/Henry A. Giroux/
Pavarësisht diskreditimit nga recesioni ekonomik i vitit 2008, neoliberalizmi[1] – thënë ndryshe fundamentalizmi i tregut – është kthyer mes nesh me tërsëllimë. Po rivijnë kohët e errëta të fitimeve stratosferike të të pasurve dhe varfërimin dhe mjerimit në rritje të klasës punëtore dhe asaj të mesme. Analfabetizmi politik ka vënë në kontroll zemëratën populiste, duke i shërbyer politikisht përgjegjësve të rritjes së pabarazisë, varfërisë e të tjera vështirësive. Me mbrojtjen sociale në shpërbërje e sipër, nëpunësit publikë po denigrohen dhe të mirat publike si shkollat, urat, shërbimi shëndetësor dhe transporti publik po marrin të tatëpjetën…
Duke u përpjekur pa pushim për të normalizuar besimin iracional në aftësinë e tregjeve për të zgjidhur të gjitha problemet shoqërore, fundamentalizmi neoliberal i tregut ndërmerr politika që kanë për synim çmontimin e atyre pak elementëve shteti social dhe shërbimesh publike jetike që kanë mbetur. I ka dobësuar, në mos thuajse shkatërruar, institucionet që mundësojnë prodhimin e një kulture formuese në të cilën njerëzit mësojnë të mendojnë në mënyrë kritike, të imagjinojnë rrugë të tjera të të qenit dhe të bërit dhe të lidhin hallet e tyre personale me problemet publike. Çështjet e drejtësisë, etikës dhe barazisë janë degdisur sërish në margjinat e politikës. Kurrë nuk ka qenë më i hapur e më i rrezikshëm sulmi ndaj politikës demokratike sesa sot kur beteja po kryhet në regjistrin e masave neoliberale të shtrëngesave ndaj autonomisë së punës akademike, klasës si vend i pedagogjisë kritike, të drejtave studentore për arsimim cilësor, vitalitetit demokratik të universitetit si sferë publike dhe rolit që luajnë artet liberale dhe disiplinat humane në farkëtimin e një kulture arsimore që nxit praktikën e lirisë dhe bashkëfuqizimit.[2]
Ideja e universitetit si kështjellë e mësimit demokratik është zëvendësuar nga ajo e një universiteti të etur për t’u vetëpërkufizuar kryesisht në terma ekonomikë. Ndërsa qendra e gravitetit largohet nga disiplinat humane dhe nocioni i universitetit si e mirë publike, presidentët e universiteteve injorojnë vlerat publike dhe refuzojnë të merren me çështje dhe probleme sociale madhore[3]… Në vend që të trajtohen si investim shoqëror i të ardhmes, studentët tanimë konsiderohen prej administratorëve universitarë si burimi kryesor i të ardhurave për bankat dhe të tjera institucione financiare që u japin fonde për të paguar tarifat gjithnjë e më në rritje. Për brezat e vjetër, arsimimi i lartë hapte dyert e mundësive për vetëpërkufizim, si edhe për të ndjekur karrierën e dëshiruar. Arsimimi ishte i lirë, rigoroz dhe i qasshëm, edhe për shumëkënd nga radhët e rinisë së klasës punëtore. Po siç tregojnë të dhënat në SHBA dhe Britani, nuk ndodh më kështu. Në vend se të trupëzojë shpresën e një jete dhe të ardhmeje më të mirë, arsimi i lartë është bërë gjithnjë e më i kushtueshëm dhe përjashtues. Tani ofron kryesisht kredenciale dhe, për pjesën më të madhe të studentëve, një jetë të tërë me borxhe. Përgatitja e më të mirëve dhe të shkëlqyerve i ka lënë vendin atij që mund të quhet Brezi i Borxhit.[4]
Risia e kërcënimit aktual ndaj arsimit të lartë dhe në veçanti disiplinave humane qëndron në ritmin në rritje të korporativizimit dhe militarizimit të universitetit, llokoçitjen e lirisë akademike, ekzistencën e një kontingjenti gjithnjë e më të madh pedagogësh me kohë të pjesshme dhe pikëpamjen se studentët në thelb janë klientë, si dhe pedagogët ofrojnë një mall të shitshësh si kredencial dhe aftësish pune. Edhe më e tmerrshme është vdekja e ngadaltë e universitetit si qendër kritike, burim jetik i edukimit qytetar dhe të mirës publike. Thënë ndryshe, pasojë e këtij transformimi dramatik ka qenë thuajse vdekja e universitetit si qendër kritike, burim jetik edukimi qytetar