/Klodi Leka/
Qarkullimi viral i një pamjeje filmike në virtualitet, ku dy të rinj ne dukje të varfër e të margjinalizuar lodrojnë me statujën e bronztë të këngëtarit Françesk Radi, duke i hipur kaluç mbi sup apo duke dhunuar kitaren e tij të bronztë, ndezi shumë zemërim në skenën muzikore të qytetit. Përveç mbesës së tij, po ashtu këngëtare, e cila kërkoi që policia të ndëshkojë dy vagabondët në fjalë, edhe më i rëndë ishte reagimi i kantautorit Elton Deda, imagjinata penale e të cilit shkoi deri te vendosja e pashaportizimit për në Tironë.
Sa i përket Rozana Radit, zemërimi i saj është i kuptueshëm paçka se jo i pranueshëm. I kuptueshëm për shkak të lidhjeve familjare dhe emocionale me Françesk Radin dhe të njohjes së arritjeve të tij në skenën kulturore dhe kokëçarjeve që i krijoi kitara, zëri, tekstet, impostimi skenik dhe risia muzikore gjatë regjimit hoxhist. I papranueshëm ngaqë Rozi ka dhënë goxha kontribut në formimin psikik të dy bullistëve te Parku i Liqenit me këngët e saj të hershme si “Seks bomb”, “Bodigardi i zonës”, “Jepi gaz” etj. Edhe pse me kalimin e kohës realizoi disa balada të mrekullueshme, për ne, brezin e periferikëve mbi të njëzetat, ato të parat mbeten shkollë estetike, e sidomos balada “Si Zhadia”, e cila e shpreh mjaft qartë kompleksin e djaloshit katundar që zbret në qytet: “Ty minifundet shumë po te çudisin/ Ty qytetarët shumë po të mahnisin/ Po çfarë të bëj unë me provincën time/ Jetoj si Zhadia vetëm me kujtime.”
Megjithatë, hazdisja nervoze dhe e panevojshme e Elton Dedës, që nis me germëzimin e emrit të kryeqytetit si Tironë e jo si Tiranë dhe vazhdon me idenë gjeniale të pashaportizimit e vënies së traut të famshëm te Kthesa e Kamzës, është shprehje e paragjykimit të papranueshëm lokalist të kantautorit mbi bashkëqytetarët e tij të varfër e të pakulturuar, paçka se Tirana, më shumë se mëhallë e ndonjë vendaliu, është qyteti i çdo jabanxhiu dhe kujtdo dykëmbëshi që paguan taksa e jeton në republikën tonë, për fat jofeudale. Po më i pafalshëm se gjesti zemërak që i përbuz bashkëqytetarët si bardhoshi zezakun e aparteidit apo i trajton si refugjatë që po vënë në rrezik qytetërimin tironc, është cinizmi i tij mbi përsenë e kësaj situate.
Cinike ngaqë brezi i ri, e sidomos ai i rrethinës, nuk i njeh këngëtarët si Françesk Radi, këngëtarë që pas një shkëlqimi të shkurtër e llamburitës, ranë në errësirë dhe heshtje të plotë, duke mos i kujtuar më askush, as institucionet e kulturës dhe as yjet e rinj të vënë në shërbim të parasë e që sot i ha meraku i madh i respektimit të figurave. Në këtë pikë, budallallëku i shëmtuar i leshkove të Liqenit, më shumë se poshtërim i vetëdijshëm, është tregues i mospasjes së një vetëdijeje historike e artistike, është njëfarë pafajësie e pistë dhe e trishtë.
Pastaj, si mund të kërkosh sjellje aristokrate dhe shije të mirë estetike te breza rioshësh të edukuar me rep kriminal, seksist, bullist, muzikë kjo më e fuqishme se ajo e Elton Dedës dhe rokerëve të ’91, më e memorizuar se poemat e mësuesve të gjuhës dhe vetëdijes si Naimi, Mjeda, Migjeni etj., e madje më e suksesshme edhe se vetë Liceu Artistik që nuk prodhon art tjetër pos popit gagaç të kombinuar me striptizëm banal?! Çfarë ka bërë Eltoni që rioshët të mos i hipin në qafë, por të përulen te busti i Françeskut, t’i dhurojnë një lule të këputur në park e, pse jo, të këndojnë ndonjë këngë të tij?! Që ata të dehen pas muzikës së mirë?! Muzikë të mirë?!
A do të mundej kantautori Deda dhe arushët e tjerë të cirkut të porosisnin pizza, të pozonin me tesha të shtrenjta, të hipnin nëpër autobusë dhe taksi, të rrufisnit kafetë me ëmbëlsira në pastiçeri, të blinin fruta dhe prezervativë, të jetonin në dhoma dhe zyra të rehatshme etj., nëse do të vendosej trau i famshëm te Kthesa e Kamzës për “kafshët” që çdo ditë, madje edhe të dielave, ngjishen nëpër urbanë skandalozë për të ofruar shërbimet e përmendura më sipër?! A do të kish qytetërim dhe kryeqytet pa ta?! Apo shpirti i tyre artistik do të ushqehej me metafizikë?! Unë them ta provojmë njëherë. Jam i sigurt se në krye të javës, ashtu siç thotë edhe Bertolt Brehti për padronët e qytetit të përjetshëm që përpihej nga uji i kripur i detit, edhe këta do të kërkonin në lot e përgjërim shërbëtorët e tyre.
Te “Shndërrimi i të gjitha vlerave”, filozofi nihilist gjerman Fridrih Niçe thotë se artistit nuk i lejohet edhe aq të llomotisë me superlativa mbi të mirën dhe të bukurën, ama kur i rras edhe të vërtetën në mes, atëherë ai duhet zënë me dru sepse e vërteta nuk është as e mirë dhe as e bukur, por e shëmtuar, e pistë, e hidhur. Ata djem janë e vërteta e shoqërisë sonë. Një e vërtetë që artistët e ngujuar në aksin Bllok-Pazari i ri nuk mund ta vrojtojnë, prandaj edhe bien në pozita moraliste, policore dhe snobiste, paçka se arti nuk ka të bëjë fare me moralin, por është gërryes i tij. Kësisoj, duke fyer Francesk Radin, ata vetëm sa shpërfaqën moçalishten e të kulturuarve, shkëputjen e tyre prej realitetit, humbjen e bardit dhe të muzikës së mirë. Prandaj, sdipse, por si një ish-leshko me shapka me gisht më vjen të këndoj: “Na shkoi jeta bakër e kanaçe/bakër e kanaçe/ Na shkoi jeta drogë edhe ilaçe/ drogë edhe ilaçe…”
Imazhi: Insajderi
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).