/Klodi Leka/
Është një film i shkurtër i vitit 2010, “Njëzet e katër orët e dhjetë mijë lekëshit”, i cili ndjek rrugëtimin xhep më xhep të monedhës jeshile të Pjetër Bodganit nëpër qytet. Në krye të herës dhjetë mijë lekëshi bie në duart e një dyqanxhiu ironik që tregton lodra për fëmijë, nga një baba që dëshiron t’i dhurojë vajzës së tij një kukull.
“Ah, këta plehrat, që sapo shkojnë gjashtëmbëdhjetë vjeç, i vrasin me sëpatë vajzat e tyre” – belbëzon ai në ikje të blerësit, edhe pse nuk përton fare që blerëses së ardhshme, një gruaje të re e të bukur, t’ia lypë me një sjellje tejet seksiste.
Gruaje e re, e fyer prej vështrimit pervers të dyqanxhiut, nuk ngurron të tallet me një djalë rom që lustron këpucët buzë rrugës, të cilit i ulet provokueshëm në karrige dhe, pasi e qorton për pakujdesi në lyerjen e këpucëve, i jep dhjetë mijë lekëshin e dyqanxhiut për punën e kryer, teksa pret që ai t’ia kthejë kusurin. Romi shkon të thyejë verdhushkën te një fatorino që pret në stacion të urbanit, mesoburrë zevzek ky, që shprehet për gruan e re e të bukur, ndërsa lustraxhiu i përgjigjet me përbuzje: “Ajo nuk ka nevojë të marrë autobusin. Aq sa i kushton vetura asaj të kushton ty shtëpia more.” Sikur të mos i mjaftonte njëra shuplakë, fatorinon e shpullos edhe kolegu i tij, shoferi, që e shpotit duke i thënë: – “Ismet, nuk është fati yt ajo, jooo.”
Fatorinoja s’vonon ta zbrazë frustrimin te pasagjerët e autobusit, së pari ndaj një vajze që përton të tregojë abonenë dhe në fund ndaj një rioshi problematik e superticioz që i kërkon të ndërrojë dhjetë mijë lekëshin ngaqë barkodi i tij nuk i sjell fat dhe se është numër i mallkuar. Fatorinoja refuzon. Në darkë, tek është duke thithur kokainë, miku i tij e përqesh fiksimaxhiun në fjalë për dhjetë mijë lekëshin e vjetruar si leckë. Në fund, të dy vdesin nga mbidoza.
E veçanta e këtij filmi të shkurtër, të cilin shijet dhe standardet bashkëkohore kinematografike mund ta quajnë mjaft të dobët dhe patetik, është se përpos portretizimit të shoqërisë dhe shtresëzimit të shtypjes prej dyqanxhiut te gruaja, gruas te romi, romit te fatorinoja dhe fatorinos te pasagjerët, portretizon edhe fatin e dhjetë mijë lekëshit, rrugëtimi dhe misioni i të cilit nuk ka ndryshuar prej një dekade.
Që prej 2010, kohë kur është realizuar ky film, dhjetë mijë lekëshi vijon të mbetet qarku vicioz ku sillet një shoqëri e tërë e cila, ashtu si fundi i rrëfenjës, vallëzon rreth dëshirës kolektive për të vdekur. Dhjetë mijë lekë vijon të paguhet në 2020 puna dhe prej punës buka, streha, shkolla dhe shëndeti i qindra mijëra qytetarëve: dyqanxhiut dhe romit që lakmon pasunarët e rinj, fatorinos, shoferit dhe pasagjeres së re që mund të ketë kryer studimet për jurisprudencë, por punon kasiere në supermarket.
Dhjetë mijë lekëshi, pagesa e përditshme për gjysmë milioni punëtorë në Shqipëri, ka edhe pasojat e tij: ai i shkatërron njerëzit dhe brezat, pleq e të rinj, i bën të cekët e të dhunshëm me njeri-tjetrin, i shtyn të urrejnë veten e të adhurojnë armikun, ua shter qartësinë e syrit dhe ëmbëlsinë e zemrës dhe në fund i shpie ata drejt vdekjes së vullnetshme. Aq sa fjalët e narkomanit mbi dhjetë mijë lekëshin si një objekt fundërrine janë epike. Kur një brez e humbet besimin se me punë të ndershme mund të arrijë diçka, vdekja është afër dhe shfaqet si arrati: si një vend që vdes prej arratisë së njerëzve të tij, ose si një arrati vetjake jashtë realitetit dhe jetës.
