9 Maji antifashist
/Fitim Salihu/
9 maji shënon fitoren e popujve të lirë të botës kundër bishës nazifashiste dhe kolaboracionistëve të tyre të vegjël. 9 maji është dita e Evropës, sepse po në këtë ditë Gjermani naziste nënshkroi kapitullimin përballë forcave progresive të Evropës dhe botës. Është dita kur ideja e lirisë dhe barazisë ngadhënjeu ndaj ideve të errëta të racizmit dhe fashizmit.
Por cili ishte karakteri dhe pasojat e LDB-së?
Luftën e Dytë Botërore e nisi Gjermania naziste, Italia fashiste dhe aleatët e tyre të vegjël. LDB-ja është lufta më e tmerrshme në histori të njerëzimit, si për nga numri i shteteve ndërluftuese, vendeve që ka përfshirë, sipërfaqja e territoreve në të cilat janë zhvilluar operacionet, numri i popullsisë së shteteve ndërluftuese, numri i të mobilizuarve por edhe për nga numri i të vrarëve e të plagosurve.
Asokohe, zhvillimi i teknikës së luftës arriti një shkallë të lartë, kurse prodhimi përpjesëtime kolosale. Për zhvillimin e luftës shtetet ndërluftuese shpenzonin mesatarisht 60-70% të të ardhurave nacionale. Shpenzimet e përgjithshme ushtarake të vendeve ndërluftuese ishin pesë herë më të mëdha se ato në Luftën e Parë Botërore dhe përfshinin një shumë prej 1154 miliard dollarësh të kohës. Në qoftë se këtyre shpenzimeve u shtohen dëmet nga rrënimet atëherë kjo shumë e shpenzimeve arrin përmbi 4000 miliard dollarë të kohës.
Lufta i përfshiu të gjitha kontinentet, oqeanet dhe shumë dete, si dhe hapësi shumë të mëdha ajrore. Territori në të cilën u zhvilluan veprimet luftarake në krahasim me LPB-në ishte në Evropë shtatë herë, kurse në Azi dhe në Afrikë pesë herë më i madh. Në LPB, prej 170 milion meshkujve të rritur u mobilizuan 70 milion, kurse në LDB, prej 210 milion meshkujve të rritur u mobilizuan 110 milion, do të thotë se në vend të çdo të tretit u mobilizua çdo i dyti mashkull. Poashtu pati rritje edhe përfshirja e grave dhe rinisë në luftë.
Për nga viktimat në front dhe në prapavijë, për nga terrori dhe gjenocidi në popullsinë civile dhe rrënimet, kjo luftë ua kaloi të gjitha luftërave të mëparshme – në këtë luftë pati 50 milion të vrarë në krahasim me 10 milion në LPB, respektivisht 35 milion të plagosur në krahasim me 21 milion.
Prej 50 milion të të vrarëve rreth 19 milion janë ushtarakë (ose 18% e të mobilizuarve), kurse rreth 31 milion janë viktima civile të luftës, prej të cilëve 94% janë pjesëtarë të vendeve të koalicionit antifashist, e vetë 6% nga shtetet fashiste, edhe këta shumica të vrarë nga bombardimet. Kjo tregon për karakterin çnjerëzor të ideologjisë fashiste dhe për përgjegjësinë që barti kjo ideologji në eliminimin në masë të civilëve. Në kampet e përqendrimit dhe në kampet e robërve të luftës në Gjermani, Itali, Japoni, Hungari, Bullgari dhe në vendet e tjera satelite dhe fashiste zbatoheshin masat më të egra – prej mundimeve më brutale deri tek vrasjet masive. Prej 26 milion njerëzve që ishin nëpër kampe mezi shpëtuan gjallë 6 milion, dhe këta shumica me pasoja të rënda dhe permanente. Në luftë pati rreth 110 milion të ikur, gjermanët 10 milion njerëz i dërguan në punë të detyrueshme, kurse rreth 20 milion fëmijë mbetën pa prindër.
Edhe për nga rrënimet LDB-ja ua kaloi të gjitha luftërave të mëparshme. Llogaritet se gjatë luftës gjashtëvjeçare në tërë botën janë shkatërruar rreth 30 milion ndërtesa të banimit, kështu që pa kulm mbetën rreth 250 milion banorë. BRSS, Polonia dhe Jugosllavia, pos që bartën barrën kryesore të luftës guerile antifashiste, edhe u shkatërruan më së shumti. Edhe Britania e Madhe u shkatërrua shumë prej bombardimit.
Në Bashkimin Sovjetik 25 milion njerëz mbetën pa kulm, u shkatërruan 32.000 ndërmarrje dhe u rrënua 1710 qytete e 70.000 fshatra, kurse në Poloni u rrënuan 162.000 ndërtesa dhe 19.592 ndërmarrje industriale. Aleatët bombarduan 70% të qyteteve në Gjermani dhe prej prillit 1940 deri në janar 1945 rrënuan rreth 1.640.074 ndërtesa.
