Eugen Berthold Friedrich Brecht (1898 – 1956) ishte poet, dramaturg dhe intelektual marksist gjerman. Aktiviteti intensiv letrar është i lidhur ngushtë me angazhimet e tij politike. Brecht-i, lëvrues i dramës epike ose materialiste, me ngjitjen në pushtet të partisë naziste, arratiset nga Gjermania drejt Skandinavisë dhe me vonë mbërrin në Amerikë. Në këtë kohë ai shkroi pjesën më të madhe të poezive dhe dramave të shkurtra. Pas luftës dhe deri sa vdes kthehet të jetojë në Lindje të Gjermanisë, ku shkroi disa vepra dramaturgjike.
Stilistikisht Brecht-i është shkrues i një poezie të thjeshtë, logjike dhe pa ngarkesa të mjegullta metafizike, pra një poezi të kuptueshme dhe për masat e gjëra të shoqërisë. Ai është gjithashtu edhe shkrues i poezisë erotike. Megjithatë, akoma e më interesante është poezia e tij politike, ku përmes rreshtash të menduar ai komunikon me aktivistin e ri mbi lodhjen, devijimin, rënien e besimit, jetën e partisë pararojë dhe nevojën për vazhdimin e luftës, çka e bën të pashembullt atë. Disa poezi të tilla, të cilat ndodhen më poshtë dhe janë transkriptuar me durim mes vapës së korrikut, ua kushtoj shokëve dhe shoqeve të luftës, të cilëve u ka rënë barra e rëndë e luftës së përditshme për mbijetesë dhe për një shoqëri më të drejtë.
Klodi Leka
***
OH, JU FATZINJ
Oh, ju fatzinj!
Vëllait tuaj i bëhet dhunë, dhe ju mbyllni
Sytë!
I prekuri bërtet fort, dhe ju heshtni?
Dhunëbërësi sillet rrotull dhe zgjedh prejat e tij,
Dhe ju thoni:
Ne ai na kursen, sepse s’tregojmë asnjë
Mospëlqim.
Çfarë qyteti është ky, ç’njerëz jeni ju vallë?
Kur në një qytet ngjan një padrejtësi,
duhet të ketë një Revoltë.
Dhe atje ku s’ka revoltë, është më mirë që qyteti
të humbasë
Nga një zjarr, përpara se të bëhet natë.
Ç’DOBI KA MIRËSIA
Ç’dobi ka mirësia,
Kur të mirët menjëherë vriten,
ose vriten
Ata, me të cilët janë të mirë?
Ç’dobi ka liria,
Kur të lirët duhet të jetojnë midis të palirëve?
Ç’dobi ka arsyeja,
Kur vetëm mosarsyeja sjell bukë e gjellë
për të cilat sikush ka nevojë?
Në vend që të jeni të mirë, përpiquni
Të krijoni një gjendje, e cila bën të mundshme të
mirën, dhe më shumë se kaq:
E bën të panevojshme!
Në vend që të jeni të lirë, përpiquni
Të krijoni një gjendje, e cila i çliron të gjithë,
Dhe, edhe dashurinë për lirinë
E bën të panevojshme!
Në vend që të jeni me arsye, përpiquni
Të krijoni një gjendje, e cila mosarsyen e secilit
E bën të jetë një punë e keqe!
KËNGË PËR TË GJITHË ATA QË SHKURAJOHEN
Ata kanë ligjshmëri dhe urdhëresa,
Kanë burgje dhe fortesa,
Kanë roje burgjesh dhe gjyqtarë,
Që marrin shumë të holla dhe janë të gatshëm
për çdo gjë.
Eh, po përse?
Mos besojnë se me këto lehtë mund të na mashtrojnë?
Para se të zhduken, dhe kjo do të vijë së shpejti,
Ata do të kenë vënë re se të gjitha këto më s’u
vlejnë për asgjë.
Ata kanë gazeta dhe shtypshkronja
Për të luftuar dhe mbyllur gojën
(Burrat e shtetit s’ua numërojmë!),
Kanë popë dhe profesorë,
Që marrin shumë të holla dhe janë të gatshëm për çdo gjë
Eh, po përse?
Mos duhet të kenë kaq frikë të vërtetën?
Para se të zhduken, e kjo do të vijë së shpejti,
Ata do të kenë vënë re se të gjitha këto më s’u
vlejnë për asgjë.
