Rruga e mundimshme drejt së resë

/Arlind Qori/

Pushteti

Shumëkund dëgjon se pushteti i Edi Ramës dhe Partisë Socialiste është bërë i pasfidueshëm, duke i kthyer në psherëtima ankesat për gjendjen ekonomike, korrupsionin, thellimin e pabarazive dhe degradimin e shërbimeve publike. Për fatin tonë, në histori nuk ka pasur pushtet të pacenueshëm, pavarësisht imagjinimit të gjithëpushteshmërisë. Aq më pak mund të supozohet ai në Shqipërinë e sotme, një nga vendet më të varfra të Evropës dhe me ekuilibra të brishtë socialë.  

Pavarësisht projektimit imagjinar të gjithëpushtetshmërisë, pushteti i sotëm ka një bazë reale, që nis prej faktit se ai ushqen vetveten. 10-vjeçari i Edi Ramës dhe PS në pushtet është një faktor i rëndësishëm i akumulimit të kompetencave, prerogativave, burimeve financiare etj. Ky pushtet zbërthehet në rregullime ligjore në shërbim të interesave okulte, kapjen e shtetit, kontrollin total e tjetërsues mbi administratën publike, përdorimin e burimeve të mëdha ekonomike e administrative gjatë fushatave elektorale etj.

Këtë pushtet të madh politik e administrativ e ka një parti e cila ende mbart shenja të disiplinës së vjetër. Nga pikëpamja organizative, PS është themeluar më 1941 dhe shumicën e jetës së saj politike e ka pasur gjatë periudhës së diktaturës, ku mënyra e organizimit dhe fryma staliniste i kanë dhënë partisë trajtat e një regjimenti ushtarak. Afërmendsh, PS e sotme nuk është më partia ku militantët ngrihen më masë në orën 6 të mëngjesit për të votuar të parët, por diçka prej regjimentimit të shkuar mbijeton. Edhe forma e patronazhimit të votuesve – e pamoralshme politikisht dhe e paligjshme kur ndërthuret me të dhënat personale dhe kërcënimet ndaj votuesve – është mbetje e frymës së dikurshme.

Rrugës Partia Socialiste ka humbur të gjitha idetë politike që mund të ketë pasur. Simptomë e kësaj është pasja në krye e një oportunisti politik si Edi Rama, i cili brenda një jave mund ta kundërshtojë veten pesëmbëdhjetë herë, në varësi se nga fryn era. Po një parti pa ide nuk është medoemos parti pa një kornizë imagjinareje që synon t’u japë përkrahësve të vet një sens identiteti politik e shoqëror. Një prej brinjëve të kësaj kornize është identifikimi i pjesshëm me trashëgiminë e të majtës së vjetër. Pavarësisht se Rama flirton me idetë konservatore të viteve 1930 apo u thur lavde kolaboracionistëve të Luftës së Dytë Botërore, pjesa tjetër e grupit drejtues të PS vazhdon të kryejë, sa për sy e faqe, ritualet e nderimit të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Aty ku Rama dhe tradicionalistët e PS bien në një mendje është pretendimi se partia e tyre është alternativa modernizuese dhe shtetndërtuese e Shqipërisë. “Po bëjmë shtet.” – mburren në kor, duke supozuar se uniformat, ritualet, kullat e larta dhe sofistikimi propagandistik janë shenjat dalluese të modernitetit. Njëkohësisht vazhdojnë të ushqejnë me mesazhe simbolike ish-shtresën e mesme të kohës së socializmit, pozitat e të cilës u përmbysën apo lëkundën gjatë transformimeve demokratike kaotike të viteve 1990 (ish-ushtarakë, ish-inxhinierë, ish-mësues, ish-nëpunës etj.). Pavarësisht se partia “e tyre” nuk mund t’i rivendosë më në pozitat e dikurshme, ajo u jep të kuptojnë se ua njeh kontributin e dikurshëm dhe, mbi të gjitha, është e gatshme të telendisë, poshtërojë dhe dënojë shkaktarin simbolik të rënies së tyre: Sali Berishën. Nostalgjia e tyre nuk është dëshirë për kthim në të shkuarën, por marrje hak ndaj përmbysjes së të shkuarës.