dhe e mirë publike vendimtare. Shumë pedagogë janë të demoralizuar për shkak të humbjes gjithnjë e më të madhe të të drejtave dhe fuqisë së tyre. Për më tepër, një trupë pedagogjike e dobësuar qeveriset nëpërmjet frikës dhe jo prej përgjegjësive të bashkëndara. Ajo u nënshtrohet gjithashtu taktikave nënshtruese si rritja e barrës së punës, puna me kontrata afatshkurtra dhe shtypja në forcim e sipër e disidencës. Demokratizimi shndërrohet më pak në revoltë morale e më shumë në cinizëm, përshtatje me situatën dhe tërheqje në forma sterile profesionalizmi. Risi përbën gjithashtu fakti se pedagogët tanimë duken tejet të pashpresë dhe, si të tillë, ose janë të paaftë t’u përgjigjen sulmeve ndaj universitetit, ose janë të hutuar se si ndodhi që gjuha e specializimit dhe e profesionalizimit i ka shkëputur jo vetëm prej lidhjes së punës së tyre me kauzat qytetare dhe problemet shoqërore më të gjera, por edhe nga zhvillimi i një marrëdhënieje kuptimplote me jetën politike demokratike në tërësi.
Meqenëse nuk ndihen të shtyrë për t’u marrë me çështje politike dhe probleme shoqërore të rëndësishme, pedagogët janë gjithnjë e më pak të prirë për të komunikuar me publikun e gjerë, për të mbrojtur vlera publike apo për t’u angazhuar në studime që prekin të shumtët.[5] Të dhënë pas interesave korporativiste, ndërtimit të karrierës dhe ligjërimeve shterpe që shoqërojnë studimet e specializuara, një numër shumë i madh akademikësh kanë bërë paqe me korporativizimin e universitetit dhe regjimin e ri të qeverisshmërisë neoliberale. Duke u rënë pas granteve, promocioneve dhe mënyrave konvencionale të kërkimit shkencor, shumë akademikë janë mënjanuar nga debatet e gjera publike dhe refuzojnë të merren me probleme shoqërore urgjente. Duke marrë përsipër rolin e akademikut të painteres apo të yllit pedagogjik në ngritje, këta të ashtuquajtur sipërmarrës akademikë thjesht përforcojnë perceptimin publik si tejet të parëndësishëm. Të paaftë, në mos pa vullnetin, për të mbrojtur universitetin si sferë publike demokratike dhe një vend kyç i mësimit të mënyrës si mendohet kritikisht dhe veprohet me kurajë qytetare, shumë akademikë janë tretur në një aparat disiplinor që e sheh universitetin jo si një vend ku mendohet, por si një vend ku studentët përgatiten për të qenë konkurrues në tregun global.
Diçka e tillë është veçanërisht shqetësuese kur mendon kthesën e papranueshme të arsimit të lartë në drejtim të imitimit të kulturës së korporatave dhe integrimit në institucionet e sigurimit shtetëror.[6] Sot universitetet ballafaqohen me një sërë sfidash si p.sh. shkurtimet buxhetore, ulja e cilësisë, zvogëlimi i stafit pedagogjik, militarizimi i kërkimit shkencor dhe përshtatja e programeve mësimore me interesat e tregut. Në SHBA një pjesë e konsiderueshme e problemeve mund të lidhet me financimin e ulët, mbisundimin e mekanizmave të tregut në universitete, rritjen e kolegjeve fitimprurëse, ndërhyrjen e institucioneve të sigurimit shtetëror dhe mungesën e vetëqeverisjes nga pedagogët – tipare këto që jo vetëm bien ndesh me kulturën dhe vlerat demokratike të arsimit të lartë, por vënë në lojë edhe domethënien e universitetit si vendi ku mendohet dhe përftohet kultura formuese dhe vepruesit që e bëjnë të mundur demokracinë. Universitetet dhe kolegjet janë braktisur në një masë të madhe si sfera publike demokratike të përkushtuara ndaj shërbimit publik, zgjerimit të arritjeve të mëdha intelektuale dhe kulturore të njerëzimit dhe përgatitjes së brezave të ardhshëm për të përballuar sfidat e një demokracie globale. Me rrudhjen, privatizimin dhe kthimin në mall të disiplinave humane dhe arteve liberale, arsimi i lartë gjendet i ngërthyer në paradoksin e pretendimit të investimit në të ardhmen e të rinjve, ndërkohë që u jep atyre pak mbështetje intelektuale, qytetare dhe morale.
