gur. Në njërën anë trupa studentore do të disiplinohet, jo në kuptimin studimor, por politikisht. Nëse deri tani kemi pritur lëvizje emancipuese nga studentët dhe jemi zhgënjyer, që sot e tutje studentët do të mbyllen edhe më në zhguallin e tyre privat ku mendimi i vetëm do të jetë se si të shlyejnë sa më parë borxhin, dhe jo ta shpenzojnë kohën në organizime për të mirën publike. Nga ana tjetër qeveria do t’u garantojë bankave fitim të sigurt, meqenëse do të marrë përsipër pagimin paraprak të borxhit me gjithë interesa. Po të shtosh faktin se diplomoret private (edhe kur nuk kthehen në fondacione) do të përfitojnë grante qeveritare, atëherë kapitalizmi na del socializëm për të pasurit, ku shteti, si në rastin e fasonerive, merr përsipër të financojë drejtpërdrejt ose tërthorazi bizneset. Socializmi për të pasurit do të thellohet deri kur studentët e varfër do të rreshtin së qeni të gjorët studentë, dhe do të hedhin në kosh jo vetëm re(sh)formën, por, në e lyptë nevoja, edhe vetë qeverinë.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.