Komponenti më i rëndësishëm i pushtetit të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste është marrëdhënia organike me oligarkët dhe krimin e organizuar. Ajo pasuron ushtruesit e pushtetit, mbush arkat e partisë dhe mundëson fushata elektorale gjithnjë e më të shtrenjta. Po këta oligarkë e grupe kriminale jo vetëm mbisundojnë strukturën ekonomike në vend, por edhe sigurojnë kapitalet e nevojshme për zhvillim të paqëndrueshëm. Secili prej nesh mund të ankohet pafund për shkatërrimin urbanistik të kryeqytetit dhe qyteteve bregdetare, për ndërtimin e kullave dhe ndotjen e ajrit, për trafikun e drogës dhe pastrimin e parave. Po në afatshkurtër, veprimtari të tilla sigurojnë atë pak stabilitet makroekonomik që i mundëson Edi Ramës dhe PS të qeverisin pa pasur frikë imediate se do të duhet të arratisen me helikopterin e fundit të mbushur me thasë me para.

Kjo marrëdhënie organike midis pushtetit politik, pushtetit ekonomik dhe pushtetit kriminal mundëson shtrirjen dhe forcimin e lidhjeve klienteliste midis PS dhe shoqërisë, sidomos në periferitë dhe margjinat e saj. Përmes parave, vendeve të punës, bamirësive, qokave dhe pistoletës së oligarkëve dhe gangsterëve lokalë, partia në pushtet arrin të marrë vota edhe në sektorë të shoqërisë të cilët nuk i lidh asnjë interes apo vlerë me ta.

Paradoksalisht, ky kryeministër e kjo parti kaq fort të ngërthyer me oligarkët dhe krimin e organizuar, vazhdojnë të jenë partnerët e preferuar të faktorëve ndërkombëtarë perëndimorë. Në këtë temë është kollaj të rrëshqasësh në teori konspirative. Por detyrimi ynë duhet të jetë vetëm ndaj të vërtetës së kuptueshme racionalisht. Mbështetja ndërkombëtare për Ramën vjen nga dy burime. Së pari, ai dhe PS ia kanë dalë të bindin faktorët ndërkombëtarë se, krahasuar me “të padëshiruarin” Berisha dhe impotentin Basha, ata janë faktori më stabilizues i Shqipërisë. Ata mund të vjedhin, cenojnë shtetin e të drejtës, prishin themelet e rendit demokratik etj., e prapëseprapë dinë të qeverisin në sensin e mbajtjes nën kontroll të kontradiktave shoqërore. Së dyti, që prej vitit 2013 Rama është treguar i gatshëm për të plotësuar çdo kërkesë, të drejtë e të padrejtë, të faktorëve perëndimorë, duke mos pyetur, në raste të caktuara, as për interesat shtetërore të Shqipërisë, as për të drejtat e qytetarëve të Shqipërisë, as për të drejtën ndërkombëtare dhe as për ardhmërinë e shqiptarëve jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë. Në këtë kuptim, sa gjeopolitik aq edhe cinik, Edi Rama duket si një “djalë” me të cilin mund të biesh në ujdi kollaj dhe pa shumë kosto.

Në këmbim, Rama e ka përdorur mbështetjen e deritanishme ndërkombëtare si shtyllë të krijimit të imazhit të dëshiruar të vetes si udhëheqës “modern” dhe “stabilizues” i Ballkanit. Çdo shtrëngim duarsh, çdo batutë, buzëqeshje, pritje mondane e sajdisje me ndërkombëtarët i shërben paraqitjes së tij në popull si i preferuari i fuqive të mëdha, çka synon të relativizojë çdo ankesë ndaj tij.

Pushteti forcohet edhe nëpërmjet imazhit që krijon përpara të tjerëve. Sa më të fuqishëm të duken të pushtetshmit, aq më të fuqishëm bëhen, duke ndikuar kësisoj në paralizimin dhe nënshtrimin e rezistencës masive ndaj tyre. Vetë Rama lë të kuptojë mundësinë e pushtetit të përjetshëm personal. Edhe kur e vë në dyshim këtë të fundit, nuk mendon se një subjekt tjetër do ta mposhtë, por se ai vetë do të përmbushë detyrën “historike” dhe, i lodhur nga politika, do t’u kushtohet pasioneve të tjera. Partinë e vet e paraqet si një makineri politike të pashoqe, me kapacitetin për të mundur kundërshtarët e sotëm e të nesërm. Sipas kësaj qasjeje, ai dhe PS do ta dorëzojnë pushtetin kur të lodhen, si fëmijët që hedhin tutje lodrën pasi janë mërzitur me të.