Nëse vazhdon kështu komercializimi, kthimi në mall dhe militarizimi i universitetit, arsimi i lartë do të shndërrohet në institucionin e radhës që nuk kontribuon gjë në zhvillimin e hulumtimit kritik, debatit publik dhe akteve njerëzore të drejtësisë dhe kuvendimit të përbashkët. Këto sfera publike demokratike janë posaçërisht të rëndësishme për t’u mbrojtur në kohën kur çdo hapësirë që prodhon “mendimtarë kritikë të aftë për të vënë në pikëpyetje institucionet ekzistuese” po mbytet nga interesat e fuqishme ekonomike dhe politike.[7]
Arsimi i lartë ka përgjegjësi jo vetëm në kërkimin e së vërtetës, cilado qoftë ajo, por edhe në edukimin e studentëve që t’i vënë përpara përgjegjësisë morale dhe politike autoritetin dhe pushtetin. Ndonëse çështjet që kanë të bëjnë me faktin nëse universiteti duhet t’u shërbejë vetëm interesave publike dhe jo atyre private nuk ngrenë të njëjtën peshë kriticizmi si dikur, ato janë ende vendimtare në kuptimin e qëllimit të arsimit të lartë dhe se çfarë do të thotë të imagjinosh pjesëmarrjen e plotë të universitetit në jetën publike si mbrojtës dhe promotor i vlerave demokratike.
Duhet të kuptojmë se arsimi i lartë mund të jetë nga të fundit sfera publike të mbetura ku dija, vlerat dhe mësimi u japin një fije shprese edukimit të shoqërisë me vlera publike, shpresë kritike dhe ndërtimit të një demokracie substanciale. Mund të pranohet që jeta e përditshme të organizohet mbi parimet e tregut; por të ngatërrosh shoqërinë e përcaktuar nga tregu me demokracinë ia ul vlerën arsimit të lartë, rrënjët më të thella të të cilit janë morale, jo komerciale. Kjo ide vlen posaçërisht në një shoqëri ku jo vetëm qarkullimit të lirë të ideve po ia zënë vendin idetë e përpunuara nga media mbisunduese, por edhe idetë kritike po shihen ose zhvlerësohen si banale, në mos reaksionare fare. Siç vëren Frank Rich-i, lufta kundër alfabetizmit dhe gjykimit të informuar duket sheshit në mllefin populist që ka përfshirë vendin, një zemëratë masive që ka për “shënjestër të arsimuarit dhe jo të pasurit”[8]. Demokracia kërkon frymë qytetarie, të cilës i nevojitet arsimimi i gjerë, kritik dhe mbështetës i vlerave qytetare, pjesëmarrja në vetëqeverisje dhe udhëheqjen demokratike. Vetëm në saje të kësaj kulture arsimore formuese dhe kritike është e mundur që studentët të mësojnë të bëhet veprues shoqërorë dhe individualë, jo thjesht spektatorë të distancuar, të aftë për të menduar ndryshe dhe vepruar bazuar në kauza qytetare që kërkojnë rimendim dhe rikushtetim të pushtetit – të domosdoshme këto për të promovuar të mirën e përbashkët dhe prodhuar një demokraci kuptimplote. Është me rëndësi të këmbëngulim se si arsimtarë ne shtrojmë pa pushim çështjen se si mund të mbijetojë arsimi i lartë si një sferë publike në një shoqëri ku kultura qytetare dhe mendimi kritik po rrënohen për shkak të pamundësisë në rritje për të dalluar opinionin dhe shpërthimin emocional nga argumenti i mirëpeshuar dhe arsyetimi logjik. Po aq e rëndësishme është nevoja për arsimtarë dhe të rinj që marrin zemër për ta mbrojtur universitetin si sferë publike demokratike. Tony Morrison-i i bie në kokë kur shkruan:
“Nëse universiteti nuk e merr me seriozitet dhe rigorozitet rolin e rojtarit të lirive të gjera qytetare, si parashtrues i problemeve etike gjithnjë e më komplekse, si shërbyes dhe mbrojtës i praktikave demokratike thelbësore, atëherë vendin e tij do ta zërë një tjetër regjim ose përzierje regjimesh, pavarësisht nesh dhe pa ne.”[9]
