/Yanis Varoufakis/
PARATHËNIE
Libri im i mëparshëm “Dhe të dobtit vuajnë: Evropa, masat shtrënguese dhe kërcënimi ndaj stabilitetit global” parashtroi një shpjegim historik të arsyeve pse Evropa gjendet prej dekadash në një proces të humbjes së integritetit dhe “shpirtit” të saj. Gjatë përfundimit të librit në janar 2015, u bëra ministër i Financave të Greqisë dhe e gjeta veten të degdisur në barkun e bishës për të cilën kisha shkruar.
Duke pranuar postin e ministrit të Financave të një vendi evropian me borxhe kronike në mes të përplasjes me kreditorët e tij – qeveritë dhe institucionet më të pushtetshme të Evropës – isha dëshmitar nga afër i rrethanave të veçanta dhe shkaqeve të menjëhershme të shndërrimit të kontinentit tonë në një moçal nga i cili mund të mos shpëtojë për një kohë të gjatë. Ky libër i ri tregon atë histori. Mund të përshkruhet si historia e një akademiku që u bë ministër për pak kohë përpara se të bëhej sinjalizues. Ose si përmbledhje tregimesh ku shfaqen personazhe trazues si Angela Merkel-i, Mario Draghi, Wolfgang Schäuble-ja, Christine Lagarde-i, Emmanuel Macron-i, George Osborne-i dhe Barack Obama. Ndoshta si tregimi i një vendi të vogël të falimentuar në përballje me Goliatët e Evropës me qëllim arratisjen nga burgu i debitorëve përpara se të pësojë disfatën dërrmuese dhe përfundimtare. Po asnjë nga këto përshkrime nuk zbulon siç duhet motivin tim të vërtetë për të shkruar këtë libër.
Menjëherë pas shtypjes së pamëshirshme të rebelimit të Greqisë në 2015, i njohur edhe si Pranvera Greke ose Pranvera e Athinës, partia e majtë Podemos humbi momentumin e saj në Spanjë; padyshim që shumë votues të mundshëm i frikësoheshin një fati të ngjashëm me tonin në duart e një BE-je të egër. Duke parë shpërfilljen e pashpirt të BE-së për demokracinë në Greqi, shumë mbështetës të Partisë Laburiste në Britani vendosën të votojnë për Brexit-in. Brexit-i shërbeu në të mirë të Donald Trump-it. Triumfi i Trump-it përcolli erë të re në velat e nacionalistëve ksenofobë në të gjithë Evropën dhe botën. Vladimir Putini me siguri fërkon sytë me mosbesim me mënyrën si Perëndimi e minon veten në mënyrë kaq përrallore.
Historia në këtë libër nuk është vetëm simbolikë e asaj në të cilën po shndërrohen Evropa, Britania dhe Shtetet e Bashkuara; në të njëjtën kohë ofron njohuri reale të arsyeve dhe proceseve të thyerjes së ekonomisë dhe politikave tona sociale. Ndërsa i ashtuquajturi establishment liberal proteston kundër së djathtës ekstreme, vlen të kujtohet se në vitin 2015 i njëjti establishment nisi një fushatë egërsisht efektive të tjetërsimit të së vërtetës dhe hedhjes së baltës kundrejt një qeverie pro-evropiane, të zgjedhur në mënyrë demokratike, në një vend të vogël në Evropë. E përsëri, sado të dobishme të jenë ngjarje dhe analiza të tilla, motivi për të shkruar këtë libër shkon më thellë.
Përgjatë ngjarjeve të veçanta që përjetova, njoha një histori universale – historinë e asaj që ndodh kur qeniet njerëzore e gjejnë veten në mëshirën e rrethanave mizore të krijuara nga një rrjet johuman, kryesisht i padukshëm i marrëdhënieve të pushtetit. Kjo është arsyeja pse në këtë libër nuk ka “të mirë” ose “të ligj”. Në vend të këtyre kategorive, libri popullohet nga njerëz që, sipas botëkuptimit të tyre, bëjnë zgjedhjen e duhur, në kushte të zgjedhura nga forca më madhore se vullneti i tyre. Secili nga personat që kam takuar dhe për të cilët shkruaj në këto faqe besonte se po vepronte siç duhet, por, të marra së bashku, veprimet e tyre sollën fatkeqësi në shkallë kontinentale. A nuk është kjo lënda e një tragjedie autentike?! A nuk është kjo ajo që i bën tragjeditë e Sofokliut dhe Shekspirit të rezonojnë me ne sot, qindra vite më pas?!
