/Arlind Qori/
Në paraqitjen e shkruar, dhe atë gojore përpara Kuvendit, Rama shpalosi përciptas programin qeverisës së shumicës së re parlamentare. Nuk ia vlen të harxhohet kohë dhe germa për reagimet histerike të Berishës dhe të tijve, e aq më pak për panegjerizmat proamerikaniste që do të vinin në siklet edhe ‘të madhin’ Rumsfeld, që në kushedi ç’pensionore ka përfunduar. Të kishim ndonjë gjë në dorë për hedhjen e bombave pa pilotë, apo të rirregullimit gjeopolitik në Lindjen e Mesme, edhe mund t’i kushtonim seriozitet tragjizmit, por për farsën s’ka ç’thuhet më shumë sesa përmendja e termit farsë, apo përmbysja groteske e “Mbahu Vietnamit!” të dikurshmën në “Dridhu Sirinë!” e këtoditshme.
Oratorisht dhe teknikisht programi i maxhorancës së re thërriste me zë të lartë antikorrupsionin, ndëshkueshmërinë e paligjshmërive etj., ‘teknikalitete’ të tilla, aq shpesh të dëgjuara, e po aq shpesh zhgënjyese. Meqenëse premtime të tilla mbeten në erë, dhe janë më tepër produkt i vullnetit të mirë të parashtruesve, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të mos i marrim seriozisht deri në kohën kur veprimet e ardhshme qeveritare do të na bindin për to, ose për të kundërtën.
Kësodore, vëmendja bën mirë të përqendrohet në ndryshimet dhe vazhdimësitë programore dhe ideologjike me qeveritë paraardhëse, çka shënojnë, të paktën si zotime, elemente shoqërore përparimtare, apo regresive.
Në epokën biopolitike nuk mund të mungonte që programi të niste me sigurinë e jetës. Jo se ajo nuk është problematike ngado të hedhësh sytë, porse në traditën më të thukët konservatore ajo shihet si përparësi e përparësive, duke e reduktuar në policim, kontroll dhe edukim masash për respektimin e ligjit. Ndërkohë që s’ka krim që të mos jetë reagim superstrukturor i një strukture marrëdhëniesh shoqërore që nxisin format më të larmishme të paligjshmërisë, nga ato shfrytëzuese të krimit të organizuar dhe me kollare, deri tek ato ‘demokratike’ të plaçkitjes për mbijetesë. Në programin socialist flitet për hartë kontingjentesh kriminale si të ishin hordhi karkalecash dhe jo produkte të një situate ekonomike dhe shoqërore të mjerueshme. Sidoqoftë, ta shohim me mirëbesim këtë punë deri sa të kuptojmë shtjellimin e çështjeve më të imta ekonomike dhe shoqërore, se mbase policimi është thjesht një britmë paselektoraliste dhe jo synim më vete.
Pas sigurisë biopolitike të jetës vjen ajo klasike e pronës. Në një nga pikat programore thuhet se “shqiptarët do të jenë të gjithë pronarë të ligjshëm në prona të ligjshme”. Ky premtim bazohet në hamendjen e çuditshme se në Republikën e Pronarëve s’gjendet kush pa pronë. Sigurisht që nëse në këtë të fundit fusim edhe furçën e dhëmbëve ose rripin e pantallonave, të gjithë dalim pronarë. Mirëpo nëse e marrim pak seriozisht punën dhe me pronë quajmë pronësinë mbi ndonjë mjet prodhimi, mjet jetese, truall, banesë a gjithçka tjetër që na mundëson të jemi diç më shumë se shitës të krahut dhe mendjes së punës, gjërat na dalin ndryshe. Shqipëria është vend me gjithnjë e më pak pronarë. Me ç’duket ka vend t’i rikthehemi përgjigjes së Marksit ndaj përkrahësve të pronës private në shek. XIX: “Ju që dilni në emër të pronës private, harroni se 9/10 e popullsisë janë të zhveshur nga kjo pronë.” Mirëpo qeveria socialiste duket se do t’ia sharrojë krejt bazën zgjedhore të djathtës dhe të përqendrohet në fatin e pronarëve që pretendojnë tituj pronësie që nga koha e Tanzimatit, ose kushedi Pellazgut. Duket se po ringjallet premtimi i hershëm të kompensimit në natyrë, (dikur përdorej si toka në bregdet) apo përparësi në privatizime; a thua se ka mbetur ende ndonjë bythë me ndonjë farë vlere në Shqipëri pa u zaptuar apo privatizuar me ose pa ligj?!
Për sa i përket modelit ekonomik mund të vihen re risi me interes publik. Së paku ka një farë denoncimi të nënkuptuar të fundamentalizmit neoliberal (terapi shoku), megjithëse kamuflohet si domosdoshmëri ekonomike e njëzetvjeçarit të tranzicionit. Vihet theksi te riorientimi i ekonomisë nga prodhimi, duke mos u fokusuar më tek kriteret neoliberale të matjes së begatisë ekonomike (rritja ekonomike, ruajtja e ekuilibrave makroekonomikë etj). Lihet të kuptohet se nëpërmjet orientimit shtetëror (rikonfigurim taksash, tatimesh etj) do t’u jepet përparësi sektorëve prodhues. Problemi është se investimi në të tillë sektorë kërkon kapitale (jo medoemos kapitalizëm) të mëdha, dhe jo detyrimisht ato do të ngjallnin interesin e sipërmarrjes private përderisa fitimet në to janë të shtrira në kohë dhe kushtëzohen nga marrëdhënia me shtetin. Askund nuk flitet për ndonjë projekt pilot prodhues publik, që së paku do të shërbente si model i investimeve afatgjata private. Po ashtu askund nuk vihet theksi te nxitja dhe mbështetja e kooperativave të vetorganizuara bujqësore, qoftë edhe në bashkëfinancim me shtetin. Ndoshta e përfshijnë në kapitullin e partneritetit publik-privat, por me gjasë ato kanë parasysh përzierjen e roleve në investime infrastrukturore apo shërbime publike, që ‘mendjet djallëzore’ i shtyjnë kah privatizimi i pjesshëm i çdo shërbimi të mbetur publik (hidrocentrale, hekurudha, shkolla (?).