Të mbrosh disiplinat humane – ka shpjeguar së fundmi Terry Eagleton-i – do të thotë të përftosh një enklavë akademike ku studentët të mësojnë historinë, filozofinë, artin dhe letërsinë. Do të thotë po ashtu të theksosh se sa të domosdoshme janë këto fusha studimi për të gjithë studentët që duan të aftësohen në çfarëdo angazhimi kritik si individë dhe veprues shoqërorë. Po disiplinat humane kanë edhe virtyte të tjera. Ato përftojnë dije, aftësi, marrëdhënie shoqërore dhe mënyra pedagogjie që themelojnë kulturën formuese në të cilën mund të mësohen leksionet historike të demokratizimit, mund të merren përsipër përgjegjësi shoqërore, të zgjerohet imagjinata dhe pohohet mendimi kritik. Si shtojcë e kompleksit akademiko-ushtarako-industrial, arsimi i lartë nuk ka ç’u mëson studentëve mbi mënyrën se si ta mendojnë veten në demokraci, si të mendojnë kritikisht dhe të angazhohen me të tjerët apo se si t’i ndërtojnë marrëdhëniet midis tyre dhe botës mbarë nga prizmi i vlerave demokratike. Na duhet një revolucion permanent mbi domethënien dhe qëllimin e arsimit të lartë, në të cilin pedagogët dhe studiuesit tregohen të gatshëm të shkojnë përtej gjuhës së kritikës dhe ligjërimit të mllefit moral e politik, sado të domosdoshme qofshin këto për mbrojtjen individuale dhe kolektive të universitetit si sferë publike jetike me rëndësi parësore për vetë demokracinë.
Ky debat është i rëndësishëm si për të mbrojtur arsimin e lartë si e mirë publike, ashtu edhe për financimin e tij si e drejtë shoqërore. Për më tepër, ky debat ndërhyn fort mbi mënyrën se si një brez i tërë e kupton të ardhmen dhe rolin e vet brenda saj. Studentët nuk janë konsumatorë; ata janë në radhë të parë qytetarë të një demokracie globale potenciale dhe, si të tillë, duhen mëkuar me “të gjitha llojet e njohurive, kuptimeve dhe krijimtarisë njerëzore – kësisoj fitojnë mundësinë për të zhvilluar potencialet e tyre të plota intelektuale dhe krijuese, pavarësisht nivelit të pasurisë familjare”.[10] Duke u orvatur t’i reduktojë parametrat e qëllimit të arsimit të lartë, ideologjia neoliberale e kufizon gjithnjë e më shumë – nëpërmjet tarifave të larta, mësimdhënies teknokratike, reduktimit të pedagogëve në punonjës me kohë të pjesshme dhe mënyrave autoritare të qeverisjes – aftësinë e shumë të rinjve për të hyrë në universitet, ndërkohë që refuzon t’u japë arsimim kritik atyre që hyjnë në të. Nuk ka akoma një numër të mjaftueshëm pedagogësh, studentësh, prindërish dhe qytetarësh të shqetësuar që janë të gatshëm dhe të aftë për ta mbrojtur arsimin e lartë si vlerë publike dhe pedagogjinë kritike si praktikë politike e morale që mbron kapacitetin e të rinjve për t’u angazhuar në shoqëri.
Me rëndësi qendrore në përfytyrimin demokratik të arsimit të lartë është kundërshtimi i nocionit se e vetmja vlerë e arsimimit është të nxisë progresin dhe transformimin ekonomik në kuptimin e begatisë kombëtare. Nuk duhet të harrojmë se si pas ngjarjeve të 11 Shtatorit universiteti po militarizohet dhe po reduktohet në shtojcë të institucioneve të sigurimit shtetëror. Publiku e ka braktisur idenë e financimit dhe vlerësimit të arsimit të lartë si një e mirë publike e pazëvendësueshme për demokracinë. Kjo është një arsye më shumë që pedagogët dhe studiuesit të vendosen në vijën e parë të frontit të studentëve, nëpunësve publikë dhe qytetarëve që ka për synim refuzimin e menaxhimit korporativist të universiteteve dhe zhvillimin e një ligjërimi të ri në të cilin universiteti, dhe veçanërisht disiplinat humane, duhen mbrojtur si institucione shoqërore e publike jetike për shoqërinë demokratike.