Forcat kryesore të të dy koalicioneve u angazhuan në frontin sovjeto-gjerman, ku u zhvilluan betejat më të mëdha, më komplekse, më të rënda, më të përgjakshme dhe më vendimtare. Gjermania hitleriane, si shteti më fuqishëm i bllokut fashist, angazhoi kundër Bashkimit Sovjetik rreth 2/3 e forcave të veta prej 5.093.000 deri 6.270.000 (152 deri 201 divizione). Mirëpo, përpos këtyre, kundër Bashkimit Sovjetik u përdorën edhe forca të konsiderueshme italiane, rumune, hungareze, finlandeze dhe forca të tjera fashiste dhe satelite: gjithsej, 37-73 divizione. Bashkimi Sovjetik, i cili barti barrën më të rëndë të luftës, i shkaktoi disfatën vendimtare Gjermanisë naziste dhe satelitëve të saj dhe dha kontributin më të madh në fitoren mbi bllokun fashist. Gjermania, në luftimet kundër Bashkimi Sovjetik pati rreth 8% të humbjeve të përgjithshme, sipas shënimeve gjermane. Armata gjermane në fillim kishte 1.4 milion njerëz, kurse në fund 7.7 milion. Ndërkaq, Bashkimi Sovjetik e filloi luftën me 4.7 dhe e përfundoi me 11 milion, prej tyre 827.000 ishin partizanë.
Britania e Madhe dhe ShBA-të në fillim lidhnin dy deri tetë, pas kapitullimi të Italisë 20, kurse në vitin 1945 rreth 107 divizione gjermane. Ato i dhanë BRSS-së ndihmë materiale për plotësimin e pajisjes dhe të armatimit të njësive të tij. Por, edhe me operacionet e suksesshme në Afrikën veriore, në Itali, në Evropën Perëndimore, në Paqësor dhe në Lindjen e Largët, amerikanët, britanikët, Ushtria Nacionalçlirimtare e Kinës, kanadezët, australianët, francezët dhe pjesëtarët e kombeve të tjera i kontribuuan disfatës së fuqive të Paktit Tripalësh.
Italia pjesën më të madhe të forcave të veta e angazhoi në territoret e okupuara – në Francë dhe Tunizi 9, në Libi 12 dhe në Jugosllavi, Shqipëri, Greqi e Dodekanez 33 divizione. Në frontin sovjeto-gjerman morën pjesë 10, kurse në territorin e Italisë mbetën 26 divizione italiane.
Anekënd globit, lëvizjet e guerilet e rezistencës antifashiste rriteshin, kurse tek disa popuj fillonin varësisht prej fuqisë së disfatave e goditjeve që i shkaktoheshin bllokut fashist, sikurse është disfata e doktrinës gjermane të “luftërrufesë” në frontin lindor dhe disfata në portat e Moskës dhe Stalingradit, kapitullimi i Italisë, hapja e frontit të dytë në Evropë dhe ofensiva e përgjithshme e Armatës së Kuqe në vitin 1944.
Në luftën e madhe antifashiste dhanë kontributin e tyre: Kina, Jugosllavia, Franca, Polonia, Shqipëria, Greqia, Çekosllovakia, Belgjika, Holanda, Luksemburgu, Norvegjia, Danimarka, Birmania, Filipinet, Indokina, Indonezia, Etiopia, Malaja, etj. Fronti antifashist nuk i la anash as vendet e koalicionit fashist.
Edhe forcat e tyre progresive dhe popujt e tyre përjetonin vuajtje e pësime të mëdha dhe, në kushte të vështira, brenda kufijve të mundësive të veta, bënin rezistencë në Gjermani, Itali, Bullgari, Rumani, Hungari, Finlandë, Austri, etj. Tërë këto lëvizje progresive kudo në Evropë u ndihmuan edhe nga marshimi i madh çlirimtar i Armatës së Kuqe sovjetike. Vetëm partizanët shqiptarë u çliruan pa ndihmën direkte të Armatës së Kuqe dhe asnjë force të aleatëve të mëdhenj antifashistë.
Sidoqoftë, është e pamundur të paraqiten me shifra përmasat e tmerrshme të këtij eksperimenti çnjerëzor fashist e racist. Është e pamundur t’i matim pasojat e përhershme në shëndetin e njerëzve dhe gjendjen e tyre familjare, materiale dhe emocionale. Vetëm se, me këtë përmbledhje të shkurtër dua ta kujtoj ditën e Evropës, jo si ditë të fitores së neoliberalizmit, por si ditë të ngadhënjimit të ideve njerëzore ndaj atyre çnjerëzore. Si ditë të fitores së popujve përparimtarë mbi ideologjinë më të errët që ka parë historia e njerëzimit, nazifashizmin. Si ditë të fitores së partizanëve shqiptarë ndaj bashkëpunëtorëve të fashizmit.
Urime 9 maji, dita e fitores së njeriut ndaj antinjeriut!
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.