Për sa u përket sistemit energjetik dhe burimeve natyrore (p.sh. minerare) thuhet se privatizimet kanë dështuar, por lihet të kuptohet se dështimi nuk është strukturor, por korruptiv. Prandaj nuk pritet që asnjë nga ndërmarrjet e shpërndarjes (apo prodhimit (?)) të energjisë ose burimet minerare të kthehen në administrim publik. Flitet për ndëshkim të moszbatuesve të kontratave, por edhe kjo nuk përbën ndryshim programor, por theksim të antikorrupsionit të leqendisur.
Premtim shpresëdhënës është ai i ndalimit të importimit të mbetjeve, e cila s’ka nevojë për ndonjë strategji afatgjatë, por për një vendim politik të menjëhershëm. Shpresojmë të mbajnë fjalën se ligji i parë që do të kthejnë në parlament do të jetë ai i importimit të mbetjeve.
Po ashtu ka një farë përparimi në reformën fiskale. Ndryshe nga ç’u la të kuptohej në fushatë, se tatimi mbi fitimin do të prekte vetëm të ardhurat personale, në program thuhet se ato do të prekin edhe tatimfitimin e bizneseve të mëdha. Kështu që mbase nuk i rriten tatimet vetëm pagës së drejtorit të, bie fjala, Vodafonit, por edhe fitimeve të Vodafonit si firmë. Sigurisht që edhe këtu mungojnë shifrat, dhe gojët e liga po ashtu hedhin romuze se masa e rritjes së këtyre tatimeve mund të jetë qesharake dhe e pamjaftueshme për të mundësuar jetësimin e politikave të mbështetjes sociale.
Për sa i përket arsimit, sidomos atij të lartë, kemi më njërën anë premtimin se do të rritet përqindja e tij në buxhet, por kjo shoqërohet me frikën se një pjesë e kësaj rritjeje mund t’i shkojë klientelës së pangjyrë të universiteteve private. Gjatë fjalimit në Kuvend, Rama përmendi edhe nevojën e një reforme të financimit të universiteteve, dhe tha se ajo nuk do të frymëzohej as nga “praktika e socializmit të të shkuarës, as nga fundamentalizmi i tregut”. Me ç’duket, me model te vjetruar socializmi nënkupton sistemin aktual të financimit, ku megjithëse ka përherë e më pak fonde për universitetet publike, prapëseprapë ato janë të vetmet përfituese të fondeve publike. Me fundamentalizëm të tregut me gjasë ka parasysh modelin çilisto-berishist të konkurrencës së universiteteve private me ato publike për të njëjtat fonde publike, çka konkretisht nënkupton financimin e privatëve me para publike. Tani Rama po kërkon një rrugë të mesme, që do të thotë po hedh një gjysmë hapi në drejtim të Berishës. As financim vetëm për publiket, as konkurrencë fondesh. Duke ndjekur ndonjë ligjërim parazgjedhor të tij, me gjasë kërkon që universiteteve publike t’u garantojë financim bazik, dhe pastaj fondet e tjera t’i vendosë në garën e ujqërve, ndoshta duke përdorur praktikën e vendosjes së fondeve “për kërkime etj” si miklues të interesave private, si formë e kamufluar e financimit të tyre (ngjashëm me fondet që jepte qeveria e shkuar për ‘shoqërinë civile’). Nëse kemi pikë referimi berishizmin, atëherë është një gjysmë hapi përpara, se më mirë një gjysmë Berishe sesa i tëri. Mirëpo, meqenëse edhe Berisha në letër e kishte si reformë dhe nuk guxoi ta vinte në jetë, atëherë kemi rrëshqitje nga normaliteti financiar, qoftë edhe në rrallësi, në gjysmëberishizëm faktik.
Po ashtu promovimi i sportit masiv përbën hap përpara, sidomos në shëndetin e popullsisë. E lidhur kjo edhe me premtimin për shërbim shëndetësor falas për të gjithë, situata bëhet më premtuese. Mirëpo sidomos kjo e fundit do të varet shumë nga rritja e prodhimit dhe e taksimit të të privilegjuarve.
Ndërsa të munguarit më të mëdhenj të këtij programi janë PUNËTORËT. Për ta ende flitet vetëm si të papunë. Askund, përveç rastit të minatorëve, nuk flitet për të drejtat në punë, për kushtet e punës, për punën e zezë, për shfrytëzimin, për pagat mjerane, për minimumin jetik dhe pagën minimale, për përqindjen që zë paga në raport me fitimin ose të ardhurat. Punëtori nuk konsiderohet si burimi i vlerës dhe pasurisë, por si pjesëz e makinerisë fizike dhe organizative të të shumëlavdëruarit biznes. Edhe me këtë qeveri, punëtorët, një grup shoqëror “i papërfillshëm, njësoj si amatorët e bowling-ut”, do të mbetet jo vetmë jashtë vëmendjes qeveritare, por edhe jashtë fjalorit politik. Edhe në e paçin ndër mend, kushedi e fusin brenda me të gjitha elementet e sipërmarrjes dhe me begatinë e saj, duke mos kuptuar as minimumin e antagonizmave klasore. Duket se ende emri i punëtorit tremb. Dhe ndoshta kanë të drejtë që tremben prej tij.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.