Ndonëse masat e propozuara nga Komiteti i Révolucione Permanent-it përqendrohen kryesisht në Francë, mendoj se do të ishte me interes edhe për një lexues shqiptar të njihej me këto propozime. Kjo për dy arsye. Së pari, ngaqë disa propozime nuk janë krejtësisht të huaja edhe për shoqërinë tonë dhe, së dyti, ngaqë njohja e kushteve të punëtorëve në rang global veçse e pasuron “luftën lokale”, në mënyrë të tërthortë bëhet e dobishme edhe për ne, pasi na pajis me instrumente intelektuale për të kuptuar në mënyrë më të gjerë gërshetimin lokalo-ndërkombëtar të arenës ku ushtrohet lufta ndërmjet punëtorëve dhe pronarëve.
Këtë përkthim do të doja ta lija pa emër ose anonim për disa arsye. Një ndër to është fakti se nuk pajtohem me kontradiktën e Komitetit të Révolucione Permanent-it, pasi nga njëra anë bën thirrje për bashkimin mes partive punëtore revolucionare dhe nga ana tjetër, në mënyrë ambige, përjashton bashkimin me parti apo lëvizje të tjera të majta – si p.sh. La Fance Insoumis-in – me pretekstin se ato nuk janë edhe aq revolucionare, ndërkohë që në retorikë dhe në terren nuk mund të themi që Revolucion Permanent-i është më tepër revolucionare apo e majtë se lëvizjet e tjera.
***
1. Ndalimi i shkarkimeve nga puna dhe çfarëdo mase për ulje pagash ose rritje të kohës së punës. Ndarje e kohës së punës për t’i dhënë fund papunësisë.
Duhen shfuqizuar qarkoret e 23 marsit 2020 të cilat parashikojnë javën e punës 60-orëshe dhe ditën 15-orëshe, si dhe vënien në rrezik të pushimit të së dielës dhe ditët e pushimit. Po ashtu duhen abroguar reforma e pensioneve, që synon t’i lidhë pensionet tona me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB,) i cili është në rënie, reformat e mëparshme që shkatërruan shërbimet publike (nga transporti hekurudhor deri te spitalet). Por kjo nuk është e mjaftueshme: në kontekstin e krizës shëndetësore, është më shumë se kurrë e papranueshme që punëtorët të privohen nga një vend pune, ndërsa të tjerët janë të rraskapitur nga ditët e gjata dhe ngarkesat e rënda të punës. Duhet të ndalohen menjëherë pushimet nga puna, çka duhet të përfshijë edhe punëtorët me kontratë me afat të caktuar. Pastaj, për të siguruar një vend pune për ata që janë tashmë të papunë është e nevojshme të zvogëlohet koha e punës e atyre që e kanë një punë. Nëse kapitalizmi nuk mund t’u sigurojë punëtorëve të vetmen të drejtë që ata kanë në këtë shoqëri – të qenit të gatshëm për t’u shfrytëzuar, atëherë u zhduktë sa më parë!
2. Zaptimi i kompanive që mbyllen ose pushojnë nga puna masivisht.
Përballë pronarëve, që prej krizës do të vendosin të mbyllin bizneset ose të pushojnë masivisht punëtorët, nevojitet zaptimi i këtyre sipërmarrjeve në mënyrë që këto mjete prodhimi të mbahen në funksion. Ky është mësimi i parë që mund të nxirret nga rasti i fabrikave emblematike si Luxfer ose Famar të cilat, nëse nuk do të kishin mbyllur në vitin 2019 jo vetëm do të kishin shtuar numrin e vendeve të punës, por sot do të ishin në proces prodhimi produktesh thelbësore për t’iu përgjigjur krizës shëndetësore.
3. Kontrolli i punëtorëve mbi kompanitë për të siguruar mirëmbajtjen e kushteve të punës dhe pajtueshmërinë me masat e sigurisë dhe higjienës. Për ato ndërmarrje që nuk prodhojnë të mira thelbësore, rikualifikim për t’u shërbyer nevojave shëndetësore.
