/V.I. Lenin/
Sa më pak liri të ketë në një vend, aq më e dobët shfaqet lufta e hapët e klasave, sa më i ulët të jetë niveli arsimor i masave, – aq më lehtë lindin zakonisht utopitë politike dhe aq më gjatë mbahen gjallë.
Në Rusinë e sotme dy lloj utopish politike mbahen më fort dhe ushtrojnë me forcën e tyre tërheqëse njëfarë influence mbi masat. Këto janë utopia liberale dhe utopia narodnike.
Utopia liberale thotë, se gjoja do të mund të arrihen përmirësime pak a shumë serioze në Rusi, në lirinë e saj politike, në gjenden e masave të popullit punonjës urtë e butë, pa ia prishur qejfin askujt…
Utopia narodnike është ëndrra e intelektualit narodnik dhe e fshatarit trudovik, se gjoja me anën e një ndarjeje të re dhe të drejtë të të gjitha tokave mund të zhduket pushteti dhe sundimi i kapitalit, të zhduket skllavëria e punës me mëditje ose se gjoja do të mund të ruhet një ndarje “e drejtë”, “barazimtare” e tokave në kushtet e sundimit të kapitalit, në kushtet e pushtetit të parasë, ën kushtet e prodhimit të mallrave.
Nga kanë lindur këto utopi? Pse mbahet ato aq fort në Rusinë e sotme?
Ato kanë lindur nga interesat e klasave që luftojnë kundër rendit të vjetër, kundër bujkrobërisë, kundër mungesës së të drejtave, me një fjalë, “kundër Purishkeviçëve”, dhe të cilat nuk zënë një pozitë të pavarur në këtë luftë. Utopia, ëndrrat janë pjellë e kësaj varësie, e kësaj dobësie. Ëndrrat janë fati i të dobëtëve.
Borgjezia liberale në përgjithësi, inteligjencia liberale borgjeze në veçanti s’ka se si të mos kërkojnë liri dhe ligjshmëri, sepse pa këtë sundimi i borgjezisë nuk është i plotë, nuk është absolut, nuk është i siguruar. Por borgjezia ka frikë nga lëvizja e masave më shumë se nga reaksioni. Së këtejmi rrjedh dobësia e çuditshme, e pabesueshme e liberalizmit në politikë dhe pafuqia e tij e plotë. Së këtejmi rrjedh një varg i pambaruar gjërash me dy kuptime, gënjeshtrash, hipokrizish, manovrash të poshtra në gjithë politikën e liberalëve, të cilët duhet të lozin me demokratizëm për të bërë masat me vete, – dhe të cilët në të njëjtën kohë janë thellësisht antidemokratë, thellësisht armiq të lëvizjes së masave, të iniciativës së tyre, të mënyrës së tyre për të “sulmuar qiellin”…
Utopia e liberalizmit është utopia e pafuqisë në çështjen e çlirimit politik të Rusisë, utopia e qeses së pangopur me para, e cila dëshiron t’i ndajë në mënyrë “paqësore” privilegjet me Purishkeviçët, duke e paraqitur këtë dëshirë fisnike si teori të fitores “paqësore” të demokracisë ruse…
Utopia e narodnikëve dhe e trudovikëve është ëndrra e pronarit të vogël, i cili ndodhet midis kapitalistit dhe punëtorit me mëditje, për ta zhdukur skllavërinë me mëditje pa luftë klasash…
Utopia e liberalëve korrupton ndërgjegjen demokratike të masave. Utopia e narodnikëve, duke korruptuar ndërgjegjen e tyre socialiste, është bashkudhëtare, simptomë, pjesërisht edhe shprehëse e vrullit të tyre demokratik…
Demokratizmi narodnik, i rremë në kuptimin ekonomik formal është i vërtetë në kuptimin historik; i rremë, si utopi socialiste, ky demokratizëm është një e vërtetë e asaj lufte demokratike origjinale historikisht e kondicionuar e masave fshatare, e cila përbën një element të pandarë të transformimit borgjez dhe është kusti i fitores së tij të plotë.
Utopia liberale i largon masat fshatare nga lufta. Utopia narodnike shpreh vullnetin e tyre për luftë, duke u premtuar në rast fitoreje një milion të mira, kurse në realitet kjo fitore nuk do t’u japë, veçse njëqind të mira. Por a nuk është e natyrshme që miliona njerëz, të cilët shkojnë në luftë dhe të cilët me shekuj kanë jetuar në një errësirë, skamje, varfëri, baltë, braktisje, shtypje të pashembullt t’i ekzagjerojnë dhjetëfish frytet e një fitoreje të mundshme?
Utopia liberale është një maskë, që fsheh dëshirën egoiste të shfrytëzuesve të rinj për t’i ndarë privilegjet me shfrytëzuesit e vjetër. Utopia narodnike është shprehja e dëshirës së miliona punonjësve të borgjezisë së vogël për t’u dhënë fund një herë e përgjithmonë shfrytëzuesve të vjetër feudalë dhe është shpresa e tyre e rreme për të zhdukur “në të njëjtën kohë” shfrytëzuesit e rinj, kapitalistë…
Marrë nga: V.I. Lenin: Vepra të zgjedhura në dy vëllime, vëllimi I