/Noam Chomsky/ ‒ intervistë
Shumë nga ata që kanë njohuri për pasojat e luftës bërthamore dhe ndryshimin klimatik janë persona të mirarsimuar, të cilët njerëzit e thjeshtë i kanë zët. A e keni vënë re se si dallimi klasor i ka bërë mbështetësit e Trump-it, që e përqeshin idenë e ngrohjes globale dhe ndryshimit klimatik, të kenë një inat të ngulitur ndaj të mirarsimuarve, që janë edhe më mirë ekonomikisht? Si t’i bindim të parët?
Noam Chomsky: Ky është një problem serioz dhe fenomen tejet interesant. Me të duhet të merremi me ndjeshmëri dhe mirëkuptim. Siç e kam vënë në dukje më parë, 40% e popullsisë shprehet se të mësipërmet nuk mund të jenë problematike sepse Krishti do të zbresë për herë të dytë në tokë. Ky është një problem i thellë kulturor në SHBA. Kush e njeh disi historinë e SHBA… duhet ta kuptojë këtë.
Ka mjaft rëndësi të kuptojmë se ky vend ka qenë një moçal kulturor deri në Luftën e Dytë Botërore. Deri atëherë, nëse dëshiroje të studioje fizikë, shkoje në Gjermani. Nëse doje të bëheshe shkrimtar apo artist, shkoje në Paris. Sigurisht që kishte përjashtime, por në tërësi kjo mbetej e vërtetë. Mbetej e vërtetë pavarësisht se SHBA ishte vendi më i pasur dhe më i fuqishëm i botës, dhe vazhdon të jetë kështu. Ka shumë arsye historike për sa më lart: ky është një vend tejet i izoluar. Zor se ka shumë vende ku mund të udhëtosh 3000 milje dhe të jesh pothuajse në të njëjtin vend nga u nise, duke mos u ndeshur me kultura e gjuhë të ndryshme.
Të mbrojtur nga oqeanet, ne kemi ruajtur burime të brendshme të jashtëzakonshme, që nuk i ka askush tjetër. Ka pasur shumë valë emigrantësh që janë integruar, kështu që ka mjaft arsye për këtë, por nuk mund të injorohet si fakt. Kështu që nuk ia vlen të qahemi për ateizmin. Duhet kuptuar se kishat duan të thonë shumë për njerëzit, për shumë njerëz, përfshirë këtu mbështetësit e Trump-it.
Këta janë njerëz të lënë pas dore, askush nuk do t’ia dijë për ta. Demokratët e kanë braktisur dekada më parë klasën punëtore. Republikanët mund të përdorin një linjë populiste, por ata janë edhe më kundër punëtorëve se Demokratët. Meshkujt e klasës punëtore – që në SHBA supozohet të quhen “klasë e mesme” – që mbështesin Trump-in, në fakt po mbështesin politika që do t’i marrin në qafë. Mjafton të shohim politikat ekonomike, fiskale etj. Po është e vërtetë se ata janë lënë pas dore dhe vlerat e tyre janë duke u sulmuar. Vlerat a tyre janë në shumë aspekte tradicionale dhe paramoderne kulturalisht, në kuptimin perëndimor të fjalës, por ato po sulmohen. Njëra nga strehët e fundit që shohin është kisha. Ata janë kisha në një bashkësi tradicionale, kësisoj nuk mund t’i përqeshësh. Kjo është një çështje serioze me të cilën duhet të merremi.
Këto kohë është botuar një libër tejet interesant nga sociologia Arlie Hochschild, e cila pati shkuar në një zonë tmerrësisht të varfëruar të Luizianës, jetoi atje për gjashtë vjet dhe i studioi njerëzit e atij vendi me simpati. Kjo është një zonë e fortë mbështetësish të Trump-it dhe rezultatet e studimit janë vërtet interesante. Për shembull, njerëzit e asaj bashkësie janë shkatërruar nga ndotja kimike që vjen prej industrisë petro-kimike, por nga ana tjetër ata i kundërvihen Agjencisë për Mbrojtjen Mjedisore.
Kur ajo i pyeste, ata jepnin arsyet e tyre. Thoshin: “E ç’është Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit? Ca tipa që vijnë nga qyteti me doktoratë dhe na thonë neve këtu që nuk mund të peshkojmë, ama nuk u vendosin kufij industrive petrokimike. Kështu që kujt i hyjnë në punë?! Nuk dua që këta tipa të më marrin punën dhe të më tregojnë se çfarë mund të bëj apo them me aksentin e tyre të kultivuar, ndërkohë që mua po më vjen mendja rrotull.”