Megjithatë, politika është unitet i brishtë i të kundërtave. Ndaj pjesa më e madhe e pikave të forta të pushtetit aktual, nëse shihen nga një tjetër këndvështrim dhe ballafaqohen me forca të mjaftueshme të rezistencës, mund të bëhen dobësitë e tij më të mëdha. E nisim nga imazhi i gjithëpushtetshmërisë. Aq sa e paralizon rezistencën në sektorë të caktuar të shoqërisë, gjithëpushtetshmëria shton revoltën dhe kërkesën e llogarisë nga pjesët e tjera të saj. Një pushtet absolut është përgjegjës për absolutisht gjithçka. Çdo gjë që nuk shkon, edhe sikur të mos jetë teknikisht kompetencë e qeverisë qendrore, në sytë e qytetarëve shndërrohet në dëshmi të abuzimit dhe paaftësisë së qeverisë.  

Vetësiguria e Ramës është pika më e dobët e partisë në pushtet. Si i tillë, ai mendon se tanimë mund të bëjë gjithçka, të marrë çdo vendim, të sakrifikojë çdo interes publik, të shkelë mbi të drejtat e çdokujt, të cenojë dinjitetin e një populli, të futet në çdo aventurë politike e kështu me radhë. Kjo do të thotë se ai është më i gatshëm të bëjë gabime politike dhe të mos llogarisë siç duhet raportin e forcave në shoqëri. Gabime të tilla, si p.sh. pranimi i armëve kimike më 2013 apo arroganca e treguar ndaj studentëve më 2018, sollën një reagim të fuqishëm nga ana e shoqërisë. Sot, me më shumë pushtet, me më shumë vetëbesim dhe me shumë më shumë arrogancë, Edi Rama mund të gabojë më keq. Në kushtet ku partinë e ka shndërruar në një amalgamë të oportunistit që nuk bën zë dhe fanatikut që betohet për kokën e kryetarit, ka më pak frerë të brendshëm që mund ta ndalin Edi Ramën në rrugën e pasynuar drejt greminës.

Disiplina e brendshme e strukturës partiake të PS është më shumë mit se realitet i prekshëm. Patronazhisti luan rolin e sigurimsit të dikurshëm që në mitologjinë popullore i kishte veshët pas çdo muri. Si çdo mit, edhe ky ngre në nivele efektiviteti të përsosur një mekanizëm të çalë. Patronazhisti jo detyrimisht e kryen detyrën e vet. Nganjëherë është thjesht një nëpunës shteti të cilin e kanë detyruar të luajë një rol që ose nuk e realizon fare, ose e bën shkel e shko. Ka raste kur është një fanatik i paaftë, që nuk di si ta kuptojë shoqërinë. Në të tjera, është një njeri antipatik në rrethet sociale, nga ata që sa më shumë flasin, aq më pak njerëz bindin. Shumica syresh janë oportunistë pa asnjë ideal e ide, me interesa shumë të ngushta personale, që jo gjithmonë përputhen me interesat e partisë në tërësi. Po ashtu mekanizmat e kontrollit sot nuk janë as për së largu njëlloj eficiente sa në kohën e diktaturës. As njerëzit njëlloj të kërcënueshëm. Me pak fjalë, ajo që imagjinohet si makineri e fuqishme politike është gjithnjë e më shumë një konglomerat njerëzish pa asnjë parim, pa ndjenjën e sakrificës, gënjeshtarë, me rivalitete të brendshme, dritëshkurtër, parazitë dhe me oreks gjithnjë e më të madh për të zhvatur shoqërinë.

