/Bertolt Brecht/
Nga mërgimi i imponuar prej ngjitjes së nazistëve në pushtet, Brehti u shkruan antifashistëve gjermanë, sidomos komunistëve, anarkistëve, socialdemokratëve, etj., të cilët ishin të parët që u përballën me persekutimin nazist në kampet e përqendrimit. Me të ardhur në pushtet, nazistët i përvishen punëve persekutuese, jo vetëm duke shënjestruar jetën e figurave kryesore antifashiste, sidomos komunistëve dhe sindikalistëve, por edhe duke grumbulluar dhe mbajtur në kontroll një numër të madh të dyshuarish politikë në kampe përqendrimi. Këto kampe, si një limb midis ligjshmërisë dhe paligjshmërisë, shërbejnë si hapësira të gardhuara ku të dyshuarit politikë, të zhveshur edhe nga mundësia e një gjyqi formal, mbahen nën kontroll policor. Në praktikën (a)ligjore dhe zhveshëse nga çdo status qytetarie të këtyre kampeve përqendrimi, autorë si Arendt, Agamben etj. kanë parë zanafillën e kampeve të shfarosjes, ku subjekti, në të shumtën e rasteve i origjinës hebraike, i reduktuar në gjallesë biologjike e të padinjitet, mund të vritet si të ishte insekt. Mirëpo 1938 është ende herët për të parashikuar Holokaustin, i cili në sistematizmin e tij nis me sulmin nazist ndaj Bashkimit Sovjetik, dhe sidomos pamundësisë së fitores së shpejtë ndaj tij. Historiani amerikan Arno Meyer, te Why did the heavens not darken…, e sheh të lidhur pazgjidhshëm antihebraizmin dhe antikomunizmin nazist, në propagandën e kohës së të cilit flitej rëndom për rrezikun judeobolshevik. Hebreu, pra komunisti…komunisti, pra hebreu si ngjizje e internacionalizmit me proletarizmin, si Tjetri traumatik i një strukturimi kapitalist të kërcënuar nga kriza. Brehti u shkruan heronjve të kampeve të përqendrimit, pa paramenduar se pak vite më vonë, përmes procesit të gardhimit dhe shpersonalizimit që paraprinte zhdukjen industriale, këto figura mund të ishin veç imagjinare. E bash për këtë arsye, të vërteta…si e vërteta e domosdoshme që ngulmon të prodhojë të pamundurën, kryengritjen e emërhumburve.
…
Një herë e një kohë, kur punët nuk shkonin kaq barbarisht sa sot në Evropë e më gjerë, shumëkush thoshte se para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte bërë komunist ngaqë ishte antifashist. Padurimi dhe neveria ndaj fashizmit e shtynte kah lëvizja më e fortë antifashiste e kohës, komunizmi, madje ai më i egri stalinist. Në fjalët e Brehtit, fashizmi ishte i tillë përbindësh ndaj të cilit nuk mjaftonte tronditja morale e borgjezit të mirë, por nevojitej disiplinimi dhe shndërrimi i vetes në një përbindësh edhe më të frikshëm për t’i kallur datën. Këtyre kohëve gjithnjë e më shpesh dëgjohen rrëfime mbi dinjitetin e dikujt që qëmoti ishte bërë fashist ngaqë qe antikomunist i tërbuar.
– Arlind Qori
***
O ju, që s’ju arrijmë dot!
Varrosur nëpër kampe përqendrimi,
të ndarë nga çdo fjalë njerëzore,
të nënshtruar ndaj torturave,
të rrahur, por të papërkulur!
Të zhdukur, por
të paharruar.
Edhe nëse për ju
pak gjëra na vijnë në vesh,
prap dëgjojmë: se jeni
të pandreqshëm!
Dëgjojmë se nuk hiqni dorë kurrsesi
nga çështja proletare,
se ngulni këmbë që në Gjermani
ende ka dy lloj njerëzish: shfrytëzues
dhe të shfrytëzuar,
dhe se vetëm lufta e klasës
do t’i çlirojë masat nga mjerimi
në qytet edhe në fshat.
Dhe ne dëgjojmë se as kërbaçi, as litari
nuk po ju detyrojnë të thoni
që dy herë dy bëkërkan pesë.
Kështu pra ju
jeni të zhdukur, por
jo të harruar,
të rrahur, por
të papërkulur,
bashkë me të gjithë luftëtarët e tjerë
të pandreqshëm e të papërkulur,
që këmbëngulin në të vërtetën
dhe që mbeten
udhëheqësit e vërtetë të Gjermanisë.
1938
Përkthyer nga: Robert Shvarc
Marrë nga: Kurt Tuholski, Erik Vajnert, Bertolt Brecht – Poezi të zgjedhura