/Rosa Luxemburg/
Revolucioni proletar që ka filluar tashmë nuk ka asnjë qëllim tjetër dhe asnjë rezultat tjetër përveçse realizimit të socializmit. Klasa punëtore duhet të luftojë, mbi të gjitha, për të marrë të gjithë pushtetin politik të shtetit në duart e veta. Sidoqoftë pushteti politik, për ne socialistët, është vetëm mjet. Qëllimi për të cilën ne duhet ta përdorim këtë fuqi, është transformimi rrënjësor i të gjitha marrëdhënieve ekonomike.
Aktualisht, gjithë pasuria – pronat më të mira dhe më të mëdha, por dhe minierat e fabrikat – janë në pronësi të disa kapitalistëve privatë. Masa më e gjerë e punëtorëve marrin vetëm një rrogë të ulët, për punën e vështirë, nga këta kapitalistë. Pasurimi i një numri të vogël përtacësh është qëllimi i ekonomisë së sotme.
Kjo gjendje duhet të rregullohet. Gjithë pasuria shoqërore, toka dhe të gjitha burimet natyrore, nëntokësore dhe sipërfaqësore, si dhe të gjitha fabrikat dhe vendet e punës duhet t’u merren shfrytëzuesve dhe t’i shkojnë popullit si pronësi e përbashkët. Detyra e parë e një qeverie të vërtetë punëtore është t’i shpallë, me anë të një sërë dekretesh, mjetet më të rëndësishme të prodhimit si pronë shtetërore nën kontroll të shoqërisë.
Vetëm atëherë fillon detyra më e vështirë: rikrijimi i ekonomisë në baza komplet të reja.
Për momentin, prodhimi në çdo sipërmarrje drejtohet nga kapitalistët individualisht. Çfarë – dhe në ç’mënyrë – do të prodhohet, ku, kur dhe si do të shiten mallrat e prodhuar vendoset nga industrialistët. Punëtorët nuk merren me këtë punë, ata janë thjesht mekanizma të gjalla që duhet të kryejnë punët e tyre.
Në një ekonomi socialiste duhet të ndodhë krejt ndryshe. Punëdhënësi privat do të zhduket. Më pas, qëllimi nuk do të jetë pasurimi i një individi, por shpërndarja e produkteve jetike për publikun në përgjithësi. Rrjedhimisht fabrikat, vendet e punës dhe ndërmarrjet bujqësore duhet të riorganizohen në përputhje me mënyrën e re të të parit të gjërave:
Së pari: nëse prodhimi duhet të synojë sigurimin e një jete të denjë, ushqim me bollëk dhe sigurimin e mjeteve të tjera kulturore të ekzistencës, atëherë produktiviteti i punës duhet të jetë shumë më lart se sot. Toka duhet të prodhojë më shumë të korra, në fabrika duhet të përdoret një teknologji më e zhvilluar, vetëm minierat më prodhuese duhet të shfrytëzohen etj. Për pasojë, socializimi do të shtrihet, mbi të gjitha, në ndërmarrje të mëdha, në industri dhe bujqësi. Ne nuk kemi nevojë dhe nuk duam të shpronësojmë fshatarin e vogël dhe zejtarinë, që sigurojnë jetesën me një ngastër të vogël ose punishte. Ndërkohë ata do të vijnë te ne vullnetarisht dhe do të njohin meritat e socializmit kundrejt pronës private.
Së dyti: në mënyrë që të gjithë në shoqëri të mund të arrijnë begatinë, të gjithë duhet të punojnë. Vetëm ata që kryejnë punë të dobishme për publikun e gjerë, me anë të mendjes ose duarve, kanë të drejtën për të marrë nga shoqëria mjetet për të kënaqur nevojat e tyre. Jetës parazitare, që bën shumica e shfrytëzuesve të pasur, do t’i vijë fundi. Kërkesa e përgjithshme për punë për të gjithë ata që munden, ku fëmijët e vegjël, të moshuarit e të sëmurët janë të përjashtuar, është e natyrshme në shoqëritë socialiste. Publiku më i gjerë duhet t’i mbështesë menjëherë ata të cilët nuk kanë mundësi të punojnë – jo si tani me lëmoshë të vogël, por me furnizime bujare, rritje të socializuar të fëmijëve, përkujdesje të kënaqshme për të moshuarit, kujdes shëndetësor publik për të sëmurët etj.
Së treti: në përputhje me të njëjtën pikëpamje, p.sh. mirëqenien e përgjithshme, çdokush duhet të menaxhojë në mënyrë të arsyeshme dhe të jetë nikoqir me mjetet e prodhimit dhe punën. Shpërdorimi, që për momentin ndodh ngado, duhet të ndalojë. Natyrisht, e gjithë lufta dhe industritë e armëve duhet të shkatërrohen, meqenëse një shoqëri socialiste nuk ka nevojë për armë vrasëse dhe, në vend të kësaj, materialet e çmuara dhe puna njerëzore duhet të përdoren për produkte të dobishme. Industritë e ”luksit”, të cilat prodhojnë stringla të ndryshme për të pasurit bjerraditës duhen gjithashtu të shkatërrohen, si dhe të mos ketë më shërbëtorë personalë. E gjithë puna njerëzore do të ushtrohet në mënyrë më të vlefshme.