Zhvatja sistematike e dobëson pushtetin aktual në afatmesëm. Një ekonomi e mbështetur gjithnjë e më shumë në zhvatje – prej korrupsionit dhe uzurpimit të të përbashkëtave: trojeve të ndërtimit, plazheve, burimeve natyrore etj. – është një strukturë që ha vetveten. Ajo nuk arrin të krijojë mjaftueshëm vlerë që të mundësojë njëkohësisht pasurimin e elitës politike, fitimet e klasës ekonomikisht sunduese dhe mbajtjen e popullsisë mbi ujë. Ekonomia prodhuese mundëson zhvillimin dhe përmirësimin e nivelit të jetesës së gjithkujt, në të cilën konfliktet politike e sociale janë të menaxhueshme për shkak se bëhen për të ndarë barazisht apo pabarazisht efektet e rritjes. Ndërsa një ekonomi zhvatëse sjell stanjacion, luftë midis establishmentit politiko-ekonomik dhe popullit në radhë të parë; pastaj luftë klanore midis fraksioneve të elitës politike; mandej luftë midis shtresave të klasës ekonomikisht sunduese; në fund luftë brenda oligarkëve, të cilët shtrëngohen të shqyejnë njëri-tjetrin. Kjo luftë do të rrisë intensitetin e zhvatjes së popullsisë, do të përkeqësojë kushtet e jetesës dhe mundësitë për përparim social, si dhe do të provokojë shpalosjen e fortë të pakënaqësive popullore. Ky proces mund të ngadalësohet, por nuk mund të shmanget. Çka do të thotë se pushteti politik, si përfaqësues i interesave sunduese, do të bëhet më i goditshëm dhe me më pak mundësi kundërveprimi.

Struktura ekonomike zhvatëse prodhon emigracion. Emigracioni thekson karakterin zhvatës të strukturës ekonomike. Për çdo qytetar që largohet nga Shqipëria, kemi një forcë punëtore e intelektuale më pak, një kontribuues më pak në skemën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe një të indinjuar më shumë ndaj dështimit të qeverisjes. Sot 100 apo 200-euroshi që emigranti u dërgon prindërve, bën të mundur që shumica e pensionistëve të mos vdesin nga kequshqyerja apo mungesa e ilaçeve. Po bashkë me remitancat vjen edhe ndikimi politik i emigrantëve ndaj bashkëfamiljarëve që votojnë në Shqipëri. Revolta morale e të parëve ka gjithnjë e më shumë ndikim në orientimin politik të të dytëve.

Pushteti aktual ndihet edhe më i dobët për shkak të dobësimit të alter egos së tij: opozitës parlamentare. Aq sa ka qenë kapitali më i rëndësishëm i PS për tri dekada, sot Sali Berisha po kthehet në një subjekt gjithnjë e më pak të instrumentalizueshëm. Problemet e tij dhe familjarëve të tij me ligjin, izolimi ndërkombëtar, humbja e përsëritur dhe e thellë në zgjedhje, si dhe mosha e thyer e bëjnë më pak kërcënues Berishën për pushtetin e sotëm dhe, njëkohësisht, më pak të përdorshëm si gogol përbashkues të “socialistëve”. Venitja e Berishës përfton mes zgjedhësve tradicionalë të PS dobësimin e lidhjeve emocionale dhe thekson kontradiktat reale. Midis një të moshuari me 10.000 lekë pension dhe një drejtori të korruptuar të administratës publike ka një hendek të pamatë ekonomik, social e moral. Lehtësimi i daljes në sipërfaqe të kontradiktave të brendshme do ta gërryejë partinë.

Trazimin e ujërave të pushtetit duket se po e ndikojnë edhe institucionet e reja të drejtësisë. Ndonëse është ende herët për të kuptuar seriozitetin e tyre në luftë kundër korrupsionit, këto institucione, pas gjase me ndikim ndërkombëtar, po hedhin disa shigjeta drejt partisë në pushtet. Ndoshta ato nuk do ta kenë asnjëherë vullnetin ose fuqinë për të shkuar deri tek Edi Rama apo rrethi i parë i oligarkëve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Po edhe kaq sa po ndodh nuk është fare pa gjë. Goditja e disa figurave pranë pushtetit krijon pasiguri në radhët e mëposhtme të të korruptuarve. Deri në ç’pikë mund të të mbrojë Edi Rama nga burgu? A do të mund ta fshehësh gjithë pasurinë e vjedhur? A mund të bëhesh kurban i makinacioneve politike? Të gjitha këto pikëpyetje prodhojnë ankth dhe çoroditje në skalionet e dyta e të treta të pushtetit, ndryshojnë besnikëritë, nxitin kontradiktat e brendshme ose abstenimin politik, duke e dobësuar pushtetin e sotëm.

