/Arlind Qori/
I vetmi argument për të pranuar bashkëpunimin me figurat drejtuese të PD-LSI në mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ka qenë ai se për hir të kauzës duhen përlyer duart dhe ndërgjegjja. Ai bazohej te pafuqia për të imagjinuar dhe punuar për një organizim qytetar që të ishte edhe i pavarur, edhe i fuqishëm – ama vlente pragmatikisht. “PD-LSI mund të jenë pjesë e llumit qeverisës 30-vjeçar, por së paku kryetarët e tyre, me një fishkëllimë, i sjellin disa qindra vetë për t’u dukur shumë në protesta dhe mbrojtur Teatrin.” Tani që Rama dhe Veliaj ia dolën ta rrëzojnë kriminalisht godinën e Teatrit Kombëtar asgjë, as naiviteti politik, nuk mund ta justifikojë bashkëpunimin me të tilla parti.
Rrënojat e Teatrit Kombëtar u bënë edhe varri i një ideje të pompuar nga njerëz me mirëbesim e keqbesim, sipas të cilës “na duhet opozita, përndryshe humbja është e sigurt”. Shkatërrimi i pashpirt i banesave të Astirit dhe i Teatrit provojnë, fatkeqësisht, atë që ne, aktivistët e Organizatës Politike, e kemi thënë prej kohësh: Bashkëpunimi me PD-LSI është jo vetëm imoral, por është autogol strategjik.
Si shembull po u referohem dy ngjarjeve. Në pranverën e vitit 2016 grupime të ndryshme aktivistësh e qytetarësh nisën një zinxhir protestash kundër shpërfytyrimit të Parkut të Liqenit me betonizim e sipërmarrje komerciale. Protesta mori hov, forcë, vëmendje publike, madje i kishte të gjitha gjasat të masivizohej. Po ja që një ditë në protestë mbinë figura partiake të PD, me në krye një deputet me dy pisqolla: njërën në brez e tjetrën në vend të trurit. Kaq iu desh propagandës qeveritare për ta zhvendosur kontradiktën nga qytetarë–qeveri/bashki në përplasje partiake, duke ia zbehur besueshmërinë publike protestës dhe e zvjerdhur atë deri në shuarje.
Historike ishin përmasat e protestës studentore të dhjetorit 2018. Kurrë më parë nuk kishte përjetuar Shqipëria një protestë aq masive, apartiake dhe antisistemore. Studentë, gjimnazistë dhe qytetarë të thjeshtë të Tiranës u bashkuan jo vetëm për kërkesa ngushtësisht universitare, por edhe sepse aty panë pikënisjen e ndryshimeve të shumëpritura. Derisa si me porosi – të dreqërve në qeveri e opozitë – aty mbërritën detashmentet e halabakëve dhe servilëve të forumeve partiake. Nuk u mjaftuan ta njollosnin protestën me simbolikat e tyre arkaike apo me manovra budallaqe si bllokimi i rrugëve dhe endja si pula pa kokë nga një drejtim në tjetrin. Jo, u duhej armiku i brendshëm për të justifikuar praninë dhe dështimin e tyre. Vunë në shënjestër dhune fizike dhe një fushate të pisët mediatike aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin – e vetmja pengesë që ata ta mbysnin protestën. Kësisoj i përçanë studentët, ndërkohë që bashkëpunëtori i tyre i fshehtë – po, po Edi Rama dora vetë – kaloi për pak ditë nga mekja dhe paniku që i rridhte nga çdo pore në vetësigurinë e dikujt që mund të justifikohej me instrumentalizimin partiak të protestës.
Nuk i kam për zemër teoritë e konspiracionit edhe sepse do të shkruhej një enciklopedi me budallallëqet që çirakët e partive dhe pocaqitë e oligarkut Mane kanë shkruar për mua vitet e fundit. Prandaj nuk do ta vë dorën në zjarr se Basha e Kryemadhi janë bashkëpunëtorë apo vasalë të Ramës. Ama është e dukshme që me ose pa vetëdije strategjia e tyre politike i shërben çdo ditë e më shumë Ramës pasi midis tij dhe një populli të ndërkryer vendos tamponin e një “opozite” që, sikur të mos mjaftonin bëmat e të shkuarës, është edhe qesharake në të tashmen. Rama shpëton dhe do të shpëtojë sa kohë kontradikta kryesore do të mbetet ajo midis partive tradicionale dhe jo midis qeverisë dhe popullit. Për dy arsye: ka akumuluar mjaftueshëm pushtet për të pasur avantazh ndaj rivalëve dhe ka trashëguar një parti më të madhe dhe më të strukturuar.