Po nuk e mbrojtën pedagogët dhe studiuesit universitetin si të mirë publike dhe sferë publike demokratike, kush do ta bëjë?! Nëse nuk mundemi ose refuzojmë të vihemi në ballë të bashkimit me studentët, sindikalistët, mësuesit, artistët dhe punonjësit e kulturës në mbrojtje të universitetit si institucioni më vendimtar në themelimin e një kulture formuese të nevojshme për një demokraci të lulëzuar, atëherë do t’ua dorëzojmë disiplinat humane, artet liberale dhe universitetin në tërësi forcave ekonomike, politike, kulturore dhe shoqërore antidemokratike. Nëse mësimdhënia liberale dhe disiplinat humane bien në gjunjë përpara sulmeve aktuale ndaj arsimit të lartë, do të bëhemi dëshmitarë të lindjes së një shteti neoliberal, ku roli qytetar dhe demokratik i universitetit, sado i çalë që është tani, do të zhduket fare. Në këto rrethana, arsimi i lartë dhe sidomos disiplinat humane do të futen brenda një spiraleje vdekjeprurëse duke u shndërruar në institucione të çfarëdoshme të përgatitjes profesionale, të cilat nuk kanë lidhje me kërkesat e mendimit kritik, disensusit, përgjegjësisë shoqërore dhe kurajës qytetare.
Të mbrosh universitetin nënkupton më shumë sesa të bësh bashkë kritikën dhe zemëratën morale. Do të thotë të zhvillosh një kulturë kritike e kundërshtie dhe një lëvizje kolektive brenda universitetit, si dhe t’u bashkohesh lëvizjeve shoqërore jashtë mureve gjithnjë e më përjashtuese të tij. Është vendimtare të prekësh publikun e gjerë mbi karakterin shoqëror dhe demokratik të arsimit të lartë, sidomos po të kihet parasysh se një pjesë e madhe e publikut e ka “braktisur idenë e edukimit të njerëzve për qytetari demokratike”[11] dhe të konsiderimit të arsimit të lartë si e mirë publike. Rrezikohet më shumë sesa përgjegjësitë e mëdha në mbrojtje të lirisë akademike, sistemi i punësimit me kohë të plotë dhe autonomia e pedagogëve, sado të rëndësishme qofshin ato. Çështjet e vërteta gjenden gjetiu dhe kanë të bëjnë me ruajtjen e karakterit publik të arsimit të lartë, si dhe me kuptimin se mbrojtja e tij si sferë publike demokratike ndikon thellësisht në krijimin e kushteve thelbësore pedagogjike të zhvillimit të një brezi të rinjsh që kanë vullnetin për të luftuar për demokracinë edhe si premtim, edhe si mundësi. Njëherë Walter Benjamin-i pat shkruar: “Ai që nuk mban anë duhet të heshtë.” Nëse duan ta parandalojnë kolonizimin e mëtejshëm të arsimit të lartë nga falangat e forcave antidemokratike – ku përfshihen sekserët e korporatave, megamilionerët, ideologët e djathtë dhe interesat e kompleksit ushtarako-industrialo-akademik – pedagogët dhe studiuesit nuk e kanë luksin e të heshturit apo të qëndruarit si vëzhgues të largët. Rreziqet janë të mëdha dhe lufta tejet e rëndësishme. Rifitimit të universitetit si sferë publike demokratike dhe vend ku mësuesit dhe studentët mendojnë në mënyrë kritike dhe veprojnë me përgjegjshmëri po i mbaron koha. Kultura e militarizuar e neoliberalizmit bie ndesh katërcipërisht me kushtet e domosdoshme pedagogjike për ballafaqimin me imagjinatë të rrezikut, disensusin, dialogun, studimet e angazhuara, autonominë pedagogjike dhe mënyrat demokratike të qeverisjes. Arsimi i lartë është nga ato pak vende të mbetura ku mund të krijohen identitetet, vlerat dhe dëshirat demokratike. Nëse e ardhmja e të rinjve vlen po aq sa demokracia, kjo luftë duhet të nisë që sot.
E përktheu Arlind Qori
Titulli është i redaksisë.