Ish-pushteti

Tipari më domethënës i dobësisë së opozitës së sotme parlamentare është mungesa e një emri. Si ta quash? Partia Demokratike, Partia Demokratike Zyrtare, Partia Demokratike e Vërtetë, Koalicioni Bashkë Fitojmë, Foltorja, Rithemelimi, Sali Berisha, LSI-PL? Rrëmuja emërtuese është simptomë e degradimit të saj politik. Sot ajo që ende ka statusin e opozitës parlamentare është vetëm ish-: ish-pushtet, ish-parti, ish-demokratike, ish-kërcënuese e pushtetit, ish-protestuese dhe, me gjasë së shpejti, ish-opozitë.  

Sidoqoftë, nuk ka gjë reale që të mos jetë disi racionale. Përderisa ky “ish-“ vazhdon të ekzistojë në vëmendjen publike, ka arsye që e mbajnë ende me një dorë jashtë ujit. Sot e për pak kohë e vetmja arsye shoqërore e historike se pse opozita parlamentare ekziston është se ende përkufizon vendin politik e simbolik ku mblidhen qytetarët me arsye legjitime për të pasur mllef të veçantë ndaj diktaturës së shkuar. Kjo përkatësi prodhon ende efekte politike, përderisa të dyja partitë e vjetra e ushqejnë simbolikisht, duke i nxitur përkrahësit e tyre më tradicionalë të marrin hak simbolikisht ndaj njëri-tjetrit përmes votës. Po edhe kjo pikë historike e forcës vjen e venitet me kalimin e viteve, transformimin e shoqërisë, rivendosjen e prioriteteve sociale dhe moslidhjen me komponentë të tjerë të fuqizimit politik.

Problemi më i madh i opozitës parlamentare është se sa më shumë kohë kalon nga pushteti i saj i dikurshëm, aq më e dobët bëhet dhe aq më shumë dobësi rrezaton. Leqendisja e tyre në zgjedhjet e fundit lokale, përveç të tjerave, ishte rezultat i tre humbjeve të mëhershme në zgjedhjet parlamentare (2013, 2017 dhe 2021). Nuk ka qenë përçarja ajo që ka sjellë humbjen, por humbjet që kanë krijuar kushtet për përçarjen e brendshme dhe kanë sjellë në katastrofën elektorale të 2023.

Izolimi ndërkombëtar i Sali Berishës e ka përshpejtuar procesin e degradimit të saj. Kudo izolimi ndërkombëtar do të sillte dobësim. Po në një vend të vogël si Shqipëria – ku politikani i izoluar është pjesë organike e strukturës korruptive dhe, për më tepër, ka qenë një prej promotorëve më të zellshëm të varësisë ndërkombëtare – ky izolim mund të prodhojë vetëm dëshpërim politik. Sot Sali Berisha ende votohet, por ata që do ta votojnë do të jenë gjithnjë e më pak, duke rënë çdo herë e më shpejt. Mbi të gjitha, ata që ende besojnë se ai mund ta kthejë situatën apo mund të projektohet në pushtet nuk ekzistojnë thuajse fare. Perceptimi i pafuqisë e përkeqëson pafuqinë.

Si të mos mjaftonin problemet e mëhershme, Berishës dhe të tijve u është shtuar hetimi gjyqësor për korrupsion. Pakkush mund t’i parashikojë piruetet proceduriale të këtyre proceseve, por është e padiskutueshme se zyrtarizimi i akuzave për korrupsion dhe favorizim të familjarëve e telendis akoma edhe më shumë Sali Berishën në sytë e opinionit publik. Edhe betejat e tij politike interpretohen më kollaj si orvatje për të shpëtuar apo negociuar lëkurën e vet dhe të familjarëve të tij. Akuza për korrupsion është më e vështira për të krijuar premisat e mbrojtjes politike. Sikur Sali Berishës t’i ishte hapur gjyq, ta zëmë, për 21 janarin, do ta kishte pasur shumë më të lehtë të shtrëngonte radhët e mbështetësve tradicionalë. Po akuza për korrupsion, e lidhur me pasuri të mëdha të familjarëve të tij, krijon tëhuajësim dhe çoroditje politike te mbështetësit tradicionalë. Një demokrat i thjeshtë që e mbyll muajin me lekë borxh e ka të pamundur të shkojë pas pasunarëve të akuzuar botërisht për korrupsion.