Ata kanë tanke dhe topa,
Automatikë dhe granata dore
(Shkopinjtë e gomës s’ua numërojmë!),
Kanë policë dhe ushtarë,
Që marrin pak të holla dhe janë të gatshëm për
çdo gjë.
Eh, po përse?
Mos kanë armiq kaq të mëdhenj?
Ata besojnë se duhet të ketë një mbështetje,
Ku të mbështeten duke rënë.
Dhe le të bërtasin《Ndal sa më fort që të duan
Sepse as të hollat as topi më s’i mbrojnë!
DËGJOJMË: TI MË S’DO QË TË PUNOSH ME NE
Dëgjojmë: ti më s’do që të punosh me ne.
Je tepër i këputur. Më s’mund të rendësh këtej-andej.
Je tepër i lodhur. Më s’mund të mësosh.
Ke mbaruar.
S’mund të kërkojmë prej teje që të bësh ende diçka.
Dije, pra:
Ne kërkojmë.
Po të jesh lodhur dhe të të zërë gjumi,
S’do të të zgjojë më asnjeri dhe të të thotë:
Ngrehu, ja ku e ke gjellën gati.
Pse të të vijë gjella gati?
Në mos mundsh më që të rendësh,
Do mbetesh. Asnjeri
S’do të kërkojë dhe të të thotë:
U bë një revolucion. Fabrikat
Po të presin ty.
Përse të qe bërë një revolucion?
Në vdeksh, do të të varrosin,
Qoftë se për vdekjen tënde e ke fajin vetë ose jo.
Ti thua:
Tepër gjatë luftova. Më s’mund të luftosh.
Qoftë se ke faj vetë ose jo:
Në qoftë se më s’mund të luftosh, do zhdukesh.
Thua: tepër gjatë shpresova. Më s’mund të shpresosh.
Çfarë shpresove?
Që lufta të jetë e lehtë?
Nuk është aspak kështu.
Situata jonë është më e keqe nga ç’kujtoje ti.
Ajo është kështu.
Në mos bëfshim përpjekje mbinjerëzore,
Ne jemi të humbur.
Në mos mundshim të bëjmë atë që askush s’e kërkon prej nesh,
Ne humbasim.
Armiqtë tanë presin
që ne të lodhemi.
Kur lufta është më e ashpër,
Luftuesit qenkan më të lodhur!
Ata luftues që janë tepër të lodhur, betejën e humbasin.
MIRËKUPTIMI
Po ju, që jeni në mirëkuptim me rrjedhën e punëve,
Mos u fundosni prapë në asgjënë.
Mos u shkrini si kripa në ujë,
Po ngrihuni,
Duke vrarë vdekjen tuaj,
Sikundër punuat punën tuaj,
Duke përmbysur një përmbysje.
Drejtohuni, pra, duke vdekur
Jo drejt vdekjes,
Por prej nesh mirrni përsipër barrën
Për të rindërtuar aeroplanin tonë,
Filloni!
Për të fluturuar për ne
Në atë vend ku ua kemi nevojën,
Dhe në atë kohë, kur është nevoja,
Se ju,
Ne ju ftojmë të marshoni me ne dhe me ne
Të ndryshoni jo vetëm
Një ligj të tokës,
Po ligjin themeltar.
Duke qenë në një mendim, që të gjitha të ndryshohen,
Bota dhe njerëzimi,
Para së gjithash, çrregullimi
I klasave njerëzore, meqenëse ka dy lloj njerëzish,
Shfrytëzim dhe padije.
NË LUFTË SHUMË GJËRA DO ZMADHOHEN
Në luftë shumë gjëra do zmadhohen.
Më të mëdhenj do bëhen
Pronarë e prona,
Mjerimi i të papronëve,
Falimentimi i udhëheqësve
Dhe heshtja e të udhëhequrve.
BASHKËSHKOLLARËT MË TË VARFËR TË MËHALLAVE
Bashkëshkollarët më të vjetër, me palltushka
t’holla,
Përherë vinin, nga mëngjezi, tepër vonë në orë,
Se nënave ata ua shpërndanin qumështin dhe gazetat.
Mësuesit e tyre
I regjistronin me të shara te libri i qortimit.