Problemi kryesor i “opozitës” është dobësia e saj strukturore. Këtu do të flas për PD se, me thënë të drejtën, LSI nuk meriton të quhet parti, por thjesht një grupim klientelisto-krahinor. Historikisht PD ka qenë një parti me rryma të nëndheshme të dallueshme fort nga njëra-tjetra, të cilat i mbante në unitet vetëm karakteri autoritarist dhe karizmatik i Sali Berishës. Kushdo që do të vinte pas tij do ta kishte të vështirë, një i emëruar nga lart edhe më të vështirë; po kur këtyre u shton edhe karakterin e qullët dhe intelektualitetin prej nxënësi papagall si Basha bëhet e pamundur. Afërmendsh, Basha ka trashëguar një parti që, si të gjitha partitë shqiptare, është një gërmuq burokratik pa kurrfarë jete të brendshme demokratike. Po dobësia, pasiguria dhe mungesa e karizmës së kryetarit bëjnë që ky i fundit, në dilemë të përhershme, të ndërrojë përditë strategji – të cilën, me sa duket, e huazon nga çdokush që merr 100 like për postim Facebook-u.
Aq i dobët është Basha, saqë duket sikur i ikin nga kontrolli edhe trimat që mban rreth vetes. Drekën pas prishjes së Teatrit, kur e gjithë Shqipëria dukej e mllefosur me Ramën për shkatërrimin talebanesk të Teatrit Kombëtar, trimat e Bashës ia dolën të bëhen lajm me harbutërinë dhe dhunën e tyre ndaj një artisti i cili kishte guxuar të mos pajtohej me praninë e kryetarit të PD në protestë. Në këtë rast njeriu mendon se të nesërmen kryetari i ka kapur për veshi kokërruarit dhe u ka dhënë urdhër të mos përsëritin publikisht harakiri politikë të tillë. Po ja që mjaftuan disa thirrje kundër Bashës nga njerëz të ndryshëm, që trimat të shpërfillnin porositë e kryetarit dhe të bëheshin vetë kryetarë të PD në shesh. Të ishim në luftë, një gjeneral do t’ia kishte hequr vetes.
Nga ana tjetër pushteti i Bashës në parti duket i kërcënuar vazhdimisht. Me siguri në atë parti ka njerëz e grupe që mezi presin që ai të dështojë për t’i zënë vendin. Kjo e shtyn Bashën të bëhet hiperaktiv dhe të fusë hundët në çdo organizim qytetar, ndonëse e di që kësisoj vetëm do të prishë si elefanti në dyqanin e qelqurinave çka mund të kishte potencial jo vetëm antisistemor, por edhe antiqeveritar. Ai ia ka frikën çdo komenti Facebook-u apo bisede kafeneje se pse nuk del në krye të popullit – a thua se populli shqiptar mezi po pret kryetarin e PD për të bërë revolucionin e vet të lavdishëm. Duke mos e pasur të gjithë partinë me vete dhe u ndjerë i kërcënuar nga brenda, ai nuk bën dot atë që bënte Sali Berisha në vitin 2004: çonte disa qindra mbështetës të PD në protestat e Mjaftit të Erion Veliajt kundër qeverisë së Fatos Nanos. Berisha e bënte sepse e dinte që askush nuk do të guxonte t’i kërkonte të dilte në krye të një revolucioni imagjinar dhe e kishte kuptuar se qeveria hyn në krizë legjitimiteti kur përpara nuk ka partitë e opozitës, por tjetërkënd, qofshin këta edhe një palo ojf si Mjafti. Aq i brishtë ndihet përpara kundërshtarëve të brendshëm dhe aq fort ka frikë se qytetarët do t’ia dalin në mënyrë të pavarur që të forcohen për ta nxjerrë jashtë loje, saqë Basha është i gatshëm të mbysë me praninë e vet çdo tentativë antisistemore. Mendon: “Më mirë i pari i partisë, qoftë edhe në opozitë të përhershme, sesa të më marrë lumi bashkë me partinë dhe të përfundoj foto ilustruese në zërin e idiotësisë së fjalorit politik.”