Po Sali Berisha po bie më shpejt nga ç’mund t’i leverdisë pushtetit aktual. Prandaj Rama po i jep oksigjen në Kuvend. Duke i bllokuar kërkesat për komisione hetimore po i fal një kauzë, sado sipërfaqësore të duket. Nga ana tjetër, duke mundësuar kthimin e sallës së Kuvendit në shkallë ultrasish të dehur, Rama dhe PS duan të ringjallin sa të jetë e mundur imazhin e një Berishe ende të frikshëm dhe destabilizues.

Ndër të tjera, dobësia e opozitës parlamentare gjendet tek identifikimi i saj i plotë me Berishën dhe pamundësia për ta projektuar veten pa dhe përtej Berishës. Në dy dekadat e para të tranzicionit njësimi parti-udhëheqës kishte efektivitet, pasi prodhonte kohezion në një kamp me divergjenca historike e shoqërore. Sot ky njësim ka gjeneruar një krizë nga e cila nuk mund të dilet kurrë. Aty ku udhëheqësi politik është kushti i vetëm i ekzistencës së partisë, nuk ka institucione, ekuilibër dhe sens vazhdimësie. Aq i theksuar është ky identifikim, saqë kushdo brenda apo jashtë PD (ose çka mbetur prej saj) është i vetëdijshëm se pa Berishën nuk ka alternativë. Nëse ekzistenca e Berishës prodhon degradim dhe tkurrje politike të vazhdueshme, mungesa e tij sjell shpërbërje të menjëhershme. Prej vitesh tashmë, në kampin berishian nuk shquhet dot asnjë i dytë, asnjë zëvendësues, asnjë pasardhës potencial. Meqenëse Berisha nuk është i përjetshëm, herët a vonë do të vijë dita kur në mungesë të tij, çka mbetur rreth e qark tij do të shpërbëhet në fraksione të cilat nuk i lidh më asgjë me njëri-tjetrin.

Alternativa

Është e vështirë që në këtë zymti politike të shquash burimin e shpresës dhe trajektoret e mundshme të transformimit të situatës. Sidoqoftë, pakënaqësitë ekonomike dhe kriza sa vjen e më e thellë e legjitimitetit të sistemit partiak krijojnë parakushtet për ndryshim. Ky ndryshim mund të jetë vetëm antisistemor. Me këtë të fundit nuk duhet kuptuar ndonjë kataklizmë, as duhet përfytyruar në trajtat e sulmeve të sankylotëve. Ndryshimi antisistemor duhet menduar në formën e riorganizimit demokratik të shtetit dhe në çlirimin e forcave krijuese ekonomike e sociale. Ai do të shtyhet përpara nga elementët më vitalë të shoqërisë shqiptare dhe nga një forcë politike alternative, e gatshme për t’iu kundërvënë me guxim lidhjes organike të pushtetit dhe ish-pushtetit me oligarkinë ekonomike dhe krimin e organizuar, me program përparimtar, me guximin për të thënë gjithmonë të vërtetën dhe e vetëdijshme për domosdoshmërinë e organizimit politik e shoqëror.

Kjo forcë është Lëvizja BASHKË. E themeluar si parti një vit më parë, pas 12 vitesh aktivizëm, Lëvizja BASHKË bart ide, ide përparimtare, ide që gërshetojnë zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, demokracinë e njëmendtë, drejtësinë shoqërore, sundimin e ligjit, shtetin social dhe emancipimin e shtresave të nëpërkëmbura. Aktivistët e saj janë të gatshëm të sakrifikojnë për t’u dhënë jetë këtyre ideve nëpërmjet organizimit shoqëror dhe demokratizimit të shtetit. Lëvizja BASHKË është bashkim vullnetesh deri dje të ndrydhura, që forcojnë njëri-tjetrin dhe ndërtojnë në miniaturë imazhin e një shoqërie të mirë. Lëvizja BASHKË përbëhet nga aktivistë për të cilët politika është luftë e pakompromis me të keqen dhe pasion për të drejtën, duke qenë e hapur për çdo qytetar me vullnetin e mirë për të përparuar vendin.