Këto sjellje janë serioze dhe domethënëse. Ato meritojnë respekt, jo përqeshje, siç mendoj se mund t’u jepet zgjidhje. Për shembull, në vitet 1930 punët shkonin pak a shumë kështu, ndonëse varfëria ishte shumë më e madhe. Depresioni ekonomik ishte goxha më i rëndë se recesioni i tanishëm. Në fakt, ky ishte një vend mjaft më i varfër se sot.
Asokohe unë isha shpresëplotë. Familja ime, shumë prej të cilëve ishin punëtorë të papunë, ishte plot shpresë. Ekzistonte ideja se gjërat do të shkonin për mirë. Kishte veprimtari të fortë punëtore, organizim sindikalist, parti politike të majta, ndërkohë që sindikatat garantonin shërbime të mirëfillta: shkuarje nëpër fshatra për disa javë, grupe edukimi, edukim punëtorësh, mënyra që i bënin njerëzit bashkë – njëfarësoj do t’ia dalim së bashku. Kjo mungon sot. Shoqëria jonë është tejet e atomizuar. Njerëzit ndihen vetëm: dikur shoqëroheshin nga televizori, sot janë celularët. Atomizimi dhe izolimi i bën të pafuqishëm.
Këto probleme mund të tejkalohen nga organizimi dhe aktivizmi. Kam përshtypjen se mbështetësit e Trump-it dhe mbështetësit e Sanders-it mund të përbënin një bllok të bashkuar. Qasjet e duhura ndaj problemit kërkojnë mund, ndjeshmëri dhe mirëkuptim, të ngjashëm me atë të studiueses Hochschild që paraqiti me simpati shkaqet dhe motivet e njerëzve që mori për studim. Është e lehtë, për shembull në Nju Jork, të vizatosh një karikaturë të Trump-it dhe të qeshësh me të, por nuk është kjo zgjidhja. Vërtet mund të duket për të qeshur, por ai po ia del të bëjë për vete njerëz për arsye të caktuara. Dhe ne duhet t’i kuptojmë këto arsye.
Kjo është histori e ngjashme me atë të të rinjve myslimanë në Perëndim të cilët po i bashkohen lëvizjes xhihadiste. Nuk mjafton t’u ulërijmë; ka arsye për identifikimin e tyre. Nëse shohim kushtet e jetesës së tyre, mund të kuptojmë shkaqet dhe mënyrat si të merremi me to.
Aktivizmi i vërtetë duhet të nisë nga një udhëtim mirëkuptues në këto territore të panjohura të vendit tonë, siç bëri Hochschild-i. Çka mund të bëjmë në Boston dhe Nju Jork është më pak e rëndësishme se çka mund të bëjmë nëse shkojmë në Luizianë dhe qëndrojmë atje për një kohë të mjaftueshme, apo jo?
Noam Chomsky: Nuk ka nevojë të shkojmë larg për të gjetur një situatë të ngjashme. Për shembull, disa vite më parë dhashë një ligjëratë në një gjimnaz në Boston, i quajtur Shkolla e Mesme e Anglishtes. Arsyeja e këtij emërtimi gjendej në faktin se në të askush nuk fliste anglisht (si gjuhë e parë). Flitej një duzinë gjuhësh prej grupeve të ndryshme të imigrantëve. Bëhet fjalë për një bashkësi të fortë aktiviste. Kishte aktivistë lokalë që diskutonin për punën që bënin atje dhe kjo gjë ndodhte pikërisht në Boston. Njerëzit ndihen të pashpresë, sikur nuk mund të bëjnë dot asgjë. Si mund t’i luftojmë këto pushtete kaq të forta?
Aty mësova mjaft… Për shembull, një grup nënash donin të vendosej një semafor në rrugën ku fëmijët e tyre kalonin përditë për të shkuar në shkollë. Ato u organizuan, folën me njëra-tjetrën, shpërndanë fletushka dhe kontaktuan përfaqësuesit lokalë. Më në fund e fituan semaforin, çka i bëri të ndiheshin të fuqishme. Kjo tregon se secili mund të bëjë diçka. Nuk jemi vetëm. Paskëtaj merremi me një kauzë tjetër e kështu me radhë. Vërtet mund të shkojmë në Luizianë, por ka plot punë për t’u marrë edhe këtu, në bashkësitë tona “të arsimuara”. Mungesa e mirëkuptimit në bashkësitë e arsimuara është lemeritëse. Thuajse gjithçka për të cilën fola sot zor se mund të njihet edhe nga një pjesë fare e vogël e akademikëve të mirarsimuar që punojnë në këto zona.
E përktheu Arlind Qori
Imazhi: Encyclopedia Britannica
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).