/Nicole Aschoff/
Si feminizmi dhe kapitalizmi janë në krizë. Jo në kuptimin që konstelacioni i normave, ideve dhe praktikës që qëndrojnë në themel të kapitalizmit apo feminizmit rrezikojnë shembjen, por më shumë në atë se kemi arritur në një pikë lakimi.
Varianti i kapitalizmit i njohur si neoliberalizëm ka humbur legjitimitetin në sytë e shumë njerëzve. Ka një neveri të gjerë për institucionet dhe flamurmbajtësit e status quo-së. Zërat centrist që dekadat e kaluara kanë formuar mendimin e përgjithshëm – dhe sot këmbëngulin, faqe pabarazisë përgjumëse dhe ndryshimeve klimaterike katastrofike, se e vetmja mënyrë për të ecur përpara është ruajtja e elementëve bazikë të neoliberelizmit – po shtrëngohen të sinkronizojnë valët me populistë të majtë e të djathtë, që mendojnë ndryshe.
Vetë feminizmi vetë po qortohet si i paefektshëm dhe i çalë. Qëllimet themelore të feminizmit, që janë propaganduar për dekada mes grave të vendeve të pasura– barazia e pagës, përfaqësim i barabartë në sferën politike dhe ekonomike, e drejta për abort të ligjshëm dhe të sigurt – ose nuk janë arritur, ose janë në rrezik.
Për më tepër, për një numër në rritje grash, veçanërisht të varfra dhe të klasës punëtore që jetojnë në hemisferën jugore, këto objektiva mbeten të pamjaftueshme ose në mospërputhje me realitetin e jetës së përditshme. Për shumë njerëz feminizmi mainstream duket si një projekt i formuar rreth nevojave dhe dëshirave të grave të privilegjuara.
Megjithatë, krizë do të thotë mundësi. Pikërisht tani, në këtë moment pasigurish politike, ka një shpresë – një rikonfigurim i të mundshmes. Njerëzit po kërkojnë ide të reja dhe shtrojnë pyetje të vështira për natyrën dhe drejtimin e horizontit që kërkojmë.
Cili është horizonti i feminizmit? A mund të bashkekzistojnë kapitalizmi dhe feminizmi?
Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve produktivisht, duhet të kujtojmë se feminizmi nuk është një program politik shabllon. Është një luftë politike. Shpesh harrojmë apo e shmangim këtë fakt, gjë që krijon hutim. Karakterizimi i feminizmit si një luftë politike nënvizon idenë e qartë dhe thelbësore se shpesh gratë kanë botëkuptime rrënjësisht të ndryshme.
Nëse mendojmë se kapitalizmi, me disa ndryshime aty-këtu, është sistemi më i drejtë dhe tërheqës apo mënyra më e mirë për të organizuar planetin, feminizmi ynë do të pasqyrojë këtë botëkuptim. Kjo betejë feministe do të sillet rreth synimeve për t’u dhënë grave, brenda kapitalizmit mundësi dhe shpërblime, të barabarta me ato të burrave. Ky feminizëm do të përpiqet të plotësojë kushtet që i lejojnë secilës grua të konkurrojë në treg dhe të maksimizojë kapitalin e saj njerëzor.
Por ka dhe si ne, që feminizmi na formohet nga politika antikapitaliste. Nëse mendojmë se kapitalizmi po shkatërron jetueshmërinë e planetit dhe po pengon një shumicë të theksuar njerëzish që të bëjnë një jetë të dinjitetshme, lere më të përmbushin plotësisht potencialet e tyre, feminizmi ynë do të kërkojë diçka përtej ndryshimeve të status quo-së, që në praktikë favorizon kryesisht gratë e bardha të shtresës profesionalo-menaxheriale. Ky feminizëm do të ofrojë një vizion çlirues përtej shtigjeve të ngushta të punës së paguar dhe përfaqësimit politik.
A është çlirimi i grave thjesht kapja e zyrës së shefes apo pasja e shansit të vërtetë për ta kapur atë? Apo besojmë se çlirimi i grave mundëson drejtësi, dinjitet dhe siguri për të gjithë?
Shumica e vizioneve të çlirimit të grave kanë të përbashkëta disa supozime kryesore. Pajtohemi gjerësisht se të gjitha gratë duhet të kenë qasje në ushqim dhe, në varësi të politikave, një standard të caktuar kujdesi shëndetësor dhe arsimi. Biem gjithashtu dakord se të gjitha gratë duhet të kenë mbrojtje të barabartë para ligjit nga abuzimi dhe dhuna.
