Maji i 1968-s, më saktë konteksti historik, domethënia, trashëgimia politike dhe kulturore e tij mbeten sot e kësaj dite vatra aktive debati, si pasojë e qasjeve që e dënojnë këtë ngjarje, herë si revoltë e paarsyeshme e rinisë së shfrenuar, e herë si një kryengritje naive studentore ndaj moralit konservator të imponuar nga shoqëria e ngurtë. Ndërkohë, në mënyrë të dhunshme, e vërteta bërtet të kundërtën.
Maji ‘68 i përket atyre ngjarjeve gjatë së cilave bashkimi i akteve të izoluara të rezistencës mund të shndërrohej në kërcënim jetësor ndaj një sistemi shoqëror shtypës e të vjetruar. I tillë ishte bashkimi mes studentëve e punëtorëve në Francën e viteve ’60, bashkim i cili kushtëzoi dhe i dha jetë e formë brezave të tërë pas tij. Revolta studentore, pas kapërcimit cilësor, u shndërrua në grevë të përgjithshme të më shumë se 10 milionë punëtorëve. Zaptimet e hapësirave universitare u shoqëruan me zaptime në vendin e punës, ndërsa në çdo cep të Parisit mbizotëronin thirrjet, fletushkat dhe parullat. Në natën e dhjetë të grevës, vullneti i studentëve e punëtorëve u trupëzua në barrikada si shenjë besimi në rrugën pa kthim drejt një shoqërie ndryshe: “TANIMË, 10 DITË LUMTURI” ishte parulla e tyre kryesore.
Shkrimi në vijim, është shkëputur dhe përkthyer nga ditari i Maurice Brinton-it, dëshmitar dhe pjesëmarrës aktiv i ngjarjeve të treguara në të. Rreshtat e mëposhtëm përngjasojnë ndjeshëm me ditët e bojkotit në Fakultetin e Shkencave Sociale. Shpesh herë themi se universiteti duhet të shërbejë si nxitës i mendimit kritik dhe burim i përparimit shoqëror. Ngjarjet e ‘68-s dëshmojnë më së miri se askush më shumë se studentët dhe punëtorët nuk e zotëron këtë potencial revolucionar.
– Frenklin Elini
***
E shtunë, 11 maj 1968
Ditë e natë çdo sallë leksionesh ishte e tejmbushur, duke u shndërruar në vendin e debateve të vazhdueshme e plot pasion mbi cilëndo çështje që e kishte shqetësuar deri më tani mendimin njerëzor. Asnjë pedagog nuk ka shijuar një sallë kaq masive, nuk është dëgjuar me kaq vëmendje mahnitëse, nuk është ndaluar kaq shpejt nëse fliste marrëzi. Shumë shpejt një lloj rregulli filloi të mbizotëronte. Gjatë ditës së dytë u shfaq një tabelë lajmërimesh, në të cilën pasqyrohej se çfarë po diskutohej dhe ku po diskutohej.
Vura re “Organizimi i betejës”, “Të drejtat politike dhe sindikale në universitet”, “Krizë universitare apo krizë sociale?”, “Dosier i shtypjes policore”, “Vetëmenaxhimi”, “Si t’ia hapësh gjithkujt dyert e universitetit?”, “Metodat e të mësuarit”, “Provimet” etj. Të tjera salla leksionesh u vunë në përdorimin e komiteteve të punëtorëve dhe studentëve, për t’u shndërruar më pas në qendra të rëndësishme graviteti. Zhvilloheshin diskutime mbi shtypjen seksuale, kolonializmin, mbi ideologjinë dhe mistiken. Çdo grup njerëzish që dëshironte të diskutonte gjithcka që ekzistonte “nën diell”, mjaftonte të zaptonte një sallë leksionesh. Fatmirësisht kishte me qindra të tilla.
Përshtypja e parë që krijohej ishte ajo e çlirimit nga një peshë e madhe, e shpërthimit të mendimeve dhe aspiratave të ndrydhura, kalimi i tyre nga mbretëria e ëndrrave në mbretërinë e të prekshmes dhe së mundshmes. Duke ndryshuar mjedisin, njerëzit ndryshuan vetveten. Ata që nuk kishin guxuar kurrë të shpreheshin, papritur ndjenin se mendimi i tyre ishte gjëja më e rëndësishme në botë, dhe më në fund e shprehnin këtë gjë. Të turpshmit u bënë komunikues. Të pashpresët dhe të izoluarit papritur kuptuan se fuqia kolektive gjendej në duart e tyre. Apatikët kuptuan papritmas intensitetin e përfshirjes së tyre.
Një ndjenjë e jashtëzakonshme komuniteti dhe kohezioni përfshiu ata që më parë e shihnin veten si marioneta impotente e të izoluara, të dominuar nga institucione që as mund t’i kuptonin e as mund t’i ndryshonin. Njerëzit afroheshin me njëri-tjetrin pa asnjë gjurmë droje. Kjo gjendje euforie mbizotëroi gjatë gjithë periudhës dyjavore që kalova atje. Një parullë e gdhendur në mur do të mjaftonte për të përmbledhur gjithçka më së miri : “Déjá dix jours de bonheur” (TANIMË, 10 DITË LUMTURI!)
Imazhi: Zaptimi i Universitetit të Nanterës,
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).