Ç’është më e rëndësishmja, Lëvizja BASHKË është e vetmja parti politike sot në Shqipëri që guxon ta thotë të vërtetën të plotë, pa fshehur asgjë, me zë të lartë dhe e gatshme të përballojë çdo kosto të persekutimit politik dhe mënjanimit mediatik. Për ne, lidhja midis pushtetit dhe ish-pushtetit me oligarkinë ekonomike dhe krimin e organizuar është e qartë, skandaloze, indinjuese, nxitëse për denoncim dhe aksion politik kundërvënës. Ne nuk kursejmë asnjë oligark, asnjë keqbërës, asnjë politikan të korruptuar, asnjë abuzues me ligjin dhe të drejtat e qytetarëve. Të ndërgjegjshëm se kjo luftë frontale ndaj të keqes na i ngushton ndjeshëm hapësirat mediatike, përsëri kemi vendosur se e vërteta dhe e drejta janë më të rëndësishme se çdo përllogaritje partiake meskine. E dimë që minutat televizive do t’i kemi me kursim. Jemi të vetëdijshëm që në TV Klan, Top Channel, News24 e të tjera televizione oligarkike do të na ftojnë një herë në dy vjet, atëherë kur trysnia e veprimtarisë sonë politike do të na bëjë të painjorueshëm. Po të gjitha këto janë kosto që kemi vendosur t’i mbajmë mbi shpinë në rrugën drejt jetësimit të parimeve tona dhe interesit publik.

Ndryshe nga çdo forcë tjetër politike, Lëvizja BASHKË po arrin të organizohet jo vetëm në territor, por edhe në pjesët më të rëndësishme të strukturës ekonomiko-shoqërore. Ne nuk e konceptojmë dot politikën pa punëtorët dhe sindikatat e tyre të reja e demokratike; pa studentët dhe unionet e tyre në fakultete; pa profesionistët dhe forumet e tyre; pa sipërmarrësit e vegjël dhe shoqatat e tyre. Për ne, politika është bashkërendim forcash sociale, negocim dhe vendimmarrje e përbashkët me to, jetësim i shumësisë si trup social kompleks, plural dhe synues drejt të përbashkëtave, fuqizim reciprok dhe demokratizim i njëkohshëm i shtetit dhe shoqërisë. Qëllimet tona janë ta larta dhe praktike njëkohësisht. Mjetet tona janë efektive dhe të ndershme paralelisht. Vetja jonë kërkon të shkojë te tjetri dhe të krijojë identitete të reja që bashkushqehen dhe krijojnë vazhdimisht të renë.

Rezultati inkurajues i zgjedhjeve lokale në Tiranë na ka dhënë më shumë forcë e besim në potencialet tona. Mbi të gjitha, na ka sjellë më pranë shoqërisë, më së pari te 14.000 qytetarët që arritën të thyejnë zinxhirët e status quo-së, pesimizmit dhe dëshpërimit politik. Me ta dhe përmes tyre, ne duam të arrijmë te shumëfish më shumë qytetarë, të mbledhim dhe artikulojmë problemet e tyre, të frymëzohemi nga mikrorezistencat e përditshme dhe të bëhemi infrastrukturë politike përbashkuese e qindra mijëra kërkesave të vogla që së bashku formojnë aspirata të mëdha. Këtë rrugë të re kemi nevojë ta shtrojmë bashkë me çdo qytetar të thjeshtë, me çdo njeri të ndershëm dhe me çdo aktor e grup me reputacion në shoqëri. Lëvizja BASHKË është në thelb partia juaj, edhe nëse ju nuk do të bëheni kurrë anëtarë formalë të saj. Ne jemi për ju. Ne jemi si ju. Ne jemi me ju. Me shpresë, nuk do të jetë e largët dita kur përemrat ne dhe ju nuk do të kenë më kuptim mes NESH.

Imazhi: Lëvizja Për Universitetin

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.