/Arlind Qori/
Ironikisht Slavoj Žižek-u merrte ngasje teorike nga “filozofi” i madh amerikan Donald Rumsfeld. Ky i fundit, kur shpjegonte arsyet e ndërhyrjes amerikane në Irak, bazohej në raportin trekëndor midis rrezikut dhe dijes për të. Prandaj thoshte se rreth Irakut, për ne (amerikanët) ka te njohurat që i dimë (pra dimë ç’rrezik konkret vjen prej Irakut), të panjohurat që i dimë (pra dimë se ç’mund të fshehin) dhe më të rrezikshmet akoma të panjohurat që nuk i dimë (pra gjëra që as na shkon në mendje tash për tash). Zizeku vëren se Rumsfeld-i harron alternativën e katërt, atë që shpjegon më së shumti sundimin e ideologjisë, pra të njohurat që nuk i dimë, ato që pothuajse të gjithë i marrim me mend pa qenë të ndërgjegjshëm në përditësi që ekzistojnë, pasi ngrehina ideologjike e shtyn skutave të pavëmendjes atë çka përndryshe do të ishte aty. Ato të vërteta që megjithëse empirikisht i kemi përpara syve, zor se i vëmë re në kuptimin tërësor, por thjesht i marrim si bezdi lehtësisht të shpërfillshme, çka na e mundëson interpretimi rehatues ideologjik se ato janë eksternalitete, ca të këqija të vogla, të pashmangshme, por gjithsesi të durueshme.
E kështu, në një prej fotove më tronditëse të 21 janarit, një djalë i varfër përfaqëson të njohurat që ne nuk i dimë. Po ta shohësh me kujdes…ai është i varfër, është i ri, nuk rri nga blloku, nuk ka facebook, është i veshur me rroba që shkëlqejnë mjerim, por mbi të gjitha ka urrejtje…Ka mllef, por jo krenari. Ka zërin e çjerrë, lotët e rrahjes si taksën që duhet të paguajë për të mbetur gjallë. Çdo pore e tij klith dëshpërimin e veçimit shoqëror, përjashtimit ekonomik, racizmit krahinor, tëhuajsimit politik. Ky është “barbari”, ama një lloj i ri barbari: Jo një i huaj që na kërcënon nga jashtë. Ai është brenda për sa i përket sundimit e shfrytëzimit, por i huaj rreth përfitimeve. E atë ditë u bë barbari që intelektokratët me bezdi e neveri e quajnë përgjegjës se u prishi rendin publik, qetësinë e llomotitjes së status quo-së, barbari që zonjëzave të kolme u zuri rrugën atë pasdite ndërsa çonin pinjollët e tyre në kursin e tenisit; është ai që dyqanxhiun e shqetësoi aq fort sa propozoi që prej asaj dite revolta të mos derdhej më në rrugë, por të izolohet në ndonjë stadium ku si kafshë kopshti zoologjik ai e të tjerët si ai të çirren pa bezdisur veshët apo qepenat e askujt. Ai është terroristi që shteti i frigohet se mos ndonjë ditë me ulërimën e tij prish rendin. Ai është martiri i demokracisë për aristokracinë opozitare që me shpresë do ta ndihë për të ndryshuar aq pak sa të pamundësojë ndryshimin në vetvete. Pra të ndërrojë duart e zaptuesve pa i bërë zap këta të fundit si kategori sunduese e jo thjesht si individë.
Po hap kllapat teorike për një çast e po citoj ‘Kritikën e dhunës’ së Walter Benjaminit, i cili ia kundërvë dhunës mitike të stabilitetit, dhunën hyjnore të ndryshimit radikal: “Nëse dhuna mitike është ligjvënëse, dhuna hyjnore është ligjshkatërruese; nëse e para vendos kufij, e dyta pakufishëm i shkatërron ata; nëse dhuna mitike sjell me vete fajin dhe shpagimin, pushteti hyjnor vetëm shëlben…” Nën këtë dritë, demonstruesi është ai që sa herë me dhunën e tij hyjnore të ripërkufizojë kufijtë e tolerancës elitare do të riprovojë në kurriz dhunën mitike të gjendjes së pandryshueshme; është ai që kur nesër zaptuesit të ndërrojnë vendet, mbase nuk do të vritet, por me të do të krenohen në statistikat e luftës ndaj kriminalitetit. Do t’u thonë botës: ejani se imazhi ynë u rregullua. Ja, bërdungllat i rimbuluam me pudrën e dhunës mitike, e shtymë mjerimin në skajin e vet, jo për ta pakësuar, por për ta ribërë të pazë. I përjashtuari mbeti jashtë, ose aq brenda (në burg) sa më jashtë nuk bëhet.
Vetëm se atë të premte diçka ndodhi. Djalli doli nga fundi i dheut…Ngriti krye Satani miltonian, u mëkëmb Demoni i Lermontovit për të klithur përjashtimin shoqëror, për të gjetur vesh e sy, për të marrë fatin e tij në dorë. Ajo çka na shqetësoi ne nuk është se ai theu apo dogji, as se u rrah apo u vra. Ajo që na kalli tmerr është se për një ditë në 20 vite ai prishi qetësinë tonë të të njohurave që nuk i dimë, pasi i shndërroi ato në pak orë në të njohurat që dimë. Pas asaj dite ne e dimë se ku jetojmë, e shohim se ai nuk është më vetëm shitësi i cigareve që si instrument i heshtur na shërben për pak sekonda e as “katundari” që na ngjall qesëndi. Ai tashmë ngjalli tmerr, realen traumatike. Ai shpërbëri mjegullën ideologjike të rendit publik e kushtetues të themeluar mbi përjashtimin. Për të shteti, si gjendje e institucionalizuar e mbajtjes së rendit të themeluar mbi dhunën mitike përjashtuese, nuk ka arsye të ekzistojë. Ai na detyroi të zgjedhim përmes rrafshit të ri të fatit të përbashkët: ose shtet si gjendje politike e përjashtimit të përjashtimit ose shtet për askënd. Ose zhvillimi i secilit si kusht i zhvillimit të të gjithëve ose tym e flakë për gjithkënd. Në fund të fundit, ç’ka për të humbur ai veç prangave?!
Botuar më 28 janar 2011 në blogun Saktivista
Imazhi: Jutta Benzenberg (marrë nga: http://www.emahomagazine.com/life-after-the-iron-curtain-jutta-benzenberg/)
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.