/Alfred Bushi/
Në një shkallë të caktuar të zhvillimit të tyre forcat prodhuese materiale të shoqërisë bien në kundërshtim me marrëdhëniet ekzistuese në prodhim ose – gjë që është vetëm shprehja juridike e këtyre të fundit – me marrëdhëniet e pronës, brenda të cilave ato ishin zhvilluar deri në këtë kohë. – Karl Marks, parathënie e librit “Rreth kritikës së ekonomisë politike”
Kriza, me ç’duket, është një prej tipareve karakteristike të shekullit XXI, sikundër ishte karakteristikë e dekadave të fundit të shekullit të kaluar, e me gjasë, po të venë punët kështu, do të jetë edhe për dekadat e ardhshme. Është fjala për një krizë të vazhdueshme ekonomike e politike e cila, sipas këndvështrimit të Maurizio Lazzarato-s, nis në vitet 1970, kalon nëpër 2008 dhe vazhdon ende sot me shfaqjen e simptomave të saj. Epoka jonë është ajo e krizës, qeverisja është e krizës, marrëdhëniet prodhuese janë ato të krizës. Koncepti i krizës në këtë rast është ai i krizës ekonomiko-politike strukturore, krizës organike, dhe jo krizave të thjeshta ekonomike. Për Lazzarato-n, sistemi ekonomiko-politik, pas krizës strukturore të viteve 1970, karakterizohet nga krizat e njëpasnjëshme dhe mbahet në këmbë prej tyre: nga kriza ekonomike tek ajo klimatike e nga kjo e fundit te kriza shëndetësore aktuale. Të gjitha këto më pas shndërrohen në krizë të ideologjisë sunduese, të të gjitha atyre aparateve detyra e të cilëve është argumentimi dhe drejtimi i marrëdhënieve të prodhimit e të shkëmbimit.
Kriza si produkt i kontradiktave shoqërore s’është tjetër veçse shtrimi i një detyre të domosdoshme për zgjidhje. Ajo është thyerja e cila në një mënyrë ose tjetër kërkon të kapërcehet, t’i jepet një zgjidhje potenciale radikale. Kriza është një thyerje e krijuar nga kontradiktat e jetës materiale dhe nga pamundësia e superstrukturës juridiko-politike për t’i zgjidhur apo drejtuar ato. Kriza shtron një detyrë për zgjidhje dhe kjo zgjidhje, ç’është më e rëndësishmja, ekziston në një formë ose tjetër sepse, thënë me fjalët e Marksit, “detyra lind vetëm atëherë kur ekzistojnë kushtet materiale për zgjidhjen e saj ose, të paktën, kur këto kushte janë në formim e sipër”.
Kriza pra ndodh jo vetëm sepse ka kontradikta shoqërore, por edhe se tashmë janë krijuar kushtet materiale për zgjidhjen e tyre, sepse një subjekt i ri ka marrë jetë ose po merr formë. Mirëpo e vjetra, ndonëse e dobët, është ende në fuqi dhe institucionet e saj apo aparatet e dhunës vihen menjëherë në lëvizje për t’u mbrojtur nga ky subjekt i ri. Siç thotë Gramsci: “Kriza qëndron pikërisht në faktin që e vjetra po vdes dhe e reja nuk mund të lindë; e në këtë ndërmbretërim ndodhin një larmi fenomenesh të frikshme.” Gjatë një krize fundi nuk ka mbërritur ende e për rrjedhojë as e reja nuk mund të shfaqet ende plotësisht ose lirisht. Në citimin e mësipërm ndërrmbretërim ka kuptimin e boshllëkut që krijohej kur në Romën e lashtë vdiste ose mungonte magjistrati suprem, ose kur në Mesjetë vdiste mbreti dhe për shkaqe të ndryshme nuk mund të zgjidhej ende pasuesi e tij. Kriza përbën pra një hapësirë të ndërmjetme e të padallueshme mes vdekjes dhe jetës, mes asaj që është dhe asaj që do të vijë, ose do të bëhet. Në këtë hapësirë të ndërmjetme, ku çdo gjë mund të ndodhë, diçka e pengon ardhjen e të resë, por është pikërisht kjo pengesë, ose kjo mungesë, sipas mendimtarit sard, që do e bëjë të renë më ekspansive se çdo mundësi e alternativë tjetër. Ky ndërmbretërim, kjo periudhë e ndërmjetme, është kyçe për fatet tona.
Duke bërë një histori të termit, Agamben-i thotë se fjala krizë përdoret në dy kuptime: njëri është ai mjekësor dhe tjetri teologjik. Në traditën mjekësore krisis është momenti në të cilin mjeku duhet të gjykojë, të vendosë nëse pacienti do të vdesë ose do të jetojë. Dita ose ditët në të cilat merret ky vendim quhen krismoi, ditët vendimtare. Ndërsa në teologji krisis është gjykimi universal që shpall Krishti në fund të kohëve. Ajo që na thonë Gramsci është se intervali i ndërmbretërimit, momenti i gjykimit përfundimtar, është vendimtar për të ardhmen. Ky vendim varet nga rrethanat dhe nga subjekti, si dhe nga aftësia e “mjekut” për ta peshuar drejt gjendjen. Sidoqoftë mendoj se në këtë ndërmbretërim nuk vihet në pikëpyetje ndryshimi, progresi i historisë, pasi e vjetra do të vdesë dhe e reja do të lindë mbi gërmadhat e saj, por forma që do të ketë kjo e re, a do ketë më tepër tipare nga e vjetra apo nga e reja. Fillimet të tilla janë, të padallueshme qartë. Vetëm në një moment të dytë e reja do të shfaqet e plotë dhe e lirë nga çdo përcaktim i vjetër. Epoka në të cilën po jetojmë është një epokë krize, ndërmbretërimi, e cila do të përcaktojë formën që do të ketë e ardhmja dhe se ç’zgjidhje do t’i japim detyrës që na ka ngarkuar koha jonë. Këtë formë na duhet ta ndërtojmë ose të paktën ta përvijojmë.
Imazhi: Spectre Journal
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.