Si të mos mjaftonte kjo, Basha dhe Kryemadhi ndajnë me Ramën të njëjtën varësi ekonomike nga paratë dhe mbështetja mediatike e oligarkëve. I keni parë se si nuk guxojnë t’u përmendin emrat?! Edhe nëse u zë goja ndonjëherë një a dy emra oligarkësh, ata kurrë nuk bëhen tre. I bie të jenë vetëm ata oligarkë që e kanë ndarë mendjen se nuk ia vlen të shpenzosh apo premtosh para për këta dhe janë hedhur kokë e këmbë në varkën e Ramës. Të tjerët, më finokë, me sa duket ia bëjnë me sy edhe PD e LSI, çka u dëftua tërësisht në konfliktin me përmasa historike të minatorëve të Bulqizës me oligarkun Samir Mane. PD dhe LSI jo vetëm që nuk guxuan t’ia përmendnin një herë emrin Samir Manes – pavarësisht se ai po shkelte me këmbë ligjin duke përndjekur punëtorët sindikalistë, por strukturat e tyre lokale në Bulqizë ishin po aq shërbyese besnike të interesave të oligarkut sa ato të PS. Një e tillë “opozitë” – pa besueshmëri dhe kolaboracioniste me oligarkët – nuk mund të shërbejë si alternativë ndaj Ramës. Ajo mbahet me iluzionin se njerëzit do të mllefosen aq shumë me Ramën, saqë herët a vonë do të shtrëngohen të mbyllin hundët dhe të votojnë për ta si e keqja më e vogël. Në fakt mllefi ndaj Ramës thellohet dita-ditës, por për asnjë çast nuk duket se kjo çon ujë në mullirin e PD e LSI. Reagimi mbizotërues është apatia politike dhe tërheqja dëshpëruese në jetën private. Fundja askush nuk do të ishte i gatshëm të sakrifikonte asgjë – as një votë, lere më orë të tëra angazhimi të përjavshëm – për një parti e cila, në rastin më të mirë, do të konsiderohej si e keqe pak më e vogël se kjo e tiranit të çmendur e grabitqar që po na qeveris.
Atëherë, ç’të bëjmë? Si për të mposhtur Ramën, ashtu edhe për të çrrënjosur oligarkinë ekonomike ka vetëm një rrugë: të tronditen besnikëritë tradicionale partiake të bashkëqytetarëve tanë. Partitë janë në konkurrencë me njëra-tjetrën se kush do të jetë në pushtet dhe kush do të ketë “nderin” t’u shërbejë oligarkëve, por në instancë të fundit i bashkon diçka themelore: duan të ruajnë duopolin politik. Kësisoj trembin mbështetësit tradicionalë me gogolin e partisë kundruall duke mpirë ndërgjegjet shoqërore dhe riprodhuar në pafundësi kotësinë e të kaluarit nga një e keqe në tjetrën. Ato u frikësohen emancipimit të shoqërisë dhe lindjes së lëvizjeve të forta shoqërore të pavarura nga poshtë – sepse përballë këtyre të fundit janë pa mendim, pa gojë e pa fytyrë. Prandaj imperativ politik është lufta e njëkohshme ndaj oligarkisë ekonomike, qeverisë dhe të gjitha partive. Kjo nuk mund të realizohet duke ushqyer iluzione te njëra palë, as duke pritur se mos fati të sjell t’i zësh vendin kopukëve të sotëm, por vetëm duke kritikuar, distancuar, bojkotuar dhe luftuar politikisht kundra të gjitha partive. Pa to nuk ekzistojnë oligarkët. Pa oligarkët nuk ekzistojnë ata.
Sidoqoftë nuk mjafton vullneti për ndryshim pa kuptuar se nga ç’sektorë të shoqërisë mund të vijë ndryshimi. Kemi 30 vjet që lodhim njëri-tjetrin me supozime vetëshërbyese se këtë vend do ta shpëtojë një Skënderbe i ditëve tona, intelektualë të shquar apo shoqëria civile. E di që duke shkruar diçka të tillë disa lexues do të rrudhin buzët, të pakënaqur që po zbresin nga piedestali imagjinar që kanë ngritur prej kohësh. Por nuk ka gjë më çlirimtare se e vërteta: “Ndryshimi do të vijë kur të fillojnë të lëvizin humbësit e mëdhenj nga status quo-ja, të cilët janë numerikisht aq të shumtë saqë fuqia e tyre e organizuar do të ishte e papërballueshme; mes këtyre të fundit, sidomos nga ata që vërtet nuk kanë më asgjë për të humbur: as punën në universitet, as rrogën në ojf, as premtimin se nesër do të bëhen drejtorë.”