Ndërkohë, pavarësisht stanjacionit të dhjetë mijë lekëshit, kostot e jetesës dhe pasuria e oligarkëve vazhdojnë të fryhen si barqet e tyre. Ata – përkundër gruas dhe romit, shoferit dhe pasagjerit – janë të bashkuar rreth interesit klasor. Madje, siç thotë kolegu i tyre, oligarku amerikan Warren Buffet, klasa e tij, ajo e pasunareve, ka hapur një luftë të re civile kundër klasës së dhjetë mijë lekëshave, luftë që ata po e fitojnë.
Po ku konsiston kjo luftë? Përmes blerjes se shtetit, oligarkët po e përjashtojnë dhjetë mijë lekëshin nga shkolla, spitali, qyteti, buxheti, politika etj. Lustraxhiun e përndjekin me polici bashkiake, dyqanxhiun e falimentojnë, punëtorin nuk e lënë të krijojë sindikatë, fatorinon e venë përballë pasagjerëve të pakënaqur, ndërsa narkomanët e rinj, në mos në varr, po dekompozohen masivisht në burgje. Madje, përballë kërkesës që dhjetëshja të bëhet njëzetëshe, që frati Pjetër Bogdani të bëhet mbreti Gent, oligarku kuqezi Samir Mane nxjerr dhëmbët: nëse nuk iu pëlqen dhjetëshja ime, vrafshi veten! Unë importoj skllevër pakistanezë.
Kjo ngërdheshje e tij është bërë realitet. Me qindra mijëra njerëz, familjarë e të rinj, kanë marrë rrugët e kurbetit, duke i shkrehur mëhalla e qytete, në atë çka mund të quhet eksodi i tretë i tranzicionit, pas atij te 1991 dhe 2010. Sepse, nga brezi në brez, jo vetëm që nuk jemi më të pasur se prindërit, me zanate të qëndrueshme dhe një jetë shpirtërore të përmbushur, por gjendemi edhe më të kolapsuar se ata. Me dhjetë mijë lekë as mund të jetojmë, as ndërtojmë dot familje dhe as të jemi të lumtur. Kësisoj u hipim kamionëve dhe autobusëve për t’i arritur të gjitha këto.
Kur mbërrijmë në tokën e premtuar, tek kalojmë netët nëpër azile dhe kuzhina sociale, kuptojmë se kjo gjëja ku pluskojmë nuk qenka liria dhe se nuk ka asgjë të ngjashme me aventurat e lavdishme të Odisesë. Shpëlajmë pjata dhjetë orë në ditë, kollofisim kotoleta dhe kursejmë pak qindarka, si dhe jemi krejtësisht të huaj në ato qytete të mëdha e të ftohta, ku mezi mbllaçitim zhargonet dhe durojmë refuzimet për refugjatët në dyer dyqanesh e diskotekash. Kujtonim se, ndryshe nga shtëpia jonë, dështimi nuk do të na turpëronte, por nuk është kështu: me ëndrrën e shpuar si tullumbace, dëshpërimi bëhet edhe më mbytës.
E në kushtet e distopisë, ç’të bëjmë? Njëra alternativë është të tërhiqemi në vetmi ose të shtyhemi drejt arratisë, të shtrembërojmë realitetin individual dhe kolektiv, të lazdrohemi si impotentë në kopshtin e dijes dhe të vdesim prej overdozave të ndryshme – siç po e bëjmë prej kohësh. Tjetra është të luajmë mendsh, të bëjmë luftë civile në familje, shkollë, punë, shtet dhe në kulturë. Të vetëndërtohemi si klasë sociale, në vetëdije dhe mënyrë të jetuari. Të dalim jashtë kornizave të normalitetit dhe të kërkojmë me këmbëngulje bash atë që na mohohet: pushtetin dhe pasurinë. A nuk jemi ne fundja, populli, burimi i pushtetit dhe pasurisë?! Nëse nuk angazhohemi rreth idesë së lumturisë dhe fuqizimit, do të humbemi si endacakë dhe hyzmeqarë rrugëve të botës.
Imazhi: Organizata Politike
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).