Nuk kishin pako të mëngjezit. Ata, në pushime
I shkruanin në nevojtore detyrat e tyre,
Kjo ishte e ndaluar. Se pushimi
Ish i caktuar për t’u çlodhur, si dhe për të ngrënë.
Kur ata nuk e dinin《pi-në》- shifrën e Ludolfit –
Mësuesit i pyesnin: Pse
Nuk rri ti në gjirizin, nga ke ardhur?
Po ata e dinin këtë.
Shkollarëve që ishin më të varfër, nga mëhallat,
U jepej ndonjë post i vogël, në shërbim të shtetit.
Prandaj përmendsh ata mësonin, me djersën
e ballit,
Brendinë e librave të ndotur që blinin,
Mësuesve mësonin çizmat t’u lëpinin.
Dhe nënat t’i përçmonin.
Postet e vogla të shkollarëve të varfër, nga mëhallat,
Ishin nën tokë. Stolat e byrove
Nuk kishin ndenjtje. Ata shpresë kishin rrënjët
E bimëve të shkurtra. Po përse u mësonin
Atyre gramatikë greke, luftërat e Çezarit,
Formulën e sulfurit, shifrën《pi》?
Në Flandër, nën varrezat e plebejve,
Të paracaktuara për ta,
S’kërkonin tjetër gjë veçse
gëlqere.
MËRGIMI I POETËVE
Homeri s’kish një atdhe,
Edhe Danteja duhet ta linte të vetin.
Li-Bo dhe Di-Fu arratiseshin nër luftrat civile,
Që gllabëruan 30 milion njerëz.
Euripidit i kaniseshin me procese
Dhe Shekspirit, duke vdekur, ja mbyllën gojën.
Fransua Vijonin e kërkonte jo vetëm Muza,
Po edhe policia.
《I dashuri》, i quajtur
Lukreci, shkoi në mërgim.
Kështu Hajne, dhe kështu u strehua
Brehti nën çatinë daneze prej kashte.
FUQIA E PUNËTORËVE
Një ditë të caktuar, në gjithë Spanjën,
Bënë punëtorët të pushonin fabrikat. Hekurudhat
Rrinin të ftohta mbi shina. Pa dritë
Ishin shtëpitë, si dhe rrugët, telefonat,
ishin një tog teneqe pa dobi. Nuk
U jepej më dot urdhër policëve. Në vend të kësaj,
Flisnin masat midis tyre. Gjatë tri ditëve
Përdoruesit e aparateve të pushtetshme u treguan
Si sunduesit e tyre. Punëtorët, duke mos punuar më,
Treguan fuqinë e tyre. Ara pjellore,
Befas s’ish veçse një tokë gurishte.
Leshi i përpunuar s’e ngrohte më njerinë,
Të cilin qymyri në vatër më s’e ngrohte. Madje
dhe çizma e policëve
Do të kalbej dhe s’do të gjente asnjë pasues.
Atëherë,
E theu mosuniteti fuqinë e kryengritjes,
por edhe vetë këtu
Urdhërat e padronëve për pushimin e grevës
Gjatë shumë ditëve s’mundën të arrinin te
Masat: sepse lokomotivat
Ishin pa avull dhe të neveritura zyrat
postale. Pra, edhe këtu
U tregua
E madhja fuqi e punëtorëve.
GJASHTËMBËDHJETË VJEÇARJA RROBAQEPËSE EMA RIZ
Kur gjashtëmbëdhjetëvjeçarja rrobaqepëse
Përpara gjykatësit hetues në Çernovie
U ftua të tregonte pse
Kishte shpërndarë trakte, në të cilat
Bëhej thirrje për Revolucion, gjë që sjell burgim –
Si përgjigje, ajo u ngrit në këmbë dhe këndoi
Internacionalen.
Kur gjykatësi hetues tundi kokën,
Ajo bërtitu: Ngrehu! Kjo
Është Internacionalja!
EPITAF PËR ROZA LUKSEMBURG
Roza e kuqe u zhduk dh’ ajo tani
Se ku ësht’ e shtrirë, nuk e di njeri.
Meqë të varfërve u tha të vërtetën
Asaj të pasurit ja muarr jetën.
Shqipëroi: Lasgush Poradeci
Marrë nga: Bertolt Breht – Poezi, Shtypshkronja Mihal Duri, Tiranë 1973
Imazhi:
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).