/Arlind Qori/
Sikur t’i mbledhim votat e dy partive të reja në qarkun e Tiranës, mungojnë ca qindra për të nxjerrë një deputet. Edhe po të përfytyrojmë për një moment se ato do të bashkoheshin në një listë dhe të gjithë skeptikët ndaj tyre – organizata e grupime që bënë thirrje për bojkot – të kishin votuar për ta, makar edhe të bënin thirrje për ta, maksimumi që mund të arrihej ishte futja e një “qytetari” në parlament. Sukses apo jo?! Do të rihynte Blushi në parlament dhe q’aty do të mbante filipika ndaj klasës politike, të cilat do të rishpërndaheshin në rrjet. Pastaj do të vinin zgjedhjet e ardhshme dhe me të njëjtën metodë të gjithë “qytetarët” e Tiranës do të rimblidheshin për të bërë sërish Blushin (ose këdoqoftë në vend të tij) deputet. Ku ishim? Asgjëkundi.
Partitë e reja (Libra dhe Sfida) e kanë kapur pothuajse të gjithë atë që me vetëlëvdim konsiderohet elektorat gri, urban, i civilizuar e tërci-vërci, por që nga pikëpamja klasore futet në radhët e mikroborgjezisë profesionale. Janë njerëz që bëjnë punë deri diku të patjetërsuar e të sigurt, me rrogë mesatare e sipër, të mirarsimuar dhe që e kanë kollaj ta shprehin revoltën e tyre në fejsbuk dhe në kutinë e votimit. Kryengritja e tyre lind dhe vdes këtu. Pastaj rilind indinjata e vjetër, mllefi ndaj popullit që s’i kupton, nganjëherë edhe fyerja e tij, dhe pezmi se “nga ky vend duhet ikur një orë e më parë”.
Veçoria ideologjike e kësaj klase është që pozicionin që kanë në shoqëri ua atribuojnë përpjekjeve personale. Prej këtu lind ideja se kushdo që do të punonte me veten si ta – duke mësuar, lexuar dhe kultivuar sjelljen – do të kishte të njëjtin rezultat në jetë. Bëhet fjalë për njerëz që mendojnë se bota përreth ndryshohet përmes shembullit të mirë. Po hodhe plehrat në kosh, edhe fqinji yt do ta bëjë. Njëlloj si me të folurin me zë të ulët, ekspozimin e shijes së hollë dhe, mbi të gjitha, pjesëmarrjen çdo dy-tri muaj në një protestë të organizuar nga “shoqëria civile”.
Afërmendsh që nuk është kështu. Edhe po t’i marrim të gjithë si meritorë të pozicionit të tyre klasor e statusit shoqëror – në kuptimin se askush nuk i ka blerë, marrë me mik apo fituar me sharlatanizëm – nuk mund të mos përmendim dy faktorë madhorë: 1. Shpeshherë këto pozicione janë produkt i përparësive që shumë syresh kanë pasur në jetë (familje me të ardhura të sigurta, me kapital kulturor, kultivuese të ambicies profesionale, ndjekës të shkollave të mira etj.). 2. Ç’është më e rëndësishmja, meritokracia tregon vetëm se mbi ç’rregull zihen vendet e lira në teatër, por jo se sa vende të tilla ka. Shtrirja, të ardhurat dhe mënyra e jetesës së një klase të tillë janë produkt, së pari, i pozicionit periferik të Shqipërisë në zinxhirin e kapitalizmit global dhe, së dyti, i shpalosjes së kontradiktave klasore brenda për brenda shoqërisë sonë.
Rrjedhimisht, ideja se të tjerët përreth me pak mund do të gdhihen klasë e mesme është karamele për mendjen. Ashtu si shoqëruesja e saj se mjafton që ne të japim shembullin e mirë dhe të tjerët, me të na parë nga gjysmëlargësia, do të bëhen si ne.
Të mendosh kështu do të thotë të sillesh rreth vetes, pa e parë veten as në pasqyrë dhe as në raport me të tjerët që nuk janë si vetja, pa qenë bash ky faji i tyre. Të veprosh sipas të njëjtës frymë do të thotë që në njërën anë qëllimet t’i ngresh në qiej, ndërsa në tjetrën mundësitë e realizmit të tyre t’i kesh përtokë. “Populli” do të vazhdojë të të mos kuptojë dhe dora-dorës, nëse nuk dorëzohesh fare, të mbetet vetëm të shpresosh te ardhja e një mbinjeriu a mbreti filozof platonian që, kushedi për ç’arsye misterioze, ia del të kapë njërën prej partive të mëdha dhe të nisë ndryshimin e shumëpritur. Në mos ardhtë ndonjëherë, do t’u përshtatemi këtyre që kemi, Ramës a ndonjë Rame të ardhshëm, me iluzionin se me mbështetjen dhe kontributin tonë do të bëhen një çikë më të mirë.
Për shkak të përmasave të vogla dhe pozicionit midis dy zjarreve klasore, kjo bashkësi qytetarësh që lufton për mjedisin, kulturën autonome, që neverit padrejtësitë e thella etj., nuk ka për ta arritur asgjë nga ç’kërkon. Sidomos nëse nuk vjen tek ideja se mosrealizimi i aspiratave të saj nuk është produkt i rastësisë së të pasurit këta apo ata politikanë, por efekt strukturor që lind nga nevoja për akumulim kapitali dhe investim të tij aty ku norma (afatshkurtër) e fitimit është më e lartë. Këto të fundit, pastaj, lidhen me mënyrën se si burokracia politike shqiptare fiton rentën e vet dhe u jep koncesione borgjezisë së lartë shqiptare dhe ndërkombëtare.