Punëtorët nuk duhet të pranojnë të jenë mish për top për fitimet e punëdhënësve. Nëse kushtet e sigurisë kjo dhe higjiena nuk janë të garantuara, punëtorët duhet të jenë në gjendje të imponojnë të drejtën e vetos dhe kërkesat e tyre përmes komiteteve të sigurisë dhe shëndetit, ku përfshihen të gjithë punëtorët, pavarësisht nëse janë pjesë sindikatash apo jo. Po kështu do të ishte absurde të viheshin në rrezik për prodhimin e gjërave jothelbësore në këtë periudhë, siç janë veturat ose aeroplanët, kur këto kompani të njëjta mund të prodhonin respiratorë artificialë, shtretër spitalorë dhe gjëra të tjera të dobishme për luftën kundër epidemisë. Punëtorët në fabrikat e vetëadministruara si fabrika e shtypjes Madygraf në Argjentinë kanë dëshmuar se punëtorët janë të aftë ta konvertojnë mënyrën e prodhimin.
4. Rritja me 300 € e pagave për të gjithë, paga minimale prej 1800 € neto si dhe barazimi i pagave për burrat dhe gratë.
Njohja dhe duartrokitjet nuk do të jenë të mjaftueshme për ata që janë në vijën e parë të frontit me paga të ulëta. Nuk janë të mjaftueshme as shpërblimet e njëhershme që disa supermarkete në fillim i njoftuan, ndërsa tani janë duke i vënë në dyshim. Kriza shëndetësore ka zbuluar se si punët më të dobishme shpesh janë më pak të paguarat. Gjithashtu kemi parë që shumë shpesh këto funksione kryhen nga gratë dhe sipas institutit INSEE këto paga janë mesatarisht 18.5% më të ulëta se ato të burrave. Është koha për ta korrigjuar me një rritje të përgjithshme të pagave dhe me një pagë minimale prej 1800 € neto për të gjithë.
5. Ngrirja e çmimeve për ushqimet bazike dhe ngritja e komisioneve të kontrollit të çmimeve, indeksimi i pagave mbi koston e jetës.
Të gjithë kemi parë rritje të çmimeve të ushqimeve kohët e fundit. Jo për shkak të mungesave, por prej rritjes së marzheve të fitimit të supermarketeve, të cilat tashmë janë ndër fituesit e mëdhenj të krizës shëndetësore dhe mbylljes së tregjeve të lagjeve. Komitetet e lagjeve duhet të organizohen për të monitoruar çmimet dhe shteti duhet të ngrijë të gjitha çmimet nevojave themelore. Nëse ka rritje të kostos së jetesës, minimumi do të ishte që pagat të rriten përmes një mekanizmi indeksimi mbi normën e inflacionit.
6. Pagesë universale deri në nivelin e rrogës minimale për të gjithë ata që e gjejnë veten pa të ardhura ose me humbje të konsiderueshme, transport falas dhe qasje në internet, pezullim të qirave dhe faturave të ujit, gazit dhe energjisë elektrike për më të pasigurtët. Shtyrja e kësteve të kredive (dhe anulimi për më të varfrit) dhe eliminimi i tarifave bankare.
Në lagjet me të ardhura më të ulëta kriza sociale po merr forma dramatike. Të privuar nga puna e tyre joformale, nga aksesi në mensat shkollore, shumë punëtorë e gjejnë veten në një situatë mjerimi absolut dhe shpesh hanë vetëm falë rrjeteve të solidaritetit të organizuar nga fqinjët. Shteti duhet t’u sigurojë menjëherë mjetet për të mbijetuar dhe të heqë të gjitha ngarkesat për shërbimet thelbësore. Nëse e bëjmë për kompanitë, pse nuk do ta bënim atë për njerëzit më të brishtë dhe të pasigurt?!
7. Normalizimi i të gjithë migrantëve pa dokumente, mbyllja e qendrave të izolimit të emigrantëve, tërheqja e trupave imperialiste franceze nga e gjithë Afrika dhe Lindja e Mesme.
