/Redi Muçi/
Teksa Matteo Salvini ka deklaruar shpërbërjen e koalicionit qeverisës përtej bregut me M5S, të shumta janë hipotezat e kësaj lëvizjeje. A e ndjen veten Salvini aq të fortë politikisht sa të provokojë zgjedhje të parakohshme, i bindur se do të fitojë i vetëm një mazhorancë qeverisëse? Apo do t’i duhet të shkojë në koalicion me neofashistët (shumë afër tij ideologjikisht) e Fratelli D’Italia-s?
Po sikur arsyet të lidhen me situatën ekonomiko-politike të Italisë, rrjedhojë e politikave të ndjekura nga këto dy formacione – Lega dhe Movimento 5 Stelle – që paraqiten si ideologjikisht të parreshtuara majtas ose djathtas (megjithëse Salvinit i është dashur ca punë për të shkundur tisin e federalistit që kërkon ndarjen e Veriut “industrialist” dhe Jugut “dembel” – tezë e hershme kjo e të djathtëve tradicionalë të Lombardisë)?
Qasja e tyre është tipikisht populiste, duke ndërmarrë reforma që gjejnë mbështetje në klasën e mesme dhe shtresat në nevojë të popullsisë, por pa një bazë solide që do të sillte një transformim rrënjësor të shpërndarjes së pasurisë në shoqëri, si për shembull taksimi progresiv ku barra i bie kapitalit të madh dhe spekulativ, orientimin e kapitalit drejt prodhimit etj.
Kështu, reforma kryesore e propaganduar M5S është e ardhura e qytetarisë (reddito di cittadinanza) – një ndihmë e konsiderueshme prej 500-800 eurosh për familjet në nevojë duke nxitur punësimin. Ajo shoqërohet edhe me reformën për daljen para kohe në pension, të njohur si Quota 100. Kostoja totale e saj arrin 17 miliardë euro, para të cilat M5S propozon t’i nxjerrë jo nga riorientimi i gjithë ekonomisë, taksimi i shtuar mbi kapitalin, por, siç i ka hije një partie populiste, duke shkurtuar kostot e politikanëve dhe shpenzimet e panevojshme.
Legistët e Salvinit, nga ana tjetër, kanë marrë flamurin e taksës së sheshtë. Populli është i lumtur të dëgjojë se do të ulen taksat – sidomos në kohë të vështira krize si kjo që po kalon Italia. Por, sipas ekspertëve, propozimi prej 15% taksë për familjet me të ardhura më pak se 80.000 euro në vit dhe vetëm 20% për të gjitha kategoritë me të ardhura sipër kësaj vlere, do të avantazhojë më të pasurit në shoqëri.
Atëherë ku e çon kjo politikë buxhetin e shtetit italian dhe a janë manovrat e fundit politike fryt i tyre?
Rastësisht në Facebook u ndesha me postimin e një të një personi të panjohur për mua, që daton nga muaji shkurt i këtij viti. Ju ftoj ta lexoni:
***
/Emilio Mola/
Të dashur salvinianë dhe legistë!
Duhet të
keni parasysh diçka: brenda muajve të verës (për të mos thënë brenda pranverës)
Salvini nuk do të jetë më në qeveri. Nuk e dimë se kush do të jetë, por me
siguri jo ai.
Në shtator qeveria duhet të gjejë 5.6 miliardë [Euro] për të rifinancuar Quota 100, 8 miliardë të tjera për të
rifinancuar të ardhurën e qytetarisë, 30-40 miliardë për të mbuluar taksën e sheshtë
(që nuk mund të shtyhet më), 23 miliardë për të mënjanuar rritjen e TVSH deri
në 25.6%, 10 miliardë të tjera për të mbyllur vrimën e hapur nga mungesa e
rritjes ekonomike (0.2% në vend se 1%). Sa për të përmendur shpenzimet
kryesore.
Janë rreth 100 miliardë. Një mal i madh. Dhe jo, nuk është faji i Evropës.
Është kostoja e politikave të Salvini-t dhe Di Maio-s; janë para që nuk gjenden
dhe që duhet t’i nxjerrin italianët: ose përmes rritjes së taksave, ose përmes
shkurtimeve dramatike të shpenzimeve sociale të shtetit. Ose përmes heqjes dorë,
nga Salvini dhe Di Maio, nga disa prej premtimeve.
Por të tri këto alternativa do t’i shtyjnë partitë qeverisëse drejt prishjes së marrëveshjes mes tyre.
E imagjinoni Salvini-n që qëndron brenda qeverisë për të na bërë neve të paguajmë koston e politikave të tij? Sigurisht që nuk e imagjinoni. Dhe, afërmendsh, as ai nuk ka ndër mend të qëndrojë aty.
Salvini do gjejë një shkak, një shkak çfarëdo (TAV-i “treni i shpejtësisë së madhe”, procesi, a ç’të doni ju), për të prishur qeverinë dhe t’ia mbathë përpara se italianët të zbulojnë cila do të jetë fatura që duhet paguar.
Do të dalë jashtë, në opozitë, dhe do të fillojë luftën kundër asaj qeverie që do të sakrifikohet për të shpëtuar vendin nga falimenti duke ia faturuar italianëve kostot e lëna nga Salvini para se t’ia mbathte.
Ai, Salvini, nuk do të thotë: “Ia mbatha përpara se italianët të zbulonin se u kam lënë 100 miliardë euro për të paguar”. Por do të thotë: “Më larguan fuqitë e mëdha, PD-ja (partia e qendrës së majtë në Itali), Evropa, Sorosi, bankat, bla bla… sepse bla bla… të parët janë italianët bla bla…”
Dhe e dini se ç’është e bukura? Që ju, edhe pse e dini të gjithë këtë, do të jeni në anën e tij. Do të zbrisni në shesh të indinjuar me qeverinë që do të duhet të stabilizojë llogaritë e shkatërruara nga Salvini. Do të jeni në krah të Salvinit, që do të thotë: “A e patë? Më dëbuan mua që të fusin duart në xhepat tuaj. Sepse me mua kjo gjë s’do kish ndodhur kurrë.”
Dhe ju do t’i besoni. Sepse jeni të njëjtët që besuat tregimin e legistit antimeridional (me qasje diskriminuese ndaj popullsisë së Jugut të Italisë) që papandehur kthehet në patriotin më të madh të Italisë. E përse të mos besoni gjithçka tjetër?!
Imazhi: The Economist
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).