Sot, në kushtet e krizës ekonomike që po flak në rrugë dhjetëra mijëra punëtorë, ndryshimi mund të nisë vetëm nga të shpunësuarit rishtas, të kërcënuarit përditë me shpunësim dhe qindra mijëra punëtorët – nga fasoneria, industria nxjerrëse, call center-i etj. – që janë një garuzhde larg urisë. Izolimi ndërkombëtar i heq formacionit politiko-shoqëror shqiptar valvulin më të rëndësishme të shkarkimit: emigrimin. Pa mundësi emigrimi masiv, kontradiktat në vendin e punës dhe midis punëtorëve dhe oligarko-pushtetarëve vetëm sa do të ashpërsohen. Pas punëtorëve, grupi shoqëror më masiv, i përqendruar mjaftueshëm dhe i tëhuajtur çdo ditë e më shumë janë studentët. Kostove të larta të studimit e jetesës dhe mungesës së perspektivës për punësim profesional u janë shtuar vështirësitë e panumërta të shkollimit në distancë, humbjes së vendit të punës së përkohshme dhe pamundësisë për të përballuar qiranë. Nuk mund të lihen mënjanë, ndonëse për arsye strukturore janë larg njëri-tjetrit, shumësia e të vetëpunësuarve, sipërmarrësve familjarë e atyre të vegjël. Falimentimi i sipërmarrjeve të vogla (edhe për shkak të rënies së kërkesës konsumatore) dhe gllabërimi i territorit të tyre nga oligarkët pritet t’i radikalizojë si kurrë më parë.
Mundësitë për ndryshim kanë edhe një komponent gjeografik. Prej dekadash na është ngulitur ideja se ndryshimi nis në qendër dhe shumë më vonë mund të prekë periferinë. A thua se Tirana është Parisi permanent revolucionar i rrethuar nga Vandetë reaksionare(!) Po sot më të goditurit nga kriza janë pikërisht qytetarët e periferive: fshatrat, qytetet e vogla dhe skajet e qyteteve të mëdha. Këta muaj ka pasur disa shenja: në fillim minatorët e Bulqizës, pastaj naftëtarët e Ballshit, javët e fundit punëtoret e fasonerive në Krujë e rrethinat e Durrësit, për të mos përmendur fermerët e vegjël që hedhin kastravecët hendeqeve.
Veçse kësaj mase të gjerë dhe potencialisht të gjithëpushtetshme shoqërore i mungon një komponent, më kapriçozi dhe problematiku: klasa e mesme profesioniste e qyteteve të mëdha. Mes tyre mund të dalin një pjesë e intelektualëve organikë që do t’i jepnin unitet bllokut të mësipërm shoqëror – duke krijuar në fillim hegjemoni kulturore e më pas politike. Por të njëjtët janë edhe gjeneratori i kotësive dhe aventurizmave politikë të pafundmë. Deri më sot kjo klasë është ndarë midis atyre që rehatohen në vende pune pranë partive, kujt sheh punën e vet dhe një pjese që lufton politikisht, shpesh herë me ideale, por duke mos kuptuar se politikë nuk do të thotë t’i flasësh vetes apo atyre si vetja, por të bësh për vete të shumtët. Nëpër botë kjo klasë ka historinë e saj të lavdishme: nga narodnikët rusë të gjysmës së dytë të shekullit XIX, që shkonin të ngrinin politikisht muzhikët, te studentët dhe intelektualët e rinj italianë të viteve 1970, që tentuan të mobilizonin klasën punëtore industriale. Ashtu sikundër dekadat e fundit, e rehatuar në statusin shoqëror sipëror, kjo klasë ka harruar potencialet e veta udhëheqëse dhe i është dorëzuar një elitizmi impotent. Kësisoj ndodh shpesh që mes tyre të dëgjosh thirrje që populli të kërcejë brenda një ore në nivelin e tyre, gjë që, kur s’ndodh – dhe s’ka si të ndodhë – i çon ose në nihilizëm, ose në dorëzim ndaj zuzarëve të partive. Moskuptues dhe të pakuptuar nga njerëzit me të cilët duhet të ishin bashkudhëtarë, ata bëhen dashje pa dashje riprodhues të status quo-së, duke u ngopur me pozitën e ndërgjegjes së përvuajtur kritike.
Kur një pjesë e rëndësishme e kësaj klase – sidomos më të devotshmit syresh – ta kuptojë se politika nuk bëhet duke u rrotulluar rreth vetes dhe komplimentuar njëri-tjetrin, por duke u shndërruar në mastiçin që ngjit – përmes ndërgjegjësimit dhe organizimit kapilar – klasat e nënrenditura të shoqërisë, atëherë po: do të krijohet një bllok i ri hegjemonik, si një bashkim i fortë i punëtorëve, të vetëpunësuarve, studentëve, bujqve, sipërmarrësve të vegjël dhe klasës së mesme profesioniste. Përpara këtij blloku të ri e të fuqishëm sa më s’ka, partitë do të shkriheshin si akullorja në duart e një fëmije. Ndërkohë që oligarkët, dora në zemër, nuk do të gjenin vrimë ku të futeshin.
Imazhi: Patrick Sean Kelley
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.