Por paskëtaj arrijmë një pikë divergjence. Këtu përgjigjet e pyetjes “çfarë do të thotë çlirimi i grave për mua?” dëftojnë projekte politike të dallueshme. Nuk ka asnjë horizont feminist. Përkufizimet tona të ndryshme për çlirimin e grave, të formuara mes lotëve e triumfeve në kohë e hapësirë, të rrënjosura në dekada teorie dhe praktike, tregojnë rrugën drejt horizonteve të ndryshme.
Projekti feminist mbisundues i dekadave të fundit na ka shtyrë ta harrojmë këtë fakt. Përkrahësit e feminizmit mainstream kanë punuar shumë për të shembur rrymat e shumta të feminizmit – secila e rrënjosur në një botëkuptim politik alternativ dhe vizion të ndryshëm të çlirimit të grave – për t’i përputhur mjeshtërisht me interesat dhe prirjet e sistemit tonë fitimprurës.
Ky version feminizmi e përkufizon çlirimin e gruas si barazi me burrat në hierarkinë e pushtetit. Sidoqoftë, ai bën pak për ta sfiduar, lëre më për ta shpërbërë këtë hierarki. Përkundrazi, feminizmi mainstream përqendrohet te shpërndarja, duke u fokusuar te të bërit vend për gratë në nivelet e sipërme (të hierarkisë), në vend që për të gjitha gratë të kërkojë kujdes shëndetësor universal, strehim të garantuar, arsim të lartë falas, përkujdesje universale për parashkollorët dhe pagë të dinjitetshme.
Kjo nuk do të thotë se versionet pro-kapitaliste të feminizmit janë disi joautentike apo pa vlerë. Tregjet mund t’i fuqizojnë gratë dhe ka pasur arritje feministe reale brenda kapitalizmit. Dukshëm këto arritje nuk ishin rezultat i kapitalizmit, por i luftërave brenda kapitalizmit.
Në fund të fundit, duke mos arritur të sfidojnë shtysat përçarëse të kapitalizmit, versionet mbisunduese të feminizmit ofrojnë një vizion të ngulfatur për çlirimin e grave. Në këtë moment duhet ta shfrytëzojmë këtë boshllëk politik dhe të luftojmë për një feminizëm që nuk i shërben si patericë këtij sistemi shkatërrues fitimi.
Feminizmi për të cilin luftoj nuk rri rehat në prehrin e kapitalizmit. Ai është i rrënjosur në të kuptuarin se kapitalizmi është problemi dhe zgjidhja një feminizëm i rrënjosur në parimet demokratike, barazimtare dhe antikapitaliste. Kjo është përgjigja ndaj shtypjes së grave, fëmijëve dhe burrave, përgjigja ndaj ndotjes së ajrit dhe oqeaneve, shkatërrimit të hapësirave të egra dhe ndaj frenimit të solidaritetit dhe kreativitetit tonë.
S’ka dyshim që feminizmi im kërkon që gratë të kenë rroga të barabarta dhe të jenë pjesë e vendimmarrjes. Por kërkon gjithashtu më shumë se kaq – kërkon çlirim nga strukturat ekonomike dhe politike që e privojnë shumicën dërrmuese të grave dhe burrave nga jeta e dinjitetshme.
Feminizmi im beson se kjo mund të arrihet vetëm përmes luftës antikapitaliste. Është një feminizëm që përfshin dhe përqafon kauza sindikale dhe fushata për minimum jetik, përpjekjet për të njohur dhe shpërblyer punën e papaguar riprodhuese, lëvizjet që ndërtojnë një kalim të drejtë drejt energjisë së gjelbër, lufton kundër racizmit dhe për të drejtat e LGBTQ-së dhe përpjekjet për të dekomodifikuar nevojat e jetës.
Ju mund të mos e pëlqeni versionin tim të feminizmit. Ndoshta keni versionin tuaj për çlirimin e grave, që mund të duket krejtësisht ndryshe. Mund të mos keni një botëkuptim politik të kristalizuar fare. S’ka problem.
Fuqizimi i feminizmit kërkon që të dëgjojmë edhe gratë e tjera (dhe të rinj e ndoshta edhe ca burra) për shpresat, ëndrrat, vlerat, frikërat, prioritetet dhe luftërat e tyre. Të dëgjojmë pa gjykime dhe ofendime.
Feminizmi nuk është një udhërrëfyes drejt një utopie tek e cila do të mbërrijmë një ditë të gjithë e do të jetojmë të lumtur përgjithmonë. Është një luftë shekullore për çlirim. Unë do të jem duke luftuar dhe kështu duhet të bëni edhe ju.
E përktheu Nebih Bushaj
Marrë nga revista Jacobin
Imazhi: Don Carl Steffen/Gamma-Rapho/Getty Images