Shënime të autorit:
[1] Burime të rëndësishme teorike mbi neoliberalizmin: Lisa Duggan, “The Twilight of Equality.” (Boston: Beacon Press, 2003); David Harvey, “A Brief History of Neoliberalism,” (New York: Oxford University Press, 2005); Wendy Brown, “Edgework: Critical Essays on Knowledge and Politics,” (Princeton: Princeton University Press, 2005); Alfredo Saad-Filho and Deborah Johnston, eds., “Neoliberalism: A Critical Reader,” (London: Pluto Press, 2005); Neil Smith, “The Endgame of Globalization,” (New York: Routledge, 2005); Aihwa Ong, Neoliberalism as Exception: Mutations in Citizenship and Sovereignty (Durham: Duke University Press, 2006); Randy Martin, “An Empire of Indifference: American War and the Financial Logic of Risk Management,” (Durham: Duke University Press, 2007); Naomi Klein, “The Shock Doctrine: The Rise of Disaster Capitalism,” (New York: Knopf, 2007); Henry A. Giroux, “Against the Terror of Neoliberalism,” (Boulder: Paradigm Publishers, 2008); David Harvey, “The Enigma of Capital and the Crisis of Capitalism,” (New York: Oxford University Press, 2010); and Gerard Dumenil and Dominique Levy, “The Crisis of Neoliberalism,” (Cambridge: Harvard University Press, 2011).
[2] Shih për shembull: Stanley Aronowitz, “Against Schooling: For an Education That Matters,” (Boulder: Paradigm Publishers, 2008); Christopher Newfield, “Unmaking the Public University,” (Cambridge: Harvard University Press, 2008); and Ellen Schrecker, “The Lost Soul of Higher Education,” (New York: New Press, 2010). Një prej punimeve më të mira analitike të këtij sulmi mund të gjendet te: Edward J. Carvalho and David B. Downing, eds., “Academic Freedom in the Post-9-11 Era,” (New York: Palgrave, 2010); si dhe te libri im i ardhshëm: Henry A. Giroux, “Education and the Crisis of Public Values,” (New York: Peter Lang Publishing, 2011).
[3] Shih: Isabelle Bruno and Christopher Newfield, “Can the Cognitariat Speak?” E-Flux No. 14 (March 2010). Online në: http://www.e-flux.com/journal/view/118/. Shih edhe: Christopher Newfield, “Unmaking the Public University,” (Cambridge: Harvard University Press, 2008).
[4] Një kritikë interesante e kësaj çështjeje gjendet në edicionin special të revistës The Nation, të titulluar: “Out of Reach: Is College Only for the Rich?” (29 qershor 2009).
[5] Ka kohë që përdoret ky argument kundër akademikëve, ndonëse është harruar ose injoruar prej shumë pedagogëve. Për shembull, shih esetë e ndryshme në: C. Wright Mills “The Powerless People: The Role of the Intellectual in Society”; C. Wright Mills, “The Politics of Truth: Selected Writings of C. Wright Mills,” (Oxford: Oxford University Press, 2008), ff. 13-24; Edward Said, “Humanism and Democratic Criticism,” (New York: Columbia University Press, 2004); dhe Henry A. Giroux and Susan Searls Giroux, “Take Back Higher Education,” (New York: Palgrave, 2004).
[6] Rreth marrëdhënies së universitetit me institucionet e sigurimit shtetëror, shih: David Price, “How the CIA Is Welcoming Itself Back Onto American University Campuses: Silent Coup,” CounterPunch (9-11 prill 2010). Online në: http://www.counterpunch.org/price04092010.html. Shih edhe: Nick Turse, “How the Military Invades Our Everyday Lives,” (New York: Metropolitan Books, 2008); dhe Henry A. Giroux, “The University in Chains: Confronting the Military-Industrial-Academic Complex,” (Boulder: Paradigm, 2007).
[7] Cornelius Castoriadis, “Democracy as Procedure and Democracy as Regime,” Constellations 4:1 (1997), f. 5.
[8] Frank Rich, “Could She Reach the Top in 2012? You Betcha,” New York Times (20 nëntor 2010), f. WK8.
[9] Toni Morrison, “How Can Values Be Taught in This University,” Michigan Quarterly Review (pranverë 2001), f. 278.
[10] Stefan Collini, “Browne’s Gamble,” London Review of Books, Vol. 32, No. 21 (4 nëntor 2010). Online në: http://www.lrb.co.uk/v32/n21/stefan-collini/brownes-gamble.
[11] David Glenn, “Public Higher Education Is ‘Eroding From All Sides,’ Warn Political Scientists,” Chronicle of Higher Education (2 shtator 2010). Online në: http://chronicle.com/article/Public-Higher-Education-Is/124292/.
Marrë nga Truthout
Imazhi: Ragazine
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).