/Arlind Qori/
Zhvillimet bashkëkohore në kritikën e ideologjisë arrijnë t’i përthyejnë politikisht konceptet psikanalitike, në mes tyre edhe perversitetin dhe histerinë, të cilat në vend që të na shtangin me konotacionin e përditshëm, mund të na shërbejnë për të kuptuar zgjedhjet e fundit parlamentare.
Për të mos trembur ndokënd, perversitetin në fushë të ligjërimit politik mund ta përkufizojmë si shfaqje të sigurisë vetjake se roli i marrë nuk është produkt i ndonjë zgjedhjeje, por mision i kushtëzuar nga një thirrje që vjen nga lart, nga historia, zoti, apo kushdo që luan fijet e botës dhe në raport me të cilin jemi vegla të komandueshme. Pra udhëheqësi politik paraqitet sipëror përpara masave jo thjesht për cilësitë e ndryshme që ka, por më tepër për hir të sigurisë se historia i ka dhënë një rol që ai s’mund të bëjë ndryshe veçse ta luajë për të mirën e gjithkujt. Ndërkaq, histeria mund të përkufizohet politikisht si pozicioni që ka marrësi i mesazhit politik, në këtë rast populli zgjedhës, në raport me elitën politike, raport i cili mungesën (të kundërtën) e vullnetit politik e transformon në vullnetin për mungesën (të kundërtën).
Fushatat e bëjnë të pashmangshëm kategorizimin pervers të krerëve politikë, megjithëse në rastin e Berishës kjo merr tipare më të theksuara. Berisha nuk shfaqej publikisht vetëm si udhëheqësi mbizotërues i Shqipërisë së njëzet viteve të fundit, por pikërisht suksesi pushtetor kohëgjatë prodhonte prapaveprueshëm përshtypjen se kishte diçka përtej konkretes që e kishte paracaktuar për këtë rol. Kuturisjet e tij për kontakte intime me zotin, kalamendja krahasimore me figura si Skënderbeu etj, i krijonin atij dhe ndjekësve përshtypjen se ai nuk ishte i rastësishëm, as suksesi i tij veç produkt i rrethanave apo aftësive vetjake, por një domosdoshmëri historike, një dhuratë hyjnore, apo një amanet i të parëve që ngadalë po bëhej realitet. Orët e Shqipërisë ishin mbledhur dhe njeriu me mbiemrin Berisha veç po kryente atë për të cilën e kishin mëkuar.
Në anën tjetër perversiteti shfaqej që në fjalën kyçe Rilindje. Rilindja shfaqej po ashtu si amanet, veç jo amanet i kryer apo në mes të rrugës si në rastin e Berishës, por si amanet i të parëve, fat historik i tradhtuar që prej kumtit të parë, që medoemos në figurën e Ramës do të gjente rrugën e vetme kah korrektimi i devijimeve fatale. As Rama nuk kishte zgjedhje përveçse ta vendoste veten në shërbim jo thjesht të popullit, por të historisë apo zotit që “ç’nuk i kishte dhuruar këtij vendi, por që dora e robit kishte guxuar të kthente të pakthyeshmen”.
Rasti i Metës, megjithëse më ciniku, prapëseprapë mbetej në shtratin e perversitetit. Kësaj here mungonin utopizmat, amanetet historike, por gjithsesi nuk mungonte rrëfenja e një bote tashmë të paracaktuar, me rregulla të qarta mbijetese, që lyp pikërisht realizmin cinik. Fundja bota xhungël qenka, dhe në të njëri duhet ta luajë violinën e parë, atë më të suksesshmen, atë që të shpëton nga murtaja sociale e papunësisë, atë që të thotë publikisht me nënqeshje cinike se e mban fjalën. Dhe kush mund ta vërë në dyshim se Meta e mban fjalën?!
Pikërisht këtij perversiteti elitist populli iu përgjigj me histerinë politike. Sigurisht që këtu nuk hyjnë votuesit ‘pragmatistë’ të LSI-së, të cilët në mungesë të të dhënave të sakta mund të hamendësohet se janë ‘kafshime’ nga të dyja kahet politike, por populli në kuptimin metaforiko-politik të një shumice dërrmuese (mbi 10%) që votoi PS-në ndaj PD-së. Qoftë mbizotërimi shumëvjeçar i Berishës, qoftë vendosja e tij në krye të kundërshtisë politike, bënë që zgjedhjet të ishin një referendum mbi Shqipërinë e këtyre njëzet viteve, të cilën Berisha e trupëzonte simbolikisht. Populli në fjalë zgjodhi të moszgjidhte Berishën, duke e identifikuar atë, qoftë edhe pa gjithë të drejtën, me gjithçka të mbrapshtë të këtyre njëzet viteve: me papunësinë, shkatërrimin e shërbimeve shoqërore, autoritarizmin, korrupsionin dhe mungesën e të drejtës në përgjithësi. Pavarësisht premtimeve opozitare, të vagullta dhe të paguximshme, ku përparësia morale u njollos si mos më keq nga aleanca me LSI-në, populli votoi histerikisht. Ai nuk kundërshtoi të votojë, por votoi të kundërtën, zgjodhi dialektikisht të jetësojë (pohojë) mohimin e vet, dhe PS-ja, pa pasur ndonjë vlerë në vetvete, ishte thjesht sigla e parë e mishërimit të mohimit apo revoltës për këta njëzet vjet.
Popujt janë histerikë sepse politikja është terreni i të paqëndrueshmes, ku dihet çfarë nuk duhet pa ditur çfarë duhet; ku ndjenja e pësimit të padrejtësisë është e drejtpërdrejtë dhe revoltuese e konceptimi i drejtësisë i vagullt, si e kundërta e papërcaktueshme e të tashmes së padrejtë; ku drejtësia nuk është veçse tentativa e kapërcimit të padrejtësisë dhe ngazëllimi i përkohshëm se e lamë pas…Vetëm për të kuptuar herët a vonë se lufta fillon nga e para, në tjetër terren, me të tjera pakënaqësi, por me të njëjtën ndjenjë revolte për të tashmen dhe shpresë utopike për të ardhmen.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.