Nëse ne themelojmë kësisoj një komb punëtorësh, ku secili punon për gjithkënd, për të mirën dhe përfitimin publik, atëherë vetë puna duhet të organizohet komplet ndryshe. Në ditët e sotme puna në industri, bujqësi dhe zyra është më së shumti mundim dhe barrë për proletariatin. Njeriu shkon në punë vetëm sepse është i detyruar, përndryshe nuk mund të ketë produktet jetike. Në një shoqëri ku çdokush punon me njëri-tjetrin për mirëqenien e përbashkët, shëndetit të forcës punëtore dhe entuziazmit të saj për punë duhet t’u jepen një rëndësi më e madhe. Duhet të zbatohen orë të shkurtra pune që nuk tejkalojnë aftësitë normale, punishte të shëndetshme dhe të gjitha metodat e çlodhjes në mënyrë që të gjithë të shijojnë realizimin e hises së punës.
Të gjitha këto reforma, sidoqoftë, kërkojnë një material të caktuar njerëzor. Aktualisht kapitalisti, përgjegjësi dhe mbikëqyrësi i qëndrojnë me kamxhik mbi krye punëtorit. Uria e shtyn proletariatin në punë, në fabrika ose zyra, për junkerin ose fermerin e madh. Punëdhënësit kujdesen që koha të mos shkojë dëm ose materialet të mos shpërdorohen, dhe që puna të ushtrohet në mënyrë efikase.
Në një shoqëri socialiste, industrialisti me kamxhikun e tij rresht së ekzistuari. Punëtorët janë të lirë dhe qenie njerëzore të barabarta, të cilët punojnë për mirëqenien e përbashkët dhe të mirën e tyre. Kjo do të thotë punë me nismën e tyre, duke mos shpërdoruar pasurinë publike dhe kryerje e punës me efektivitet dhe përpikëri të lartë. Çdo problemi socialist i nevojitet një menaxher teknik, i cili di pikërisht ç’po bëhet dhe të japë udhëzime që çdo gjë të ecë mirë dhe të arrihen ndarja më e mirë e punës dhe eficienca më e lartë. Tashmë ndjekja e këtyre direktivave, mbajtja e disiplinës dhe e rendit, mosshkaktimi i vështirësive dhe hutimeve arrihen me vullnet të lirë.
Me një fjalë: punëtori në ekonomin socialiste duhet të tregojë se mund të punojë fort dhe siç duhet, të ketë disiplinë dhe të japë më të mirën pa kamxhikun e urisë dhe pa kapitalistin dhe shfrytëzuesit mbi krye. Kjo kërkon nga proletariati vetëdisiplinim të brendshëm, pjekuri intelektuale, një hov morali, një sens dinjiteti dhe përgjegjësie, një rilindje tërësisht të brendshme.
Socializmi nuk mund të arrihet me njerëz përtacë, të shkujdesur, egoistë, mendjelehtë dhe mospërfillës. Një shoqëri socialiste ka nevojë për njerëz, secili në vendin e vet, plot pasion, plot vetësakrificë dhe simpati për qenien njerëzore, plot kurajë dhe këmbëngulje në mënyrë që të guxohet më e vështira.
Ne nuk kemi nevojë për të pritur dekada ose shekuj derisa të kemi të tillë njerëz. Që tani, në luftë, në revolucion, masa e proletariatit mësoi idealizmin e nevojshëm dhe së shpejti do të fitojë pjekurinë intelektuale. Ne gjithashtu kemi nevojë për kurajë dhe durim, qartësi të brendshme e sakrificë, për të qenë në gjendje ta udhëheqim revolucionin drejt fitores. Duke rekrutuar luftëtarë të zotë për revolucionin e tanishëm, ne gjithashtu krijojmë punëtorët e ardhshëm socialistë, të cilët i kërkon si themel rendi i ri.
Rinia e klasës punëtore është e mirëkualifikuar për këtë detyrë të madhe. Si brezi i ardhshëm, ata do të formojnë bazamentin e vërtetë të ekonomisë socialiste. Tanimë i takon punës së tyre të vërtetojë se janë njerëzit e duhur për detyrën e madhe të të qenit bartës të së ardhmes njerëzore. Një botë e tërë duhet të rrëzohet dhe një botë e re të ndërtohet. Por ne do t’ia dalim, shokë të rinj. Apo jo?! Ne do t’ia dalim. Siç e thotë kënga:
“Me siguri nuk na mungon asgjë, gruaja ime, fëmija im,
përveçse të gjitha ato që përmes nesh
lulëzojnë,
për të qenë të lirë si zogjtë:
Vetëm koha!”
(1918)
E përktheu nga anglishtja Redi Koçiaj
Imazhi: Utopix