Imigrantët “pa letra” janë ndër viktimat e para të krizës shëndetësore. Shpesh të privuar nga puna e tyre, ata e gjejnë veten të izoluar në shtëpi dhe banesa josanitare ose në rrënim e sipër, nganjëherë duke fërkuar supet me persona të sëmurë dhe nuk mund të largohen nga menaxhimi policor i bllokimit, i cili kërcënon t’i arrestojë dhe t’i dërgojë në një qendër mbylljeje për emigrantët. Vende si Portugalia kanë marrë vendimin për të rregulluar (përkohësisht, mjerisht) të gjithë emigrantët pa dokumente si një mënyrë për të përballuar krizën shëndetësore. Franca duhet të bëjë të njëjtën gjë, dhe jo në mënyrë të përkohshme. Rezultati i kësaj do të ishte edhe mbyllja e të gjitha qendrave të paraburgimit për emigrantët.
Pastaj, për ta trajtuar problemin me rrënjë, domethënë si produkt i plaçkitjes dhe shtypjes imperialiste që shtyjnë miliona njerëz të largohen nga vendet e tyre, në një kontekst ku tani është e qartë se ushtria është një vektor i rëndësishëm infektimi, do të ishte e nevojshme të tërhiqeshin menjëherë dhe përgjithmonë të gjitha trupat franceze nga Afrika dhe Lindja e Mesme.
8. Rekuizimi i banesave bosh dhe hoteleve për të mundësuar strehimin e duhur të të gjithëve, planifikim punësh publike për të ndërtuar banesa sociale dhe t’i japin fund strehimit të dobët.
Keqstrehimi s’ka qenë kurrë më dramatik se përballë një situate pandemie dhe izolimi. Të qenit i mbyllur në një shtëpi me një kopsht nuk është aspak e njëjtë me të qenit në një mikroapartament të mbipopulluar dhe josanitar. Është gjithashtu një problem i vërtetë shëndetësor sepse këto shtëpi bëhen vatra të vërteta epidemie. Sidoqoftë nuk janë mjetet që mungojnë në një vend me një numër të pallogaritshëm të banesash boshe, përveç hoteleve, prej mungesës së turistëve. Rekuizimi i këtyre banesave dhe dhomave të hoteleve duhet bërë urgjentisht si për të siguruar kushte të denja karantinimi, por edhe për të futur njerëzit e infektuar, duke kufizuar kësisoj shtrirjen e epidemisë. Në planin afatmesëm, një plan për ndërtimin e banesave sociale do të kishte avantazhin e dyfishtë të dhënies së një përgjigjeje për problemin e strehimit të dobët dhe krijimin e vendeve të punës.
9. Hapja e librave të llogarive të kompanive që kryejnë pushime nga puna, rivendosja e taksës për pasuritë e mëdha, rikuperimi i të gjitha parave të dhëna përmes privilegjeve fiskale CICE për kompanitë që largojnë nga puna, rritja e gjobave për evazorët e mëdhenj të taksave dhe shtimi i instrumenteve për t’i dhënë fund evazionit fiskal.
Si gjithmonë, punëdhënësit dhe qeveria do të na shpjegojnë se ajo që po kërkojmë është e pamundur, se nuk ka para. Sidoqoftë, nëse marrim vetëm vitin 2019, kompanitë e indeksuara në CAC40 fituan gati 80 miliardë euro dhe shpërndanë 60 miliardë euro për aksionarët. Shtuar kësaj, ka 100 miliardë evazion tatimor vjetor dhe 20 miliardë që u janë ofruar çdo vit kompanive deri në vitin 2018 nën Kreditin e Taksave për Konkurrencën dhe Punësimin (CICE ë zëvendësuar më pas nga forma të tjera “dhuratash” fiskale që u janë bërë pronarëve), për të mos përmendur pagat stratosferike të CEO-ve të caktuar ose 5 miliardë që sillte çdo vit ISF (taksa mbi pasuritë e mëdha). Nëse marrim vetëm shtatë bankat më të mëdha franceze, fitimet e tyre arrijnë në më shumë se 27 miliardë euro vetëm në vitin 2019. Kriza e shëndetit ka treguar se në këtë shoqëri puna më e dobishme është shpesh më pak të paguar. Siç e thotë aq mirë parulla “Para ka në arkat e pronarëve!”, nëse padronët duan të na bindin se nuk është e vërtetë, u mbetet të na tregojnë libra e llogarisë të kompanive. Punëtorët kanë mundësi të vendosin një rend tjetër përparësish në shpenzimet e secilit biznes dhe të shoqërisë në tërësi.
