/Redi Muçi/
Teatri s’ka qenë kurrë në mendjen e politikanëve sepse arti nuk ka treg. Mirë se vini në shoqërinë e tregut! Sektori i ndërtimit ka treg, prandaj ka politikanë, oligarkë, pronarë të mediave që janë njëkohësisht edhe sipërmarrës ndërtimi. Sporti ka treg, prandaj klanet e biznesit dhe politikës luftojnë për të marrë drejtimin e federatës. Nëse do të ekzistonte një mundësi e tillë edhe për artin, dikujt do t’i kishte shkuar mendja edhe te Teatri Kombëtar. E meqenëse ai është institucion publik, jo vetëm godina u la në harresë për 27 vjet, por edhe vetë arti si i tillë. Arti jo detyrimisht ka nevojë për kujdesin e shtetit që të lulëzojë, por ky është një muhabet tjetër.
Narrativa është e njëjta si përherë: shteti nuk ka mjaftueshëm para në buxhet për të ndërhyrë. Çdo aset publik në përgjegjësinë e shtetit lihet të rrënohet derisa kthehet në një lloj muzeu i soc-realizmit (sidoqoftë më pak kitsch sesa Bunkarti). Jo vetëm jofunksional, por i pabanueshëm për punëtorët që duhet ta vënë në lëvizje. Privatizimi ofrohet si ilaçi i vetëm ndaj kësaj sëmundjeje. Fabrikat dhe uzinat u shitën për skrap. Pasuritë e nëntokës, pas privatizimit, janë kthyer në zgafelle të vdekjes. Shpërndarësi energjetik dhe rafineria e naftës në piramida financiare. As për arsimin nuk ka lekë buxheti i shtetit (por çuditërisht ka sa për t’i shpërndarë te sipërmarrësit e arsimit privat), prandaj u krye reforma që lekët për arsimin publik të dalin nga xhepat e prindërve të studentëve. Kështu pra, s’ka lekë as për teatrin.
Por pse ky shqetësim i papritur për të? A thua ta ketë brejtur ndërgjegjja kryeministrin tonë artist? Sipas tij, godina e re është një domosdoshmëri sepse e reja, progresi, zhvillimi, arti… Nevoja e do, megjithatë, që të shembet godina e vjetër dhe që prona publike – në një zonë shumë të lakmuar – t’i kalojë privatit. Por cila nevojë? Nevoja për artin teatral që të ketë një godinë të re? Nevoja që godinën e re ta ndërtojë privati sepse shteti nuk ka para? Apo nevoja që marrëveshja Rama-Fusha të jetë me bereqet për të dyja palët?
Problemi që kemi sot nuk është më korrupsioni. Korrupsioni ishte problem në adoleshencën tonë kapitaliste kur ndaheshin tenderët e prokurimeve nga shteti, kur kishte përparësi një ndërtues kundrejt një tjetri, e kështu zinxhiri shkonte poshtë deri te infermierja dhe polici i thjeshtë. Secili nga pak, kush me një shtesë kuzhine e kush me një kioskë pa leje, ia dilte të mbijetonte duke korruptuar nëpunësin e zonës. Me maturimin e sistemit tonë ekonomiko-politik, korrupsioni ia la vendin partneritetit me oligarkët – të paktët e privilegjuar për të cilët parlamenti harton ligje dhe policia përmbaron zbatimin e tyre. Ky sot quhet “shteti i së drejtës”.
Gjithçka që shteti ndërmerr këtej e në vijim bëhet brenda të njëjtës logjikë “partneriteti” – pra përfitimit të dykahshëm politikan-oligark. Kështu, nuk shtrohet më çështja nëse qyteti ka nevojë apo jo për një stadium të ri dhe nëse duhet medoemos të shkatërrohet një vepër e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturore të qytetit për të argëtuar aty dashnorët e topit dhe të shopping-ut. Nuk diskutohet më nëse hidrocentralet ekzistuese i mbulojnë ose jo nevojat energjetike të vendit, përpara se të ndërtohet një i ri në Valbonë, Vjosë, e pse jo në Lanë. Nuk ka nevojë për një strategji afatgjatë të zhvillimit të turizmit përpara se të privatizohen plazhet e bregdetit të jugut nga Samir Manja. Nuk ka më diskutim mbi mundësitë për mirëmbajtjen e rrugëve dhe zgjidhjet e mundshme teknike për banorët lokalë e vendorë, përpara se Shefqet Kastrati të ndërtojë prej çeliku kuçedrën e legjendës që ka zënë gurën nga buron kroi, e që kërkon trimërinë e djaloshit për t’i prerë të shtatë krerët. Nuk ka vend për diskutim sepse diskutimi ndodh tjetërkund. Diskutimi nuk ngre problematika për të cilat kërkon zgjidhje. Ai ndan pazare, zhvillon partneritete.
Prandaj edhe të vetëshpallurit “negociatorë” nisen pikërisht nga këto premisa. Aktorët e teatrit, në këtë mes, janë vetëm palaçot mediatikë që legjitimojnë pazarin. A duhet të pretendojmë prej tyre një integritet prej intelektuali organik dhe qytetari që rrallëherë ndeshet ndër figura publike? S’do mend se jo. Por kur këtë rol të dështuar e vënë në jetë për llogari të një personazhi aktrimi aq antipatik sa Erjon Veliaj, komedia nëpër kronikat e lajmeve kthehet aksidentalisht në një vepër të paqëllimtë arti që mund të krahasohet me absurdin teatral të Samuel Beckett-it dhe groteskun kinematografik të Roy Andersson-it. Dhe kështu, dështimi i tyre profesional, i trupëzuar në komedinë e jetës së tyre publike, ndoshta do të përbëjë burim frymëzimi për shkrimtarët dhe dramaturgët e rinj që do të lindin ndër skutat e periferive.
Sidoqoftë, janë edhe ata aktorë që ende nuk kanë hequr dorë. Që ende u bëjnë thirrje qytetarëve të thjeshtë për të kundërshtuar vjedhjen që po i bëhet hapësirës publike dhe identitetit kulturor. Janë ata që duhen mbështetur për aq kohë sa zgjedhja e tyre është dinjiteti përkundrejt kockës së kryebashkiakut. Cinikët do të thonë se është vetëm çështje kohe, por romantikët do të besojnë se ka ende shpresë te nisma e tyre për t’u organizuar sindikalisht. Se ndoshta kjo formë kaq e brishtë organizimi në Shqipërinë tonë postdiktatoriale do të edukojë te ta shpirtin e vendimmarrjes dhe të qëndresës kolektive, për t’u përçuar më pas te qytetarët e pranishëm aty çdo ditë. Se ndoshta fitorja e ruajtjes së trashëgimisë kulturore që përfaqëson Teatri Kombëtar do të tregojë rëndësinë e organizimit sindikal në të gjitha shtresat e tjera shoqërore, si e vetmja mundësi rezistence ndaj oligokracisë që po ngrihet në vend.
Imazhi: Kopertinë e “Faustit” të Gëtes
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).