Për fatin e mirë të aspiratave të tyre – të lavdërueshme sa më s’ka në vetvete – shumë e shumë të tjerë, poshtë tyre në hierarkinë klasore, e pësojnë prej të njëjtëve faktorë dhe grupe. Paçka se, me të drejtë, janë më të ndjeshëm për faktin që s’kanë punë apo s’u del paga sesa për mjedisin e të tjera si këto. Kështu që të vetëpërkëdhelurit tanë ose do të krijojnë me klasat poshtë tyre një bllok shoqëror në kërkim të hegjemonisë, ose do të vazhdojnë flasin me vete.
Populli, sakaq – domethënë ajo masë klasash të nënrenditura që mezi nxjerrin muajin – nuk ia del dot vetëm. Mundet të nisë vetëm hallkën e parë dhe spontane të organizimit, aty në lagje apo vend pune kur jeta dhe puna bëhen tërësisht të padurueshme. Por ashtu siç marrin zjarr, edhe shuhen. Kushtet e punës dhe të jetesës, si edhe mangësitë që burojnë nga diskriminimi arsimor, ua pamundësojnë artikulimin koherent të kauzës, organizimin e qëndrueshëm dhe përfytyrimin e vetes si pjesë e një klase ose lëvizjeje shumë më të madhe se grupi i vogël që reziston. Këtu lind nevoja për të ndryshmit nga vetja, për ata që gjithmonë i kanë parë me skepticizëm a mllef sepse janë ndjerë të përbuzur. Për ata që dikur quheshin inteligjencie: të pakënaqurit radikalë dhe të paepurit e drejtësisë shoqërore të cilët, të lodhur së sjelli rretheqark vetes, ndalojnë dhe nisin të ecin drejt të tjerëve.
Anëtarët e klasave të nënrenditura, pikërisht ngaqë janë të varfër në mjete shoqërore, e kanë të vështirë të mos shkurajohen, të mos e konsiderojnë krejt jetën politike si një allishverish të cilën ia vlen vetëm ta bojkotosh ose t’i marrësh ç’të mundesh aty për aty (ca dhjetëra euro për votë). Ata janë po ashtu të kërcënueshëm nga burokratët e vegjël partiakë që u kanë në dorë dhënien e ndihmës ekonomike, mosprerjen e energjisë elektrike ose tolerimin për të shitur ndonjë ditë buzë rrugës. Në punë, për fatlumët që e kanë, ata jo vetëm shfrytëzohen pa karar, por ndjejnë edhe presionin për t’u konformuar jashtë saj.
Puna, në kapitalizmin e vendeve si Shqipëria, nuk mund të jetë e lirë as formalisht. E lirë në kuptimin që punëtori, pasi shtrëngohet nga rrethanat që ta shesë fuqinë e tij punëtore me çmim tregu, jashtë vendit të punës është zot i vetes. Aty ku kapitali e sundon punën tërësisht, papunësia është e lartë, ku pronari dhe punëtorët i përkasin të njëjtit komunitet gjeografik dhe pronarët janë në marrëdhënie partneriteti ose klientelizmi me burokracinë politike, pronari nuk premton vetëm votën e vet, por edhe të atyre dhjetëra ose qindra punëtorëve që ka nën hyqëm. Si mund t’u kërkosh këtyre punëtorëve, të cilët nuk kanë akoma fuqinë që të ngrihen për të drejtat bazike dhe interesat imediate në vendin e punës, që ta sfidojnë pronarin në emër të një ideje të madhe, për të bojkotuar zgjedhjet apo për të votuar ndonjë parti të re vetëm se simpatizojnë oratorin e saj kur u del në televizor?!
Që të ndodhë ndryshimi për të cilin flasim të gjithë gjithnjë e më shumë, por pa bërë asgjë më shumë nga hiçmosgjëja e zakonshme, duhet që njerëzit e klasave të nënrenditura të ndihmohen të lëvizin aty ku punojnë, këmbejnë ose jetojnë. Kjo kërkon që të paktën disa qindra prej atyre që votuan partitë e reja ose bojkotuan zgjedhjet të lëvizin vendit dhe të shndërrohen dora-dorës në aktivistë permanentë. Çka nuk do të thotë pjesëmarrës permanentë në protesta sporadike dhjetëravetëshe, por të angazhuar kudo ku kanë mundësi për t’u dhënë zemër dhe tentuar nxitje organizimi te klasat e nënrenditura. Duke i bërë punëtorët bashkë, është e afërt dita e një kërkese kolektive pronarit për një të drejtë bazike, pastaj organizimi sindikalist, pak më vonë greva dhe, në fund fare, bashkimi rreth një ideje që e shpalos veten politikisht në referendume e zgjedhje. Njëlloj edhe me banorët e lagjeve të varfra, me minoritetet e diskriminuara etj.
Vetëm kështu, duke u nisur nga poshtë dhe artikuluar interesat bazike të njerëzve, duke u fuqizuar bashkë me ta, edhe ne, mikroborgjezët e ngeshëm që thurim ëndrra, do të rreshtim së qeni të zhgënjyer dhe zhgënjyes dhe, duke i përshtatur dhe masivizuar idetë tona, do të mund t’i kthejmë ato në atë fuqi të madhe materiale që e transformon botën.
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).