10. Shtetëzim nën kontroll të punëtorëve të të gjitha degëve strategjike të ekonomisë (shëndetësia dhe industria farmaceutike, energjia, transporti, agro-ushqimi etj.). Përparësi prodhuesve të vegjël, artizanëve dhe tregtarëve, jo kapitalistëve të mëdhenj.
Industria dhe shërbimet thelbësore janë shumë serioze për t’u lënë në dorë të kapitalistëve që mendojnë vetëm për fitimet. Punëtorët dhe përdoruesit janë të parët që janë të interesuar që këto kompani t’u përgjigjen siç duhet nevojave sociale dhe shëndetësore dhe, nga ky këndvështrim, ata janë më të aftë t’i menaxhojnë ato. Natyrisht nuk bëhet fjalë për të blerë kompani të falimentuara, që do të konsiderohej si shoqërizim i humbjeve, ndërkohë që aksionarët kanë përfituar prej vitesh nga këto kompani. Përkundrazi, këto janë shtetëzime pa kompensim ose blerje, nën kontrollin e punëtorëve dhe për t’u shërbyer nevojave të popullatës. Në këtë kuptim, dhurata prej 7 miliardë dollarësh që qeveria sapo i ka bërë kompanisë Air France dhe asaj prej 5 miliardë dollarësh për Renault-në, dhe kjo pa asnjë kushtëzim, është një skandal i vërtetë. Ndërkohë qindra mijëra prodhues dhe fermerë të vegjël, zejtarë dhe tregtarë e gjejnë veten të kapur nga fyti nga kreditë bankare, nga grupet kryesore të supermarketeve dhe nga kompani të mëdha. Të parët, jo ata që kanë bërë miliarda fitime ndër vite, duhet të kenë përparësi në ndihma dhe hua.
11. Ndaloni menaxhimin shtypës të masave frenuese! Policia jashtë nga lagjet e klasës punëtore!
Shteti përdor pretekstin e krizës shëndetësore për të forcuar arsenalin e tij shtypës, veçanërisht në lagjet e klasës punëtore, ku dhuna ndaj popullatës, dhe veçanërisht ndaj të rinjve, ka vazhduar të rritet që nga fillimi i izolimit, si dëshmoni rastin emblematik të Villeneuve-la-Garenne-s. Shteti dhe qeveria e tij janë duke përgatitur kështu aparatin shtypës që do të duhet për të shuar revoltat që do të vijnë prej mënyrës katastrofike se si u menaxhua kriza shëndetësore. Menaxhimit policor dhe autoritarist të krizës shëndetësore duhet t’i përgjigjemi me solidaritetin e vetorganizuar të punëtorëve, siç ka ndodhur tashmë në rrethe të caktuara ose duke filluar nga veprimi shembullor i punonjësve të një McDonald’s-i në Marsejë.
