/Alfred Bushi/
Ndër qëllimet kryesore të ligjit “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” të vitit 2015 është bazimi i arsimit të lartë mbi parimin e konkurrencës së lirë mes universiteteve. Nëse për të përfituar nga llokma e madhe e fondit të mbështetjes studentore, universiteteve private u duhet të kamuflohen në universitete publike të pavarura, për të futur duart në fondin e kërkimit shkencor u mjafton edhe statusi aktual fitimprurës. Financimi i kërkimit shkencor në universitetet private nuk është praktikë e re. Po nëse përpara ligjit aktual ai lejohej përmes akteve nënligjore, tanimë është pjesë e thelbit të ligjit të arsimit të lartë.
Mirëpo Shqipëria nuk shquhet vetëm për nivelin e ulët të investimit publik në arsim, por edhe për shpenzimet shumë të pakta për kërkimin shkencor. Çka, me futjen më të thellë të duarve private në të pritet të reduktohet edhe më për universitetet publike.
Nga ana tjetër, vetë hartuesit e reformës në arsimin e lartë pranonin se kërkimi shkencor është instrumenti kryesor, së bashku me mësimdhënien, për zhvillimin e arteve, ekonomisë, sporteve, shkencës etj. Po paradoksalisht, sipas këtyre profesorëve të komisionit qeveritar të reformës në arsimin e lartë, metoda shkencore nuk është e vlefshme në bërjen e reformës që do t’i japë formë mënyrës se si dhe sa do të bëhet shkencë në të ardhmen. Siç është thënë disa herë, anëtarët e komisionit nuk kanë bërë asnjë vëzhgim empirik paraprak, as kanë mbledhur të dhëna duke pyetur studentët, pedagogët apo administratën e universiteteve dhe as kanë ngritur hipoteza mbi këto të dhëna. Ata thjesht kanë marrë një draft të përgatitur në zgëqet e universiteteve private dhe e kane veshur me rrobën e një reforme anglosaksone për t’i dhënë një pamje të rrejshme shkencore. Qëllimi i tyre në fakt ka qenë mundësimi me ligj i ndarjes së këtyre fondeve me universitetet private dhe aspak zhvillimi i kërkimit shkencor. Sikur të ishte kjo e fundit, askush prej tyre nuk do të pranonte t’i ndante akoma më shumë ato pak para të akorduara nga buxheti i shtetit. Në nivelin aktual fondi për kërkimin shkencor nuk do i shërbente aq sa duhej universiteteve private për të bërë shkencë, por thjesht do t’u siguronte pronarëve të tyre ca para më shumë.
Mirëpo kërkimi shkencor, përkundër asaj që kërkohet të bëhet me ligjin e arsimit të lartë dhe asaj që duan pronarët e universiteteve private, nëse bëhet siç duhet dhe me fondet e duhura ka një impakt të jashtëzakonshëm në zhvillimin social-ekonomik dhe kulturor të vendit. Revolucioni shkencor i shek. XVI dhe XVII, me metodën shkencore që iu aplikua njohjes së natyrës dhe fenomeneve të ndryshme, përbën një prej shtyllave kryesore të të gjithë civilizimit perëndimor. Zhvillimi ekonomik varet në një masë të madhe nga kërkimi shkencor, nga zbulimet shkencore dhe aplikimi i tyre në rrafshin e teknologjisë. Dalja nga errësira dhe prapambetja mesjetare, rilindja evropiane, iluminizmi dhe revolucioni industrial ishin meritë e madhe edhe e revolucionit shkencor dhe e metodës së tij kërkuese.
Një prej parimeve më të rëndësishme të kërkimit shkencor të formuluara nga një prej etërve të shkencës moderne Galileo Galileit është ai i autonomisë së shkencës nga çdo autoritet i jashtëm, qoftë ai politik ose fetar. Pikërisht kjo autonomi i ka dhënë mundësinë shkencës që të zhvillohet e lirë në shërbim të njerëzimit, të mirës së përbashkët dhe jo interesit të kishës apo interesave të ndryshme private. Natyra publike e dijes shkencore, përkundër dijes së fshehtë e private, përbën një tjetër parim themelor të shkencës sipas dijetarit nga Piza. Këto parime e kanë udhëhequr prej shekujsh kërkimin shkencor të paktën në të ashtuquajturin Perëndim. Sigurisht që shkenca është përdorur edhe për interesa private, por në vija të përgjithshme natyra e shkencës është publike dhe në interes të të mirës së përbashkët. Financimi publik i universitetit dhe heqja e tarifave të studimit, që ekziston në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian, tregon për rëndësinë e madhe që ka dija dhe shkenca në zhvillimin dhe emancipimin shoqëror.
Reformuesit tanë të arsimit të lartë janë përpjekur pra që ta kthejnë dijen dhe kërkimin shkencor në një instrument për të fituar para. Po të mendonin për të mirën e shkencës dhe të interesit publik, ata nuk do ta pranonin assesi ndarjen e fondeve me universitetet private, por do të kërkonin rritjen e buxhetit të shtetit për arsimin e shkencën i cili nuk i ka kaluar asnjëherë 3 %, ndërkohë që vendet e zhvilluara arrijnë minimalisht 5%.
Për të ndaluar këtë vjedhje me ligj të fondeve publike, çka do të thotë për të ndaluar aplikimin e reformës në arsimin e lartë, ne duhet të kërkojmë me ngulm uljen e përshkallëzuar të tarifave deri në arsim publik falas. Anulimi i skemës financiare që parashikon ligji, që duhej të niste të aplikohej në vitin 2018, arrihet vetëm duke kërkuar ulje të tarifave dhe arsim publik falas, pasi në këtë mënyrë universitetet private nuk kanë ç’të vjedhin ose do të vidhnin më pak se sa kishin parashikuar me rritjen e përvitshme të tarifave. Hapi i parë i pengimit të kësaj reformë është bërë tashmë nga rezistenca e vazhdueshme e Lëvizjes Për Universitetin, e cila ka çuar në ngrirjen e rritjes së mëtejshme të tarifave. Por hapi i radhës, meqë ulja e tarifave kërkon të kompensohet nga rritja e investimit të shtetit, duhet të jetë medoemos anulimi tërësor i ligjit të arsimit të lartë, i cili u mundëson universiteteve private të konkurrojnë për fonde publike.
Sidoqoftë, ulja e tarifave do të përbente një goditje të fortë ndaj universiteteve private si në aspektin e numrit të studentëve të regjistruar, ashtu dhe në atë të marrjes se fondeve publike në momentin e hyrjes në fuqi të skemës financiare. Ulja e tarifave deri në arsimi publik falas dhe shfuqizimi i ligjit të arsimit të lartë përbëjnë poashtu një kusht të domosdoshëm për ta kthyer arsimin në një të mirë të përbashkët, në një gur themeli në zhvillimin social-ekonomik dhe kulturor. Shkenca duhet të jetë në shërbim të interesit publik dhe një e mirë publike, e si e tillë ajo duhet të financohet nga e gjithë shoqëria, sipas kapaciteteve ekonomike të klasave përbërëse të saj.
Imazhi: University of Nottingham
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).