Në një moment Christine Lagarde-i, drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, në zemërim e sipër tha se për të zgjidhur dramën na duheshin ‘të rriturit në dhomë’. Ajo kishte të drejtë. Kishte mungesë të të rriturve në shumë nga dhomat ku zhvillohej kjo dramë. Si personazhe, megjithatë, ata ndaheshin në dy kategori: banalë dhe magjepsës. Banalët punonin kokulur duke hequr viza konfirmuese në fletët me udhëzimeve të dhëna nga padronët e tyre. Megjithatë, në shumë raste, padronët – politikanë si Wolfgang Schäuble-ja dhe funksionarë si Christine Lagarde-i dhe Mario Draghi – ishin ndryshe nga banalja. Ata kishin aftësinë të reflektonin mbi veten dhe rolin e tyre në dramë, dhe pikërisht aftësia për të dialoguar me veten i bën në mënyrë magjepsëse pre të profecisë vetëpërmbushëse.
Të shihje nga afër kreditorët evropianë ishte njëlloj si të shihje një version alternativ të Makbethit në tokën e Edipit. Ashtu si i ati i Edipit, mbreti Lir padashur i solli vdekjen vetes sepse besonte në profecinë që do të vritej nga djali i tij, edhe lojtarët më zgjuar dhe të pushtetshëm në këtë dramë padashur shkojnë drejt vetëshkatërrimit sepse i druhen profecisë që e parathotë. Të ndërgjegjshëm mbi lehtësinë me të cilën mund t’u rrëshqiste pushteti nga duart, kreditorët e Greqisë u mposhtën nga pasiguria. Të frikësuar se falimenti i padeklaruar i Greqisë mund të ndikonte në zbehjen e pushtetit të tyre në kontinent, kreditorët imponuan dhunshëm politika që si përfundim arritën pikërisht efektin e kundërt. Në një moment të caktuar, si Makbethi, duke ndjerë pushtetin të shndërrohej në pafuqi të padurueshme, zgjedhja e detyruar ishte të bënin dëm sa më të madh të ishte e mundur.
Në kujtesë kam momente ku thuajse i dëgjoj teksa thonë:
…në gjak jam aqë larg i futur
Sa sikur të mos dua të vazhdoj
Jam aqë keq për kthim sa tej të shkoj.
Në kokë tmerre kam, në dorë zbresin
Dhe duhen bërë, se peshime s’presin.[1]
Përmbledhja e një drame të tillë nga njëri prej personazheve pjesëmarrës nuk mund t’i shpëtojë njëanshmërisë dhe dëshirës për shpagim. Ndaj, për të qenë sa më i drejtë të jetë e mundur, jam përpjekur t’i shoh veprimet e tyre dhe të miat nëpërmjet optikës së një tragjedie autentike greke ose shekspiriane, ku personazhet, as të mirë dhe as të ligj, pushtohen nga pasojat e pavullnetshme të konceptimit të tyre mbi çfarë do duhej të bënin. Dyshoj se në këtë nismë i jam afruar më shumë suksesit në rastin e personazheve që i shoh si magjepsës, krahasimisht me ata banalët.
Prandaj e kam të vështirë të kërkoj ndjesë për shkak se po t’i paraqisja ndryshe këta të fundit, do të nënkuptonte minim të saktësisë historike të kësaj përmbledhjeje.
E përktheu Frenklin Elini
Imazhi:
Imazhi: Louisa Gouliamaki/Agence France-Presse/Getty Images
[1] Marrë nga përkthimi i Fan Nolit, akti III, skena IV.