12. Kundër unitetit kombëtar, kthesës autoritariste të regjimit dhe qeverisjes me dekrete.
Ata që na qeverisin tashmë kanë frikë nga reagimi i punëtorëve dhe klasave popullore. Prandaj, përveç zhvillimit të arsenalit të tyre shtypës, ata kërkojnë të konfiskojnë çdo copë demokracie me bashkëpunimin e hapur të partive të vjetra të regjimit dhe në një mënyrë të kamufluar nga ana e organizatave si Europe Ecologie les Verts (Të Gjelbërit Evropianë, EELV) me propozimet e tyre për “një dialog social në shkallë të gjerë për të ardhmen e vendit” dhe “debat i madh mbi botën e të nesërme”. Ndryshimi rrënjësor i këtij regjimi gjithnjë e më autoritar nuk do të vijë as nga piruetat institucionale si ai i propozuar nga anëtari “La France Insoumise” (LFI) Eric Coquerel me propozimin e tij për shpërndarjen e Asamblesë Kombëtare me pretekstin se kjo duket “më e arritshme politikisht sesa dorëheqja e Presidentit të Republikës” dhe se “nëse do t’ia jepnim fjalën njerëzve për të zgjedhur një shumicë të ardhshme parlamentare, mbase do ta fusnim në krizë Republikën e Pestë, duke i dhënë përparësi legjislativit. Një politikë e vërtetë demokratike dhe radikale do të nënkuptonte, përkundrazi, abrogim të institucioneve të Republikës së Pestë dhe të hiqte si figurën presidenciale po ashtu një dhomë reaksionare si Senati, me qëllim që të vendosej një Asamble e vetme, në të cilën do të vendoseshin zyrtarë të zgjedhur dhe të revokueshëm në çdo kohë dhe të paguar me rrogë mesatare.
Përballë krizës shëndetësore dhe depresionit ekonomik që po shfaqet, drejtuesit e sindikatave deri më tani janë shquar në mungesën e tyre, në mos kanë mbështetur drejtpërdrejt sulmet mbi përfitimet e lëvizjes punëtore. Prandaj nëse duam të imponojmë këtë grup masash të domosdoshme ku për t’u siguruar që për krizën të paguajnë më të pasurit dhe jo punëtorët, duhet të organizohemi, të krijojmë një raport forcash dhe të imponojmë vullnetin nga poshtë. Përballë një sistemi global dhe epidemik, do të ishte një iluzion të kërkonim zgjidhje në reforma margjinale brenda një sistemi që është në thelb i kalbur.
Po ashtu përballë ofensivës së borgjezisë së madhe – që synon të përfitojë nga kriza shëndetësore për të imponuar një prapakthim historik të të drejtave dhe kushteve të jetesës së punëtorëve në mënyrë që të rrisë konkurrencën e saj në një skenar të tkurrjes së tregut botëror – do të ishte iluzion të mbanim shpresë te një formë patriotizmi ekonomik, i cili vetëm sa do të forconte rrezikun e nacionalizmit reaksionar të mishëruar nga Ressamblement National (RN) dhe Marine Le Pen-i. Vetëm solidariteti midis punëtorëve në të gjithë botën për t’i dhënë fund këtij sistemi global mund t’i japë përgjigje thelbësore një sistemi që na çon drejt barbarisë.
Prandaj në Francë e vetmja përgjigje përparimtare ndaj krizës, por edhe ndaj Macron-it dhe shpurës së tij, do të ishte ajo e një qeverie të punëtorëve dhe të sektorëve popullorë që vijnë nga mobilizimi revolucionar i masave dhe që i jep fund kapitalizmit për të krijuar një formë tjetër shoqërore, e bazuar në socializmin dhe planifikimin demokratik të prodhimit, një shoqëri komuniste. Përkundër karikaturës burokratike që u zhvillua në vendet e Lindjes dhe që ishte rezultat i një kundërrevolucioni të brendshëm, një shoqëri e këtij lloji do të ishte një mijë herë më demokratike se gjithçka që mund të prodhonte kapitalizmi dhe do të përfaqësonte të vetmen mënyrë për të shpëtuar njerëzimin dhe planetin.
Për këtë na duhet një parti e madhe revolucionare e punëtorëve në Francë, e lidhur me parti të të njëjtit lloj në të gjithë botën nga një organizatë ndërkombëtare. Ky është projekti i realizuar nga NPA / Revolucioni i Përhershëm përmes krijimit të komiteteve (aktualisht virtuale, për shkak të karantinimit) i hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të bashkohen në këtë luftë.
Imazhi: World Socialist Web Site